Tetovë, 04. 10. 2016: Sipas mediave vendëse, këto ditë paska përfunduar në Tiranë rikonstruktimi i një rruge të kryeqytetit, e cila mban emrin “Rruga e Kosovarëve”! Ky është një lajm i mirë dhe njëkohësisht edhe lajm i keq!
Lajmi është i mirë, sepse ,,rruga e përuruar disa herë më parë nga bashkia e mëparshme e Tiranës, kësaj radhe po i jep fund sagës pesëvjeçare. Për këtë rrugë kanë paguar qytetarët me të ardhurat e këtij viti nga Agjencia e parkingjeve të kryeqytetit”. Nuk do të ndalemi kësaj radhe në rëndësinë e kësaj rruge që paraqet për qarkullimin e lirë të banorëve të kryeqytetit, as në faktin se “Rruga e Kosovarëve” e lidh digën e liqenit me rrugë të tjera të qytetit, për çka ,,atë e bën shumë të frekuentuar nga mbipopullimi i kësaj zone”, siç transmetojnë mediat.
Vetë emërtimi i kësaj rruge të kryeqytetit të shtetit shqiptar, i cili është atdhe edhe i shqiptarëve të Kosovës, si i të gjithë shqiptarëve, të len përshtypjen se këtu ka një naivitet, një pakujdesi, në mos edhe një sherr, me apo pa qëllim, i cili nuk e nderon Tiranën, shtetin dhe kombin shqiptar.
Nuk guxojmë assesi ta emërtojmë një shesh, rrugë apo institucion tjetër, si: ,,Rruga e Kosovarëve”, ,,Lagjja e Kosovarëve”, ,,Fondacioni i Kosovarëve”, ,,Universiteti i Kosovarëve”, ,,Banka e Kosovarëve”, por do të ishte më e drejtë të emërtohen, për shembull, si: ,,Rruga e Kosovës”, ,,Banka e Kosovës”, ,,Agjencia e Kosovës”, ,,Armata e Kosovës”, etj. Sidomos, kjo nuk duhet të ndodhë në kryeqytetin e shtetit shqiptar, pjesëtarë të të cilit janë edhe kosovarët, preshevarët, shkupjanët, tetovarët, çamët, labët, myzeqarët, mirditasit, pa edhe arbëreshët nga Greqia, Italia, Zara. Shqiptarët, pa dallim se nga jenë. Republika e Shqipërisë është shtet dhe Atdhe i të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, rajoni e qyteti.
Asnjëherë gjatë historisë nuk janë ndarë pjesëtarët e kombit tonë në ,,shqiptarë” dhe ,,kosovarë”; as gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, e as në shpalljen e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, apo në ngjarjet tjera me rëndësi të veçantë për kombin dhe shtetin shqiptar.
Askush nuk e ka cilësuar Isa Boletinin si ,,kosovar” në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, as si ,,tetovar” Ministrin e parë të Luftës (mbrojtjes), gjeneralin Mehmet Pashë Deralla, i cili vinte nga një qytet (Tetova) i cili sot ndodhet jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Askush nuk ka mundur ta cilësojë Lidhjen e Prizrenit si ,,Lidhja e Kosovarëve”, e as Kryengritjen e Dervish Carës si kryengritje e Pollogut, apo e Maqedonisë, sepse ato janë ngjarje me karakter kombëtar, dhe si të tilla paraqesin mburrje dhe krenari për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se në cilën krahinë janë zhvilluar, në cili qytet kanë ndodhur, por janë vlerësuar si ngjarje me rëndësi dhe në interes të përgjithshëm të kombit shqiptar.
Prandaj, do të ishte mirë që këto çështje të rishqyrtohen nga institucionet kompetente dhe të ndryshohet emërtimi i kësaj rruge dhe ndonjë emërtim tjetër me përmbajtje të këtillë të panatyrshme. Për më tepër se, një emërtim i tillë është ofendues për shqiptarët e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine, rajoni dhe qyteti nga vinë ata.
Vetë leximi i këtij lajmi të krijon përshtypje të keqe, si gjatë kohës së regjimit komunist, kur në Tetovë dhe disa qytete të tjera lagjet thirreshin me emra të këtillë përçmues, si ,,Lagjja e evgjitëve”, ,,Lagjja e vllehëve”, ,,Lagjja e muhaxhirëve”, etj.
Për emërtimin e shesheve, rrugëve dhe institucioneve, së pari duhet të respektohen disa parime gjuhësore, historike, morale, si dhe disa parime e kategori sociologjike. Ato mund të emërtohem me emra të ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishme nga e kaluara historike, data të rëndësishme, emra qytetesh, ngjarjesh, visesh dhe personalitetesh të shquara, nga kultura dhe historia jonë kombëtare, si edhe e kombeve të tjera, por që janë me rëndësi të veçantë ndërkombëtare, për shembull, si: ,,Rruga e Dibrës”, ,,Rruga e Janinës”, ,,Nënë Tereza”, ,,Xhon Kenedi”, ,,Kongresi i Manastirit”, ,,Komuna e Parisit”, etj., por assesi nuk duhet të emërtohen si: ,,Rruga e Kosovarëve”, ,,Rruga e Çamëve”, ,,Rruga e Labëve”, ,,Rruga e Mirditasve”, ,,Rruga e Muhaxhirëve”, ,,Rruga e Hebrenjve, ,,Rruga e Vllahëve”, ,,Rruga e Evgjitëve”, dhe të ngjashme.
Tetovë, 4 tetor 2016
Tiranë, rikonstruktohet “Rruga e Kosovarëve” – News, Lajme – Vizion Plus
Veliaj përuron rrugën e re të “Kosovarëve” – Top Channel Albania – News – Lajme