DITËLINDJA E HEROIT TONË REXHEP MALA (1951-1984)

DITËLINDJA E HEROIT TONË REXHEP MALA (1951-1984)

Nga Mehmetali REXHEPI

Sot, më 29 mars 1951: Rexhep Mala po të ishte gjallë, do t`i rrumbullakonte 72 vjet! Por, edhe pse nuk është në mesin tonë sikurse ne, që frymojmë, Ai është i pranishëm në trajta guximi, në trajtat më të mira e më të çiltra të atdhedashurisë: si Njëri nga kryengritësit e përjetshëm kundër  robërisë, krimeve shekullore të armiqve të kombit Tij. Nuk ishte burrëruar për të kënaqur vetën, jeta e Tij i përkiste At-Dheut, kryesisht pa asnjë fije përfitimi për vetën e Tij a të ndonjë klani. Ishte fjalë pak  e krejtësisht veprues.  Nuk e duronte dot demagogjinë… Ishte njeri që vishej me sedrën e konkretizimit të idesë, që në dukje të parë dukej e pamundshme, e tmerrshme, e pathyeshme!  E veçanta e karakterit Tij ishte drejtë për drejta …

Rexhep Mala nuk i takonte kategorisë së premtuesve; ishte tërësisht realizues përpjekjesh nga ato më të thjeshtat deri tek më të ndërlikuarat… Rexhep Mala çante akullin e trashë  të vetëdijesimit e të veprimit, të demaskimit ndaj figurave të urryera  shqip-folësish, që i shërbenin verbërisht ortodoksisë shtetërore serbe-sllave. Ai nuk ngurronte t`iu jepte epitete satirike, me zë të lartë ballë përballë, ndjekësve të inteligjencës së pakët shqiptare të kontekstit kur jetoi e veproi.

Rrethanat nuk ishin të favorshme  për shtrirjen e fushë-veprimit Tij, por Ai nuk i priste “kohët më të mira!” Ne, disa shokë të Tij e dinim, që  Rexhës nuk do t`i shkonte gjatë mësymja… Mirëpo, Ai nuk kishte të ndalur. Padyshim, ishte pararendësi  i njësiteve guerile urbane… Ishte i vetëdijshëm për kapjen e Tij nga ndjekjet policore serbe-jugosllave, andaj,  përgatitej për përballimin, së pari shpirtëror e pastaj dhe fizik të torturave të tmerrshme, që do ta prisnin në burgjet e kamp-përqendrimeve  jugosllave për shqiptarë, veçmas për karakterin dhe kalibrin e një atdhetari të tillë, si e kam njohur dhe, si kam dëgjuar nga dëshmitarë të përafërt me Të, për Të,  për Heroin Rexhep Mala dhe bëmat e Tija në kasaphanat e  hetuesisë jugosllave!  Asnjëherë nuk u ndal, që nga Demonstratat e para të Njëmijë e Nëntëqind e Gjashtëdhjetë e Tetës kur ishte fare i ri, adoleshent.

Përpjekjet e Tij me shokë, që nga “Grupi revolucionar”, deri tek Projekti për Krijimin e Partisë së Luftës, edhe pas daljes nga burgjet e rënda rrënuese, të cilat nuk kishin arritur ta gjunjëzonin Heroin tonë kombëtar Rexhep Malaj, e shpien deri tek mosdorëzimi dhe, bashkë me si-veprimtarin tjetër, dhjetë vjet më të ri, Nuhi Berisha, bënë Epopenë e “Kodrës së Trimave,” atëbotë periferi e Prishtinës!…Dy kundruall dhjetëra udbashësh e qindra policë në përballje të pabarabarta… Dhe bien me këngë në buzë në agminë  e ftohtë të kallnorit 1984! Ngjarja e “Kodrës së Trimave” ishte pararendësja e pak më vonshme e UÇK-s. Rexhep Mala, i tillë do të ishte edhe po të shpëtonte nga Lufta e UÇK-s, ngase nuk mund të pajtohej me padrejtësi dhe zgjidhje gjysmake të trojeve autoktone shqiptare. Gjithsesi, Atij,  do t“i ngriheshin gracka nga shërbimet e fshehta, nga klanet e pushteteve… Me përcaktimet e Tija jetike, si e njihnim Rexhep Malajn, Ai kurrë nuk mëtoi të shfaqte qëllime karrieriste për vete, as për familjarët e Tij të dashur!

Gjilan, më 29 mars 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura