DR.HYSNI BYTYÇI: KUSH PO I MBRON ISH – PJESËTARËT E UÇK’së NË HAGË?!

Londër, 21 dhjetor 2020: Romakët e lashtë thonin se historia është mësuesja e jetës. Nëse është kështu, atëherë duhet të mësojmë diçka nga e kaluara edhe ne kosovarët. Njeri i mençur mëson nga gabimet e të tjerëve. Nga gjykimet e Tribunalit të Hagës, shifet qartë se mbrojtësit e huaj dhe të brendshëm kanë të njëjtin trajtim dhe arrijnë të njëjtat rezultate. Ata ndryshojnë vetëm te pagesat. Të huajt paguhen dhjeta apo qindra herë më shumë. Si avokat, anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës befasohem se si asociacioni i avokatëve të Kosovës hesht, nuk inkorporohet në këtë çështje që është domen i saj, se si injorohen avokatët e vendit, e kjo Odë hesht. Heshtja e OAK është dakordësi me sjelljet e procesuesit nga Dhomat e Specializuara, edhe pse në listën e avokatëve mbrojtës të Dhomave të Specializuara ka shumë avokat, anëtar të OAK.
***

Nën presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës u detyrua në vitin 2015 të miratojë një ndryshim të Kushtetutës duke e amendamentuar atë, në mënyrë që të krijoj bazë kushtetuese për miratimin e një ligji që lejon krijimin e dhomave speciale të gjyqësorit, prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit, të Kosovës me seli në Hagë, Holandë. Historia e këtyre këshillave speciale është shumë e gjatë, njëzet vjet.
Gjykata në Hagë, e cila u themelua nga Kombet e Bashkuara me qëllim të ndjekjes penale të të akuzuarve për krime lufte të kryera në hapësirën e ish-RSFJ-së, hasi në vështirësi të mëdha dhe madje në pamundësi për të hedhur dritë mbi krimet e mundshme të kryera në Kosovë. Ish-prokurorja e Tribunalit për krimet e luftës në ish RFJ, Carla Del Ponte, një herë pat thënë se po përballej me vështirësi të mëdha në mbledhjen e provave dhe sigurimin e dëshmitarëve për sa i përket Kosovës. Bile pothuajse është e pamundur të sigurosh dëshmitarë, sepse njerëzit nuk dëshirojnë të dëshmojnë, ose janë të lidhur familjarisht ose në bazën fisnore, kështu që ata nuk dëshirojnë të paraqiten në gjykatë, besa edhe frikësohen nga hakmarrja, ka frikësim të dëshmitarëve, kështu që situata është e pashpresë. Sidoqoftë, kishte disa raste të të akuzuarve të Kosovës të trajtuar nga gjykata e Hagës. Rreth pesë ose gjashtë individë u ndoqën penalisht. Gjykata dha disa dënime, por nga udhëheqësit – komandantët e UÇK-së nuk u shpall fajtor askush. Komandanti i luftës, Fatmir Limaj, u lirua nga akuza në mungesë provash. Një komandant tjetër, Ramush Haradinaj, madje u paraqit dy herë para drejtësisë në Hagë. Lirimi i parë i akuzës u rrëzua nga Dhoma e Apelit, kështu që gjykimi u përsërit, por dhe herën e dytë, për shkak të mungesës së provave, ju dha pafajësia.
Interesante është të vërehet një detaj nga gjykimi i përsëritur i z. Ramush Haradinaj. Dëshmitari, mbiemri Gashi (emri nuk me kujtohet), i cili dikur kishte dhënë deklaratë para prokurorëve të Prokurorisë së Tribunalit si dëshmitar i akuzës, tani kishte ardhur nga Nju Jorku ku jeton, para gjyqtareve të Tribunalit tha: “Më ndëshkoni sa të doni, por unë nuk do të them asnjë fjalë. Dua të kaloj pjesën tjetër të jetës time në paqe. Shumë dëshmitarë të mundshëm për këtë gjykim sot më nuk janë gjallë”. Gjykata e dënoi atë me dy muaj. Ai shërbeu 60 ditë burg dhe shkoi në shtëpi. Sa i përket rrezikut që dikush të hakmerret ndaj tij, është e sigurt që ai jeton i qetë, kurse sa i përket ndërgjegjes së tij, ne vetëm mund ta supozojmë.
Ndërsa Tribunali i Hagës po i afrohej afati i përfundimit të mandatit, nuk pranonte më akuza dhe gjykime të reja. Publikisht flitej se ka pasur krime lufte edhe në Kosovë, a gjyqësori i Kosovës nuk është në gjendje të hedhë dritë mbi krimet gjoja se janë kryer, Parlamenti Evropian caktoi politikanin zviceran dhe ish-prokurorin e shtetit të kantonit Tiçino, Dick Marty, për të hetuar krimet e mundshme të luftës në territorin e Kosovës dhe në Veri të Shqipërisë.
Më 14 dhjetor 2010, Dick Marty paraqiti një raport në Parlamentin e Këshillit të Evropës duke pretenduar trajtim çnjerëzor dhe vrasje të të burgosurve për qëllim të trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë, i cili përfshinte Hashim Thaçin, Kryeministrin e Kosovës, si dhe ish-personel të tjerë ushtarak – udhëheqës të UÇK-së dhe politikanë aktualë. Politikanët kryesorë të Kosovës reaguan ashpër ndaj raportit të Dick Marty. Presidenti i përkohshëm i Kosovës Jakup Krasniqi e quajti raportin “racist ndaj shqiptarëve”. Kryeministri Thaçi akuzoi atë si “një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës” dhe e quajti raportin “të motivuar politikisht”, “jo i bazuar në fakte”, me qëllim dëmtimin e shtetit të sapo krijuar të Kosovës, imazhin e Kosovës, duke vënë në pikëpyetje procesin zgjedhor, ndërtimin e institucionëve dhe të ardhmen e Kosovës”. Thaçi kërcënoi se do të botonte një listë të shqiptarëve të cilët bashkëpunuan në sigurimin e informatave për këtë raport. Ai madje kërcënoi të ngritë padi kundër Dick Marty-it.
Me datën 25 Janar 2011, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës, me 166 vota pro dhe vetëm 8 kundër, me 9 të përmbajtur, ka miratuar rezolutën, me të cilën kërkon hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran. Dik Marty, ka marrë mbështetje të madhe për raportin e tij, në të cilin akuzon edhe disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Rezoluta në fjalë kërkon që EULEX-i të ketë edhe mandat, edhe mbështetje të nevojshme politike e financiare për t’i bërë hetimet. Miratimit të këtij raporti i parapriu një debat në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që kishte filluar që në mëngjes, për të përfunduar pasdite vonë. Duke folur për ato që e kanë shtyrë ta bëjë këtë raport, Dick Marty ka thënë:
“Kërkimi i së vërtetës dhe denoncimi i padrejtësisë shpesh është i dhimbshëm, shqetësues dhe gërsheton strategjitë politke me interesat politike. Ne në këtë Asamble kemi thënë gjithmonë se të drejtat e njeriut asnjëherë nuk mund të sakrifikohen. Ato nuk janë dhe nuk mund të bëhen kurrë të negociueshme“, ka thënë Marti në fjalën e tij hyrëse.
“Ky raport nuk është raport kundër popullit të Kosovës, e as kundër popullit shqiptar. Ai nuk paraqet thirrje mbrojtëse për Serbinë“, ka thënë Marti, duke shtuar se ai nuk i vë në dyshim krimet e tmerrshme të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit.
Raportuesi nga Zvicra, në këtë fjalim, është arsyetuar disa herë se nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës dhe se ky raport nuk ka të bëjë fare as me statusin e Kosovës e as me raportet e Kosovës me Serbinë. “Po, këta dëshmitarë e duan shtetin e tyre, Kosovën. Por, ata janë shumë të frikësuar. Ata nuk i besojnë drejtësisë kombëtare apo ndërkombëtare, e cila nuk ka qenë në gjendje dhe ende nuk është në gjendje t’i mbrojë dëshmitarët. Si mund t’i fajësojmë ata për këtë“, ka thënë Marti.
Në fillim të seancës ka folur së pari vetë autori, i cili shpesh ka përmendur librin e ish-kryeporkurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, duke thënë se shqetësimet që përmend ajo në librin e saj, nuk kanë mundur të mbeten të pahetuara. Marty ka përsëritur akuzat se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bashkëpunuar sa duhet, ndërsa ka akuzuar edhe Tribunalin e Hagës për shkatërrimin e provave të mbledhura në të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë“.
Nga shumcia e folësve në seancë, përfshirë edhe përfaqësuesit e grupimeve kryesore partiake, raporti i Martit ka fituar mbështetje të fuqishme, që u pa edhe në rezultatin e votimeve.
Autori ka marrë edhe lëvdata për atë që folësit e kanë konsideruar si “punë të jashtëzakonshme“. Disa folës kanë fajësuar edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila, sipas tyre, ka lejuar që krimet të kalojnë të padënuara, për shkak të interesave politike.
Pas diskutimeve të shumëta raporti u pranua, dhe atë me pajtimin e vetë raportuesit, vëtëm kërkesa që të ndryshohet titulli i raportit – në vend të “Raport për trafikim të organeve“ të thuhet “Hetim mbi trafikmimin e organeve”…
***
Pas gjithë këtyre ngjarjeve, Kuvendi i Kosovës erdhi në një pozitë shumë të vështirë. Të gjej mënyrën për të krijuar dhoma të specializuara të gjyqësorit të Kosovës me seli në Hollandë ose për t’u përballuar me faktin se një gjykatë speciale do ta formonte Këshillin i Sigurimit i Kombëve të Bashkuara. Frika mbizotëroi, nëse një gjykatë e tillë themelohet nga KB, ajo mund të përfshijë gjykatës edhe nga Rusia e Kina, pra u mor vendimi që është më mirë për Kosovën t’i themelojë dhomat e specializuara të gjyqësorit kosovar me seli në Holland edhe pse gjykatësit e Kosovës nuk do të marrin pjesë.

Kuvendi i Kosovës, pas ndryshimit të Kushtetutës dhe miratimit të Ligjit për Dhomat e Posaçme, miraton gjithashtu ligjin për mbrojtjen e të paditurve të mundshëm. Prandaj, të gjithë ata që paditen pran panelit special të gjykatës në Hagë mund të llogarisin në buxhetin shtetëror për mbrojtje dhe shpenzimet e anëtarëve të familjes që do të shkojnë për të vizituar të paditurit e burgosur. Shpenzimet do të mbulohen nga arka e shtetit. Burimet financiare në vlerë prej 7,000,000 EUR janë aprovuar për vitin 2020, dhe 6,700,000 EUR për vitin 2021, megjithatë, këto shifra nuk janë fikse. Fondet mund të rriten sipas nevojës.
Paditë e para janë publikuar këto ditë.
-Salih Mustafa, një nga ish komandantët e UÇK-së,
– Hashim Thaçi, kryetari aktual i Republikës dhe ish-udhëheqësi politikë i UÇK-së me pseudonimin “Gjarpri”,
– Jakup Krasniqi, zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës,
– Kadri Veselji, ish-komandant Luli dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, si dhe
– Rexhep Selimi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-UÇK-së.
Katër prej tyre prej datës 5 nëntor 2020 gjenden në paraburgim në Hagë, kurse Salih Mustafa është arrestua dy muaj më parë. Tani veç të pestit, të shoqëruar nga avokatët e tyre janë paraqitur para gjyqtarëve, ku u kanë lexuar aktakuzën. Të gjithë atë e mohuan, duke deklaruar se nuk ndihen fajtorë për të gjitha pikat që akuzohen.
Veçanërisht është interesante kënd e angazhuan ish-çlirimtarët dhe udhëheqës aktualë të Kosovës për mbrojtjen e tyre para gjykatës së Kosovës.
1. Hashim Thaci – Pierre Richard Prosper, avokat nga SHBA, David Hooper nga Mbretëria e Bashkuar dhe Dastin Palaska, për të cilin shkruan se është i specializuar në banka dhe financa, bashkime dhe blerje dhe financim të projekteve.
2. Kadri Veselji – Ben Emerson, avokat nga Mbretëria e Bashkuar
3. Jakup Krasniqi – Venkatesvari Alagendra, avokate nga Malezia e njohur si mbrojtëse e djalit të ish-udhëheqësit libian Muammar al-Gaddafi.
4. Rexhep Selimi – David Young, avokat nga Mbretëria e Bashkuar
5. Salih Mustafa, Julius Von Bon, avokat nga Holanda.
Sipas parimit juridik dhe normave ligjore, i akuzuari është i pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta, dmth derisa dënimi të bëhet i formës së prerë. Nëse çlirimtarët kosovar me të vërtetë nuk ndihen fajtorë, atëherë pse të angazhojnë avokatë të huaj me të cilët dhe nuk mundin me u marr vesh në gjuhën amtare? Pse të paguhen nga arka e shtetit shuma marramendëse, kur avokatura kosovare nëse nuk është në nivelin më të lart se avokatët e përmendur, për të barabartë as që diskutohet.
Oda e Avokatëve të Kosovës aktualisht numëron 1,095 avokatë. Një numër i madh gjithashtu jemi të pajisur me licencë për t’u paraqitur në atë gjykatë në të njëjtën mënyrë me avokatët e zgjedhur nga pesë të akuzuarit aktual. Një numër i madh i avokatëve të Kosovës kemi përvojë të madhe, kemi mbrojtur qindra e qindra të pandehur e të akuzuar në gjykatat e Kosovës dhe Serbisë në kohëra shumë më të vështira se që jemi sot. Avokatura kosovare ka mbrojtur qindra pjesëtarë të UÇK-së në 1999 dhe 2000 për pagesa minimale ose falas. Unë para Gjykatës ushtarake në Nish kam mbrojtur dhjetëra pjesëtar të UÇK-së falas. Në atë kohë, askujt nuk i shkonte ndërmend të angazhonte avokat amerikan, anglez apo nga Malezia. Diçka e tillë ishte e paimagjinueshme. Sot në Kosovë ka avokat brilant, që flasin gjuhë të huaja dhe kanë njohuri për legjislacionin penal dhe të drejtën ndërkombëtare penale.
Në të kaluarën avokatura kosovare ka mbrojt dhe politikanë të rangut të lart, si për shëmbull ideologun e pavarësisë së Kosovës, prof. Ukshin Hoti, cili publikisht e përkrahi kërkesën e demonstratave studentore 1981, ‘KOSOVA REPUBLIK’. Profesor Hoti dy herë u përball me proceset gjyqësore, 1981 dhe 1994, në të dya gjykimet atë e mbrojti avokatura kosovare. Gjithashtu me gjyqin është përball dhe politikani i shquar shqiptar, Ilaz Kurteshi, edhe ky u mbrojt vetëm me avokat Kosovar. Ka pas dhe shumë të tjerë të cilët në proçeset gjyqsore, që ju kanë besua avokatëve kosovar, por i ceka këto dy raste sepse e kam pas nderin dhe unë me qen mbrojtës i tyre.
Pse ish-patriotët, të cilët rrahin gjoksin duke thanë se e duan Kosovën dhe që luftuan për një Kosovë të pavarur, po i kthejnë shpinën institucioneve të Kosovës, avokatisë së Kosovës? Jam thellë i bindur se nuk ka nevojë për avokatë të huaj më të shtrenjtë në botë. Avokatët e Kosovës e njohin në thelb situatën, gjendjen faktike dhe juridike në Kosovë. Është bërë një modë e keqe në Kosovë, sipas parimit, avokati i cilit paguhet ma shtrenjtë, ai është dhe ma i vlefshëm.
Kush e ka përcjell Tribunalin e Hagës, e ka parë se kishte të pandehur që mbroheshin nga avokatë të huaj, si dhe ata që mbroheshin nga avokatë vendas, por kishte edhe nga ata pa avokatë. Aktgjykimet kanë qenë të ngjashme. Ka pas aktgjykime që i akuzuari lirohej nga përgjegjësia dhe aktgjykimet me dënime të përjetshme. Gjenerali boshnjak, Sefer Haliloviq u lirua nga aktakuza në Tribunalin e Hagës, edhe pse nuk angazhoj avokat as nga Amerika e as nga Malezia, por me dinjitet e mbrojti avokatja vendase, Vasvija Vidoviq nga Sarajeva.
Vojislav Seselji hyri në grevë urie kur ju emërua mbrojtësi sipas detyrës zyrtare. Ai refuzoi dhe e fitoi të drejtën që të mbrohet vet.
***
Romakët e lashtë thonin se historia është mësuesja e jetës. Nëse është kështu, atëherë duhet të mësojmë diçka nga e kaluara edhe ne kosovarët. Njeri i mençur mëson nga gabimet e të tjerëve. Nga gjykimet e Tribunalit të Hagës, shifet qartë se mbrojtësit e huaj dhe të brendshëm kanë të njëjtin trajtim dhe arrijnë të njëjtat rezultate. Ata ndryshojnë vetëm te pagesat. Të huajt paguhen dhjeta apo qindra herë më shumë. Si avokat, anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës befasohem se si asociacioni i avokatëve të Kosovës hesht, nuk inkorporohet në këtë çështje që është domen i saj, se si injorohen avokatët e vendit, e kjo Odë hesht. Heshtja e OAK është dakordësi me sjelljet e procesuesit nga Dhomat e Specializuara, edhe pse në listën e avokatëve mbrojtës të Dhomave të Specializuara ka shumë avokat, anëtar të OAK.
Londër, me 18 nëntor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MAKONDO

MAKONDO Nga Xhelal Zejneli, Shkup 20.02.2023 Koha në Makondo rrjedh në mënyrë ciklike. Pas njëqind vjetësh ajo rikthehet…