Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – (Profesor, po të nis një letër, pasi një letër të tillë nuk kam kujt t’ia nis tjetër. Do të flas pak për Kosovën. Për Kosovën “E lirë”. “Të lirë”, por me një litar rreth qafe. Është litari i ankthit. Litari i pavarësisë. E tash Kosova me litar për qafe po kërkon një degë ku të varet. I ka provuar të gjitha e po kërkon degën më të lartë. Për pavarësinë. Eh, na u bë si një përrallë kjo pavarësia, ku ka tash 17 vjet që kallëzohet. Kallëzohet e diskutohet në salla, hotele e konferenca ndërkombëtare. Por përpara se ta japin pavarësinë, ta heqin litarin nga fyti. Duan ta mbjellin një komb të ri. Por harrojnë, ose nuk e dinë ta bëjnë punën e “bujkut”. Dihet që bujku para se të mbjellë një farë të re, duhet t’i vërë zjarrin fushës që të digjet fara e vjetër.
Do ta mbjellin profesor, kombin me të ri në rruzull, kombin kosovar. Sepse ndërkombëtarët e ca nga këta vendorët tanë me dokumente azilanti në xhep (70 për qind e qeverisë dhe e parlamentarëve në Kosovë janë me dokumente zvicerane e gjermane në xhep, e vazhdojnë të marrin pensionin e azilantit), po përpiqen të na mbushin mendjen: për rrethanat e jashtëzakonshme, për shtetin e çfarë është edhe më e rëndësishmja, ajo çka këta e quajnë standard e që nuk është tjetër, veçse liria në robëri.
Profesor,
mos më pyet se kush janë këta azilantët që kanë tash e 8 vjet me pushime në Kosovë. Ti i njeh më mirë se unë. Janë po ata të njejtët që sa ishe ndër ne të luftuan, të burgosën e u munduan të të harrojnë. E tash që mendojnë se je i vdekur, prej teje po mundohen të përfitojnë. Po, duan një Kosovë me “kosovarë” e jo një Kosovë me shqiptarë, pasi për ta e për shumë të tjerë edhe këtej nga nahija ime, Shqipëria, profesor i nderuar, ëshë nga presidenca e Bamir Topit e deri te kulla blu e Sali Berishës. Shqipëria për ta, i nderuar profesor, është vetëm çka kap syri e ledhaton dora. Harrone se Kosova është gjaku i dëshmorëve që nuk falet!
E di profesor,
që tash po të shkon në mendje kryeministri serb në 1912, Nikolla Pashiç, i cili pati thënë: “S’ka komb shqiptar, ka vetëm fise shqiptare.” E unë e di se po të ishit ju tash ndër ne, do t’u thoshit këtyre azilantëve me imunitet, se “sjelljet e këtyre njerëzve sot nuk janë në harmoni as me vetëdijen politike shqiptare e as me shpirtin kombëtar shqiptar”. Populli i ngratë shqiptar në Kosovë ngushëllohet me faktin se e kanë nga euforia. E ndërkohë, populli vazhdon edhe më tutje të jetë në një gjendje ankthi e me atë litarin në fyt që të tregova në fillim të letrës, i nderuar profesor.
Në fillim të letrës të them se Kosova është e lirë. Po, është e lirë nga ushtria e policia serbe dhe e okupuar nga mafia e rrugës e ajo qeveritare e ndërkombëtare në pushtet. Mos u çudit profesor, e gjithe dynjaja ka ardhur në Kosovë. Erdhën para 8 vitesh të na ndihmojnë. Pasi ndenjën pak, nisën ta ndajnë Kosovën mes veti. Por ata nuk u ngopën me pak, e pabesisht, me ndihmën e azilantëve në qeveri, na e përmbysën kupën.
Po si? – do pyesni juve?
Po ja, një ditë na thanë ndërroni ngjyrën e syve, e një ditë na thanë ndërroni emrin, një ditë ndërroni flamurin, ndërsa tash na thonë të ndërrojmë edhe lëkurën. Eh mor i nderuar profesor, në bukën e në kripën tonë, këta të huajt po pështyjnë e po shkelin rëndë. Ashtu si dikur mbretër, sulltanë e gjeneralë që kanë kaluar në Kosovë, edhe këta të huajt ose UNMIK-asit si i quan populli, janë nis tash rishtazi me hap varre. Edhe këta si gjithë pushtuesit e tjerë do ikin dikur, e si gjithë të tjerët, varre do lënë pas. Nuk dua të dukem mosmirënjohës për ndihmën që na kanë dhënë kur ishim në ditë të këqija. Por ju e dini profesor, e jam i sigurt se jeni në një mendje po të themi se: shqiptarët gjithnjë kanë pasur konsideratë për ndihmën e jashtme, por se nuk mund të lejojmë humbjen e identitetit e të dinjitetit për hatër të asaj ndihme.
Po të them profesor,
se kjo shtëpia ime dhe e jotja së bashku, që quhet Kosovë, ka mbetur pa një zot. Të zotin e shtëpisë profesor, UÇK-në (Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës) e vranë. Eh, lanë pa çelë as edhe një dritare. Shtëpia, profesor, ka mbetur edhe pa derë. Në oxhak kanë bërë fole sorrat, ndërsa shqiptarët presin me gisht në gojë se kur do tymojë përsëri. Jam i bindur profesor se edhe ty, ashtu si unë për të gjallët, të ka marrë malli. Se të vdekurit i kemi për çdo ditë në televizor, duke na hedhur fall për ditën e pavarësisë. Qëkur të vdekurit ia kanë nis me vendos për Kosovën, shqiptarët e kyçin derën e shtëpisë dy herë profesor. Një herë për ujkun e një herë për gjahtarin. Ju ndoshta nuk më besoni, por po të vini tash në Kosovë, do shihni se asgjë nuk është në vendin e vet. Edhe varret profesor i kanë lëvizur. Po të vinit tash në Kosovë, i nderuar, do të të zihet fryma nga pallatet e zhgërryera. Do të të zihet fryma nga tymi i makinave qeveritare me xhama të zinj e nga tymi i makinave të xhandarëve vendorë e të huaj.
– Po, profesor, xhandarë. E kanë mbushë Kosovën me xhandarë. Ca flasin shqip e të tjerët një dreq u bie në fije. I kanë sjellë e i kanë veshur që të ruajnë demokracinë.
A të kujtohet, profesor, si pate thënë dikur: “Demokracia nuk mund të eksportohet, sepse me atë rast do të duhej ta ruanin xhandarët dhe asnjë ndryshim thelbësor nuk do të ndodhte”. Po, i nderuar, ke pasur të drejtë, se as edhe një ndryshim nuk ka nga atëherë që e pate thënë. Ashtu si atëherë, profesor, këtu në Kosovë të zihet fryma nga intrigat e maskarenjve. Ashtu si atëherë, të zihet fryma nga krekosja e pështirë e debilëve nëpër poste qeveritare.
Eh, i nderuar e i ndritur me dije e me nder.
Kosova është sosur në ditë të kiametit. Aq sa nuk po merret vesh kush po shumohet ne apo vdekja. I dashur profesor, kështu nuk shkohet më, kështu nuk mundet me ecë përpara. Kështu nuk arrihet asgjëkund.
E di që do të më pyesësh: “Po ju, ç’beni”?
Eh, ne profesor?!
Do të tregoj diçka i nderuar. Është një njeri, profesor, i gjallë, një Albin Kurti që sillet këtej pari. Është një djalë i ri, që kundërshton gjithçka që këta UNMIK-asit flasin e bëjnë në Kosovë. E gjithë bota profesor, e kontestojnë, e arrestojnë, për arsye se për ta ai thotë gjera skandaloze si: Vetëvendosje! Por tash ai nuk na dëgjon, se e kanë arrestuar përsëri e unë profesor, po të them diçka në vesh: Ai djali ka të drejtë. Ka 100 herë të drejtë. Ka 1000 herë të drejtë.
E veç një gjë është e saktë këtu në Kosovë. Këtu ligji është bërë dhunë. E kur dhuna bëhet ligj, kjo do të thotë se liria është afër, i nderuar. Po për të gjitha sa të tregova me lartë, fajtorë na kanë bërë ne. Thonë se fajtorë qenkemi ne shqiptarët për të gjitha. Edhe kur na vrasin në demonstratë, fajtore jemi ne. Po profesor, akoma si atëherë shqiptarët vriten në demonstratë. Epo fundja poeti thotë:
“Na vrasin që të na bëjnë të pavdekshëm
Ku ta kesh atë fat
Njëherë në njëqind vjet
Ndodh të krahasohesh me Zotat!”
….
– E prapë fajtore janë Shqiptarët.
– Fajtorë sepse flasin shqip!
– Fajtorë pse mendojnë shqip!
– Fajtorë pse shajnë shqip!
– Fajtorë pse dhjesin shqip!
Tiranë, 02. 10. 2007
***
*) Autori ka qenë Komandant i Zonës Operative të Qarrit në Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.