Tiranë, 21. 09. 2016: (Intervistë me grupin muzikor “ALAR BAND”) – Grupi muzikor “ALAR BAND” tashmë të njohur nga të gjithë u bënë pjesë, për herë të parë e Maratonës së Këngës, këtë vit në Televizionin Kombëtar KLAN, ndërsa dalja e tyre e parë për publikun ishte në Kënga Magjike 2015.
Pjesëmarrja e tyre në këtë event të kthyer në traditë tashmë ishte e jashtëzakonshme për grupin muzikor “ALAR BAND” pasi u mirëprit mjaft mirë nga publiku.
Ky grup ishte i pranishëm në çdo qytet të Shqipërisë, të cilët me muzikën, që bëjnë fituan zemrat e shumë artdashësve të të gjitha moshave.
Kënga e tyre “Prit edhe pak” e kthyer në HIT këtë verë e dëgjojmë të këndohet pothuajse në çdo vend, lokale, zyra, rrugë, festa etj, kjo këngë do mbetet gjatë në kujtesën e gjithsecilit prej nesh.
Pjesë e këtij grupi janë:
Xhieldo Hyseni -vokal
Aldo Meta-violine
Ardit Serica-keyboard
Renato Kodra-accordion.
Alar Band – Prit Edhe Pak (Official Video)
Ky fillim i rrugëtimit të tyre në muzikën shqiptare urojmë të jetë sa më i gjatë dhe plot me suksese dhe projekte të reja. Duke qenë të pranishëm kudo me muzikën origjinale që bëjnë patëm dëshirë të zhvillojmë me ta një bisedë, për t’i njohur më nga afër çunat nga Elbasani, por edhe për t’i pyetur për planet, që do kenë në të ardhmen.
Përshendetje “ALAR BAND”
* Shumë prej fansave tuaj kanë dëshiruar të ishin si unë në këtë moment, së pari për të parë direkt idhullin e tyre muzikor. Ajo që më të drejtë i ngacmon zemrën shumë prej tyre është të dijnë prej cilit yll dëshire lindi kjo ideja juaj e formimit të këtij grupi muzikor?
* Atëherë themeluesit e grupit janë ALDO & ARDITI nga të cilët janë marrë inicialet dhe është vënë emri ALAR. (Renato)
(Renato në foto)
* Shpesh artistin e çdo gjinie e mundon muza e krijimtarisë së tij. Ajo është çelësi që hap dyert e një fantazie plot ngjyra, e në rastin tuaj në vargje e muzike. Konsideruar si një fanse e juaja e me pas duke me konsideruar si moderatore e kësaj interviste, kush do me tregojë nga ju se cila është mënyra, situata apo veprimi me të cilen ju si artistë gjeni çelsin e krijimtarisë?
Çelsi i vetëm i krijimtarisë sonë mbetet Muzika, duke qenë të gjithë bashkë e duke funksionuar si 1 i vetëm vjen frymëzimi, krijimtaria dhe çdo pjesë tjetër pozitive e suksesit tonë. (Aldo)
(Aldo në foto)
* Shpesh kemi dëgjuar që krijimet e këngëtarëve janë produkt i një jete reale, siç themi se teatri është jetë e ngritur në skenë, apo në një muze, një jetë e ngrirë në kohë…po për ju si grup muzikor cila është kënga me të cilën mishërohet e kaluara jetësore e ndonjërit prej jush?…apo aq me bukur kur ka ndërthurje të këtyre emocioneve?
* Ah si me dole fix në temë (qesh) Duhet të përmend që një nga qëllimet tona kryesore në realizimin e klipit ”Prit Edhe Pak” ishte që t’i tregonim publikut Shqiptar si jemi ne në të vërtetë: energjikë, pozitiëe, & funny. (Arditi)
(Arditi në foto)
* Kohet e sotme në fakt jemi mësuar me tekste muzikore mjaft amorfe apo me doza të pakënaqshme fjalori zhargon. Një pyetje kam dëshiruar përherë të bëj çdo këngëtari, a e vlerësoni ju poezinë në tekst, figurat letrare?
* Patjetër pse jo, gjithsesi i qëndroj mendimit se teksti i 1 kënge të suksesshme duhet të jetë sa më i thjeshtë, në mënyrë, që publiku ta mësojë sa më shpejt e ta këndojë bashkë me Artistin. (Xhieldo)
(Xhieldo në foto)
* Për një artist nuk ekziston kurrë fjala dikur, e kësisoj une po ju pyes duke e dëshiruar që performanca juaj nuk do të shterojë ndonjëherë e më pas ne të themi se dikur ka qenë një grup artistësh. Nisur nga kjo parantezë e shkurtër, ju lutem me tregoni se cilat janë shtigjet apo horizontet e reja në lidhje me projektet e tjera, që do të realizoni ju si grup muzikor?
* Atëherë dhe unë uroj që grupi jonë të zgjasë sa më gjatë duke qenë se realisht jemi duke ecur me hapa Gjigandë do theksoja unë, por edhe të suksesshëm. Qëllimi ynë i rradhës është ”Kënga Magjike 2016”. Jemi akoma duke regjistruar këngën tonë më të re për të cilën nuk dua të zbuloj shumë detaje, por mund të them vetëm, që do të jetë një Surprizë Shume e Bukur..S’na mbetet gjë tjetër veçse të presim momentin e duhur 🙂 (Xhieldo)
* Si është bashkëpunimi juaj me kolegët?
Fatmiresisht kemi marrëdhënie mjaft të mirë me pjesën më të madhe të Artistëve Shqiptare. Nuk mund të le pa përmendur disa: Aurela Gaçe, Vëllezërit e mrekullueshëm korçare Endri & Stefi, Juliana Pasha , Renis Gjoka , Rosela Gjylbegu si dhe shumë artistë të tjerë. (Renato)
* Si jeni ndierë gjatë daljeve tuaja në skenë, vështirësitë, kënaqësitë, vlerësimet?
* Më thënë të drejten nuk ka qenë shumë e lehtë për ne të arrijmë këtu ku jemi sot. Shkallët e suksesit nuk mbarojnë kurrë dhe mund të them që ne jemi akoma në hapat tona të parë, duke synuar për më të mirën. Kemi qenë pjesëmarres në shumë evente të ndryshme ku kemi përjetuar emocione jashtëzakonisht të mëdha. ku publiku na ka mirëpritur gjithmonë kudo duke na mbështetur gjithmonë. (Arditi)
* Dhe së fundi keni qenë pjesëmarrës në Maratonën e Këngës dhe pjesëmarrja juaj ka qenë në çdo qytet të Shqipërisë. Mund të na thoni impresionet tuaja në lidhje me këtë aktivitet?
* Ah Maratonaaa, ishte një eksperiencë shumë e bukur për ne ku realisht e kemi shijuar në maksimum. Kemi rezultuar të suksesshëm në çdo qytet ku Maratona u zhvillua dhe publiku na ka pritur shumë ngrohtë. (Aldo)
Realizoi intervistën: Dr. Rovena VATA