ÇDO GJË FILLON NGA NAFTA

ÇDO GJË FILLON NGA NAFTA

Nga Inxh.Ahmet Collaku, Tiranë 28 shtator 2021

Kur pasuria që na sjell fati fillon të të marrë mendjen, është e pamundur të mos thyejmë kokën. Seneka

Kjo krizë partish shqiptare, PS, PD, ka në epiqendër naftën sado që disa liderë partish flasin dhe ulërijnë për vota të vjedhura. Nafta është bankë e fshehtë me çelsa në duart e liderave shqiptarë që asnjëherë nuk flasin për konçesione dhe grabitje nafte.

Të gjithë e dinë mirë se votat e shqiptarëve janë nëpër marrëveshjet konçesionare firmosur nga Nano, Berisha, Rama, nga persona të dukshëm dhe tëpa dukshëm. Humbjet tona në naftë janë miliarda dollarë. Vetëm me një ton naftë blihen qindra vota, po me disa mijëra tonë naftë? Këta kryelugetër gjithnjë lëvizin gurët e shahut për të qendruar në krye, të vjedhin sa me shumë naftë.

Që bëjnë të njëjtin teatër të dhunës dhe hipokrizisë. Që përsëritet e përsëritet pa fund. Prej 30 vjetësh. Me të njëjtët barkpangopur, me të njëjtët shpirtzbrazur, shkruan para dy javësh pamfletisti në majë.

Të huajit e dinë mirë se Shqipëria ka naftë. Sipas statistikave botërore, Shqipëria ka 0.1% të rezerave botërore të naftës, radhitur në vendin e 56, duke lënë pas 42 vënde. Pra, Shqipëria është shumë perspektivë dhe inkurajuese për kërkimin dhe zbulimin e naftës… Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë tonë naftë, a më shumë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, 40 milionë tonë/naftë janë të pashfrytëzuara, ndërsa 50 milionë tonë/naftë janë tashmë të shfrytëzuara. Këtë perspektivë energjitike më mirë e dinë specialistët tanë të naftës.

Qeveritë shqiptare, me kohë u kanë hapur portat kompanive të huaja të grabisin naftën shqiptare. Janë shumë kompani. Këto marrëveshje janë bërë dhe bëhen për të vjedhur naftën, për të konvertuar votat e shqiptarëve.

Së pari është Kompania Bankers Petroleum ulur këmb kryq në vënd burimin e Marinzës, nga ku dizenjohet Shqipëria. Sa borxhe i ka kjo kompani Shqipërisë? Ikën pronarët e parë pa bërë asnjë dorëzim dhe erdhen kinezët e hieroglifeve. Bankers Petroleum shfrytëzon vendburimin e Marinzës që nga viti 2014, fushën kryesore të naftës në Shqipëri dhe më e madhja në Europë me një sipërfaqe prej rreth 17.8 mijë hektarësh ku rezervat e saj të provuara janë rreth 5.4 miliardë fuçi naftë.

Duhet thënë se Shqipëria deri tani nuk ka fituar gjë nga shfrytëzimi i kësaj pasurie mjaft të madhe natyrore që ka nëntoka shqiptare, sepse asnjë kompani nuk ka rezultuar ende “me fitim”.

Kalvari i kontratave të naftës me të huajit është i gjatë dhe i komplikuar, një metamorfozë e tmerrshme ku ka paqartësi dhe abuzime monstruoze. Në shtator 1995, qeveria Shqiptare nënshkroi një kontratë për kërkim-shfrytëzim me kompaninë angleze “Medoil “. Kjo kompani nuk kreu asnjë lloj punimi,po këtë liçensë në vitin 2007 e bleu kompania tjetër angleze “Cairn Energy“, me “Capricorn Albania Ltd”, duke planifikuar të bënin rreth 400 km profile sizmike dhe më pas të shponin edhe një pus. Po asgjë nuk u bë.

Kompania Phoenix fallsifikoi dokumentet me vlerë 1.300.000 dollarë. Vargu i skandaleve të tillë është i gjatë, por qeveritë shqiptare, nuk merren me këto, rendësi ka që paratë e naftës të shkojnë në fondin e partive, në fushatat elektorale dhe para elektorale. Zyrat e shtetit shqiptarë shpesh herë kthehen në një han pa porta nga ku mund të vjedhësh miliona dollarë përmes faturave të falsifikuara të naftës.

Grabitja e pasurive kombëtare është realizuar nëpërmjet një procesi të sofistikuar, të maskuar pas ligjit të konçesioneve. Qeveria e parë e viteve ’90, grabiti nëpërmjet privatizimit dhe futi në përdorim urgjent konçesionet. Ndërkohë, ne shqiptarët merremi me mustaqet e Ҫelos. Le të bëhet një Vetting për naftën, të gjenden cilët kanë firmosur ato dhjetëra marrëveshje konçesioniste, atëhere do të kuptohet mirë nga na vjen ky skllaverim dhe përse shkrepin herë pas here këto protesta partish.

“Shumë kam bërë, po ende shumë kam për të bërë…” – thotë i “pakorruptuari”. Po kujt ia thotë ai këtë, mua? Vjedhja vazhdon. Rëndshëm. Sistemi i rrjepjes është i fortë, në këmbë, vazhdon pamfletisti im…

Konçesionet e naftës, këto biznese të zeza shqiptare, trajtohen me detaje në librin “Nafta dhe Politika” të Prof. Dr. Maksim Shulit, ish deputet i PS dhe President i Albpetrolit. Gjithashtu ky autor ka bërë edhe disa intervista të gjata që ngjajnë si ekuacione algjebrike. Prof. Maksi me kohë ia ka përcjellë këtë libër edhe K/Ministrit, por ai preferon të luaj “shah”në një “tepsi’, pranë një “timoni”, por jo të lexojë një libër për naftën shqiptare.

Korrupsioni i partive në fushata zgjedhje bëhet me paratë e naftës. Kështu kanë bërë dhe bëjnë të gjitha partitë. Nga Nano tek Berisha, nga Berisha tek Rama… Kudo akumulohet nafta që u jep energji vendasve dhe të huajve. Zaten Shqipëria ka qënë një kungull a fuçi nafte në sqetullat e të huajve edhe vite më parë. Ato para gjenerojnë fuqi dhe dhunë.

Vite me parë, dëgjuam thirrjen Nano ik. Vertetë Nanua iku dhe me pas erdhi Berisha. Por pas ca kohe iku edhe Berisha, me thirrjen ik. Tani i erdhi radha Ramës të ik! Ata shkojnë dhe vijnë ndërsa ne zezakët e Albanistanit presim nga të huajt.

Liderët tanë bëjnë luftë nëpër faqet e Istagramit dhe Facebookut, po këto janë farsa për të fshehur naftën e vjedhur. Teatri i dhunës dhe i hipokrizisë.

Pa dyshim kushdo që të vijë tani në pushteti, militantët e krahut tjetër do t’i turren me të njëjtat fjalë, Ik! Ata ikin dhe vijnë, e ç’fitova unë? Asgjë. Mua askush nuk mi kthen këto 30 vite të jetës time në këtë tranzicion të helmuar shqiptarë me monstra të tilla në krye. Mashtruesa dhe vjedhës. Na plakën para kohe. Në vitet ’90 ishim 50 vjeçarë, shpresonim por nuk fituam asgjë. Akoma pa Statusin e Naftëtarit, jetojmë me 200 dollarë në muaj.

Në territorin e Republikës së Shqipërisë vepron edhe kompania Shell me të drejtë kërkim nafte në zonën e Shpiragut, Berat. Shelli ka vite që punon në këtë zonë, por deri më sot nuk kemi dëgjuar të flasë për konturimin e një vendburimi nafte. Ka rregulla teknike për të përcaktuar një vendburim nafte. Kjo kompani është bërë qesharake me vizitat e K/ministrit tonë kur shkon atje të tretur ushqimin.

Dhe, pa qënë specialist, flet për zbulim dhe perspektivë të madhe para pesë a gjashtë njerëzve të veshur me kominoshe. Këtë ritual në disa raste e bënë edhe ministri linjës. A nuk janë qesharake këto njoftime shtypi? Për këto duhet të flasin specialistët e naftës. Shellit nepsi i ka kërcitur deri në Zagori të shkojë të zbulojë naftë, ku edhe zogjtë janë të pashaportizuar.

Vërtetë Shelli është i madh në botën e naftës, por jo ky derivati këtu në Albanistan. Shelli ka 20 vite që vjen rrotull po ende nuk ka konfirmuar zbulimin e një vendburimi naftë të mirëfilltë. Ky Shelli shqiptar është mister se, nëse punon kështu edhe nëpër botë, me investime dhe rezultate të tilla, do ta kishte marrë lumi me kohë.

Pasaportën e vendburimit të Shpiragut e kanë specialistët shqiptarë, autorët e mirëfilltë. Shelli ka në tavolinë projekte të vjedhura, rilevime dhe interpretime të specialistëve shqiptarë, të atyre që paguhen 200 dollarë në muaj.

Tranzicioni demokratik doli më i keq se djalli. Të gjithë vjedhin naftën, bëhen të pasur dhe blejnë vota, jo një e dy por lagje, qytete. Kështu pra, me naftë blihen shtete, parti, ideologji, vota, se nafta është lubrifikimi më i mirë i të pandëshkuarit dhe i “të pakorruptuarit”.

Po kush do jetë ai që do shkojë t’u shkulë dhëmbët “kryeburrave”, njërit në vilën e tij në Lalz e tjetrit në Surrel?- vazhdon heroi im.

Në Gjirokastër “I pakorruptuari”, u lutet studentëve të bëjnë kërkime shkencore se paratë i kanë në xhep. Paska lajthitur. Ai deri më sot nuk është kujtuar të pyesë specialistët e naftës, a kanë studime dhe projekte për zbulimin e naftës? Ai me të tjerët.

Industrinë e naftës e çuan në zero, detashmentin e naftës e bënë copë, shumë specialistë bredhin nëpër botë. Rama thirri në një takim mjekët, por për naftëtarët që zbuluan me dhjetëra vend burime nafte dhe gazi nuk u kujtua. Mjeku dhe ambulanca nuk lëvizin pa naftë. Mirë shkruan ai trimi, nuk ka gjë në botë që të shpëton nga vetvetja, dhe pandëshkimi na kthen përsëri te krimi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura