Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – (Kuptimi politik i dhënies së Çmimit “Saharov” I. Rugovës) – Kush do ta besonte se hija e Rugovës do ta ndiqte Ukshin Hotin kudo, edhe në Kosovë, edhe në burgjet serbe, edhe në Parlamentin Evropian? E dhëna e paradokohshme se Ukshin Hoti është ndër kandidatët kryesorë të marrjes së çmimit Saharov nga Parlamenti Evropian, pasi që më parë ishte kandiduar për këtë çmim nga Partia Transnacionale Radikale me seli në Romë, qe pritur si një sinjal i mirë dhe si një satisfaksion që do të fitonte Ukshin Hoti për vuajtjet e tij nëpër burgjet jugosllave. Do të ishte ky në fakt një satisfaksion edhe për vetë elitën politike evropiane e cila do të tregonte kështu se di të çmojë më në fund përpjekjet dhe sakrificat e luftëtarëve dhe transmetuesve të vërtetë të vlerave qytetëruese evroperëndimore në pjesën më të prapambetur të kontinentit.
Do të ishte ky një satisfaksion edhe për vuajtjet e popullit shqiptar i cili do ta merrte vesh përmes një gjesti të tillë se Evropa, ndonëse nuk mund të bëjë më shumë për Kosovën, së paku i kupton dhe i respekton synimet dhe aspiratat e popullit shqiptar për liri.
Do të ishte një satisfaksion edhe për gjithë gjeneratën rinore e studentore të vitit 1981 që u ngrit kundër diktaturës titiste duke dhënë kështu (bashkë me polakët) sinjalin e parë në Evropë të shembjes së despotizmit të kuq lindor.
Hija e Rugovës e ndoqi Ukshin Hotin kudo, edhe në Kosovë, edhe në burgjet serbe, edhe në Parlamentin Evropian?!
Jo rastësisht në faqen e internetit të kësaj partie, (PRT-së) figura e Ukshin Hotit është vënë përballë asaj të Millosheviqit, me qëllim që tu japë mundësinë njerëzve për krahasim dhe për të vendosur se kush është për në ferr dhe kush për në parajsë.
Mirëpo ndodhi një gjë e turpshme: ky çmim iu nda Rugovës.
Nuk do të ishte kjo një gjë e turpshme sikur përballë tij të mos kishte qenë pikërisht Ukshin Hoti. Mirëpo preferenca e Rugovës karshi Hotit nuk mund t’i shpëtojë rrezatimeve politike që bartin këta dy emra e që do të kenë qenë përcaktues në përzgjedhjen e njërit dhe jo të tjetrit.
Por ç’rrezatime politike bartin në të vërtetë këta dy emra?
Gjersa
– i pari rrezaton oportunizëm dhe dëgjueshmëri
– i dyti papajtueshmëri dhe vetëmohim.
Gjersa
– i pari rrezaton aspiratat e një rrethi të ngushtë intelektualësh të Prishtinës,
– i dyti rrezaton aspiratat e gjithë një populli.
Gjersa
– i pari rrezaton autonomi dhe nënshtrim kolonial,
– i dyti rrezaton liri dhe pavarësi.
Gjersa
– i pari rrezaton një pseudozgjidhje për Kosovën që do të mashtrojë popujt serbë e shqiptarë dhe që do të vazhdojë agoninë koloniale të Kosovës,
– i dyti rrezaton paqen e bazuar në drejtësi si parakusht themelor të zhvillimit të lirë të popujve të Ballkanit.
Për të parin nuk dinte kush se do ta merrte këtë çmim gjer para disa ditësh, ndërsa pro të dytit ishin prononcuar, përveç rinisë studentore prishtinase, edhe dy ndër figurat më të shquara politike e intelektuale shqiptare, Ismail Kadare dhe Adem Demaçi. Letrat mbështetëse për Ukshin Hotin të këtyre të dyve janë botuar në faqen e parë të internetit të PRT’së.
Arsyetimi se i pari është kundër luftës është hipokrit. Qysh para 7 vitesh Ukshin Hoti ka paralajmëruar se politika e papërgjegjshme e Rugovës po e çonte popullin shqiptar të Kosovës pashmangshmërisht drejt luftës (shiko shkrimin e tij të gjatë fejtonistik me titull “Republika dhe lufta në kontekst të Evropës ” botuar në “Bujku” më 1992).
Edhe Z. Demaçi për shpërthimin e luftës në Kosovë fajëson, përveç palën kryesore, (që është padyshim shovinizmi serb), edhe sjelljen e papërgjegjshme politike të udhëheqësve LDK’istë, dhe sidomos të kryetarit të saj Rugova. Kështu që, përkundër besimit të përhapur mbi Rugovën si një gandist, pacifist e jo’radikal, ai do të mbahet mend si një njeri që për të ruajtur bythën e vet e çoi popullin e vet drejt luftës, dhe e kundërta, Ukshin Hoti do të mbahet mend si një martir që preferoi të martirizonte veten dhe jo popullin e tij, ose së paku, përpara popullit të tij.
Ndërkaq mbetet për t’u sqaruar edhe një rrethanë: koha kur u kandidua njëri dhe kur tjetri për këtë çmim.
Ndonëse kandidimi i Ukshin Hotit u bë i njohur vetëm para një muaji, të gjithë ata që kanë hapur faqen e internetit të PRT’së kanë mundur të vënë re se ky kandidim në të vërtetë është bërë që në muajin shkurt të këtij viti.
Në qoftë se Rugova ka qenë kandiduar para Ukshin Hotit, atëherë ç’nevojë ka pasur që t’i sigurohej një rivalitet i tillë me një emër tjetër shqiptar dhe ta vinte Parlamentin Evropian para një dileme të tillë të panevojshme?
Mirëpo në qoftë se emri i Rugovës është ngritur si balon para hundëve të Parlamentit Evropian në çastet e fundit, atëherë kur fituesi i çmimit tashmë dihej dhe do të ishte me siguri Ukshin Hoti, turpi i ngritësve të këtij baloni është i pafalshëm, sidomos po të jenë nga Prishtina. Mirëpo s’është çudi që të jenë edhe nga Beogradi, sepse edhe serbëve s’do t’u konvenonte shpërblimi i një njeriu të cilin ata e mbajnë në burg…
Mbështetja që i jep Parlamenti Evropian Rugovës në çastet e fundit para rrëzimit të tij final shënon gomën e shpëtimit për një të mbytur në ujë. Mirëpo Rugovën s’ka më kush ta shpëtojë. Mbase do t’ia siguronte një kujtim të mirë vetes po të deklaronte: “Më falë Evropë, po Ukshin Hoti është më i madh nga unë, prandaj unë do të tërhiqem!” Në këtë mënyrë edhe ato kërkesa të tij të rralla verbale në konferencat e të premteve të shtypit për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu, do të tingëllonin të sinqerta dhe jo hipokrite.
Mirëpo gjestet e mëdha nuk janë për njerëz të vegjël.
(Botuar në ZIK, 29 tetor 1998 )
Lexoni: Partia Transnacionale Radikale për Ukshin Hotin:
http://www.radicalparty.org/it/search/apachesolr_search/ukshin%20hoti%201998