DR.SYLEJMAN ABAZI-NESHAJ: REFLEKSION PARA MEMORIALIT TË JASHARËVE

(Tiranë, Mars 2012) – Filozofia e çështjes sonë kombëtare sot është e mishëruar tek vepra e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroit tonë Kombëtar, Adem Jashari. Lufta për liri dhe pavarësi kërkonte sakrifica. Fjalët boshe sot nuk zënë vend përballë një realiteti që ka lënë dhe po lë gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare. Aftësia për të depërtuar në vet filozofinë e kësaj epopeje të lavdishme, jo vetëm i jep dimensione më të mëdha heroizmit masiv të popullit shqiptar në luftë, por rrit besimin për të ardhmen e sigurtë.
Sot politika shqiptare nuk është në rregull, ajo ka devijuar nga orientimi i saj kombëtar me vlera gjithpërfshirëse. Ende statusi i Kosovës është i papërcaktuar dhe njerëzit janë të hutuar, përballë ngjarjeve politike. Këtu nuk është fjala për pavarësinë e Kosovës, por për statusin e njohjes dhe sovranitetit të saj. Për pavarësinë u derdh shumë gjak, u sakrifikuan deri në vetflijim Familja e Jasharëve, e Haredinëve, u vranë Komandant Lladrovci, Muj Krasniqi, Tahir Sinani, Komandant Lleshi, Ismet Jashari “Kumanova”, Zahir Pajaziti, Komandant Teli, Ilir Konushevsi, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, Skajdilajd Llagami, e qindra të tjerë. Ata që bënë luftën dhe shokët e tyre, nuk kërkuan dhe nuk morën asgjë, sepse nuk dolën në lëvizjen kombëtare për përfitime. Ata deshën vetëm një gjë: Një Kosovë sovrane, të lirë dhe të pavarur, në rrugëtimin e saj drejt Ribashkimit Kombëtar me tokën mëmë.
Adem Jashari, një feniks i ringjallur nga hiri i vet!
Kjo ishte ëndërra dhe dëshira e zjarrtë e Adem Jasharit, Heroit të Madh të Kombit Shqiptar, i cili ndryshoi shekullin dhe historinë për shqiptarët me aktin e tij heroik të papërsëritshëm. Jasharajt u vranë, u prenë, u bënë simbol për të gjithë Kombin Shqiptar. Vepra e tyre i ngjet një feniksi, që dhe kur vdes, ringjallet nga hiri i vet. Komandanti dhe të gjithë dëshmorët e luftës, nuk ishin nga ata njerëz që nuk e çmonin jetën, por ata nuk mund ta konceptonin më atë nën robëri, në poshtërim e diskriminim. Ky motivim vital e shndërroi gjakun në barut, në flamur, në nder dhe dinjitet.

Jasharët, për të ruajtur të paprekur amanetin e gjakut të tyre, u distancuan nga politika e ditës. Duke dhënë mesazhin se, këtë sakrificë madhore nuk mund ta bëjnë kurrësesi objekt tregëtie për pushtet, por ata po ringjallen nëpërmjet ripërtëritjes së gjakut, duke zëvëndësuar të rënët. Kjo është një vepër e madhe dhe një mezash mbarëkombëtar. Edhe pse na kanë vrarë e prerë, përsëri kemi rilindur. Kështu bën Jasharët, këtë bën Jasharët, vriten, por ringjallen nga hiri i tyre.
Ata që e njohin Murat Jasharin, kanë parë tek ai, jo vetëm një burrë të ditur, të vetpërmbajtur, por dhe modest, që nuk i ka lejuar vetes asnjë privilegj nga emri i madh i Jasharëve. Në ditët më të vështira që ka kaluar Kosova pas luftës, shpesh është dëgjuar pëshpërima e popullit: “Çka po thonë Jasharët, a është koha të flasin Jasharët”? Muratit, i urtë dhe i matur, me sa duket, i erdhi shpirti në majë të hundës me oportunizmin e politikës, me natyrën prej jesmenësh të klasës politike në Kosovë dhe politikanëve shqiptarë në tërësi. Ai e lëshoi një deklaratë që i buronte nga shpirti: “Mjaft, deri këtu, ndaloni, ne Jasharët nuk durojmë më, rrugët tona këtu ndahen për të mirën e Kosovës dhe të Shqipërisë”, “Ne do t’i qëndrojmë gjakut të Dëshmorëve të Kombit, ju zgjidhni rrugën që doni”.
Adem Jashari, një betim…!
“O babush, vetëm ti ke për të rrojtur. Rro dhe rrëfe për ne”. Kështu i tha një mikut të tij një herë në Durrës komandant Ademi. Aty nga fillimi i viteve 90-të, ai u njoh me vellezërit Jasharaj, Hamzën dhe Ademin, me Iliaz Kodrën, Abedin Rexhën, Bacën Abdyl Krasniqi, dhe më vonë, me Ilir Konushevsin, Luan Haradinaj dhe disa të tjerë, të gjithë djem idealist me bindje për çlirimin e Kosovës.
Rastie solli, që ashtu siç ishin grup, në Durrës, tek vila e bacës Abdyl, atje u mblodhën të gjithë. Në mes shokësh tërhiqte vëmëndjen diskutimi i zjarrtë i Ademit, i cili nuk shikonte asnjë perspektivë për çlirimin e Kosovës nga Serbia nëpërmjet rrugës paqësore, nëpërmjet psedudogandizmit të lidershipit kosovar. Ishte një kohë e trazuar në Ballkan. Ademi, një tipi i hedhur dhe hazërxhevap në fjalë, një hërë ju drejtua “Sandokanit”: “A e din ti Abedin se çfarë është kurbani”? Abedini u përgjigj: ”Unë di që është sakrificë”. Pa e mbaruar fjalën Abedini, Ademi shtroi: “Po, qashtu është, mirë e the, po a e din ti Abedin se çfarë është sakrifica për komb dhe për Atdhe”? Të gjithë, të zënë ngushtë u panë në sy me njeri tjetrin. Hamza, duke njohur natyrën e të vëllait, po buzëqeshte. Ademi e kapi shikimin e Hamzës dhe si kundërpërgjigje, shtoi, “Po more, kërkon sakrificë pavarësia, nuk fitohet pa gjak, ne të gjithë këtu do të vritemi, ne do të vritemi, ne do të jemi kurbani…”. Në vitin 1998-të, pas sakrificës së madhe të Jasharëve, u ngrit në këmbë tërë Kombi Shqiptar.
Adem Jashari, komandanti legjendar, që shndërroi Frontin e Rezistencës në Ushtri Çlirimtare.
Shumë njerëz, sidomos brezi i ri, e identifikojnë veprën legjendare të Adem Jasharit, kryesisht me Epopenë e Prekazit. Kjo është e pamjaftueshme, për atë që ka bërë Ademi dhe shokët e tij.
Djemtë e Kosovës erdhën në Shqipëri në vitin 91 dhe u stërvitën nga oficerë shumë të përgatitur të Ushtrisë Shqiptare. Ata mësuan, jo vetëm artin e përdorimit të të gjitha armëve, por shumë elementë të tjerë profesional, që kishin të bënin me luftën. Ndërkohë në Kosovë ishin hedhur bazat e Frontit të Rezistencës dhe po zgjeroheshin strukturat e tij. Ai synonte të përgatiste popullin shqiptar për betejën e ardhëshme. Me siguri djemtë e Kosovës atëherë ishin të bindur, se ajo do të vinte. Të inkuadruar në Frontin e Rezistencës, me një idealizëm të paimagjinueshëm, mallëngjyes e prekës, ata filluan organizimin, me shpirt vetmohimi, disiplinë të lartë dhe përkushtim. Binte në sy figura e Adem Jasharit, si një militant, që merrte pa mëdyshje përgjegjësitë më të vështira. Kështu nisi rrugëtimin dërgimi i armëve nga Shqipëria në Kosovë.
Shteti serb, makina e tij luftarake dhe politike, shërbimet inteligjente të saj u vunë të gjitha në alarm. Tradhëtia e elementëve udbashë, nuk mungoi as nga Shqipëria. Në nëntor të vitit 91, në fshatin Babai i Bogës, u arrestua befasisht kryetari i Frontit të Rezistencës, Mentor Kaçi me Naim Krasniqin dhe një mësues të fshatit me emrin Zenel. Pa aguar mirë dita, kulla e Zenelit u gjend e rrethuar me 300 milicë serbë. Pas arrestimit të 3 shokëve militantë të Frontit, në Gjakovë, Prizren, Pejë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës, u arrestuan 19 anëtarë të kryesisë së Frontit të Rezistencës, midis të cilëve edhe sekretari i Përgjithëshëm, avokat Sokol Dobruna dhe Sejdi Veseli, një aktivist i njohur i lëvizjes kombëtare. Pas kësaj ngjarjeje, komandant Ademi mblodhi shokët në Tiranë dhe u tha: “Serbia do të bëj punën e saj dhe ne do të bëjmë tonën, si të jetë thënë prej Zotit”.
Puna dhe përgatitja vazhdoi më me intensitet, u forcua shumë konspiracioni. Dërgimi i armëve në Kosovë nuk u ndrpre”. Në mesin e vitit 1993, pas zhvillimit të “javës së Kosovës” në Tiranë, pikërisht të nesërmen e asaj dite, u arrestuan një grup shokësh, Adem Jashari, Ismet Kryeziu, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, të cilët u mbajtën në burgun e Tiranës gati 3 muaj e gjysëm. Pasi dolën nga burgu, të gjithë “formalisht” fituan pafajësinë. Asnjëherë ata nuk e vunë në mëdyshje burgosjen e tyre të padrejtë dhe nuk e lëkundën dashurinë për Shqipërinë. Puna vazhdoi, deri sa një ditë, në Prekaz u vra mësuesi Halit Geci dhe populli heroik i Prekazit demonstroi revoltën kundër pushtetit të Millosheviçit. Kjo është dita, kur Fronti i Rezistencës doli hapur si ushtri çlirimtare, me djemtë e veshur me uniformën e UÇK-së, midis të cilëve binte në sy biri i madh i Tropojës, dëshmori Muj Krasniqi. Kjo ishte thirrje për ndeshje, kushtrim për popullin, së shpejti beteja do të niste…”
Jo Bac, nuk shkelet amaneti!
Evropa po e heq dhe atë pak pavarësi, duke e gërryer situatën politike pak e nga pak. Kjo situatë rëndon mbi vlerat e luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. “Nuk është frikë të luftosh ballë për ballë me shkjaun, thoshte Adem Jashari, por frikë është kur ke tradhëtinë nga brenda, krahët duhet t’i kemi të sigurta”. Ademi kujtonte thënien e Isuf Gërvallës, në momëntin e paravdekjes në spital, “…Nëse vrasësi është shqiptar, do t’i lutesha Zotit të mos zbulohej kurrë”, “…unë vazhdonte ai, nuk dua kurrë të ftohem prej krahëve”.
Ademi dhe Hamza në bisedat mbi trimëritë e Azem Galicës dhe Mic Delisë, shprehnin hyjnizim për trimëritë e Tahir Mehës. Ata u befasuan kur morën vesh se, këtu në Shqipërinë nënë, njihej në detaje lufta dhe rënia heroike e Tahir Mehës, biles, këtu qarkullonin këngë dhe poezi për këtë trim nga poeti i talentuar Gjok Beci”.
Formimi i Ademit deri në idealizëm, e çoi atë në vendimin e dhimbëshëm për veten dhe familjen e tij, por që tronditi dhe shkundi tërë shqiptarët me vetsakrificën e tyre. Jasharët nuk kishin çfarë të jepnin më, ata dhanë gjithçka. Përplasja e madhe kishte filluar pa kthim prapa……”.
Nga rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes, kanë kaluar 13 vite. Nga këndvështrimi i një distance kohore jo shumë të madhe, ne të gjithë vlerësojmë veprën e tij si një garanci, si një kod kombëtar, për të mos lëvizur nga rruga dhe amaneti i tyre.
Murat Jashari ka vrejtje, ai me të drejtë revoltohet. Murati s’ka kërkuar asgjë për vete. Frika e Muratit është, të mos lejohet të shkelet amaneti për një Kosovë të lirë dhe sovrane, për një Shqipëri të Ribashkuar. Burokracia politike e Kosovës, e dalë nga lufta jo pa merita, gradualisht, nën presionin e privilegjeve që sjell pushteti, hap pas hapi, është larguar nga idealizmi dhe fryma atdhetare që çoi në luftën e UÇK-së, në heroizmin masiv popullor.
Sot në sallonet politike të Prishtinës mendojnë, se institucionet ndërkombëtare duhet të bëjnë diellin, hënën, borën dhe shiun për shqiptarët, se populli është një turmë, që mund t’i tregohet edhe kërbaçi, gazi lotsjellës, se në veri të Mitrovicës serbët mund të bëjnë çfarë të duan dhe në Prishtinë qeveria “bën sikur bën”. Për të rinjtë që duan vetvendosje, këta nuk kursejnë të bëjnë gjëmën, vetëm që të duken djem të mbarë të politikës në sytë e faktorit ndërkombëtar.
Mbahet i burgosur Ramush Haradinaj, por dhe kur del i pafajshëm, riburgoset. Politika hesht pa angazhim. Arrestohet komandant “Çeliku”, një hero i luftës, përsëri asnjë mbështetje. Balancohet nga politika evropiane viktima me agresorin dhe përsëri heshtje varri nga politika.
Vendos Serbia struktura paralele, duke e financuar ato me 350 milion euro në vit, duke shndërruar zonën në qendër të trafiqeve ndërkombëtare dhe pastrimit të parave të pista. Ekzekutivi i Kosovës vazhdon të bëjë të paditurin.
Flaken në papunësi ish luftëtarët e UÇK-së dhe braktisen në harresë familjet e Dëshmorëve. U rrihet “me mjaltë në sahan” enklavave serbe, duke lënë në harresë hallet e popullit. Kulmi “i fitores” së kësaj rrace politikanësh, quhet heqja e emrit të Republikës, me demek se, “përfitokan të drejtën të marrin pjesë në takimet ndërkombëtare” (!). Në sytë e popullit verehet trishtim dhe revoltë.
Adem Jashari, me siguri nuk do të kërkonte asnjë marrëdhënie me Serbinë, pa kërkuar më parë falje, të cilën ajo s’po e bën dhe me sa duket, s’ka ndëmend ta bëjë.
Adem Jashari nuk do të bënte asnjë lëshim për asnjë pëllëmbë tokë të territorit të Kosovës, në veri ose në jug, dhe po të ringjallej, ai përsëri do të luftonte në Mitrovicën Veriore, ashtu siç luftoi në Prekaz.
Adem Jashari nuk do të pranonte kurrë oportunitetin e marrëveshjeve politike me Serbinë, kur politikanët heshtin. Këtu ka më shumë se sa gabime dhe faje, këtu ka tradhëti mbi gjakun e derdhur për liri.
Adem Jashari nuk do të pranonte kurrë, që në shtëpinë e tij, në atdheun e tij, në Kosovën për të cilën ai u vra, të bëheshin të huajt zot shtëpie, qofshin këta dhe miqtë.
Adem Jashari nuk do të pranonte kurrë të mos vlerësoheshin simbolet kombëtare, flamuri dhe datat historike të Kombit Shqiptar.
Adem Jashari është një amanet, që na ndjek nga pas, na ruan të mos gabojmë, të mos biem në faje dhe nëse sejmenët e politikës nuk kanë mundësi të ndalohen, të korrigjohen, ai e ka bërë detyrën, sepse ata që kanë shkelur amanetin, janë futur në rrugën e tradhëtisë. Nesër do të jetë vonë.
Murati, ky burr i shtruar, i urtë e i durueshëm, foli dhe shpirtin e tij e çliroi para popullit. Murati po guxon të flasë, kur të tjerët heshtin. Aty në Prekaz, ka vite që vazhdon pelegrinazhi. Miliona njerëz kanë bujtur deri tani në kullën e Jasharëve. Murati, si “i ngujuar”, misionar i çështjes kombëtare, u kujton shqiptarëve se, lufta e Ademit, Hamzës dhe UÇK-së, të çon jo vetëm në pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, por drejt Ribashkimit Kombëtar”.
Amaneti i Dëshmorëve të Kombit Shqiptar është ende i papërmbushur. Ata të gjithë dhanë gjënë e tyre më të shtrenjtë, gjakun dhe jetën për Lirinë, pavarësinë Kombëtare dhe Ribashkimin e Trojeve tona në një shtet të vetëm. Ne të gjithë e dimë se amanetin nuk e tret as dheu. Ai do të na ndjekë pas si kushtrim, si garanci, si një Kod Kombëtar, që do të na kujtojnë në çdo kohë se, kemi ende shumë rrugë për të bërë sëbashku, për të çuar në vend amanetin dhe Betimin e luftëtarit të UÇK-së. Faleminderit “BAC”, amanetin se tret as dheu. Ende nuk t’i kemi thënë të gjitha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura