DR.ERION PICIRI: SHUME BUSTE, PAK MODELE!

Tiranë, 13. 12. 2105: Për botën e qytetëruar, liderët e vërtetë janë ata që çlirojnë një popull dhe instalojnë një sistem vlerash superiore ku dominojnë liritë individuale dhe kolektive. Raportet e pushtetit me liritë e qytetarit janë baza e vlerësimit të lidershipit nga lashtësia deri në ditët tona. Sunduesit që luftojnë për të çliruar dhe për ta robëruar një shoqëri, izoluar, eliminuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve, nuk mund të jenë veçse udhëheqës të rremë që janë investuar në një rrugë të gabuar…
***

Adhurimi për Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës zbriti këto ditë në Përmet dhe në një fshat të Himarës. Nuk janë episode të rastësishme, por reflektim i një fushate të mëhershme zyrtare për rehabilitimin e babait të diktaturës komuniste në Shqipëri. Një histori që përsëritet shpesh në këto anë. Personazhe të ndotur gjatë jetës, pastrohen pas vdekjes. Me fanatizmin e një grupi interesash mund të fitohet historia. Nuk ka rëndësi se ç’ke bërë, por se ç’do fabrikohet. Kështu jemi mbushur me buste, por nuk kemi modele, jemi mbushur me burra shteti, por nuk kemi një shtet për të qenë.
Meqenëse bëhet fjalë për simbolikën kombëtare, duhet të ndalemi më gjatë. Simbolet kanë vlerë ideore, legjitimuese dhe krijuese, të së sotmes dhe së ardhmes. Për këtë arsye, përcaktimi i busteve dhe simboleve kombëtare nuk është çështje grupesh apo shumicash kalimtare, por raportesh me sistemin universal të vlerave. Këtu çalon puna. Vihet re se profili i figurës publike, heroit apo shtetarit është ulur aq shumë sa në këtë panteon të vlerave kombëtare mund të hyjë kushdo që ka lënë pas një klan politik, krahinor apo fetar. Mungon vërtetësia, mungon një vlerësim korrekt i punës dhe impaktit të qenësishëm të një sërë personazhesh që afrohen si figura kombëtare. Mungon një etalon i qartë vlerësimi, që njëson personalitetin tonë me atë të botës së civilizuar. Mungon kritika e ndershme ndaj së shkuarës dhe së tashmes me një projeksion të qartë drejt së ardhmes.

– Richard Nixon dhe Enver Hoxha -.

Diçka nuk shkon në vlerësimin tonë mbi liderin, mbi parametrat e shtetarit. Ka ende nga ata që duke mos njohur lidershipin e vërtetë vazhdojnë të ushqejnë një adhurim për ushtruesin abuziv të pushtetit, adhurim për pushtetin e frikës, dhunës, mohimit të të drejtave tona. Ka ende nga ata që i mahnit forca e agresorit. Ndryshe nuk mund të shpjegohet lartësimi i Hoxhës dhe mbështetja për shëmbëlltyrat e tij.
Kur dikush bëhet pjesë e një ideologjie radikale, pohon me nder se aderon, themelon dhe punon për një diktaturë të proletariatit, që e shikon zgjidhjen te dominimi i një pjese të shoqërisë mbi një pjesë tjetër, ky nuk mund të jetë simbol kombëtar, për asnjë vend të qytetëruar, kurrsesi për ne shqiptarët. Ne nuk mund t’i japim Hoxhës dhe të tjerëve si ai, atë për të cilën nuk investuan. Ata krenoheshin me diktaturën dhe ne t’i shpallim çlirimtarë, t’i shpallim shtetarë. Duhet të tregohemi të ndershëm me historinë tonë dhe me ata që ushtruan pushtetin. Regjimi i Hoxhës asociohet me diktaturën, me zaptimin e të gjitha pushteteve, me eliminimet vrastare të kundërshtarëve politikë, me eliminimin e pluralizmit, me eliminimin e të drejtave politike, me izolimin e qytetarëve, me ndalimin e besimit, me eliminimin e të drejtave civile, sekuestrimin e pasurive, me mohimin e të drejtave ekonomike, e të tjera e të tjera. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, në 45 vite komunizëm u pushkatuan 5548 vetë, u burgosën dhe internuan mbi 36 mijë shqiptarë të tjerë dhe u vuajtën në total 1 milion e 170 mije vjet burg dhe internim politik. Në fund të regjimit komunist, Shqipëria renditej në 15 vendet më të varfëra të botës (www.muzeuimemories.com). Një lloj internimi më i fshehtë i ishte rezervuar të gjithë popullit shqiptar.
Disa historianë dhe akademikë të shkollës së komunizmit, mjaft të zëshëm edhe në tranzicion, mendojnë ndryshe. Ata promovojnë idenë e vlerësimit selektiv të Hoxhës duke neglizhuar kësisoj pamjen e të gjithë tablosë.
Po si duhet trajtuar Hoxha?
Për botën e qytetëruar, liderët e vërtetë janë ata që çlirojnë një popull dhe instalojnë një sistem vlerash superiore ku dominojnë liritë individuale dhe kolektive. Raportet e pushtetit me liritë e qytetarit janë baza e vlerësimit të lidershipit nga lashtësia deri në ditët tona. Sunduesit që luftojnë për të çliruar dhe për ta robëruar një shoqëri, izoluar, eliminuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve, nuk mund të jenë veçse udhëheqës të rremë që janë investuar në një rrugë të gabuar. Historia e njerëzimit është e mbushur me luftëra në emër të lirisë, por jo të gjitha kujtohen. Për çlirimin nga Assadi lufton edhe Shteti Islamik, por askush nuk harron se ‘çlirimi’ i tyre është pushtim. Heronjtë tanë duhet të jenë ata që luftuan nazizmin për lirinë e atdheut dhe të qytetarit, jo ata që luftuan për komunizmin dhe robërinë tonë. Në panteonin e vlerave kombëtare nuk mund dhe nuk duhet të hyjnë autoritarët e djeshëm dhe të sotshëm. Nderimi i tyre pengon zhvillimin e vendit.
Këtu është rasti të trajtojmë edhe pretendimet për arritjet e sistemit komunist. Nëse analizon ata që bota i konsideron liderët e së keqes, padyshim që gjen edhe pjesë të mira. Gjatë qeverisjes së Hitlerit, Stalinit apo ndonjë tjetri të kësaj kategorie, popujt kanë realizuar plot gjëra me vlerë. Jeta ka vazhduar edhe në atë kohë, por do ishin realizuar jashtëzakonisht më shumë në një atmosferë lirie. Krahasimet me botën e lirë janë bindëse në këtë drejtim.
Për t’i dhënë edhe një përgjigje pyetjes që shtrova mbi trajtimin e Hoxhës, po përdor një analogji, me vlerësimin që Dean Williams, i Universitetit të Harvardit i bën Mao Tse-tung (Mao Ce Dunit). Në librin tij, Lidershipi i vërtetë, Williams-i ndonëse ia njeh meritat Mao Tse-tung-ut në çlirimin e Kinës ai e përfshin këtë të fundit si shembull të një lideri të rremë, që vë përpara shoqërisë një grup fals detyrash. Sipas Williams-it, “zgjidhja që mund të japë një ‘njeri i madh’, mund të krijojë përshtypjen e një lidershipi të mençur dhe mendjehollë, por, sikurse tregoi dhe Revolucioni Kinez, ajo mund të jetë fare mirë delirante dhe së fundi shkatërruese” (D.Williams, Real Leadership, 2005, f. 27-8).
Kur gjërat janë kaq të qarta, pse na ndodh një konfuzion i tillë?
Ç’orientuese mbetet një trashëgimi heronjsh të rremë, figurash të ngritura në nivel simbolesh, që nuk reflektojnë vlera por tipare të një lidershipi oriental të bazuar tek dhuna, dinakëria dhe gënjeshtra.
Në këto 100 e ca vite të shtetit shqiptar, shpeshherë ata që e konsideronin veten çlirimtarë u kthyen në uzurpatorë të pushtetit, abuzues të tij, shpërdorues të besimit të dhënë, cenues të lirive tona. Hoxha është pa dyshim rasti më tipik, por jo i vetmi. Është një histori që përsëritet shpesh në hapësirën shqiptare. Fati i keq i këtij vendi është se liderët e tij kanë dashur më shumë veten se vendin, pushtetin e tyre më shumë se liritë tona. Për këtë arsye shqiptarët nuk mund të flasin për baballarë të kombit, për politikanë që vunë bazat e një sistemi demokratik, të balancuar midis pushteteve dhe që do ndalonte pushtetin pa kufi të një individi. Gjithsecili nga të vetëquajturit shtetarë përfitoi nga mungesa e një tradite demokratike dhe e vendosi plotfuqinë e tij jo vetëm në qeveri por në gjithë shtetin. Tradita vazhdon. Rrezikojmë të kemi një tjetër gjeneratë politikanësh të çuar dëm, pa një trashëgimi pozitive në kulturën tonë politike. Mbushur me mëkatet e ushtrimit abuziv të pushtetit apo miratues në heshtje të tjetërsimit të tij, edhe kjo klasë politike po djeg një periudhë të artë për të krijuar modelet e para të liderëve autentikë dhe të një demokracie të vërtetë. Mungon tek qeveritari ynë vetëpërmbajtja ndaj joshjes së pushtetit, mungon parimi i paprekshmërisë të të drejtave të qytetarit, mungon respekti ndaj pushtetit të sovranit.
Për këtë është e rëndësishme të flasim më shumë për modelin. Këtu duhet të ndalemi seriozisht, dhe të kuptojmë se qëndrimi ndaj Hoxhës dhe sivëllezërve të tij, është në fakt lufta për Shqipërinë e së ardhmes. Nëse e tolerojmë do të na mbërthejë siç na ka mbërthyer në të gjithë historinë tonë.
Ne duhet të mësohemi t’i vlerësojmë liderët tanë sikurse i vlerëson bota e civilizuar. Ata kanë ditur ta edukojnë liderin, ta ndëshkojnë kur e kap tërbimi dhe t’i japin vendin që i takon në histori. Lidershipi i vërtetë është frymëzim përmes vlerave të larta, ushtrim demokratik i pushtetit pas zgjedhjesh të lira, është ndershmëri, bashkëpunim dhe drejtësi për të gjithë.
***
Ta ilustrojmë me një shembull. Nga fillimi i viteve ’70, në kohën që në Shqipëri sundonte Hoxha, në Shtetet e Bashkuara drejtonte Richard Nixon-i. Parimi i lidershipit i këtij të fundit ishte i ngjashëm me mendësinë e prijësve tanë. Nixon-i besonte se “njerëzit reagojnë ndaj frikës dhe jo ndaj dashurisë”. Kjo filozofi i dogji mandatin e dytë presidencial dhe ndoshta një vend dinjitoz në histori.
Po çfarë bëri Nixon-i?
Nuk vrau e as nuk preu, por me kryeneçësi përdori pushtetin jo për të udhëhequr, por për të marrë revanshin ndaj kundërshtarëve, botës universitare dhe mediatike. Skandali i Watergate-it ishte më domethënësi i modelit të tij. Fillimisht përgjoi kundërshtarët politikë, më pas gënjeu opinionin publik, i detyroi bashkëpunëtorët të gënjenin, të bëheshin pjesë e manipulimit të fakteve dhe paligjshmërisë. (Praktika që këtu tek ne janë në rend të ditës, tani e një 100 vjet). Fundi është i njohur – Nixon’i u detyrua të dorëhiqej, një pjesë e bashkëpunëtorëve të hynin burgjeve. Negativitet e keqqeverisjes së tij janë objekt studimi në shkollat më të mira të lidershipit në Amerikë.
David Gergen, këshilltar i Nixon’it gjatë presidencës së tij, zbulon se me gjithë inteligjencën dhe mprehtësinë ai ishte i sunduar nga demonët e së shkuarës dhe me urrejtje për kundërshtarët. Kjo ishte një sjellje e papërshtatshme për lidershipin e sistemit tonë demokratik, gjykon Gergen (D. Gergen, Eyewitness to Power, 2000, f. 65-103). Warren Bennis një tjetër studiues serioz, vëren se Nixon’i nuk donte t’i udhëhiqte, por t’i vinte rregulla dhe dukej sikur e shikonte popullin e tij si kundërshtar (W. Bennis, On Becoming a Leader, 1989, f. 44).
U ndala tek rasti i Nixon-it, për të kuptuar se si të tjerët e klasifikojnë një model lideri shumë herë më të butë dhe më pak të dëmshëm se sa abuzuesit tanë të pushtetit. Stili udhëheqës i Nixon’it, aq i kontestuar në Amerikë, mbetet amator para gjëmave të ustallarëve tanë të së keqes. Për hir të së ardhmes, duhet të ndalim këtë tolerancë ndaj lidershipit abuziv, të tipit të Hoxhës, apo të disa të tjerëve para dhe pas tij.
Modelet e së shkuarës janë pjesë e formimit dhe edukimit të lidershipit të së sotmes dhe së ardhmes. Liderët mësojnë nga njëri-tjetri. Në momente të vështira çdo drejtues kërkon shpëtimin tek trashëgimia e paraardhësve. Për këtë është e rëndësishme të gjykojmë drejt dhe t’i vendosim barriera shpërdorimit të pushtetit. Kombet që nuk i vënë kufijtë së keqes, rrezikojnë t’u përsëritet në mënyrë periodike…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura