DILVER GOXHAJ: KOSOVA NË UDHËKRYQ!

Tiranë, 12. 09. 2015: Çështja e Gjykatës Speciale dhe krijimi i Zajednicës, (e krijuar kjo në kundërshtim me nenin 60 të Kushtetutës së Kosovës), janë çështje jetike për popullin shqiptar në Kosovë dhe vetë Kosovën. Ndoshta do të duket diçka e tepërt rikthimi te këto çështje, por ja që del e domosdoshme përsëritja e disa ngjarjeve të së kaluarës që populli ta fiksoi mirë në mendien e vet se çfarë ka ndodhur e çfarë kërkohet të ndodhi me ato dy vendime, që janë dy çështje madhore jetësore për të ardhmen Kosovës.
Është theksuar shumë herë më parë se këta dy vendime anti Kosovë kaq të rendësishëm: Gjykata Speciale dhe Zajednica, janë vendime të nënshkruara në Konferencën e Rambujesë.
Del e nevojshme ta rithesojmë se bisedimet në Rambuje duhej të ishin bisedime për një paqe të drejtë demokratike midis Kosovës dhe Serbisë. Them “midis Kosovës dhe Serbisë” dhe jo midis UÇK-së dhe Serbisë, ngaqë Kosovën në Rambuje nuk e përfaqësoi vetëm UÇK-ja, (sikundër ishte këmbëngulja e drejtë e z.Adem Demaçi, ngaqë ajo i detyroi ndërkombëtarët ta thirrnin Rambujenë).
Dimë gjithashtu që z.Adem Demaçi e pranoi me kënaqësi Konferncën e Rambujesë, por me kushtet që: Kosova të mos mbetej pjesë e Serbisë, të mos ndahej ajo dhe UÇK-ja të mos çarmatosej e të mos shkrihej si dhe shtatë kushte të tjera që janë më pak të rëndësishme se këto të treja. Mirëpo organizatorët me aq urgjencë të Rambujesë (Franca, Anglia, Italia dhe Rusia) nuk i pranuan kërkesat e z.Adem Demaçi. Atëherë Demaçi vendosi që të bindëte Drejtorinë Politike dhe Shtabin e Përgjithshëm që edhe ata të ishin të këtij mendimi, si dhe intensifikoi mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku, veç të tjerave, atje do të shtrohej për diskutim edhe çështja e pranimit ose jo e të gjitha kushteve që parashikonte Projekt-Marrëveshja e Rambujesë.

– Adem Demaçi dhe Albin Kurti –

Sikundër dihet tashmë, si Drejtoria Politike edhe Shtabi i Përgjithshëm vepruan njësoj si dhe Franca me Anglinë, nuk i pranuan sugjerimet e z.Adem Demaçi dhe shkuan në Rambuje, duke e sabotuar edhe Asamblenë Kombëtare, e parashikuar t’i fillonte punimet në 10 Shkurt 1999, ndërkohë që Konferenca e Rambujesë u shpejtua dhe i filloi punimet në 6 Shkurt 1999.
Evropa nuk kish si t’i pranonte kërkesat e Demaçit sepse synonte që Kosova të mbetej pjesë e pashkëputur e Serbisë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës të çarmatosej dhe të shkrihej, gjë që u vërtetua me Gjykatën Speciale dhe Zajdenicën. Nënshkrimi i asaj Marrëveshjeje unanimisht nga i gjithë delegacioni i Kosovës, nuk thoshte gjë tjetër veç se pranonin që Kosva të ishte Serbi, mohohej lufta e deriatëhershme si dhe gjaku i derdhur, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës të shpallej jo ushtri çlirimtare, por grupe të armatosura terroriste dhe, si e tillë, t’i jepej për gjykim një gjykate ndërkombëtare,(shih“Marrëveshja e Përkohëshme e Rambujesë për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë”, kreu “Korniza”, Nenin II, nënçështja: “Arrestimi i luftëtarëve dhe çështja juridike”,& Nr.13, pika “a”), sikundër u krijua tash pas 16 vjetësh.
Të gjithë politikanët shqiptarë të asaj kohe, të të gjithë krahëve e të gjitha trevave shqiptare, përfshirë edhe LPK-në (Lëvizja për Çlirimin e Kosovës), që e kish shpërthyer vetë atë luftë(!), çuditërisht ishin për ndërprerjen e luftës çlirimtare, gjë që e kërkoi me ngulm z.Hashim Thaçi porsa zbriti në Paris, dhe bënin propagandë të ethëshme për ta nënshkruar atë marrëveshje të disfavorshme për shqiptarët. Të gjitha këto forca politike shqiptare bënë një luftë të tërbuar edhe kundër Adem Demaçit, duke e akuzuar edhe për puçist dhe me gjysëm zëri edhe për tradhëti kombëtare, edhe pse kërkohej dorëzimi pa kushte i UÇK-së. Por ajo që të habit edhe më shumë është fakti që shumica e politikanëve shqiptarë dhe e delegacionit kosovar në Rambuje edhe pse ishin dhe janë me grada e tituj shkencorë, çuditërishtë bënin sikur nuk e kuptonin që me ato qëndrime kundër Demaçit bënin lojën e Serbisë, dhe pranonin që UÇK-ja t’i jepej gjyqit ndërkombëtar si terroriste. Kjo ishte një politikë e maskuar me fraza patriotike. Por edhe shumica e efektivave të UÇK-së e hëngri karemin e ngritur nga Serbia dhe e mbështetur nga partitë politike të Kosovës, gjë që e kuptuan kur lufta mbaroi, kur hynë në Kosovë forcat e KFOR-it të cilat porsa shihnin një person me uniformën e UÇK-së, qoftë edhe pa armë, e arrestonin dhe e hiqnin zvarrë si me qenë terrorist i ISIS-it të sotëm. Por ishte vonë.
Por nuk thonë më kotë se rasti është mbreti i botës. Falë këmbënguljes së Millosheviçit, (një këmbëngulje tepër e dyshimtë), e cila bëri që delegacioni i Serbisë të mos e nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, dhe situata kaloi në favor të Kosovës, por jo edhe në favor të UÇK-së, e cila, sipas asaj marrëveshjeje, do të ndëshkohej për terrorizëm, dhe që po zbatohet tash pas 16 vitesh.
Krijimi i Gjykatës Speciale është thjeshtë haraçi që duhet të paguajë UÇK-ja për luftën që bëri kundër Serbisë dhe që e detyroi NATO-n ta ndëshkonte Serbinë, duke u vendosur përkohësishtë dhe pa dëshirën e saj në krah të UÇK-së, për nevojat e saj imediate.
Por ajo që historia shqiptare ka për ta shkruar me shkronja të zeza është lufta këmbëngulëse e LDK-së, çuditërishtë edhe e ish Drejtorisë Politike të UÇK-së (sot udhëheqëse e PDK), kundër UÇK-së, duke u zhytur gjithnjë e më shumë në këtë llum antikombëtar, duke arritur deri atje sa të marrin një vendim anti Kosovë e anti UÇK, duke thënë: “Le të ngrihet Gjykata Speciale kundër UÇK-së për interesa të Kosovës dhe pastrimin e UÇK-së”!
Dhe ajo që të revolton edhe më shumë është fakti që ende shoqatat e dala nga ajo luftë çlirimtare, si dhe një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar në Kosovë, ende nuk e kanë të qartë shkakun e vërtetë të këtij qëndrimi të përbindshëm të ish Drejtorisë Politike të UÇK-së, qëndrim i cili do ta përçai edhe më shumë popullin shqiptar, duke e kthyer Kosovën në një krahinë vasale të Serbisë.
Që të mos ndodhi trajtimi hipotetik i UÇK-së si ushtri terroriste dhe kthimi i Kosovës në krahinë vasale të Serbisë ka mbetur vetëm një rrugë demokratike: Të kthehemi atje ku historia ngeci në vend para 16 vitesh: të thirret Asambleja Kombëtare e Kosovës, të cilën ta kryesoi nismëtari i atëhershëm i saj, zoti Adem Demaçi. Kjo asamble të përbëhet jo më pak se prej 1800-2000 përfaqësuesve të popullit, (një delegat për 1000 banorë).
Që të realizohet ky akt i madh demokratik u del detyrë gjithë forcave përparimtare në Kosovë të organizojnë mbledhjen rrufe të jo më pak se 100.000 nënshkrimeve në popull. Dhe krahas kësaj, opozita do të bënte mirë t’ia kërkoi këtë gjë Parlamentit, duke vënë edhe një herë në provë atdhetarizmin e deputetëve të PDK, meqenëse mendojnë “për të mirën e Kosovës”, sikundër shprehen çdo ditë. Le t’ia lënë popullit të vendosë. Mund të dalin zëra e të thonë se nuk e njeh Kushtetauta Asamblenë Kombëtare, por Parlamenti ka të drejtë edhe ta abrogoi Kushtetutën e jo të mos marrë një vendim për thirrjen e një asambleje kombëtare në kushtet kur Kosova ndodhet në udhëkryq historik. Besoj se rrugë tjetër më demokratike nuk ka.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura