Prishtinë, 15 mars 2018:
Zogjtë e Qyqes
Disa thonë është përrallë e vjetër,
Të tjerë thonë është kështu, vërtet,
Sikur Qyqja s’ka shpend tjetër,
Që s’e paska çerdhen e vet.
Po ky shpend gjithnjë shtohet,
Në çdo pranverë bën Qyqja ve
Por e mjera kurrë s’ mundohet
Të bëjë për vete çerdhe të re.
Qyqja e kobshme renegate
Shumë mirë lojën do ta luaj’
Nuk e tremb kurrfarë shtërngate
Se i ka vetë në çerdhe të huaj.
Çelin vetë e zogjtë rritën
Se i ushqen Nëna urtake
Sa me gëzim e shohin dritën
Në çerdhe të madhe rrumbullake.
Zogjve të tjerë ua marrin anën,
Vishen në pupla bukuri,
Një nga një s’e njohin Nanën
Që i ka rrit’ për mrekulli…
Qyqja e Madhe i ka mësuar
Si të fshihen të kamuflohen,
Në ç’kohë duhej fluturuar,
Se çfarë ishin mos të zbulohen…
Një nga një sa shpejt po shkojnë
Në vende të reja shend e verë
Gjithkah çerdhën e glacojnë
Se janë Qyqe këta të mjerë…
Kështu po ndodh tash ndër ne
Zogjtë e Qyqes po na shkojnë
Kjo nuk është më punë e re
Keq vetveten e zbulojnë…
Populli s’mbetet kurrë pa shpresë,
Mirë e njeh këtë shpend të shkretë
Qyqe ish – Qyqe do të mbesë!
Kështu do të ndodh me të vërtetë…
***
“Po, në pjelltë mushka…!”
Post skriptum për poemthin “KEQ DËSHTOI EDHE NASRADINI”
…Paska zbritë përroit tatëpjetë
Me gomar është përshëndetë,
Nasradini, mor, lul’ i s’ amës
Ia dha vajit e i thirri gjamës,
Dhimbshëm zërin duke dredhur
Është bërlykë si ka i tredhur…
…Mendjehollë ish Nasradini:
“S’heqim dorë, tha, nga kufini,
Se mileti po rri në këmbë,
Lodhur është me shpirt ndër dhëmbë
Edhe mendjen e paska top
Po i lyp vizat për Avropë…”
…Kryeipari – qengj i butë,
Sa fort trimat i paska lutë:
“Ndalnu burra, mos m’u ngutë.
Mos ta bëjmë të zezën futë,
Nuk është puna hiç për tutë,
Po kështu mushka i do drutë!”
…Dhe shkoi trimi i veshur krushkë,
Pa fyshekë e hiç pa pushkë
E t’ia futi: “fuk e n’ dushkë”
Ra në Cetinë e bleu një mushkë…
…Nëpër male plot me borë
Qëndron burri këmbë e dorë,
I shkonë mushka si motor
Qe nga Kulla e në Çakor…
…Jep premtime fushka- fushka:
“Do t’i heqim vizat – larushka,
Do t’i kthejmë malet me dushka…”
Thotë mileti: Po, në pjelltë mushka…!”