DR. ERMIRA YMERAJ: PYETËSORI I PRUSTIT

Shkodër, 15 nëntor 2019:

 

 

 

1. Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer? Për mu lumturi është të ndjerit mirë, mënyra se si i përdor gjërat që kam, se si i zgjidh gjithë problemet, nuk e kam qëllim të jetimit lumturinë e përkryer.
2. Cila është frika juaj më e madhe?
Të mos mund t’ju gjindem vajzave kur ato të kenë nevojë për mua.
3. Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Njerëzit i çmoj, jo për atë që dinë, por për atë që bëjnë me atë që dinë. Më së shumti admiroj njerëzit me dinjitet të fortë, të qëndrueshëm e largpamës.
4. Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
A duhet medoemos të identifikohem me një personalitet historik? Ah, mendomëni për pak kohë sikur të isha Abraham Lincoln.
5. Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Është e vështirë t’ia pranosh vetes tiparet e “këqija”, po ja që ne jemi bashkim i tipareve të mira dhe tipareve të këqija, rëndësi ka sa aftësi ke t’i zotërosh këto tipare. Premtoj se do e lë duhanin, dhe nuk e mbaj, domethënë nuk pëlqej varësinë.
6. Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Jetojmë në mjedise mbytëse në thelb, ndërsa në dukje është mjedis i gjallë e plot kulturë, çdo ditë kemi shfaqje tiparesh që lindin e mbinë si këpurdhat. Do veçoja mosmirënjohjen. Nuk pëlqej gjithashtu farën e burrave që i bjerrin vlerat burrërore përballë gruas.
7. Në cilat gjëra e teproni?
Në duhan, pi shumë. E teproj në dashuri, dua më shumë se ç’duhet të duash njerëzit, e teproj në besim, besoj më shumë se ç’duhet. E teproj në sinqeritet, jap më shumë se ç’duhet. E teproj në reagime.
8. Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Asgjë, pikërisht nga kjo vuaj, se s’mësova të gënjej. Heshtjen besoj se nuk do ta quani gënjeshtër?
9. Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi drejt vetes. Nuk pranoj lehtë gjërat që më ndodhin, shpesh më cilësojnë si të shkëputur nga ky realitet, sepse nuk pranoj ligësinë që ekziston, nuk pranoj mashtrimin, nuk pranoj thikat mbas shpine, nuk pranoj se miqtë më të mirë që kam, e pata, m’u bënë e bëhen armiq. Po ja që po mësoj të rrugëtoj, mos u çuditni çdo ditë mësojmë të ecim.
10. Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Të kam jetë, zemër ti, po dhe idiote/ idiot kur nervozohem.
11. Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jam penduar që kam besuar në vlerat e disa njerëzve, për të cilët më është dashur dhe t’i mbroj. Më vjen keq që s’munda t’i njoh në kohë skilet, të paburrët, gratë hijena që bubërrojnë të të kafshojnë.
12. Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Barku im, domethënë: tri vajzat e mia. Zgjedhjet e mia: im shoq.
13. Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Momentalisht??? Në dilemë.
14. Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Çdo etapë e jetës shoqërohet me ndryshime që t’i dikton koha, mjedisi, njerëzit me të cilët ndan rrugëtimin tënd. Çuditërisht gjithmonë kam pëlqyer të kundërtën time, domethënë kam pëlqyer atë që më mungon. Do ndryshoja rebelimin, me të cilin i bëj njerëzit që kam pranë të vuajnë. Do doja të mundja të kontrolloja më fort emocionet.
15. Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Prindërimin, të mund të ia dal të formoj tre individë që të ecin me këmbët e tyre. Quaj arritje se nxita veten që nga asgjëja e askushi të bëhem dikushi. Kam parasysh fatin e disave që lindin në ambiente që kanë gjithçka, po s’mund të mbrojnë as emrin e paraardhësve të tyre, nuk e çojnë më tutje duke shkruar emrin e tyre, po mburren me çfarë trashëguan. E quaj arritje se pranoj të ringrihem pas çdo dështimi.
16. Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Vitet e jetimit me tim atë, më mungon tmerrësisht.
17. Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Unë e kam studiuar vdekjen, biles në doktoraturë kam studiuar motivin e ringjalljes letrare. Besoj te njeriu misionar, e tillë do doja të rikthehesha.
18. Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Falja. Fali shumë. Kjo në aspektin personal. Nëse te zotërim do fusja dhe trashëgimi, zotëroj dorëshkrimet e gjyshit tim, poet dhe dramaturg i shkrimeve të “letërsisë së sirtarëve”.
19. Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Njeriun gjarpër. Mungesën e dinjitetit, paditurinë, hakmarrjen, bjerrjen e shpirtit.
20. Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend ku të respektohet njeriu, ku të mos shpifet, ku të mos paragjykohet, ku të mos mbytet ndershmëria, ku të vlerësohet e mira.
21. Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Unë jetoj falë zgjedhjes krah një mashkulli që më bën të kuptoj e të vlerësoj të kundërtën time gjinore. Vlerësoj diturinë, maturinë, besnikërinë, qetësinë, modestinë.
22. Çfarë vlerësoni tek një femër?
Nëse mbyt te vetja vogëlsitë, brishtësitë, ndjenjën e xhelozisë brenda llojit, nënshtrimin ndaj burrit. Te një femër vlerësoj nëse respekton veten.
23. Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Unë jam prej dy dekadash mësuese letërsie, prej tre dekadash lexuese, ndaj nuk ndalem dot te një shkrimtar. Megjithëse veçoj shkrimtarët që hulumtojnë psikologjikisht qënien.
24. Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Im shoq, është heroi im, sepse në maskaradën e tjetërsimit prej lakmisë, ngjitjes, pushtetit, ai mbetet njeriu i mirë.
25. Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të njihja njerëzit me shikim të parë, që më pas të mos më bënin të vuaj.
26. Si do të dëshironit të vdisnit?
Menjëherë, pa vuatje.
27. Cila është motoja juaj?
Të mbetem njeri i mirë deri në fund të jetë.

_____________________
DR.ERMIRA YMERAJ: QËNDRIMI I SHTETIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMET NË KOSOVË, 1982 – 84
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9228

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura