Tiranë, 10. 03. 2014 – (Nexhat ÇOÇAJ: “HASI-Enciklopedi etnokulturore, vol. II, Gjeografia, trashëgimia familjare, jeta sociale”. Redaktor: Halim Maloku, Recensent: Nebi Bardhoshi, Piktura në kopëtinë: Hajdar Danjolli, Fotografitë dhe ilustrimet: Autori, Durrës, 2014 – Faqosja: Ilmi Shahu)
– Kjo enciklopedi etnokulturore paraqet të dhëna të cilat janë mbledhur në gjithë Krahinën e Hasit, pra Hasi si krahinë është kthyer nga autori në një fokus antropologjik me qasje enciklopediko-etnografike.
Zona etnografike e Hasit, në përputhje me rrethanat historike dhe pozitën gjeografike, luan rolin ndërmjetësues në gjeopolitikën shqiptare në raport me ndarjet krahinore të trojeve shqiptare, të fiseve ilire. Kjo krahinë etnografike ka qenë rajon i transaksionit ekonomik, që ka lidhur detin me tokën, përmes korridoreve të saj, që ishin rrugë të njohura për Europën Lindore, nga Lindja në Perëndim.
Fillimisht, zona e Hasit banohej vetëm nga banorët hasjanë, por më pas me krijimin e kushteve të reja, që i solli historia, disa fshatra të Hasit u bënë fshatra kozmopolite, kur erdhën dhe u vendosën banorë nga zona të tjera. Duke filluar nga zonat më të afërta, si nga Merturi, Malësia e Gjakovës, nga Përdrinia, nga Luma.
Studimi ndahet në 5 kapituj të rëndësishëm:
Pjesa e parë: Pozita gjeografike dhe trashëgimia natyrore,
Pjesa e dytë: Popullsia dhe vendbanimet e krahinës së Hasit,
Pjesa e tretë: Shtëpitë ë banimit në Has,
Pjesa e katërt: Organizimi i jetës në Has,
Pjesa e pestë: Struktura ekonomike e fshatrave të Hasit.
***
Kopertinat e librit: Nexhat ÇOÇAJ: “HASI-Enciklopedi etnokulturore, vol. II, Gjeografia, trashëgimia familjare, jeta sociale”.
* * *
Në pjesën e parë autori trajton këto çështje:
-Vështrim i përgjithshëm gjeografik
Krahina e Hasit është një nga krahinat e rëndësishme të hapësirës shqiptare, e cila shtrihet pranë Alpeve Shqiptare, përkatësisht rreth Pashtrikut. Në vështrimin e përgjithshëm gjeografik, krahina e Hasit i ngjan një ishulli, të cilin e rrethon Drini i Bardhë, Drini i Bashkuar, Ereniku, Rastusha dhe Skatina. Krahina e Hasit si tërësi gjeo-etnografike shtrihet nën zonën verilindore të Shqipërisë, midis pellgut të Krumës në veriperëndim, Kukësit në juglindje, luginës së Drinit në jugperëndim dhe Drinit të Bardhë në verilindje.
I gjithë territori i Hasit përfaqëson një pllajë karakteristike në lartësi 800-1000 m, të vendosur mbi formacionin ultrabazikësh. Hasi në tërësi është krahinë kodrinore-malore, pasi lartësitë 400-800 m i zënë 66 % të sipërfaqes së përgjithshme të tij. Zona etnografike dhe gjeografike e Krahinës së Hasit është një vend malor, me gjithsej 70 fshatra, 42 prej tyre në territorin e Kosovës dhe 30 në territorin e Shqipërisë. Qendër e Krahinës së Hasit është Kruma, që në vitin 1972 u shpall qytet.
Nga ana etnogjeografike, Hasi ndahet në tri pjesë në: Hasin e Rrafshit, në Hasin e Brisë dhe në Hasin e Thatë.
Shtrembërimi i fakteve nga studiuesit sllavë për krahinën e Hasit
Hasi si tërësi etnografie, në njërën anë dhe në anën tjetër për shkak të rëndësisë historike që ka pasur gjatë të kaluarës historike, ka qenë fushë e interesimit të shumë studiuesve të huaj. Përderisa shumë studiues të huaj dhe shqiptarë, Hasin e kanë parë si një identitet kolektiv shqiptar, studiuesit sllavë, në asnjë punim të tyre, Hasin nuk e paraqesin ashtu siç e dëshmon historia. Këta studiues këtë krahinë të lashtë shqiptare e paraqesin jo siç vërteton shkenca e faktet historike, arkeologjike, etnografike, sociologjike e shpitërore.
Në vitin 1913, pas vendimeve të Konferencës së Londrës, Hasi si një krahinë e rëndësisë së veçantë e trojeve shqiptare, u nda në dy pjesë dhe mbeti zonë kufitare. Përkatësisht mbeti për gati një shekull “fushëbetejë” e interesimeve të studiuesve sllavë, që në forma të ndyshme të hedhin bazat e rreme të historisë, por ka raste kur edhe disa studiues sllavë në mënyrë të tërthortë e pranojnë faktin se në Has, para vitit 1919, nuk kishte banorë serbë.
Pretendimet sllave se Hasi është vendbanim i Serbëve!
Aarkeologu sllav Jovan Glišič, në studimin e tij me titull: “Pregled etnokulturnih promena na Metohije od pojave agrikulture do prvi koraka metallurgie” (Vështrim mbi ndryshimet etnokulturore në Dukagjin që nga paraqitja e agrikulturës deri në hapat e parë të metarlugjisë), pa asnjë argument, banorët që shtrihen në rrjedhën e djathtë të Drinit të Bardhë nga Gjakova deri në Kukës i konsideron grup të ardhur nga brigjet e Adriatikut, duke e zënë vendin e banorëve vendas dhe për këtë arsye sipas tij u ndryshua edhe etnokultura e këtij mjedisi.
Kolonizimi i Hasit me sllavë dhe arsyetimi se gjoja është rikthyer struktura e dikurshme etnike, pas ndarjes së Hasit, do të ndryshojë përbërjen e saj. Manupilimi i fakteve shkencore etnografie është misioni i studiuesve sllavë. Ata kanë qëllim që zonat e caktuara etnografike shqiptare, të pasqyrohen në formën e shtrembëruar. Kështu, zonat më të preferuara për etnografët sllavë në Kosovë ishin Hasi, Rugova dhe Opoja me Gorën. Brenda një periudhe trevjeçare për tri këto krahina etnografike u botua nga një libër dhe me dhjetëra artikuj shkencorë.
Krahina etnografike e Hasit, për shkak të pozitës gjeografike, për studiuesit sllavë qe krahina më e frekuentuar prej tyre. Kjo, jo vetëm për shkak të pozitës gjeografike të saj, por edhe për faktin se Krahina e Hasit është krahina e vetme etnografike, e cila është e populluar 100 % me banorë shqiptarë.
Infrastruktura natyrore në Has
Kjo krahinë si tërësi gjeografike dhe etnografike, mund të themi se nuk e ka një pozitë të tillë për arsye të shumë faktorëve. Hasi si tërësi gjeografike ka sipërfaqen e përgjithshme 912 km2, gjatësinë veri-jug 42 km, ndërsa gjerësinë lindje-perëndim 28 km, me pikën më të lartë mbidetare 1989 m, Majën e Pashtrikut, në vendin ku gjendet varri i Sari Salltuk Babës dhe pikën më të ulët mbidetare 268 m në bazën e Drinit të Bardhë. Në pikëpamje të relievit, treva e Hasit ndahet në tri tërësi morfologjike:
a) Në tërësinë e parë, që përfshin pjesën verilindore e lindore, shtrihet fusha aluviale e Drinit të Bardhë, e cila e përbën tërësinë e parë.
b) Tërësia e dytë e hapësirës së relievit të Hasit fillon në jug dhe jugperëndim të rrafshit aluvial të Drinit të Bardhë, që përbën pellginën tektonike, e cila përfshin fshatrat veriperëndimore të Krahinës së Hasit.
c) Tërësia e tretë e hapësirës së krahinës së Hasit i përfshin kryesisht viset malore dhe kodrinore të këtij territori.
Më pas studimi vijon me të dhëna për klimën e trevës së Hasit, reshjet, hidrografia e Hasit, lumenjtë e tij, gurrat, krojet, puset, liqenet, hurdhat, shpellat, urat dhe monumentet natyrore të kësaj krahine.
– Harta e Krahinës së Hasit –
Në pjesën e dytë të kësaj enciclopedie vijon me “Popullsinë dhe vendbanimet e krahinës së Hasit” duke trajtuar këto çështje si:
Popullsia e fshatrave të Hasit
Hasjanët janë pasardhës të Pirustëve dhe këtë e pranojnë pothuajse të gjithë studiuesit, që janë marrë me këtë trevë, ndërsa sa i përkët autoktonisë së hasjanëve, këtu mendimet ndahen. Për hasjanët ka qenë dhe është e shtenjtë toka, qielli, dielli, guri, druri, pra gjërat që e kanë rrethuar dhe që ka bashkëjetuar me to. Një gjë e tillë vërtetohet edhe në kohën e sotme, kur banorët e kësaj treve betohen në këto elemente, si psh: “Pasha dritën e dillit”, “Pasha tokë e qiell”, “Pasha bukën”, “Pasha gurë e dru”.
E vërteta rreth prejardhjes së popullsisë së Hasit
Shumë studiues shqiptarë janë marrë në përgjithësi për prejardhjen e shqiptarëve, me qëllim të kundërvënies së studiuesve sllavë, të cilët në veprat e tyre përpiqen që në përgjithësi shqiptarët t’i paraqesin ardhacakë. Në anën tjetër, historianët shqiptarë, tashmë kanë argumentuar me qindra herë se shqiptarët ishin autokton në trojet e tyre. Dëshmitë e gjurmëve historike, ekzistimi i kishave pothuajse në secilin vendbanim, dëshmon se Hasi ishte në çdo periudhë historike i banuar me shqiptarë. Vendosja e sundimit të mbretërisë së Serbisë në Kosovë, por në veçanti në Prizren, shkaktoi edhe ndarjen e re administrative-territoriale. Në shënimet e Durhamit nuk mund të pajtohemi për faktin se ajo Hasin e quan fis të veçantë, një gjë të tillë asnjëherë banorët nuk e kanë dëshmuar dhe as që pretendojnë të ngulin këmbë se Hasi është fis, apo jo. Ata janë të pajtuar me faktin se Krahina e Hasit, si krahinë më vete, është pjesë e krahinës së Madhe të Dukagjinit të dikurshëm e që më vonë, pas ndarjes në disa nënkrahina, Hasi e vazhdoi jetën si krahinë më vete, me tradita dhe specifika të veçanta.
Referuar të dhënave të publikuara në fshatrat e Hasit të Shqipërisë adminstrative, në vitin 1989 kishte 21.881 banorë, ndërsa në vitin 2011 kishte 19.660, përkatësisht 2.221 banorë më pak. Shprehur në përqindje, popullsia e fshatrave të Hasit është më e re se popullsia e Kukësit, apo edhe e Tropojës që është 3.3% më e re se mesatarja e Prefekturës së Kukësit.
Më pas vijohet me këto çështje si: Dendësia e banimit në malësinë e Hasit, Migrimet e popullsisë së Hasit, Koha dhe shkaqet e fillimit të migrimeve të brendshme, Lëvizjet e popullësisë së Hasit si pasojë e sëmundjeve dhe besëtytnive,vendbanimet e krahinës së Hasit duke filluar me fshatin Bardhaj (Maçi), Bishtazhini, Bregdrini, Brekoci, Brenoga, Cahani, Damjani, Dedaj, Deva, Dobruna, Doli, Domaj, Fajza, Firza, Fshaji, Gajrepi, Gerçina, Godeni, Golaj, Gurishta, Guska, Gjinaj, Gjonaj, Helshani, Kabashi, Karashëngjergji, Kishaj, Kojushi, Kosturri, Krajku, Kruma, Kusari, Kushaveci, Kushini, Letaj, Lipoveci, Liqeni i kuq, Lugishta, Lukinaj, Mazrreku, Metaliaj, Milaj, Moglica, Mulaj, Nikoliqi, Peraj, Perollaj, Petërshani, Planeja, Pogaj, Pusi i thatë, Qarri, Raca, Rogova, Romaja, Sefoll, Smaçi, Tobli, Tregtani, Tupeci, Ujzi, Vlahna, Vogova, Vranishti, Zahrishti, Zgjeci, Zylfaj, Zymi, Zhubi.
Shpjegimi për fshatin Helshan:
Fshati Helshan nga veriu kufizohet me rrjedhën e lumit Skatinë dhe Majën e Oplasit, nga lindja me fshatin Perollaj e ndan rrjedha e lumit Rosman, ndërsa nga juglindja fshati kufizohet me lumin Kruma deri në Dri të bashkuar dhe nga perëndimi fshatin e ndan pylli Podinë me fshatin Kosturr, kufizohet nga perëndimi me Përroin e Thanës, me Gurin e Macës, me Qafën e Gurit të Butë, me Kreshtën e Zezë. Në perëndim të fshatit, përkatësisht në pyllin afër lagjes Ali Hasanaj, ende ruhen gjurmët e një kishe të vjetër. Në afërsi të kësaj kishe dhe pak më tej edhe varret e panjohura. Sa i përkët historisë mbi krijimin e fshatit, nuk ruhet ndonjë gojëdhënë, e cila do të ndihmonte sadopak për ta nxjerrë gjenezën e emrit të fshatit. Përderisa në regjistrimet më të vjetra për të flitet se forma e shkruar e emrit të këtij fshati është Helmshan, mendojmë se prejardhja e emrit të këtij fshati rrjedh prej emrit helm + trajtës së shkurtuar të foljes lëshon-shan. Mendojmë se ky emër i bashkangjitur i ka mbetur fshatit për shkak të rezistencës së rreptë të burrave luftëtarë të këtij fshati, gjatë luftërave të shumta që kanë bërë banorët e këtij lokaliteti. Me kalimin e kohës, banorët e këtij vendbanimi e adaptuan emrin e fshatit, duke u larguar nga trupi i emrit të shkronjës m dhe u formua emri Hel(m)shan.
Fshati Helshan, sipas regjistrimit kadastral turk të vitit 1571 kishte 24 shtëpi dhe 7 beqarë të krishterë, ndërkaq në vitin 1591 kishte 52 shtëpi e 20 beqarë të krishterë pa asnjë çift apo beqar mysliman. Sipas statistikave të këtij regjistrimi del se Helshani ishte vendbanimi më i populluar në të tri nahijet e Hasit, madje, kishte 7 shtëpi më shumë se Gjakova.
Në regjistrimin e vitit 1919 fshati Helshan bënte pjesë në Komunën Letaj dhe kishte 49 shtëpi me gjithsej 297 banorë. Në vitin 1965 fshati kishte 61 shtëpi me 502 banorë. Ndërsa në vitin 2006 kishte 213 ekonomi familjare me 927 banorë, tani mund të këtë afërsisht rreth 1.150 banorë. Fshati Helshan, aktualisht bën pjesë në Komunën Golaj. Banorët e fshatit Helshan, sipas të dhënave që kanë trashëguar, tregojnë se i takojnë dy fiseve: fisit Thaç dhe fisit Morinë.
Sipas dëshmive të më të moshurave mendohet se banorët e Helshanit janë të ardhur nga dy vende: Lagjet që i takojnë fisit Morinë besohet se janë të ardhur nga Oroshi i Mirëditës dhe siç kujtohet Mila kishte ardhur në Helshan së bashku me tre djemtë e tij: Kolën, me 15 shtëpi, Vata me 20 shtëpi dhe Dodë Mila me një shtëpi.
Ndërkaq, për pjesën tjetër të fshatit, besohet se i pari i tyre Gjon Thaçi kishte ardhur nga Iballja e Pukës. Nga fisi Thaçi janë dy lagje: Ata të lagjes Istrefaj që ka 19 shtëpi dhe lagjia Goli që ka 5 shtëpi.
Sipas dëshmive të shkruara, fshati ndahet në katër lagje:
Lagjja Istrefaj të fisit Thaç, ndahen në 4 barqe: Lisha, Istrefi, Neza dhe Shatri.
Lagjja Goli, gjithashtu të fisit Thaç, kanë vetëm një bark dhe atë Vataj.
Lagjja Ali Hasanaj, që janë të fisit Morinë ndahen në tre barqe: Brashaj, Çelaj dhe Myhaj.
Lagjja Gaxhaj, që janë të fisit Morinë e që ndahen në tre barqe: Asmenrexhaj, Ademzekaj dhe Dodaj.
Fshati Helshan është tip i fshatit të shpërndarë, ku fshati është i ndarë në lagje, ndërsa shtëpitë e lagjeve janë afër njëra-tjetrës, kjo nuk e përbën fshatin si fshat të grumbulluar, por të shpërndarë. Pas Golajve dhe Krumës, Helshani është fshat me traditë të arsimit. Sipas dëshmive, në këtë fshat kishte shkollë edhe para Luftës së Dytë Botërore, por shkolla fillore e mirëfilltë filloi punën në vitin 1944, ndërsa në vitin shkollor 1962-1963 u hap shkolla shtatëvjeçare.
Fshati Helshan gjatë luftës së UÇK’së ishte qendër stërvitore e ushtarëve të UÇK’së prej nga përgatiteshin dhe stërviteshin për të hyrë në Kosovë sa më të përgatitur për luftë. Kjo qendër sërvitore ishte e njohur edhe si bazë ushtarake për forcat e NATO’s, që ndihmuan luftën e fundit në Kosovë.
Në pjesën e tretë të këtij studimi flitet për “Shtëpitë e banimit në Has” duke trajtuar këto çështje si:
Shtëpitë e banimit në Has.
Në traditën hasjane, bashkësia familjare është identifikuar me shtëpinë, ku thuhet: Asht axhak e jo tim i fikën, Asht ship e pushkës e jo e mushkës, Asht ship në za, Asht derë e nderit.
Një familje për ta gëzuar epitetin axhak, sipas traditës hasjane, së pari ajo familje duhet t’i ketë të plotësuara këto kritere:
Familja të jetë fisnike, të mos ketë ndonjë behane, në veçantë në raport me normat e isntitucionit të besës, të jetë e pasur dhe të ketë vend për t’i zhvilluar të gjitha ceremonitë në truallin, përkatësisht në pasurinë e saj, ta ketë odën e burrave të ndarë nga shtëpia e banimit për anëtarët e familjes.
Besimet rreth përzgjedhjes së truallit për banim
Për zgjedhjen e truallit për ndërtimin e shtëpive të banimit, banorët e Hasit i kanë marrë parasysh edhe disa besëtytni. Për atë truall për të cilin është thënë se është vend i nemun, nuk kanë pranuar që të ndërtojnë shtëpi. Kështu, nëse familja e cila veç ka vendosur që ta përzgjedhë truallin e ri, dikush nga anëtarët e familjes, në një mëngjes shkon në vendin ku janë dhënë propozimet, disa ditë para se të fillojnë punimet dhe e ndez një zjarr.
Ritet e hyrjes në shtëpinë e re, në mënyrë që jeta e një familjeje, e cila del në shtëpi të re, të mos i vuajë pasojat eventuale për shkak se nuk i ka ndjekur rregullat e besëtytnive, këto rite, kanë gjetur zbatim pothuajse në të gjitha fshatrat e Hasit. Së pari, kur familja vendos të dalë në shtëpi të re, shtatë net më parë në ambientet e shtëpisë së re, i vetmuar fle i zoti i shtëpisë.
Sipas traditës dhe besimeve, dalja në shtëpi të re bëhet në orët e hershme të mëngjesit, përkatësisht pas mesnatës, por në asnjë mënyrë nuk duhet të dalë dikush në shtëpi të re pasi të ketë zbardhur drita. Besohet se syri i keq dhe të bamet, përmes hajmalive, apo sehireve nuk shohin natën dhe në këtë mënyrë nuk i shoqërojnë njerëzit e shtëpisë duke hyrë në shtëpi të re si dhe fuqia e tyre është shumëfish më e vogël në terr se sa për dritë.
Sipas këtyre besimeve, me rastin e daljes në shtëpi të re, asnjë prej anëtarëve të familjes nuk duhet të hyjë për dyer të oborrit, apo edhe të shtëpisë duke qenë në gjumë. As fëmijët që hyjnë në shtëpi të re nuk duhet të jenë në gjumë, por të zgjohen dhe të ngacmohen, deri në atë masë sa të qajnë me zë. Besohet se personi, i cili hyn në shtëpi të re në gjumë, gjatë gjithë jetës do ta përcjellë gjumi dhe nuk do të jetë punëtor ose punëtore, por do të jetë dembel. Në mënyrë që të mos përballen prindërit me këtë fenomen, secila nënë kujdeset për fëmijët e vet.
Arkitektuara, materiali dhe funksioni i shtëpive të banimit
Arkitektura popullore zë një vend me rëndësi të posaçme në thesarin e trashëgimisë së kulturës materiale të popullit në trevën etnografie të Hasit. Kjo arkitekturë përfshin lloje të ndryshme ndërtimesh, si shtëpitë e banimit, shtëpitë e fortifikuara, që ndër banorë të Hasit i hasim me disa emra: kullë, odë e burrave ose odmiqe dhe objketet e ekonomisë familjare rreth saj.
Specifike e fshatrave të Hasit është edhe fakti se në pjesën më të madhe të tyre, lagjet e fshatit ishin afër njëra-tjetrës, por pavarësisht nga kjo afërsi, ekzistonte një rregull i pashkruar, që secila lagje kishte autonominë e saj, përkatësisht duke pasur kufirin ndarës në mes lagjeve. Një tjetër veçori specifike e banesave në Has është edhe fakti se pjesa më e madhe e tyre janë të ndërtuara me pamjen kryesore të saj nga lindja, ndërsa shkallët e tyre ishin të vendosura pothuajse në të gjitha anët, përpos nga perëndimi, që rrallë kund mund të hetohen. Më pas vijohet me këto çështje si: Kulla (odmiqja), Shtëpia e zjarrit, Shtëpitë e banimit, Ahri-pojata-torishta, Fllaniku (Çarraniku), Hambari, Koshi, Uusi, Koteci, Lama, Vendi i druve.
Në pjesën e katërt është kapitulli mbi “Organizimin e jetës në Has” më çështjet si:
Mikpritja-emblema e virtyteve hasjane, organizimi fisnor, ishte i plotë, kompaktësia dhe uniteti i gjithë popullësisë kishin vlera të veçanta, që nga familja e deri te niveli më i lartë i organizimit shoqëror të malësisë. Respektimi i normave dhe ligjeve të pashkruara, për të gjithë banorët konsideroheshin të shenjta.
Shenjat paralajmëruese për ardhjen e mysafirëve
Aardhja e mysafirëve është parandjerë përmes disa shenjave. Kështu mendohet se nëse në oborrin e shtëpisë, një sorrë e larme ndahet nga grupi gjatë fluturimit dhe hip në ndonjë degë të ndonjë peme, apo në çati të hambarit, ndalet dhe krrokat, besohej se të nesërmen do të ketë mysafirë. Në lidhje me paralajmërimin e mysafirëve e bëjnë edhe kuajt e në veçanti ata të shalës, të cilët, kur u afron njeriu i shtëpisë tagjinë dhe ai e kundërshton disa herë me radhë, mendohet se është shenjë paralajmëruese për ardhjen e miqve.
Pritja e mysafirëve
Mikpritja ka të bëjë me virtytet morale njerëzore, përkatësisht me kodin e nderit të shqiptarit, mikpritja ka pasë edhe normat juridike, që kryesisht kishin të bënin me mbrojtjen e mikut të shtëpisë. Bazuar në këto norma, çdo shtëpi shqiptare, po edhe ato hasjane, kanë qenë të hapura për çdo mik, udhëtar, që kalonte nëpër Has. Dera e odës në Has ishte e hapur për çdokënd. Nëse në shtëpitë hasjane ishin burrat e shtëpisë, atëherë dilte dhe i printe për në kullë njëri nga burrat, e nëse burrat nuk ishin në shtëpi, mysafiri nuk kthehej, por ai ftohej brenda nga e zonja e shtëpisë, apo edhe nga ndonjë grua tjetër, të cilën e angazhonte e zonja e shtëpisë me këtë mision.
Sipas traditës, mysafiri duhej që në derë t’i bënte zë të zotit të shtëpisë. Mysafirët e njohur, të zotin e shtëpisë e thërrisnin kryefamiljarin në emër, ndërsa mysafirët e panjohur thërrisnin kështu: O i zoti i shpisë dhe përgjigja e kryefamiljarit ishte: Hajde e mirë se të ka pru zoti. Sipas traditës hasjane, miku nuk preferohet që ta kalonte natën vetëm në gjumë, por atë duhet ta shoqërojë i zoti i shtëpisë, e nëse ai mungon, atë natë e shoqëron dikush tjetër nga burrat e shtëpisë.
Obligimet ndaj mysafirit
Në traditën hasjane të mikpritjes, rol të rëndësishëm zë edhe përcjellja e mysafirit. Mysafiri në kullën hasjane ishte i mbrojtur nga cdo rrezik, madje qoftë edhe duke u rrezikuar vetin i zoti i shtëpisë, apo edhe njerëzit e tjerë të familjes. Kjo ndodhte për arsye se po t’i ndodhte diçka mikut, pa e kaluar vendin e caktuar, përkatësisht kufirin e fshatit, atëherë ajo shtëpi do të ishte përgjegjëse dhe njëherësh e obligua të përgjigjej për mikun, më ndalet në çështje të tilla si: Organizimi i darkave në traditën e Hasit, Darka e lamës, Darka e pastermës, Darka e qethjeve, Darkat e ceremonive familjare, Organizimi i drekave, Zijafeti, Pleqërimi për gjaqet, Traditat për ruajtjen e familjeve nga rënia në gjak, Beja 24 pleq, Pajtimet në Has në funksion të kohës, Organizimi i jetës shoqërore në Has, Bajraku si formacion shoqëror, Bajraku si formacion shoqëror, Fisi si formmacion shoqëror, Vllaznia dhe barqet, Katundi, Familja, I zoti i shtëpisë, E zonja e shtëpisë, Ndarja e shtëpisë, Ndarja e punëve të tjera në familje…
Në pjesën e pestë flet mbi “Strukturën ekonomike e fshatrave të Hasit” me këto çështje si:
Të dhëna të përgjithshme, Bujqësia, Përgatitka e arave dhe mbledhja e drithërave, Korrja dhe shirja e dridhërave, Bluarja e dhrithërave dhe mullinjë në Has, Veglat e punës për ekonominë bijqësore, Blegtoria, Gjedhët, Enët dhe orenditë shtëpiake, Veglat e punës për gatimin e bukës, Bartjes së ujit dhe ruajtjes së bulmetit, Objekte për ruajtjen e bylmetit, Bletaria, Bibliografia, Subjektet nga të cilët u mbodh materiali…
– Autorja është studiuese e albanologjisë dhe më gjerë…