(Prishtinë, 08. 12. 2012) – Në jetën kulturore dhe shoqërore të popujve ka ngjarje të veçanta, që në dukje të parë janë të rëndomta, madje edhe me emërtime të thjeshta, që kanë rëndësi dhe shënojnë kthesa të vërteta afatgjate për ardhmërinë e atyre popujve. E këtillë është, Konsulta gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968, që si një këshillim i rëndomtë i gjuhëtarëve, i mësimdhënësve dhe i intelektualëve të tjerë, përfaqësues të institucioneve shkencore, mësimore, botuese, pastaj të revistave e gazetave, mori vendime me ndikime afatgjate për interesin e përgjithshëm kulturor të një pjese të kombit tonë. Këto vendime ishin të qarta dhe të drejtpërdrejta, sepse synonin që në Kosovë të zbatohen rregullat gjuhësore dhe drejtshkrimore të gjuhës shqipe të parapara në Projektin që e kishte hartuar komisioni profesional i gjuhëtarëve në Tiranë. Në këtë mënyrë Kosova po bënte një hap vendimtar drejt forcimit të integritetit të saj kombëtar dhe po hapte rrugën e sigurt të zhvillimit në planin e përgjithshëm arsimor e kulturor brenda identitetit të saj të pandashëm të etnisë shqiptare. Ky vendim ishte një përcaktues i kahershëm në rrugën e zhvillimit dhe të bashkimit kombëtar të popullit tonë.
Kosova kishte ecur në vazhdimësi në këtë rrugë, sepse i kishte përcjellë rregullisht ecuritë e veçanta të përpjekjeve gjithëkombëtare për njësimin e gjuhës dhe zhvillimin e traditës kulturore unike të popullit tonë.
Kështu, mund të konstatojmë se të gjitha këshillimet gjuhësore që janë mbajtur në Prishtinë, duke filluar nga ai i vitit 1952 e deri te Konsulta gjuhësore e vitit 1968, e kanë pasur paraprijës tubimin identik në Tiranë.
Që në vitin 1952, në konsultën e parë gjuhësore në Prishtinë ishte e pranishme tendenca përafruese ndërmjet dy dialekteve kryesore të shqipes për gjuhën e përbashkët të shqiptarëve, e cila iu kishte kundërvënë me argumente të arsyeshme ideve kufizuese të të ashtuquajturës pangegënishte, të përfaqësuar atëherë nga gjuhëtari Selman Riza. Pos të tjerave, polemikat rreth kësaj teme ishin bërë edhe objekt i një tregimi satirik të shkruar nga Ramë Zuka (pseudonim i Zekiria Rexhës), që me titull “Për çka e patën” është botuar në revistën letrare “Jeta e Re”.
Pra, intelektualët e Kosovës që nga fillimi e kanë vijuar rrugën unfikuese të gjuhës e cila është ndjekur institucionalisht në Shqipëri. Kështu ka ndodhur që në Tiranë të mbahet këshillimi për gjuhën në vitin 1956, kurse fill pas tij, në Prishtinë, më 30 dhe 31 maj 1957, është mbajtur mbledhja e gjuhëtarëve në të cilën ka ecur përpara gjithashtu procesi i përcaktimit të disa parimeve për njëjtësimin e drejtëshkrimit të shqipes. Në këtë drejtim shqiptarët në Maqedoni kishin bërë një hap edhe më përpara, sepse në gazetën e tyre “ Flaka e vëllaznimit” kishte filluar të zbatohej drejtëshkrimi identik me atë të shqipes që përdorej në Tiranë. Vlen të theksohet në këtë rast se përgjegjësit e kësaj gazete bënin propagandë që edhe në Kosovë të veprohej në këtë mënyrë. Në një vizitë që studentët e Katedrës së Albanologjisë nga Prishtina i kishin bërë redaksisë së kësaj gazete, redaktori i saj, Reis Shaqiri, pos të tjerave, kishte pohuar: “Në nuk mund të bëhemi profetë dhe të dimë se si do të vijnë punët e shqiptarëve në të ardhmen, por është detyra e jonë të ecim drejt bashkimit…”
Konsulta vijuese gjuhësore, e treta me radhë në vazhdimësi të kësaj periudhe, e njohur si mbledhje e “lëvruesve të gjuhës shqipe, e arsimtarëve dhe e intelektualëve të tjerë”, e mbajtur në Prishtinë më 14, 15 dhe 16 janar 1963, vjen fill pas nji aktiviteti të ngjashëm që ishte bërë një vit më pare në Tiranë. Edhe kjo mbledhje kishte synime të qarta për afrimin e dy kryedialekteve brenda gjuhës letrare shqipe, mbase edhe për njësimin e plotë të drejtshkrimit, por ndërhyrja e faktorit politik i zmbrapsi për pak kohë tendencat e këtilla që të përvetësohet drejtshkrimi i shqipes që zbatohej në ato kohë në Tiranë. Megjithatë, edhe ky këshillim për gjuhën shqipe kishte ecur në drejtimin e duhur. Këtë e dëshmon edhe botimi “Rregullat e drejtëshkrimit të shqipes”, të cilin e hartoi një komision i zgjedhur në këtë Konsultë, që është botuar në Prishtinë më 1964.
Tiranë, 20 – 25 Nëntor 1972: Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Konsulta gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968 që mbahej një vit pas hartimit të “Projektit të rregullave të drejtshkrimit të shqipes”, e realizoi synimin për njësimin drejtëshkrimit të gjuhës sonë, duke miratuar unanimisht këtë projekt të rëndësishëm në fushën e zhvillimit të përgjithshëm kulturor dhe shoqëror të mbarë popullit shqiptar.
Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme kulturore dhe shoqërore në zhvillimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë shtetërore, mund të pohohet me të drejtë se për shqiptarët e Kosovës Kongresi i Drejtshkrimit i viti 1972, pati vetëm karakter promovues ceremonial, sepse puna e njësimit të shqipes ishte bërë në Prishtinë më 22 dhe 23 prill 1968.
Në këtë vit jubilar të dyzetvjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Shqipes, dhe të njëqindvjetorit të shtetit shqiptar, nuk duhet të harrohet edhe një ngjarje fort e rëndësishme, e organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ishte ky Simpoziumi shkencor me temën “Probleme aktuale të kulturës gjuhësore dhe të drejtshkrimit të shqipes”, i mbajtur në dhjetor të vitit 1980, në të cilin me një varg kumtesash dhe me diskutime të frytshme u trajtuan çështjet aktuale të shqipes standarte dhe të zbatimit të drejtshkrimit të saj unik. Brenda tre ditesh, sa zgjati ky simpozium, një ndihmesë të madhe dhanë sidomos tetë gjuhëtarët më të shquar nga institucionet shkencore dhe arsimore të Shqipërisë, të udhëhequr nga prof. Androkli Kostallari. Është thënë me të drejtë atëherë se ky tubim mund të quhej edhe Kongres i gjuhës shqipe, sepse pati efekte afatgjata për përvetesimin e normës gjuhësore, si në Kosovë, ashtu edhe në viset e tjera shqiptare.
Duhet pohuar se tradita e konsultimeve për çështje gjuhësore ka vazhduar edhe më vonë edhe pas Kongresit të Drejtëshkrimit të shqipës. Kështu më rastin e 20-vjetorit të këtij Kongresi, një këshillim i përbashkët i gjuhëtarëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia është mbajtur në Tetovë në verë të vitit 1992.
Në rrethanat e atëhershme të keqkuptimit të përgjithshëm të demokracisë, edhe në radhët e gjuhëtarëve të Shqipërisë kishte depërtuar ideja se duhej të përmbysej çdo gjë nga e kaluara, prandaj duhej rishikuar edhe çështja e vendimeve të Kongresit të Drejtëshkrimit. Me gjithë qëndrimin konsekuent të prof. Shaban Demirajt, që ishte në atë kohë në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të një pjesë të përfaqësuesve të institucioneve shkencore, midis të cilëve ishte edhe drejtori i atëhershëm i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. Jorgo Bulo, disa nga gjuhëtarët e Shqipërisë, thua se bënin gara se kush do të jetë më i zëshëm që ta kundërshtojë qëndrimin tonë, (kupto të pjesëmarrësve në këshillim nga Kosova dhe Maqedonia) se “nuk duhet të preken bazat mbi të cilat janë kodifikuar normat e drejtshkrimit të shqipes letrare”. Si duket përmbysjen e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit, ata e kishin kuptuar me gjasë si punë tashmë të kryer – si “fitore të pritshme të Demokracisë” (?!), prandaj ishin aq të zellshëm, sepse dëshironin të dëshmohen para “pushtetit demokratik” se ishin deklaruar për ndryshimin e normës gjuhësore qysh nga ky këshilllim në Tetovë…
Dihet tashmë se si kishte përfunduar Konferenca shkencore kushtuar 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit dhe ndihmesa e veçantë e pjesëmarrësve nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora për suksesin e saj. Konvertitë e “demokracisë”, atëherë mbeten krejtësisht të vetmuar, sepse nuk iu pati bërë dobi as “pamfleti” i (tash i të ndjerit), Arshi Pipës, të cilin disa e konsiderojnë ende si “baba të gjuhësisë dhe si bard të kulturës shqiptare”. Ata mbetën të vetmuar me vajin në buzë sidomos për ”paskajoren”, e për shumë “vlera” të tjera dialektore e nëndialektore të gegënishtes, thua se ajo ishte gjuhë e veçantë, diçka si pronë private (?!) dhe nuk i përkiste shqipes tonë të përbashkët…
Mentalitetet e kufizuara krahinoriste që u goditën me të drejtë atëherë, nuk heshtën, por vazhduan “të punojnë” me zell, duke shpresuar se një ditë do t’ia arrijnë qëllimit që “ta nxjerrin në dritë” të vërtetën për “gegnishten e nëpërkëmbur” dhe të lirohen njëherë e përgjithmonë nga “gjuha e regjimit të Enverit dhe e toskobizantinëve përfidë”.(?!)
Koha kur Kongresi i Drejtshkrimit po i afrohej përvjetorit të dyzetë, e solli një eviniment të paparë: “konferencën shkencore”, të mbajtur nga 15 deri më 18 dhjetor 2010 në Durrës, të kontestuar instucionalisht nga institucionet shkencore dhe mësimore, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, pastaj edhe indivdualisht nga albanologët tanë të shquar, midis të cilëve ishin edhe autoritet e pakontesueshme shkencore si: prof. Shaban Demiraj, prof. Kristo Frashëri, prof. Idriz Ajeti e të tjerë.
Kjo e ashtuquajtura konferencë që në zanafillë, mund të konsiderohej e dështuar, sepse e mbolli farën e përçarjes, duke i përjashtuar dhe diferencuar, jo vetëm individët, por edhe institucionet shkencore e mësimore, për t’ia hapur shtegun jo përmirësimit të standardit të gjuhës, por variantizimit – ristandardizimit, ose thënë më troç, përmbysjes së tij me anë të një terapie me veprim më të ngadalshëm shpartallues…
Dihet se gjuha si organizëm i gjallë (bashkë me dialektet e saj), i ka ligjet e zhvillimit të saj dhe do të ecë në rrugën e përcaktuar të domosdosë zhvillimore, e cila është e përbashkët për gjuhët e të gjithë popujve të qytetërurar. Hullitë e këtij zhvillimi mund t’i vërejnë e t’i studiojnë vetëm dijetarët e mirëfilltë që kanë pikëveshtrime larghedhëse, e jo ata që nuk mund të shkoqen nga mendësia e ngushtë krahinoriste, që kurrë nuk do të lirohen nga prapavështrimi dhe egoizmi.
Çdo komb i qytetëruar e ka edhe gjuhën e përbashkët standarde apo edhe zyrtare, që përdorët në shkolla, në libra shkencorë, në letërsi, në administratën publike e shtetërore, në mediume dhe përgjithësisht në jetën publike. Prandaj, duhet ta kenë të qartë që të gjithë shqiptarët se gjuha shqipe e njësuar nuk u bë më 1972, por ajo filloi të bëhet e tillë që nga fillet e saja si manifestim i përbashkët i sistemimit të vlerave të një bashkësie e, në mënyrë të veçantë, që nga dita e shkrimit të dokumentit të parë në këtë gjuhë. Ajo vazhdon të njësohet edhe sot e kësaj dite dhe do të njësohet edhe në të ardhmen bashkë me njësimin e kombit tonë që sot, fatkeqësisht, jeton, duke qenë popull rezident (vendës) me lidhje të pashkëputura territoriale, në gjashtë shtete brenda territorit të Ballkanit dhe në diasporën e tij shumë të përhapur në të gjitha kontinentet… Prandaj, jemi thellësisht të bindur se edhe në të ardhmën do të dështojnë të gjitha tendencat prapakthyese të kuazikomisioneve, qofshin ato edhe “ndërakademike” (?!), për të krijuar variante të reja standarde mbi bazën dialektore të gegnishtes e, madje, edhe “idetë” donkishoteske për krijimin e kombit kosovar…
– Kjo kumtesë u lexua në Konferencën shkencore “Dyzet vjet të shqipes standarde”, të organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata e gjuhës shqipe e Kosovës, që u mbajt më 7 dhe 8 dhjetor 2012 në Prishtinë.