DILAVER GOXHAJ: ISHTE APO JO DEMAÇI PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE TË RAMBUJESË?

Tiranë, 26 Korrik 2019: (Me rasin e një vjetorit të largimit nga jeta të Adem Demaçit) – Organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën Adem Demaçi e shihte të pashmangshme, por jo në ato momente kohore kur UÇK-ja porsa pat arritur t’i afrohej barazimit në vlera ushtarake me ushtrinë serbe në aspektin ushtarak dhe politik; jo në ato momente kur ishim në pragun e vendosjes së luftës në Kosovë nën udhëheqjen e një qeverie gjithëpërfshirëse e zgjedhur prej popullit, e cila do të delte nga Asamblea Qytetare, ku të gjitha forcat politike në Kosovë do t’i ngrinin programet e tyre politike deri në fund të luftës; jo në atë kohë kur, përmes kësaj ngjarje të madhe politike, Asamblesë, do të hidheshin bazat e një uniteti shqiptar të panjohur kurrë më parë, qysh prej Lidhjes së Prizërenit.
Marrëveshjet për bisedime ndërkombëtare zakonisht i kërkon në rrugë diplomatike pala që e sheh se së shpejti do të jetë humbëse. Gjë që UÇK-ja nuk ishte në ato pozita. Prandaj Demaçi nuk kish pse të pranonte atë lloj marrëveshje të ngutëshme, në paragrafët e së cilës Kosovës i ndalohej të negocionte për 10 kushte që ishin në dëm absolut të saj. “Nuk ka kompromis mbi parimet dhe interest kombëtare”, shprehej me zë të lartë dikur Presidenti Xhon Kenedi. Mbetja e Kosovës nën Serbi dhe shkrirja e UÇK-së, përveç të tjerave, binin ndesh me interesat kombëtare, aq më shumë në ato momente kur UÇK-ja ishte në avantazh të gjithanshëm.
Midis dobishmërisë së asaj konference dhe të drejtës për t’i kundërshruar ato 10 kushte, gjendej madhësia e fajit midis Drejtorisë Politike dhe Adem Demaçit. Kjo madhësi e pamatshme dypalëshe e fajit përbënte antagonizmin midis Demaçit dhe Dr.P, të cilat deri në atë moment ishin një palë. Dhe ky antagonizëm u duk qartë kur Drejtoria Politike pranoi në mënyrë të befasishme 10 kushtet e panegocueshme dhe shkuarjen e tyre në Rambuje, kur të tjera projekte politike ishin vënë në rrugën e zgjidhjes, në marrëveshjen midis UÇK-së dhe forcave politike në Kosovë, sikundër e theksuam më lartë.

Ajo këmbëngulje e Demaçit tregoi se për atë dhe UÇK-në çështja kryesore, javën e parë të Shkurtit 1999, nuk ishte armiku, por problemi i brendshëm: udhëheqja gjithëpërfshirëse e luftës çlirimtare.
Për këtë të drejtë të Demaçit bindemi edhe po t’i referohemi vetëm debatit që ai bën me Veton Surroin, pasqyruar tek libri “Liria dhe joliria”, ku vihet re se Demaçi e ka pas më se të qartë se, luftën guerile (partizane) ai nuk e shihte thjesht në pikpamjen e veprimeve luftarake. Ai ishte i bindur se aksionet luftarake të UÇK-së, që ai kërkonte të intensifikoheshin, nuk ishin çelësi për mposhtjen me forcë të gjithë forcave ushtarake të Serbisë përmes betejave ushtarake, por ishin pjesë e një përpjekjeje politike në disa drejtime, të cilat duhej të ecnin në mënyrë paralele, për ta bindur Serbinë se luftrat guerile (partizane) nuk mposhten kurrë, e cila të detyrohej më në fund të tërhiqej nga Kosova. “Eshtë e pamundur që një forcë e jashtme të mundi një lëvizje guerile në vendin e vet”1), argumenton analisti amerikan i luftrave lokale në këto tre dekadat e fundit, historiani Xhorxh Fridman. Në rast se njëra prej atyre të dyjave do të ndalonte së funksionuari, (aksionet luftarake apo politike), ose do të ecte më shumë se tjetra, (sikundër ishte rasti i vendimit të Dr.P), do të krijoheshin vështirësi serioze, sikundër edhe u krijuan; pse jo edhe dështim, pasi edhe gjatë kohës që zhvilloheshin bisedimet në Rambuje, nga UÇK-ja u përsërit strategjia e luftës mbrojtëse, njëjtë si në verën e vitit 1998.
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare në mes të luftës, do të ishte ecje paralel e aksioneve luftarake dhe ngritja e strukturave politike të pushtetit të ardhshëm, gjë që do të forconte besimin në popull, se e ardhmja e Kosovës do të ishte liria dhe demokracia liberale. Vetëm ashtu i jepej shpresë popullit. Kjo ishte politika e Demaçit, e cila është edhe qëllimi i vetë politikës. Madje, me shkëmbimin e robërve të luftës, më 13 Janar 1999, UÇK-ja, duke u bërë sunduese absolute e situatës politike dhe ushtarake në Kosovë, tregonte se ajo nuk kish për t’u dobësuar, por, përkundrazi, do t’i rritej edhe më shumë autoriteti, si dhe do të kishte edhe mbështetjen de fakto të të gjithë spektrit politik në Kosovë.
Këtë gjë e patën vënë re edhe analistët anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers, që e kanë ndjekur nga afër atë luftë, të cilët shprehin të kundërtën e asaj që shprehen Jakup Krasniqi e Ramë Buja, duke thënë: “Nga fundi i vitit 1998 dhe fillimi i vitit 1999, ishte bërë një hap i madh përpara në drejtim të aftësisë dhe organizimit të UÇK-së. Sipas komandantëve të UÇK-së, pikërisht në këto momente, kur ajo ishte shndërruar në një forcë koherente dhe shumë të suksesshme, po u kërkohej të ndërprisnin luftimet dhe të çarmatoseshin… Nuk vihej në dyshim, se UÇK-ja në Janar dhe Shkurt 1999 ishte duke fituar gjithnjë e më shumë hapësira në Kosovën Qëndrore dhe Perëndimore”2).
Në ato kushte UÇK-ja do t’i përgjigjej asaj situate të krijuar me shtimin edhe më tej të numurit të luftëtarëve të saj, krahas presionit ushtarak ndaj Serbisë dhe atyre segmenteve të faktorit ndërkombëtar, që e shihnim me skepticizëm luftën tonë çlirimtare dhe objektivat që ajo synonte të realizonte. Vetëm pas mbledhjes së Asamblesë Qytetare, sipas Adem Demaçit, mund të bisedohej për të shkuar në një konferencë ndërkombëtare. Ndërprerje e këtij procesi shqiptar ishte një dramë e madhe si për UÇK-në edhe për Demaçin.
Për fat të keq, ngjarjet rodhën ndryshe. Duke u abandonuar Asmableja Kombëtare, praktikisht goditej drejtpërsëdrejti UÇK-ja. Pse e themi këtë? Sepse vetëm “Lufta ndërton strukturat e reja që do të jenë institucionet e para të paqes”3), thotë pacifisti dhe shkrimtari i njohur frances Zhan Pol Sartri. E megjithatë, në këto kushte e për këto arsye që parashtruam, Adem Demaçi u përpoq të shpëtohej çfarë mund të shpëtohej. Ai propozoi që të bëhej një hap prapa: të zgjatej dhënia e përgjigjes për Konferencën Ndërkombëtare të Paqes në Paris (Rambuje), derisa të mblidhej Asambleja Qytetare; të riorganizohej UÇK-ja për të përballuar ofensivën e mundshme serbe; të bëhej ç’është e mundur që t’i imponohej Serbisë të kalonte forcat e saj në mbrojtje si rjedhojë e sulmeve të shpeshta të UÇK-së dhe, më në fund, kur serbët do të ishin në gjendje për kundërsulme ndaj UÇK-së, kjo jo vetëm që do të ishte e aftë ta përballonte armikun, pasi serbëve u duhej një kohë e gjatë që të arrinin në atë stad, por atëherë do të duhej të delte në skenë konferenca ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, natyrisht që do të zgjatej lufta. Kjo do të ishte edhe pika më e dobët për Serbinë, të cilën e pat konstatuar edhe “Zëri Amerikës”, i cili, në analizën e bërë në datën 15 Janar 1999 deklaronte: “Serbia është dobësuar ekonomikisht dhe nuk ka burimet e duhura; një luftë afatgjatë për Serbinë është barazi me një katastrofë të paevitueshme”4). Po këtë gjë raportonte nga Beogradi, në 2 Shkurt 1999, gazetari amerikan Steven Erlanger: “Tani vendi është më i varfër se kurrë”5). Prandaj themi se në këto kushte që ndodhej Serbia, strategjia e Demaçit do të rezultonte e suksesshme, pasi do të ishte Serbia ajo që do të kërkonte bisedimet, si palë që shkonte drejt humbjes së luftës. Si rjedhojë, Kosova do të kish këto përfitime: UÇK-ja do të mbetej ushtria e rregullt e Kosovës; LDK-ja nuk do të merrte më pushtetin dhe, qysh në zgjedhjet e para, forcat progresiste politike përkrahëse të luftës së armatosur do të merrnin pushtetin dhe s’do të ndodhte e kundërta, sikundër ndodhi.
Derisa Adem Demaçi shkoi në Shkup dhe e pranoi ta merrte dhe ta studjonte projekt-marrëveshjen e Rambujesë, shihet qartë që ai ishte për një mbledhje ndërkombëtare. Por, të pranosh, nuk do të thotë të pajtohesh. Që të pajtohej, ai kërkonte një zgjidhje të arsyeshme: mosçarmatosjen e UÇK-së dhe vetëvendosjen e Kosovës, të cilën ai e kish të qartë që arrihej vetëm me këtë rrugë. Gjithashtu, ai nuk ishte për një pavarësi që të dhurohej nga duart e Evropës dhe më pas të shfrytëzohej për qëllimet e ruajtjes së ekuilibrave në Ballkan, por për një pavarësi të vërtetë me të drejtën e vetëvendosjes.

Duke qenë se Shtabi i Përgjithshëm e pranoi vendimin e Drejtorisë Politike, strategjia e Demaçit dështoi. Dështimi i Demaçit ishte dështim edhe për UÇK-në; rrjedhimisht dështim edhe për Kosovën. Për të mos ndodhur ai dështim, ai menjëherë, porsa delegacioni kosovar mbriti në Paris, organizoi në Shtabin e Përgjithshëm, në Abri të Drenicës, zgjedhjen dhe emërimin e Komandantit të ri të atij shtabi, Sylejman Selimin, (deri në atë kohë komandant i Zonës së Parë Operative), në vend të Azem Sylës, që pat shkuar në Rambuje6). Madje, Demaçit në atë mbledhje iu dhanë edhe të gjitha kompetencat për Udhëheqjen Politike të UÇK-së, si Komisari i saj Politik.
(Pjesë nga libri “Drama e UCK dhe e Adem Demacit” (f.88-92)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

TE DEUM (*)

TE DEUM (*) Nga Elife Podvorica Jashari, Prishtinë 12. 02. 2023 Oh, Zot !…Ishte kjo psherëtimë që sot…