DR.LILJANA KRISTULI: HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE (DHUNA, ABUZIMI, BULIZMI, STALKING, MOBING, DROGA) / 1 /

Pashtriku.org, 01. 11. 2015: Libri “Heshtja nuk është zgjidhje” e Dr.Liljana Kristulit është botuar në vitin 2013. Ajo ka lindur në Korçë, e është rritur në Tiranë. Qysh nё vitet e rinisё ka nisur të shkruaj poezi. Pasi mbaroi gjimnazin, ndoqi studimet nё Fakultetin e Mjekёsisё dhe në korrik 1977 u diplomua si mjeke e pёrgjithёshme. Si mjeke për 13 vite rresht iu shёrbeu banorёve tё Tropojёs, ndërsa në vitin 1990, u transferua nё Tiranё, dhe punoi në institutin Pediatrik të Tiranës. Dr.Liljana Kristuli, nga nëntori i vitit 1993 jeton në Anzio të Italisë dhe punon në një qendër Dialize. Ka botuar: “Unë dhe Dializa” – manual për pacientët në dializë; “Pemë e gjethe” – poezi; “Gra të harruara” – novelë; “Mes për mes Europës” – tregime; dhe së shpejti del nga shtypi përmbledhja me poezi “Heshtje”. Dr. Liljana Kristuli në librin” Heshtja nuk është zgjidhje” trajton tema të larmishme siç janë: dhuna, abuzimi, pedofilia, bulizmi, stalking, mobbing, drogat,… dukuri këto të cilat janë bërë tashmë shqetësime të përditshmë të shoqërisë shqiptare. Librin “Heshtja nuk është zgjidhje” mund ta gjeni në librarinë pranë “Pallatit të Kulturës” dhe “Librit Universitar” në Tiranë. Në vazhdim portali pashtriku.org, këtë libër do të editoj pjesë – pjesë (me ilustrime) në mënyrë që të kuptohet sa më lehtë nga lexuesit moshave të ndryshme. Ndërkaq në fund të “parathënies’, librin mund ta lexoni edhe në formatin ‘PDF’. /Sh.B/


Në vijim lexoni parathënien e librit:

* * *
HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE…

Në vitin 2006, sekretari i O.K.B. së, Kofi Annan paraqiti para Asamblesë të përgjithëshme, shifra dhe fakte tronditëse mbi dhunën që pësojnë fëmijët nga të rriturit. Grumbullimi i këtyre të dhënave u bazua në studimin e kryer në shkallë botërore nga ekspertë në këto çështje. Duke nënvizuar se shifrat janë shumë më të vogla se sa realiteti, doli në pah se gjatë vitit në studim, 150 milion vajza dhe 73 milion djem të moshës më të vegjël se 18 vjeç, kanë qenë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale ose kanë pësuar dhunë seksuale. Nga një analizë më e plotë, u theksua se rreth 36% e grave dhe 29% e burrave në nivel botëror, ka qenë viktima e provokimit, dhe e ngacmimit seksual nga një i huaj ose nga një familjar gjatë fëmijërisë.

PËRSE VENDOSA TA SHKRUAJ KËTË LIBËR

Historia e një dhune
“Isha vetëm 12 vjeç, mora biçikletën dhe u nisa për në shkollë… …..Jam në gjendje të tregoj çdo sekondë të atij mëngjesi. Vendi ku ndodhi dhe çastet kur më rrëmbyen, kanë mbetur në kujtesën time si të skalitura, është pikërisht momenti kur më vodhën fëmijërinë”…
Kështu e nis librin e saj Sabine Dardenne, njëra nga viktimat e pedofilit belg Marc Dutroux. Historia e kësaj vajze rrëqethi botën. Ajo mundi t’i shpëtojë pedofilit që e mbajti për 79 ditë të mbyllur në garazhin e shtëpisë së tij. Ky përbindësh mbasi rrëmbeu dhe ushtroi dhunë seksuale mbi gjashtë vajza të reja, i vrau katër prej tyre. Pikërisht ky libër tronditës si dhe lajmet e kronikës së zezë, ku flitet për përdhunime, vrasje, rrëmbime fëmijësh dhe vajzash të reja më nxitën të shkruaj.

***
Sabine Dardenne – Ik koos te leven


Në mendjen time për ditë me radhë më vlonte mendimi – detyra kryesore e ne prindërve është të mbrojmë fëmijët tanë, – pra ç’duhet të bëjmë për t’i përgatitur të jetojnë në një botë ku shpesh dhuna dhe urrejtja ia zënë vendin dashurisë?
Interesimi për të ditur më shumë mbi pedofilinë, apo inçestin, mbi abuzimet seksuale shpesh është i cekët, sepse çdokush mendon që nuk do të ketë të bëjë asnjëherë me këto ngjarje të hidhura. Të flasësh me adoleshentin për sjelljen seksuale dhe sëmundjet që transmetohen nëpërmjet kontaktit seksual jo të mbrojtur nuk është e thjeshtë. Por duhet të gjejmë një mënyrë për t’ua shpjeguar fëmijëve se gjatë jetës ndodhin edhe gjëra të këqija e të shëmtuara nga të cilat duhet të mbrohen, dhe që as ata nuk duhet t’i bëjnë. Nuk janë gjithmonë të tjerët që e pësojnë të keqen ose që sillen keq në shoqëri.
Ky libër, nuk është një tekst shkencor. Është shkruar për fëmijët dhe adoleshentët, por iu drejtohet edhe prindërve të tyre. Me një gjuhë të thjeshtë, shpjegohet dhuna, format e ndryshme që ajo merr dhe rreziqet që mund të hasen në jetën e përditshme. Nuk bëhet analizë psikologjike e individit dhunues por përshkruhet ai dhe mënyrat që përdor për t’ia arritur qëllimit të tij. Në këtë libër do të gjeni këshilla të thjeshta se si të mbroheni dhe t’i kundërviheni dhunës. Kjo nuk do të thotë se në çdo qoshe të rrugës, gjendet gjithmonë dikush gati të sulmojë dhe të dhunojë dikë. Shumica e të rinjve për fat të mirë nuk kanë kurrë rast të ndeshen me një agresor. Gjithsesi, kur di si të veprosh për t’u mbrojtur, nuk ndjehesh i trembur. Besimi në veten tënde të jep kurajë, të bën një individ me sjellje të ekuilibruar, kështu të tjerët shohin tek ti një personalitet të fortë që di të mbrohet, pra askush nuk mund të sillet si të dojë me ty.
Përmenden po ashtu shkurtimisht dëmet dhe pasojat e drogës. Informacioni mbi drogën sot është i plotë dhe i shumëfishët, por deri sa ka akoma të rinj që bien nën sundimin e saj, do të thotë se ka akoma shumë për të bërë dhe se çdo fjalë më shumë kontribuon në luftën kundër kësaj plage shoqërore. Kam përmendur disa nga sëmundjet që transmetohen nëpërmjet kontaktit seksual të pa sigurt. Ky libër nuk është një tekst mjekësor, pra informacioni nuk mund të përdoret për tu vetë diagnostikuar. Qëllimi është të tregojë rrezikshmërinë e kësaj sjelljeje seksuale. Për të njohur më mirë të drejtat e tyre, kam cituar artikujt nga Karta e të drejtave të fëmijëve shpjeguar pikërisht për ta. Libri mbyllet me fjalët e një vajze të vogël, që na bën thirrje ne të rriturve për tu kujdesur më shumë për të ardhmen e brezit të ri, fjalë të thëna plot 20 vjet më parë, por që për fat të keq mbeten akoma aktuale. Me bindjen se nuk është asnjëherë shumë shpejt, as shumë vonë për ta kundërshtuar dhunën fizike apo psikike qoftë….i dashur lexues, lexim të mbarë.
/Autorja – Liljana Kristuli/

(VIJON…)

***
Në vazhdim shikoni një intervistë të Dr.Liljana Kristuli, e cila flet për librin:”Heshtja nuk është zgjidhje”:


============================================
LEXONI LIBRIN “HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE” NË FORMATIN ‘PDF’:
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Liljana-kristuli-heshtja….pdf

************************************************************

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura