BOTIME QË SHPALOSIN BOTËN SHPIRTËRORE TË AUTORES MATIANE

Botime që shpalosin botën shpirtërore të autores matjane

Nga Bajram Canameti

Elona Basha, ndonëse e re, shfaqet e guximshme dhe premtuese para lexuesit me dy libra të spikatur, në poezi e prozë, me një larmi titujsh, që dalin nga shpirti i saj rinor.

Kur flet shpirti, çdo gjë është e bukur dhe e drejtë, e ëmbël, e pastër dhe e ndritshme. Fjala e shpirtit është fjalë e zemrës, është fjalë e kulluar dhe e hapur, që ngjan me aromën e trëndafilave të majit. Në të dy librat modestë, por me përmbajtje të madhe, me 100 poezi të shkruara me thellësi mendimi, titulluar “Lër shpirtin të flasë” dhe 60 tema të përgjithshme e të trajtuara shkurtimisht në prozë poetike, me titull “Nën hijen e realitetit”, autorja jep me pikatore mesazhin dritëdhënës për të hapur shtigjet e mendimit në udhëkryqin e realitetit.

Poezia e Elonës është e hapur dhe e drejtpërdrejtë, e thjeshtë dhe e qartë, ku gërshetohet realja me imagjinatën, shkruar në vetën e parë me një shpirt të ndezur, duke përcjell mesazhin te lexuesi nëpërmjet fjalës artistike. Tematika e gjërë ka në qendër njeriun dhe kohën. Ajo e mpreh nervin ndaj shumë fenomeneve duke iu bërë një radiografi. Poetja e nxit fantazinë nëpërmjet metaforës. Me një detaj sinjifikativ ndërton poezinë. I këndon dashurisë duke shartuar fjalën me mendimin poetik të shpirtit. Muza e saj poetike sjell skemat e jetës me një gjallëri emocionuese dhe trajton të mirën e të bukurën, dashurinë e gëzimin, por dhe të hidhurën e të shëmtuarën, ndaj shpesh ajo bën thirrje: Zgjohuni, ngrihuni, ndryshoni!

Për poeten hyjnorja gjendet te shpirti njerëzor. Ajo i këndon bukurisë së pranverës, princeshë e stinëve, duke sjell gëzimin e saj:

Herët në mëngjes trokiti dera,

çohuni, gëzohuni, se erdhi pranvera!

Poetja i bën thirrje njeriut që të ngrihet e të shijojë të bukurën, gjallërinë e jetës, mirësinë e natyrës, ashtu si dikur Omar Kajami, që ftonte njerëzimin për zbardhjen e ditës. Këtë thirrje e takojmë te poezia “Na duan, s’na duan”:

Shumë njerëz që na duan,

shumë të tjerë bëjnë sehir,

ca të tjerë janë dhe pranë,

kur të duhen, nuk i gjen

që të jesh njeri i vërtetë,

lere shpirtin të flasë vetë…

Në këtë vëllim poetik takojmë dhe poezi, që mbajnë peshën e dhimbjes e që autorja bën thirrje për humanizëm, si psh te poezia “Lypsari”:

Shtrije dorën o njeri, jepi sa të kesh

çliroje zemrën nga kjo dhimbje me peshë…

Krahas thirrjes poetja jep dhe këshillën, që e shohim te poezia “Mërzitje e tepërt”:

Koha rrotullohet si një gogël,

ëndrrat thuren pa mbarim,

në këtë jetë të shkurtër, të vogël

gjeje udhën pa trishtim!

Vetmia është një trishtim i vërtetë, një plagë e rëndë që dhemb në zonat rurale. Largimi i të rinjve drejt emigrimit ka sjell boshatisjen e vendit dhe trishtimin e jetës. Te poezia “Vendlindja ime” Elona me një varg të goditur shpreh gjithçka:

Në zemër të mbaj, të kam pikturë…

Një gjetje e bukur, e ndjeshme, që të frymëzon. Vëllimi mban larmi titujsh, si poezitë për Matin, nënën, shpresën, fëmijërinë, dashurinë, mallin, pleqërinë, drejtësinë, familjen, shoqet, miqtë e plot subjekte të tjera me të cilat njeriu përballet në jetë.

Në shumë poezi që i kushtohen dashurisë poetja flet me zemër të hapur dhe me shpirt të ndezur për këtë temë të gjërë që trajtohet me pasion. Dashuria është e ëmbël e s’do mjaltë për t’u ëmbëlsuar, as lule për ta zbukuruar, as dritë për t’u ndriçuar, as prush e zjarr për t’u ngrohur, as erë e fllad për t’u freskuar. Ajo i ka të gjitha, se është universale. Ajo gris retë të puthet me diellin, rrëzon akujt, ortiqet dhe i shkrin ato me zjarrin e saj:

Të jesh i dashuruar

ke gjithë botën nëpër duar,

do të vij një ditë te ti,

do ta puth at’ sy të zi!

Më përqafo me ndjenjë e mall,

më mba ti peng të gjallë,

merr pak yje lart për mua,

e më thuaj se të dua!

Autorja i shkrep mendimet për mallin që shpërndahet si degë flakësh nëpër ré. Ajo i zgjon kujtimet, malli shkrihet si qirí, si te poezia “Më merr malli”:

Më mjafton një dritë qiriu,

atëherë do t’i mbyll sytë,

sa shumë dashuron njeriu,

pika e lotit bie në fyt…

Në poezinë “Ah kjo jetë” Elona na tregon se jemi kalimtarë të përkohshëm, ndaj të mos e prishim zemrën dhe shpirtin, të luftojmë veset e këqia, lakminë e xhelozinë. Të jemi në harmoni e dashuri me njerëzit. Kemi ardhur për t’u provuar e për të mbajtur emrin njeri:

Në këtë jetë kalimtare,

veç ju lutem, mos lakmoni

jemi lindur duke qarë,

duarbosh do të shkoni…

Poezia për nënën i përkund mendimet e shpirtit, e fton të shkruajë:

Të gjitha fjalët e kësaj bote

e pamundur të shkruhen,

e gjithë bota në një fletë

sigurisht është nëna vetë!

Nëna është hyjneshë e shenjtë, muza e muzave, me nimëza dielli, imazhi i saj është yll drite. Pentagrami i kujtimeve të poeteshës, shkund, kujton mbi letrën e bardhë për të hedhur metaforat, idetë, figurat në një tematikë të gjërë e të pasur, duke na dhënë cikle poetike të ëmbla, të bukura, të thjeshta, veshur me kolorit të pasur. Duke lexuar librin humbet në udhëkryqet e kohës. Poetja përcjell artin e fjalës për të qënë udhëtare në fushën e poezisë shqipe.

*      *      *

Krahas poezisë Elona i dhuron lexuesit dhe prozën poetike “Nën hijen e realitetit”, një libër i vogël me përmbajtje të gjërë e të madhe, i vlefshëm që ngjasn me këshilla për jetën. Ajo flet për udhën e suksesit të njerëzimit, asimilimin e diturisë, guximin, besnikërinë, dashurinë, drejtësinë, humanizmin, moralin, njohjen e vetvetes e shumë tema të tjera që të befasojnë e që njeriu çdo çast ka nevojë për t’i mësuar e zbatuar. Autorja na mëson që para gjithçkaje të njohim vetveten, pasi bota përreth nesh na detyron të tërheqim vemendjen drejt saj e si pasojë veten e harrojmë. Vetëm vetësjellja jonë e bën të mundur ta shikojmë e ta njohim veten…

Nëse njohim veten, kemi pasuruar shpirtin dhe kemi në dorë çelësin e hapjes të rrugës së jetës. Autorja trajton një gamë të madhe temash, një larmi virtutesh, si rruga drejt suksesit arrihet nga njerëzit e ditur, që ecin me guxim e këmbëngulje, vullnet e pasion, me besim e përkushtim. Tek edukimi i fëmijëve dhe i të rinjve përcaktohet fati i të ardhmes së vendit. Edukimi ka vlerë më shumë se ajri.

Siç e cilësova më lart, ajo trajton shkurtimisht 60 tema të rëndësishme që ndikojnë në jetën e njeriut, si humanizmi që është frut i qytetërimit, dashuria që mbetet thelbi i jetës, morali, guximi, besnikëria, demokracia, besimi në Zot, drejtësia, pastërtia e shumë të tjera. Në faqen 104-105 autorja ka trajtuar temën e parasë, për të cilën çdo njeri e familje ka nevojë. Nëpërmjet parasë zgjidhen shumë nevoja, por jo gjithçka. Me pará e blen ushqimin, por jo shëndetin. Me pará e blen shtëpinë, por jo familjen. Me pará e blen librin, por jo diturinë. Me pará e blen stolinë, por jo bukurinë. Me pará i blen rrobat e kostumin, por jo personin. Me pará e blen krevatin, por jo gjumin. Me pará blihen shumë gjëra, por jo dinjiteti. Prandaj autorja është kundër opinionit të kohës së trazuar, që paraja popullarizohet si gjithçka. Sot paraja ndodhet në duart dhe xhepat e disa politikanëve të korruptuar, politikanëve dallkaukë e servilë, të trafikantëve e kundrabanidistëve, të bandave kriminale. Paraja ka vlera kur vihet në sherbim të popullit e të vendit, të njerëzve në nevojë dhe prosperitetit të shoqërisë e të kombit.

Duke përfunduar i uroj suksese autores Elona Basha për këtë nisje të guximshme në rrugën e krijimtariosë letrare!

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MOTIVE JETIKE

MOTIVE JETIKE Nga Meti Rexhepi Hysen Këqiku: “LULELALET  VESHIN  PETALE” (Poezi dhe tregime për fëmijë) Shtëpia botuese, KURORA,…