Tiranë, 02. 05. 2014 – Në vend të një parafjale – (“Faktet janë të dobishme – s’janë ato banesa ime, ato janë shkallë me të cilat unë ngjitem në banesën time”. UOLLT UITMAN. “Natyra e do të rrethohet nga fshehtësitë”. HERAKLITI)
I.
Historia e njeriut është vetëm një pjesë e historisë së natyrës. Midis tyre nuk do të ketë asnjëherë një përputhje të plotë. Historia njerëzore parakupton një ndryshueshmëri të vijueshme, ciklike, të statusit të njeriut të identifikuar në progresivitetin e dijes, për ta quajtur konvencionalisht nga “skllav” në “zot” të natyrës. Natyra i mbart përjetësisht raportet e saj me njeriun, (njeriu mund të kapërcejë vetveten po kurrë natyrën!)
Dijetari dhe arkeologu spanjoll Pedro Bosch – Gimpera botoi në vitin 1960 në Mexico “El problema indoeuropeo” me qëllimin e kuptueshëm dhe ambicioz për të paraqitur teoritë kryesore për origjinën e popujve indeuropianë të gjuhëve dhe të kulturave të tyre. Ky aksion i llojit të enciklopedistëve francezë të epokës së iluminizmit ishte rezultat i një praktike paraardhëse të dijes njerëzore. P.B.Gimpera në librin e tij – i përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe që e bëri atë të famshëm, tenton të japë një kronologji të teorive kryesore për Origjinën e popujve indeuropianë, pra bën një kompjuterizim dhe një skedim tejet të domosdoshëm të dijes deri në atë kohë.
– Pedro Bosch Gimpera (1891-1974) –
– Kopertina e librit: ‘El problema indoeuropeo’ –
Pavarësisht nga mangësitë e pahmangëshme edhe në librat të kalibrit të tillë vepra e Gimperas e run vlerën e saj kulturore dhe informative.
Nga vitet 60′ e deri tani, në fundin e mijëvjeçarit të dytë, teoritë për origjinën (më saktë origjinat) e popujve indeuropianë kanë patur një zhvillim në segmentin e dijes së pozitivitizmit lingustik dhe zbulimeve të mëdha arkeologjike, po mund të thuhet se nuk ka ndryshime konceptuale të mëdha në rrafshet teorike dhe se problemi në fjalë është përherë në kundërthënien dhe ende rri pezull midis hipotezës dhe tezës. Kjo gjëndje e dyfishtë e dijes njerëzore është një dialektikë sub eternitas.
Kuptueshmëria e gjenezës (e ftillëzimit) është motiv i përhehrshëm i njeriut.
Kozmogonia qe përpjekja e parë e njeriut të lashtë për të përputhur mitin me të vërtetën. Miti bën spjegime të përgjithëshme me metafora poetike të fuqishme e të paharrueshme. Te kinezët, babilonasit, egjiptianët e grekërit e vjetër kozmogonia qe një modus vivendi e kuptimeve për ftillëzimin universal. Prandaj kozmogonia ishte në substancë mitike dhe një parathënie tepër e pasur dhe e gjenezës biblike e cila i thjeshtëzon prirjet e paskajëshme të miteve në ciklin monoteist të krishtërimit. Megjithatë metafora e babilonizmit biblik (jo pagan) për ndarjen e gjuhëve gjithmonë linte të nënkuptonte një paragjuhë, që askush nuk e di dhe që nuk ruhet nga pasardhësit. Në esencë spjegimi biblik të tërë origjinat i parashtron si hyjnore. E tillë është zanafilla e popujve, ose e njeriut adamik. Teoritë teologjike ishin si brinjët e Adamit për të bërë Evat e mendimit në mesjetë.
Arkeologjika shkencore pothuaj nuk ekzistonte.
Mungesa e arkeologjisë është fatale për të konstruktuar një histori të pashkruar të së kaluarës së largët.
Antropologjia si dije pozitive lulëzon vetëm në shekullin e XX dhe është kaq shumë e ndërlidhur edhe me arkeologjinë, etnologjinë e gjuhësinë.
Vetëkuptohet që për të thënë diçka serioze duhej çveshur dija nga mitizimi, që dija të identifikohej me vetveten. Kjo është mundësia dhe mbijetesa e dijes, që e vërteta natyrore të krijojë një paritet maksimal me të vërtetën e mendimit.
Gimpera tërë librin e vet e ka me një prapavijë të tillë kuptimore, larg skemave (pavarësisht që i paraqet skemat) larg kultivimit të teorive që në kohëra të ndryshme zotëruan mendimin e dukeshin gati si aksioma gjeometrike (pra relativizmi shkencor është në thelbin e librit).
Ato që mundësuan një rezyme në formën e një libri si ky i Gimperës qenë sidomos zbulimet epokale të prehistorisë.
Arkeologjia prehistorike i afrohet kufirit midis historisë gjelogjike dhe historisë njerëzore, midis gjenezës natyrore dhe antropogjenezës (ende tepër natyrore) të segmentuar në historinë e Homo Sapiensit.
Gimpera bën një kufizim gjithësesi: ai interesohet kryesisht për popujt indeuropianë, pra, për thelbin e europianizmit.
Kjo gjë e dimensionon tematikën shkencore.
Për ftillëzimin e europianizmit flitet si për një pjesë gjenetike të gjenezës universale njerëzore të gjithë popujve në planetin tonë. Në parashtrimin e problemit Gimpera thekson se vështrimi i trefishtë arkeologjik, antropologjik e gjuhësor mundëson një paraqitje të fakteve. Pafundësia e fakteve është e tillë, saqë të orientohesh drejt duhet dhe një parashtrim konceptual llogjik e shkencor.
Gimpera e ve problemin në një bazë diskutimi, pra, në rrafshin e një kritike dialogogjike, shpesh antonimike. Ky relativitet i teorive dhe mendimeve është i frytshëm dhe jo ortodoks, i ngrirë.
Gimpera vërtet synon në këtë libër një “parahistori” po ai nuk e paragjykon atë, e paraqet si një materje të gjallë dhe aspak të kristalizuar përfundimisht. Kështu “Në kërkim të kohës së humbur” duke huazuar një metaforë të shkëlqyer e kuptimplotë të Marsel Prustit, Gimpera ravizon fakte të nxjerra në dritë dhe struktura teorike që shpesh kanë dështuar. Pra, arkeologjia i ka paraqitur sukseset e saj në formën dramatike e disa herë komike të dështimeve. Ky është paradoksi i vetëdijes, i mendimit njerëzor, për të aritur te e vërteta relative, po kurrë deri në fund te e vërteta absolute.
Tipik është dështimi i teorisë arkeologjike e gjenetike të Kosinës, i cili nuk arriti të vërtetojë burimin verior (nordik) të qytetërimit europian, sepse ai i fetishizoi të dhënat e kohës së vet për neolitin, i absolutizoi disa tipare e nuk pa (siç u vërtetua më pas) se neoliti europian në zanafillë qe shumë më i larmishëm e një shumësi neolitike, një mozaik kulturash, disa prej të cilave nuk lidheshin fare me stërgjyshërit e popujve indoeuropianë.
– Gjeografia e Ilirëve –
Po kështu edhe dështimi i teorive për unicitetin e pastër të racës indoeuropiane si dhe dështimi i teorive për gjuhën mëmë, të vetme zanafillëse etj., janë dështime të antropologjisë dhe të gjuhësisë, që në vetvehte janë kërkime te së vërtetës dhe mënjanime të konvencioneve, disa herë të politizuara.
Gimpera i di të gjitha këto dhe e ka të qartë se faktet teorike duhet të bëhen fakte të së vërtetës. Prandaj në librin e Gimperas duhet ditur për të lexuar, jo në formën pamore grafike, por në thellësitë kuptimore, në lojën e dyshimeve dhe të paraqitjeve, të mendimit të epokave, të kundërthënieve.
***
Në këtë libër, ajo që na intereson është edhe çështja e ilirëve, si një nga popujt indeuropianë.
Për fat të keq hapësira informative për ilirët është këtu tepër e kufizuar. Për të plotësuar diçka le të më lejohet që të paraqes disa nga rezultatet arkeologjike dhe gjuhësore të gjenezës së ilirëve dhe të problemit të formësimit, ose të lidhjes me konceptin e europianizmit, si dhe gjenezën e dytë, atë të shqiptarëve, që birësohen nga ilirët e lashtë. Të dy gjenezat janë pjesë të njera tjetrës, një e vetme.
2.
Në rrafshin arkeologjik gjeneza e ilirëve, ose e parailirëve, protoilirëve, të mbiquajtur edhe si pellazgë, ka dy probleme themelore: problemin e indoeuropianizmit në gadishullin Ballkanik dhe problemin e indoeuropianëve me ilirët dhe ilirishten.
Një tezë e dijetarëve thotë se në kohën e herëshme dhe të mesme neolitike ka ekzistuar një njësi gjuhësore e karakterit paraindoeuropian në tërë territorin e Mesdheut (kuptohet e brigjeve), kurse elementet indoeuropianë kanë depërtuar në fushën e epokës neolitike të vektuar nga Lindja e Juglindja.
Një tezë më e re favorizon një situatë të ndryshme kur elementi indoeuropian ka ekzistuar në Europën Juglindore qysh në neolitin e hershëm dhe të zhvilluar në vend. Kjo tezë është teza e autoktonisë së formimit të kulturave neolitike. Gjatë këtij procesi të gjatë e interesant elementi indoeuropian i ardhur në mbarim të neolitit e eneolitit i dha një ferment gjallërues të veçantë indoeuropianizimit të territoreve të Shqipërisë – çka vërtetohet arkeologjikisht (kulturat neo-eneolitike në Vashtem, Kolsh, Cakran, Maliq – Kamnik).
Zbulimet arkeologjike të prehistorisë sidomos të neolitit të hershëm na bëjnë të mendojmë qartë se elementi indoeuropian, ose paleoindoeuropian dallohet që në këtë hark kohor dhe vetëm më vonë procesi i indoeuropianizimit pati flukse nga Lindja dhe Juglindja.
Tërë vështirësia është përcaktimi i sintezës, shkrirjes së karakterit të banorëve shumë më të vjetër me ardhësit indoeuropianë, që u vendosën në këto treva, duke formuar një bashkësi themelore gjuhësore të karakterit indoeuropian, që i korespondon kompleksit ballkano-egjean të neolitit të vonë. Pikërisht në këtë kohë krijohen mundësitë e formimit të një shtrese të pashlyrshme indoeuropiane në Gadishullin Ballkanik, që më pas në epokë e metaleve, formësuan dy grupet e mëdha gjuhësore të ilirëve dhe të thrakëve.
Padyshim që përcaktimi se cila ishte popullsia indoeuropiane paragreke në epokën e neo-eneolitit të kompleksit ballkano-egjean është një problem i hapur nga diskutimet dhe tezat e kundërta. Arkeologjia dhe linguistika ende na japin pak prova të vërtetimit shkencor, por shkencëtarët preferojnë ta quajnë këtë popullsi si parailire, paragreke e parathrake. Në këtë kontekst flitet për banorët paleoballkanikë të emërtuar si pellazgë e gjuhën e tyre pellazgjike.
Nënshtresa indoeuropiane në lidhje gjenetike me kompleksin kulturor ballkano-egjean si nënshtresë parailire parakupton për mendimin tonë pellazgët, pra banorët me parakë, më të stërlashtë të vendit tonë.
Termat “pellazgë” e “pellazgjishte” e ruajnë ende karakterin konvensional dhe ne i lidhim tani me ato gjurmë arkeologjike të një popullsie shumë me të vjetër mbi të cilën dallgët e shtegëtimeve të mëdha indoeuropiane demiurguan një entitet, ose më saktë disa entitete të reja kulturore.
– Gjeografia e pellazgëve në kontinentin e Europës –
Një problem konceptual dhe kyç është ai i lidhjes së pellazgëve të indoeuropianizuar me popullsinë pasardhëse, që spikat në kohën e bronxit. Substrati i hershëm pellazg me raportet e reja kulturore dhe etnike të bartësve të kulturës së epokës së bronxit të hershëm në Shqipëri (Maliq, shpella e Blazit në Mat) janë të dokumentuara në një vijimësi arkeologjike. Kjo është tejet e rëndësishme.
Në fundin e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë e në fillim të mijëvjeçarit të dytë – para erës sonë, si rrjedhim i dyndjes së popujve indoeuropianë u zhdukën qytetërimet e lashta të neolitit dhe u formua kultura e herëshme e bronxit, të ndërlidhur me substratin eneolitik ballkanik, pra edhe me pellazgët e stërlashtë dhe pas tyre ilirët.
Nuk duhet harruar se gjurmë të kulturave të mirëfillta paspaleolitike, ose mezolitike nuk janë zbuluar deri më sot në Shqipëri. Mungesa e materialit mezolitik duhet t’i atribuohet mungesës së kërkimeve në këtë fushë. Në Vlush të Skraparit janë gjetur gjurmë të një horizonti të neolitit të hershëm me tradita të forta mezolitike.
Zbulimet arkeologjike në Shqipëri kanë bërë të mundur njohjen me disa grupe etno kulturore neolitike si binomi kulturor Vashtëmi-Podgori, kultura e Cakranit, kultura Maliq Kamnik etj, të zhvilluara në një bazë autoktone, jo pa koresponduese me komplekset e gjëra ballkanike etnokulturore.
Ilirologjia studion pikërisht gjenezën dhe kulturën e ilirëve. Në periudhën e herëshme të hekurit burimet historike na bëjnë të ditur se banorët e Shqipërisë ishin ilirët.
Ka dy mendime kryesore (kryeteza) për prejardhjen e ilirëve:
– njëra i konsideron ilirët si të ardhur në gadishullin ballkanik dhe
– tjetra si popullsi autoktone, të formuar në truallin historik të Ilirisë.
Ndër teoritë e shumta të prejardhjes së ilirëve në Ballkan spikat ajo që i lidh bartësit e kulturës së fushave me urna të Europës Qëndrore me ilirët. Kjo teori thotë se bartësit e kësaj kulture të kontinentit kanë lëvizur drejt Jugut në shekujt XII-IX para erës sonë (dyndjet dorike, egjeane apo paneno-ballkanike), duke u përzjerë, apo zhvendosur shumë popullsi anase, duke krijuar një tablo të ndryshme etnologjike.
Kultura e fushave me urna (urnenfelderkultur) dhe veçmas dega e saj e quajtur kultura e Lushicës (rajon në Gjermani) u mbiquajt e ilirëve nga arkeologu Gustav Kosina e më pas u pasua nga Richard Pittioni dhe filologu Julius Pokorny. Këtu procesi konceptohet si një hop cilësor i protoilirëve në ilirë dhe që shkaktuan dyndjen e madhe dorike në atë që quhet në shkencë ende “Dark Egae”.
Shkolla e Kosinës ftillëzoi të ashtuquajturin panilirizëm që me të drejtë Vittore Pizani e quajti si ‘një sëmundje”.
Një teori tjetër ishte ajo e arkeologut Karl Shugard, që bartësit e qeramikës neolitike thrakase i quajti parailirë (Urillyrier).
Nga ana tjetër Vladimir Gjeorgjievi mbron tezën se krijuesit e kulturës kreto-mikenase qenë protoilirët, që edhe paniliristi më i madh Hans Krahe e vlerësoi si një fantazi të thjeshtë. Për të treguar se sa shumë skajuan deri në absurd teoritë e prejardhjes së ilirëve le të përmendim edhe dijetarin Robert Heine-Geldern, i cili në vitin 1951 botoi një tezë, që ilirët dikur rreth shekullit të IX – VIII para erës sonë morrën pjesë në një dyndje që çoi deri në Mongoli, Kinë dhe në Indi (?!)
Pikëpamja e zhvilluar nga arkeologët shqiptarë në gjysmën e shekullit të XX ka krijuar teorinë e formimit të ilirëve dhe të kulturës ilire në vend pa ndërprerje, pra, kjo shtë teoria e autoktonisë. Në këtë kuptim teza që i lidh ilirët me bartësit e kulturës së fushave me urna bije, ose zbehet. Gjithashtu të dhënat arkeologjike flasin se dyndja panano-ballkanike nuk e ka përfshirë pjesën përendimore të gadishullit ballkanik, pra edhe teritoret e Shqipërisë.
Etnogjeneza ilire nuk duhet parë vetëm në lidhjen me dyndjen panano-ballkanike, pavarësisht nga disa ndikime të saj. Kjo dyndje e cilësuar indoeuropiane në fundin e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë ndikoi në kultura neolitike të Ballkanit, po nuk është totalitare për territorin shqiptar të sotëm.
Etnosi ilir i krijuar në epokën e bronxit është edhe një unitet, që ka brenda diversitet dhe përgjithësisht sot nënvizohen dy grupe të mëdha kulturore ilire:
– ai jugor dhe
– ai verior.
Për grupin ilir verior ka dhënë kontribut të veçantë arkeologu Alojz Benac, i cili favorizon një autoktonizëm të ilirëve.
Në pikëpamje të përafërt edhe Gimpera e mbështet teorinë e Benacit, por duke përfshirë në këtë proces edhe bartësit të kulturës së Lushicës nga Veriu.
VIJON…
———————————————
DR.MOIKOM ZEQO: SEKRETI I MADH I GJENEZAVE (II)
PJESA E DYTË:
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=2729
******************************
——————————————
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)