DILAVER GOXHAJ: INTERESI VË NË PUNË ÇDO LLOJ VIRTYTI DHE VESI

Tiranë, 10 prill 2020: Në intervistën e dhënë nga Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në datë 7 prill 2020, e cila, midis të tjerave tha se pasi mbaruan zgjedhjet e datës 6 Tetor 2019 dhe numrimi i votave, ku ajo kishte fituar vota më shumë sesa të gjithë deputetët e LDK-së të marrë së bashku, theksoi, se kryesia e partisë së saj, edhe pse e kishte paracaktuar për Kryeministre të Kosovës, nuk e kishin njoftuar për mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ku kishin diskutuar për kushtet që do t’i parashtronin Vetëvendosjes për koalicionin.
Duke dëgjuar këtë të dhënë, imponohesh të mendosh se ata të gjithë i trëmben sinqeritetit dhe ndërgjegjes së pastër të kësaj nëne të re, prandaj, diçka kanë dashur dhe duan t’ia fshehin.
Kjo deklaratë e saj na kthen pak prapa, në seancën parlamentare të 25 marsit 2020, kur Kryeministri Albin Kurti, midis të tjerave tha: “Sa kam mësuar këto 50 ditë Kryeministër, nuk kam mësuar gjithë jetën time”.
Duke i vendosur përkrah njëra-tjetrës deklaratat e Kryeparlamentares dhe Kryeministrit, kushdo mund të thotë se në politikën kosovare mbretëron gënjeshtra dhe fshehja e së vërtetës. Kjo është e besueshme përderisa kundër këtyre dy figurave kryesore politike në Kosovë janë vënë në garë të gjithë udhëheqesit e partive politike si dhe shumë gazetarë, analistë, opinionistë e drejtues emisionesh.

Si rrjedhojë, na jepet e drejta të shprehim dyshimin: Pse e gjithë kjo armatë politike, përfshi dhe Presidentin Thaçi, e kanë përqëndruar sulmin kundër këtyre dy figurave? Çfarë i bashkon të gjithë këta: vlerat e përsosura apo poshtërsitë e përsosura? Të jetë vallë frika ndaj pastërtisë politike të Albinit dhe Vjosës ajo që ka ngjallur këtë lloj armiqësie? Apo vallë fshihen interesa të mëdha midis pjesës dërmuese të politikanëve me pushtet të këtyre 20 viteve? Çfarë marrëveshjesh vallë të ndërsjellta interesash dhe shkëmbim shërbimesh i bashkon të gjithë krerët e partive politike në Kosovë, të cilët, duket ashiqare se i tremben fatit të keq ose aftësive të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmait që mund t’i shkartisin?
I shtrojmë këto pyetje, sepse dihet që interesi flet çdo lloj gjuhe dhe interferon çfarëdo personazhi, deri te i painteresuari. Dihet që nteresi verbon disa dhe ndriçon disa të tjerë. Vetëm interesi mundet ta ketë ngjizur miqësinë e tyre e shfaqur në seancën e 25 marsit dhe pas saj dhe asgjë tjetër. Këtë e shohim edhe në këmbënguljen e Presidentit për mos shpërndarjen e parlamentit, sikundër e detyron Kushtetuta. Të sakrifikosh Kushtetutën për shkak të mërisë që kanë Presidenti, Mustafa, Haradinaj, Veseli e Limaj ndaj Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, tregon se janë shumë të prirur për të saktifikuar edhe lirinë e Kosovës për shkak të joshjes që mund të kenë ndaj…dikujt tjetër.
Derisa veprimet e derisotme të qeverisë Kurti kanë gëzuar dashurinë e popullit, gjë që tregon se kanë besim se do ndryshojë qeverisja në Kosovë, ndaj dhe populli këtë periudhë është acaruar shumë më tepër, ngaqë e sheh se po përpiqen ta zëvendësojnë Qeverinë Kurti me koalicionin LDK+AAK+Nisma. Nëse ndodh kjo, do të thotë, se si Presidenti edhe kryetarët e këtyre partive, nuk janë të ditur në politikë; se po të ishin të ditur nuk do ta rrëzonin qeverinë Kurti, të paktën deri në mbarimin e pandomisë; dhe mos harrojmë se atë rrëzim e bënë me akuza të pavërteta, sikundër është dëshmuar këto ditë nga shtypi dhe personalitete të larta amerikane. Të pavërtetat e tyre i dëshmoi edhe deklarata e Ministrisë së Jashtme e Rusisë, e cila u shpreh njësoj sikundër Grenëlli me Serbinë për vendosjen e reciprocitetit nga ana e Vetëvendosjes.
Këto fakte dëshmojnë se në Parlamentin e Kosovës u vërtetua që pakica kishte të drejtë e shumica gaboi, gjë që është e mundshme nganjëherë në çdo parlament sado i madh që të jetë. Dhe kjo ndodh në ato raste kur shumica e parlamentarëve në diskutimet që bëjnë nxjerrin nga goja mashtrim ashtu sikurse është në natyrën e gjarprit që të jetojë vetëm për të distiluar helmin. Këta parlamentarë dhe ushtarët e tyre të propagandës, duke e shpallur gjithë anëtarësinë e ndershme të Lëvizjes Vetvendosje! bolshevikë dhe antiamerikanë, i mëshojnë thjeshtë luftës civile; dhe kjo, vetëm e vetëm pse Vetvendosja ka vendosur që të respektohet sovraniteti i popullit përmes reciprocitetit me Serbinë.
Sipas këtyre zotërinjve mocionistë sovraniteti i popullit qenka fatkeqësi për racën shqiptare? Apo mos vallë për këta zotërinj mocionistë s’paska sovranitet tjetër veç atij të pasioneve të tyre? Kaq shumë t’i ketë lënë fiqiri këta të gjorë!
Ai bashkim i mocionistëve i datës 25 mars e në vijim, me sa po shohim nga zhvillimet e përditshme, nuk duhet të jetë dhuratë për të mirën e popullit, por për atë që duan të marrin prej popullit. E shprehim këtë dyshim, pasi ky mashtrim ndodhi kur në krye të pushtetit legjislativë dhe ekzekutiv erdhën të rinj të vlefshëm dhe një grua e dëlira, të cilat janë gjithnjë vlerë. Kjo ndoshta duhet të jetë pse ata janë trembur. Duhet të jenë thjeshjt interest e kryesive të partive klanore dhe jo të anëtarësisë së tyre, të cilët duan t’i përjashtojnë sa më shpejt nga politika Albinin, Vjosën dhe pasuesit e tyre, para se ata të fillojnë nga puna siç duhet, me qëllimin për ta futur Kosovën në një kaos politik, gjë që e bën të pamundur çdo këshillë në lidhje me të ardhmen e saj.
Si është e mundur që edhe shumë media me zë, figurë e onlajnë të bashkohen me zërin e gjithë kryetarëve të partive kundër LVV? Si është e mundur që e gjithë kjo mori gazetarësh, analistësh e specialistësh, pa dallim spektri politik e krahinor, janë bashkuar në këtë luftë propagandistike kundër këtyre dy figurave politike kryesore aktuale: Albin Kurti e Vjosa Osmani? Dhe kjo kuptohet, ngaqë në këtë mes ka të bëjë shumë opinioni publik dhe pikërisht për përpunimin e këtij opinioni po bëhet lufta më e ashpër duke vënë në shënjestër Albinin dhe Vjosën. Një luftë kaq masive kundër këtyre dy figurave nuk e kemi parë as kundër Millosheviçit gjatë luftës!
Me një fjalë, i gjithë ky koalicion kundër Albin Kurtit e Vjosa Osmanit dhe mbështetësve të tyre është hedhur në sulm pse këta duan të zëvendësojnë taksën 100% me reciprocitetin; poshtërimin që i është bërë Kosovës këta 20 vjet nga kasta politike me dinjitetin; qeverisjen abuzive e nepotike me shtetin ligjor; intrigën me meritën; ndërgjegjen e trullosur ndaj UÇK-së me portretin e vërtetë të saj si prurësia e lirisë; gënjeshtrën me të vërtetën; vogëlsinë e atyre me pozita të mëdha me madhështinë e njeriut; me një fjalë, pse duan të zëvendësojnë të gjitha veset e gjërat qesharake të manifestuar nga politika 20 vjeçare me virtytin dhe demokracinë e vërtetë.
Tiranë, 10 prill 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura