DR.LILJANA KRISTULI: SËMUNDJET ME TRANSMETIM SEKSUAL /6/

Pashtriku.org, 10. 12. 2015. Sëmundjet që transmetohen nëpërmjet kontaktit seksual të pa mbrojtur emërohen ndryshe sëmundje veneriane, duke marrë emrin nga perëndesha e dashurisë, Venere. Është e drejta e secilit që jo vetëm ta dijë nëse partneri është i infektuar apo jo, por dhe ta informojë atë, nëse ai vetë është i/e infektuar. E pas kësaj, vendosin bashkërisht për llojin e raportit që mund, dhe që dëshirojnë të kenë.
Pyetja – a ke prezervativ?- nuk është një fillim romantik, por kjo demonstron se respekton jetën tënde dhe të partnerit.
Nuk ka rëndësi nëse bën seks shpesh apo rrallë, nëse je vajzë apo djalë, nëse frekuenton të njëjtin partner apo të ndryshëm, është e kujdesshme që prezervativin ta përdorësh gjithmonë.
Ai duhet të vendoset në mënyrë korrekte dhe të mbahet deri në fund të aktit seksual, sepse vetëm kështu të mbron nga sëmundjet me transmetim seksual si dhe nga një shtatzëni e pa dëshiruar, pra nga një abort me të gjitha pasojat negative që ai sjell. Mbaj parasysh se raportet gojë-organe gjenitale me një partner të infektuar, mund të jenë po aq të rrezikshme, nëse në mukozën e gojës janë të pranishme plagë ose gërvishtje.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Pilula dhe diafragma të mbrojnë vetëm nga një shtatzëni e padëshiruar por jo nga sëmundjet me transmetim seksual. Shkaktarët e sëmundjeve veneriane janë mikroorganizmat që bëjnë pjesë në grupin e viruseve dhe baktereve.
Sot njihen rreth 30 mikroorganizma si shkaktarë të mundshëm, por po përmendim vetëm disa prej tyre, më të shpeshtët në praktikën e përditshme. Ky përshkrim nuk mund të përdoret për t’u vetë diagnostikuar. Qëllimi është ta kuptosh sa i rrezikshëm mund të bëhet qoftë edhe një kontakt i vetëm seksual i pa mbrojtur, me një partner të infektuar.
VIRUSËT DHE SËMUNDJET QË ATA SHKAKTOJNË
o Virus H.I.V: shkakton SIDA, pra shkatërron mbrojtjen fiziologjike e për pasojë formimin e tumoreve vdekjeprurës.
o Virusi i Papilomës H.P.V: shkakton kancer të mitrës tek vajzat. Po ashtu edhe rritjen e lythave si tek vajzat edhe tek djemtë. Lugthet shumohen, bashkohen me njëra tjetrën dhe infektohen. Ato përhapen rreth organeve seksuale tek djemtë, ndërsa tek vajzat edhe në brendësi të organeve seksuale. Ky virus mund të transmetohet edhe nëpërmjet plagëve ose gërvishtjeve të pranishme në lëkurën rreth organeve gjenitale.
o Citomegalovirus, C.M.V: dëmton trurin, sytë, stomakun dhe zorrët.
o Virusi K.SH.V. 8: është shkaktari i sarkomës, tumor malinj, që dëmton lëkurën, mukozën e gojës, enët e gjakut, dhe organet e brendshme.
o Virusi i herpesit, H.S: karakterizohet nga formimi flluskave të mbushura me lëng, që zmadhohen, infektohen dhe gjakosen. Këto flluska përhapen rreth kofshëve, në brendësi të organeve gjenitale dhe të jashtëqitjes, në mukozën e gojës dhe në qepallat e syrit.
o Virusi i molusqeve, Pox virus: shkakton rritjen e molusqeve, ngritje të vogla mbi lëkurën rreth organeve gjenitale, të cilat infektohen e formojnë plagë.
o Virusi i Hepatitit C dhe i Hepatitit B: dëmtojnë mëlçinë, duke e bërë të pa aftë të kryejë funksionin e saj.
Bakteret dhe sëmundjet që ato shkaktojnë:
o Treponema pallidum: sëmundja Sifilizi, dëmton organet gjenitale, enët e gjakut, sistemin nervor, dhe në rast se nuk mjekohet është vdekjeprurës.
o Neiseria gonorrea: sëmundja Gonorreja, dëmton jo vetëm organet gjenitale, por përhapet edhe në organe të tjera si në kyçet e gjymtyrëve, në zorrën e trashë, në grykë, në mëlçi, në zemër.
o Chlamydia trachomatis: sëmundja Trakoma, fillon me skuqje të syve, ënjtje të qepallave, dhimbje të forta të syve, kthimi i qerpikëve nga brenda syrit, dhe gradualisht në humbjen e plotë të shikimit.
o Klebsiella granulomatis: bakter që shkakton rritjen e granulomave, (tumore) rreth organeve gjenitale.
o Candida albicans: e quajtur ndryshe infeksioni nga myku, vendoset jo vetëm rreth organeve gjenitale, në lëkurë, në mukozën e gojës por mund të përhapet në të gjitha organet e brendshme. Në këto raste është vdekjeprurëse.
o Streptokoku: sëmundja Balaniti. Infeksion që karakterizohet me skuqje, ënjtje e dhembje të organit mashkullor si dhe vështirësi gjatë urinimit. Megjithëse shkaktarët bakteriologjikë janë të ndryshëm, kuadri klinik i këtyre infeksioneve është mjaft i ngjashëm. Shenjat më të zakonshme dhe të hershme janë;
o sekrecione vagjinale me erë të keqe tek vajzat.
o sekrecione ose qelb nga uretra (kanali i urinës) dhe ënjtje e skrotumit (qesja e herdheve) tek djemtë.
o plagë e gjakosje rreth organeve seksuale dhe organit të jashtëqitjes. o fryrje dhe ënjtje të gjëndrave rreth organeve gjenitale. o dhimbje në fund të barkut. o infeksione të syve (konjunktivit)
o kruajtje e skuqje të zonës rreth gjenitale.
o vështirësi dhe djegie gjatë urinimit.
o dhimbje gjatë raportit seksual. Jo rrallë, një infeksion mund të shfaqet me temperaturë të lartë, ethe, dhimbje koke dhe kyçesh. Koha e shfaqjes së shenjave mbas infektimit nga viruset apo bakteret qoftë, është e ndryshme. Kjo periudhë mund të zgjasë nga disa ditë, në disa muaj e ndonjëherë edhe me vite. Varet nga veçoritë e mikroorganizmave të sipër përmendura. Pra, mungesa e shenjave klinike nuk të jep sigurinë që nuk je infektuar.
DISA NGA PASOJAT E SËMUNDJEVE VENERIANE
o Ngushtimi i tubave të vezoreve tek vajzat
o Ngushtimi i uretrës tek djemtë
o Steriliteti ( pamundësia për të bërë fëmijë)
o Barra jashtë mitre. Aborte ose lindje premature.
o Transmetimi i infeksionit nga mamaja e infektuar tek fëmija. Në qoftë se ke kryer qoftë edhe një kontakt të vetëm seksual të pa mbrojtur me një partner për të cilin nuk je e/i sigurt, mos humb kohë, drejtoju menjëherë tek mjeku për të bërë analizat përkatëse. Ai ka për detyrë jo vetëm të mjekojë por edhe të ruajë sekretin profesional, pra të mos japë të dhëna mbi sëmundjen dhe emrin tënd. Në asnjë mënyrë mos fillo të mjekohesh me barna popullore, ose me ilaçe që t’i këshillon ndonjë i njohur. Diagnoza e bazuar në analizat bakteriologjike dhe mjekimi pa humbur kohë, janë vendimtare për të shmangur shumë nga pasojat e rënda që i përmendëm më lart. Po rendisim këtu edhe infeksionet parazitare : zgjebja dhe pleshtat. Janë sëmundje ngjitëse, por jo veneriane, mjaft të përhapura në personat me një higjene jo të mirë. Nuk je e mbrojtur edhe në se përdor prezervativin.
o Zgjebja lokalizohet në zonat midis gishtave, sqetull, në gjoks rreth thithit, rrotull organit mashkullor, dhe atij femëror, anash kofshëve. Shkakton kruajtje të fortë sidomos natën.
o Pleshtat vendosen edhe në zonën me qime rreth organeve seksuale. Formojnë plagë të vogla e gjakosje nga kruajtja e fortë që shkaktojnë.
Kuriozitet
Një tjetër sëmundje që haset mbas një kontakti seksual të pa mbrojtur është sëmundja e farës djegëse. Nuk është sëmundje ngjitëse por sidoqoftë shfaqet tek gratë mbas raportit seksual me një partner që ka qenë në kontakt me lëndë radio aktive. Për herë të parë kjo dukuri është shfaqur në gratë e atyre ushtarëve që kishin marrë pjesë në luftën e Golfit dhe paskëtaj u vërejt edhe në luftën e Kosovës e të Bosnjës. Në këto konflikte është përdorur për qëllime lufte, uraniumi, një lëndë radio aktive. Ushtarët, që ishin në kontakt me këtë element, ankonin dhimbje të forta të kyçeve, çrregullime të kujtesës dhe të humorit, pagjumësi, këputje të përgjithëshme. Gratë e këtyre ushtarëve, mbas raportit seksual me ata, ndjenin djegie, dhimbje, dhe ënjtje të organeve gjenitale. Pra kontakti me uraniumin, provokon shqetësime në shëndetin e ushtarëve, kurse prania e këtij elementi në spermën e tyre, shkakton të ashtuquajturën sëmundja e farës djegëse tek gratë.
(…)
Marre nga libri “Heshtja nuk eshte zgjidhje” – Liljana Kristuli.
====================
DR.LILJANA KRISTULI: HESHTJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE (DHUNA, ABUZIMI, BULIZMI, STALKING, MOBING, DROGA) / 1 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4579
***
DR.LILJANA KRISTULI: SJELLJA SEKSUALE DHE ҪRREGULLIMET E SAJ – PEDOFILIA / 2 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4597
***
DR.LILJANA KRISTULI: FËMIJËT DHE ABUZIMI SEKSUAL /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4608
***
DR.LILJANA KRISTULI: DHUNA! / 4 /
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4629
***
DR.LILJANA KRISTULI: ETIKA E MORALIT SEKSUAL /5/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4758

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura