DR.MOIKOM ZEQO: SEKRETI I MADH I GJENEZAVE (II)

Tiranë, 02. 05. 2014 – Teoria e autoktonizmit ilir përfaqësohet sot nga dijetarët shqiptarë si Prendi, Korkuti, Ceka, Selimi etj., dhe zbulimet arkeologjike në prehistori, në kulturën paraqytetare ilire dhe sidomos konceptimi më i kompletuar rreth çështjeve të tilla si qyteti ilir, shteti ilir pa harruar komponentet e artit, të botëkuptimit etj., kanë krijuar një epokë të re në shkencën për ilirët. Trinomi pellazgët-ilirët-shqiptarët paraqitet në një dritë të re. Po edhe është i paplotësuar, plot të vjetra e të reja.
Sidomos karakteri gjenetik i filiacionit të shqiptarëve nga ilirët është një problem, ku arkeologjia ka dhënë një material bindës dhe hedh poshtë tërë pseudo teoritë e politizuara shoviniste, që mohojnë karakterin autokton të shqiptarëve në trojet e tyre historike.
Gimpera në sythin e librit të tij të quajtur “Ilirët, thrakët, dakët” jep gjykimet vetiake të jehonizuara nga dijetarë të tjerë paraardhës ose bashkëkohës.
Gimpera ve në reliev faktin se në marrëdhëniet me popujt e tjerë të Europës Qëndrore problemi i popujve danubianë dhe ballkanikë “shtrohet në mënyrë të ndryshme”.

Pedro Bosch Gimpera (1891-1974)

Kosina e kish quajtur kulturën luzasiane si qytetërim ilir verior ‘karpo-dak” në lidhje me kulturën e popujve danubianë. Ky përcaktim dështoi në vërtetësinë e vet (arkeologjikisht). Lidhjet e kulturës së Luzasës me venetët, (të dalluar përfundimisht nga ilirët – ndryshe nga ç’i kishin quajtur ilirë më parë) solli një ndryshim të fokusit të problemit në fjalë.
Kalimi nga epoka e bronxit në atë të hekurit (në disa shekuj) bëri të shfaqen grupe të reja historike të dakëve, ilirëve dhe thrakëve.
Ilirët përfaqësonin një kulturë etnike, ku qenë asimiluar rezultatet e kulturave neolitike të zonës dinarike të Ballkanit Perëndimor si dhe një element të fortë të huazuar nga popujt alpinë, ndoshta të dalluar nga ata që janë indoeuropianë në karakteristikë, duke u indoeuropianizuar ndërmjet marrëdhënieve e ndikimeve indoeuropiane të mirëfillta, duke asimiluar edhe ndikimet e depërtimet e kulturës luzasiane.
Siç shihet më sipër teza e Gimperës i takon grupit ilir verior dhe në raport me gërmimet arkeologjike të bëra në Ilirinë e Jugut ajo ka një mangësi të materialit arkeologjik që nuk kishte se si ta njihte Gimpera kur po e shkruante librin e tij.
Në sythin “Dyndjet e keltëve – keltët dhe ilirët” Gimpera thekson se venetët nuk kanë qenë ilirë të mirëfilltë nga ana tjetër kultura e LKuzacës nuk ka qenë tërësisht venete. Kurse Qytetërimi Halshtatian ka një personalitet të fortë dhe duhet të identifikohet me popujt ilirë historikë.
Këta popuj ilirë arritën një zhvillim të dukshëm dhe përmes Adriatikut më saktë në brigjet perendimore dhe lindore të Adriatikut krijuan një komunuelth, sepse grupet etnike të japigëve dhe të mesapëve në Italinë e Jugut ose daunët, janë të afërt me ilirët, ose të identifikueshëm me ilirët.
3.
Gjeneza e popujve indeuropianë është edhe gjeneza e gjuhëve të tyre. Është kjo një e vërtetë aksiomatike. Për problemet e gjenetizmit në fakt janë shumë të komplikuara dhe aspak të thjeshta. Zbulimi i afërsisë së gjuhëve indoeuropiane u bë në shekullin e XIX dhe qe një nga zbulimet më madhështore të mëndjes së njeriut.
Historia e gjuhësisë indoeuropiane do të qe ndryshe nëse do të kishim dhe tekste të gjuhëve të zhdukura si ilirishtja, thrakishtja etj. Mundet që në bibliotekën e Aleksandrisë që u dogj, ka patur vepra të këtij lloji.
Në komeditë e Aristofanit del ndonjë nga personazhet të ashtuquajtur “barbarë” ndonjë tribal, ose thrak e shqipton fjalë të çuditëshme, të pazbërthyeshme. Po faktet gjuhësore të gjuhëve të zhdukura nuk i kemi fatkeqësisht në dorë.
Vetëm në mesjetë qysh me poetin gjenial Danten, që në shekullin e XII, që vuri pika afrimi midis italishtes dhe latinishtes e më pas me Filip Sasetin në shekullin e XVI, që udhëtoi në Goa të Indisë dhe vuri re se fjalë të indishtes lidheshin me fjalë të italishtes (psh indisht “sarpa” ose “diva” dhe italisht “serpente” dhe “dio” – përkatësisht “gjarpër” dhe “zot”) u arrit në një bazë konceptuale për një gjuhësi të shkollës krahasimtare për hetimin e marrëdhënieve të gjuhëve indoeuropiane, që sidomos u shtjellua sëpari nga Ulliam Xhons (1746-1794).

– Gjuhët indoeuropiane –

Me Franc Bobin (1791-1867) që botoi veprën e parë në 1816 të gjuhësisë së mirëfilltë indoeuropiane nis argumentimi sistematik i shtjellimeve dhe afërsive gjenetike të gjuhëve në fjalë. Në 1854 Bobi boton veprën “Mbi shqipen dhe lidhjet e afërsisë së saj me gjuhët e tjera indeuropiane” në 1854, duke përcaktuar dhe gjuhësinë shkencore të gjenezës dhe të zhvillimit të shqipes duke bërë një punë pionieri. Mbiçmimi i sanskrishtes nga Bobi e çoi atë në mendimin e një gjuhe mëmë nga rrjedhin gjuhë të tjera bija.
Termi “indeuropian” ka historinë e vet.
Bobi këtë term e mori nga August Slegeli (1821-1868), i cili në veprën themelore “Kompedium i gramatikës krahësuese të gjuhëve indogjermane” identifikonte termin “indoeuropian’ me termin “indogjerman” Kjo sinonimi, qe në fakt e sforcuar e mjaft e kërkuar.
Në fakt të dy termat në fjalë nuk kanë konsistencë historike e janë konvencionale.
Emri “Europa” nuk është i epokave prehistorike të largëta por një krijim antik relativisht i vonë. Europa qe një figurë e mitologjisë greke lokalizuar në një provincë të Thrakisë afër Andrianopolit. Edhe emri “ind” nuk ka ekzistuar si dhe emri “europain” për të kaluarën zanafillëse të kontinentit tonë. Diçka më i lashtë është emri “arian” që përfshinte dy degët e iranasve të vjetër dhe të indasve të vjetër.
Termi ‘indoeuropian” u përdor së pari nga dijetari T>Young në vitin 1813.
Termi i mësipërm si dhe termat e përafërt është një rindërtim e koncept emërtues i dijetarëve, që donin të përfaqësonin një bashkësi popujsh dhe gjuhësh të veçantë.
August Shlegeli i përkiste biologjizmit gjuhësor. Qe ithtar i darvinizmit linguistik. Konsiderimi i gjuhës si organizëm i gjallë nuk qe i drejtë e shpejtë do të braktisej sepse qe aprioristike.
Gimpera në librin që kemi në dorë flet gjerë për teoritë gjuhësore të indoeuropianishtes.
Në fakt gjuhësia i ka ndërlikuar shumë hipotezat e veta.
Sigzmund Fajst (1913-1914) parashtroi një tezë “heretike” që e përkrahu dhe ZMeteja në Francë, që gjermanët nuk kanë qenë një popull indoeuropian në fillim e më pas qenë indoeuropianizuar, duke përjashtuar që atdheu i indoeuropianëve ka qenë Veriu i Europës, siç mendonte Kosina.
Në të kundërt, Kreçmeri e kërkon tërë origjinën e indoeuropianëve në Europën Veriore e Qëndrore. Po ndërkohë ai godet vdekshëm teorinë gjenealogjike.
Mejeja hedh poshtë një rindërtim të indoeuropianishtes primitive. Në shënimet e shumta të Fan Nolit ka edhe konspekte të shkrimeve gjuhësore të Mejesë, sidomos për periudhën paraindoeuropiane.
Benvenisti saktëson se gjuha tokarishte i përket një grupi arkaik indoeuropian duke bërë të njohur rëndësinë e tokarishtes për tërë gjuhësinë indoeuropiane.
Trubeckoi kritikon besimin kultik në një gjuhë zanafillëse, pra, në gjuhën mëmë. Edhe Krahe e ka quajtur absurd supozimin e një gjuhe dhe një populli origjinar që nga mijëvjeçari i tretë para erës sonë. Gjuhët në këtë cak kohor qenë një gjendje fluide. Po Krahe qe krijues i teorisë paniliriste kaq në modë në vitet 30′ të këtij shekulli. Nga fundi i jetës Krahe e modifikoi këtë teori absolutiste dhe foli për grupe të një indoeuropianishte primitive, arkaike. Këtë gjë e mbështet edhe Kreçmeri e më pas dhe kryembrojtësi i ilirizmit të topomisë së Europës Qëndrore Pokorny.
Të tërë këto teori Gimpera i paravendos në mënyrë kritike. Këtu është vendi të theksojmë se shkatërrimi dhe rrënimi i teorisë së panilirizmit më të drejtë nuk duhet që të bënte [për të shkruar në një skajim absurd të skepticizmit hiperpozitivist ndaj problemit ilir dhe ilirishtes, siç u bë në dhjetëçarët e fundit të shekullit të XX. E vërteta për ilirët dhe ilirishten qëndron në mes. Larg skajeve të mbivlerësimit dhe të nënvleftësimit. Kjo gjë nuk ka qenë dot një objekt i vëmendjes shkencore të Gimperës.
Për ta bërë më të kuptueshëm e më të lexueshëm librin enciklopedik të Gimperës, dua të flas pak edhe për teorinë e origjinën e ilirishtes dhe të shqipes sipas prof.Eqrem Çabejt.
Në paleontologjinë ballkanike problemi i Ilirishtes është i një rëndësie të veçantë. Çabej me të drejtë ve në spikamë faktin se elementët e lashtë që mbijetojnë në gjuhën shqipe spjegojnë edhe ilirishten nga e cila ruhen vetëm disa glosa dhe toponime. Pra, rindërtimi i ilirishtes është jashtëzakonisht i vështirë dhe bën një “algjebër gjuhësore” të një sfondi me mjaft të panjohura.
Shqipja gjuhësisht dhe etnikisht ka një pozicion gjeografik të vijuar, autokton midis Lindjes dhe Perëndimit, pra një status ballkanik të pashlyeshëm. Dy vargmalet e Europës Qëndrore e Lindore-Karpatet dhe Beskidet gjejnë spjegimin e tyre etimologjik me gjuhën shqipe. Shqipja paraqet lidhje leksikore me shumicën e gjuhëve indoeuropiane veriore. Teza e prejardhjes Veriore të ilirëve e mbështetur nga gjuhësia deri më sot është në një kontradiktë me tezën e prejardhjes jugore të ilirëve, që përfaqësohet nga arkeologjia moderne shqiptare.
Ky karakter kontradiktor midis gjuhësisë dhe arkeologjisë është një paradoks konceptual ende i pakapërcyer në rrafshin e iliriologjisë.
Nga ana tjetër, mendimet kryesore për origjinën e ilirëve ndahen në tri lagje dijetarësh.
– Lagja e parë, e sheh origjinën e shqiptarëve nga ilirët e vjetër në vijë direkte (Thunman, Xylanderi, Hahni)
– Lagja e dytë, gjen origjinën e shqiptarëve nga Thrakët.
– Lagja e tretë, bën një sintezë, mbështet mendimin se shqiptarët janë rrjedhës nga ilirët po me komponente thrake (Norbert Jokli).
Përgjithësisht edhe ilirologu më i madh i kohërave tona Eqrem Çabej i përket opinionit shkencor, që procesi i formimit, ngjizjes së shqipes u bë mbi një shtrat ilir, po jo pa ndikime të thrakishtes.
Gjuha shqipe trashëgon sipas ligjeve të saj fonetike mbijetesën e toponimeve antike në trevat e Shqipërisë, që nga ilirët në fqinjësi e bashkëveprim me grekët e romakët e vjetër.
Po shqipja është një degë më vete, krejt e veçantë në familjen e gjuhëve indeurpiane.
Përcaktimi i saj si gjuhë kentum apo satem vazhdon akoma duke anuar më shumë nga klasifikimi kentum.
4.
Me rëndësi fundamentale është kreu V i librit të Gimperas të quajtur ‘Përfundime”. Këtu Gimpera bën abstraksion nga teoritë e ndryshme për popullin zanafillës, atdheun e parë, gjuhën zanafillëse, mëmë, nga nëndarjet e grupeve gjuhësore sipas sistemit të drurit gjenealogjik si dhe nga hipotezat që për shumë kohë u quajtën “tabu” shkencore.
Gimpera e di se mekanizmi i formës dhe ndërlidhjeve gjuhësore si dhe mekanizmi i tipeve antropologjike racore është shumë më i ndërlikuar dhe aspak i thjeshtëzuar.
Gimpera me të drejtë i jep parësi arkeologjisë në raport me gjuhësinë që mund të japë një kontribut më të sigurtë për teoritë gjenetike. Mospërputhja midis disiplinave (gjuhësisë, arkeologjisë, antropologjisë) është mëse e kuptueshme.
Arkeologjikisht popujt indoeuropianë spikatin në fillim të neolitetit dhe është e vështirë të përcaktohen që në epokën emezolitike. Gjuhët e mezolitit kanë formuar një substrat të përgjithshëm në kontinent.
Kristalizimi përfundimtar indoeuropian mbart vijimësinë e substratit gjuhësor, të mozaikut të gjuhëve drejt zhvillimeve të reja.
Grupet e ndryshme, burimet kryesore të indoeuropianizmit janë jo vetëm në Veri të kontinentit por në tërë gjeografinë e tij duke patur parasysh edhe qendrën edhe Jugun apo Juglindjen.
Koha e bronxit rezulton si kohë stabilizimi etnik e formacionet etnike tashmë indoeuropiane të lashta të kontinentit tregojnë përsonalitetin e kulturave dhe qytetërimeve të tyre.
Interesante janë depërtimet indoeuropiane formësimet e ngjashme në Kaukaz si dhe në rajonet danubiane e pontike.

Dyndjet e popujve në fundin e epokës së bronxit dhe në kalimin e në epokën e hekurit bëjnë kristalizimin përfundimtar të gjuhëve të tyre.
Trako-frigasit po në epokën e bronxit janë formësim i marrëdhënieve etnike danubiane dhe pontike e ndërmjetme midis qëndrës europiane (kentum) dhe pontikëve (satem). Pikërisht kjo tezë e mbështet edhe tezën e origjinës së ilirëve dhe statusin e tyre indoeuropian.
– Ilirët, së bashku me keltët, gjermanikët, baltët etj., kanë luajtur një rol të dorës së parë në krijimin e fytyrës skulpturore të Europës së lashtë.
5.
Në vitin 1925 është përkthyer dhe botuar në Tiranë libri “Dituria gjuhore indogjermane” nga P.Kreçmeri. Ky libër është i domosdoshëm për t’u lexuar…, para se të lexohet libri i Gimperas. Po kështu, edhe dy librat e Karl Paçit të botuar po në këtë hark kohor në shqip për ilirët janë fillimi i një biblioteke të ilirologjisë. Për fat të keq një nismë e tillë nuk vazhdoi për shumë vjet.
Ka ardhur koha që kultura shqiptare të pasurohet me vepra fundamentale të arkeologjisë dhe gjuhësisë dhe përgjithësisht shkencave historike botërore, ku flitet edhe për ilirët.
Libri i Gimperas plotëson një mungesë të ndjeshme.
Së fundi dy fjalë për përkthimin e librit të Gimperas nga miku im, intelektuali i shquar filolog Xhevat Lloshi
Përkthimi ka paraqitur paraprakisht vështirësi jo të vogla.
Përkthimi tekstual duhet të përputhet me përkthimin terminologjik. Aq më tepër që tradita e terminologjia e gjuhësisë dhe arkeologjisë apo edhe e etnologjisë apo disiplinave të tjera historike ka nevojë të pasuorhet. Natyrisht që termat në shumicën e rasteve janë internacionale dhe shqipërimi i tyre nuk parakupton një purizëm apo krijime neologjizmash, bazuar në etimiologjinë shqipe. Dihet që purizmi gjuhësor total ka dështuar prej kohësh.
Xhevat Lloshi me një akribi të admirueshme ka përcjellë tekstin e vështirë dhe profesional të librit te lexuesit e sotëm, duke na bërë të kënaqemi estetikisht me mundësinë e pakufishme dhe terminologjike dhe të shprehjes së mendimeve më të ndërlikuara të gjuhës shqipe.
Duke mos qenë një libër i lojës së çuditëshme dhe shpesh antikulturore të tregut të lirë, pra, duke ju drejtuar një publiku të kulturuar po dhe intelektualëve profesionistë ai bën një sfidë të admirueshme, për të treguar se kultura e vërtetë është e domosdoshme dhe prezente në çdo kohë, më e rëndësishme nga standartet mediokre të kulturës së konsumit.
Guximi i botuesit mendoj se do të justifikohet dhe bile do të admirohet. (FUND)

_________________________

DR.MOIKOM ZEQO: SEKRETI I MADH I GJENEZAVE (I)
PJESA E PARË:
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=2728

 ——————————————————-

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura