EDIPËR QË PRESIN NË SHTEG …

EDIPËR QË PRESIN NË SHTEG …

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin – 24 Korrik 2021

1.

S’kam qenë ndonjëherë idhujtar. As i Personit krijues, e as i Personit politik.

E pra, nuk jam as i Kurtit, anise e çmoj shumë si emblemë të epokës dhe titullar të shpresës.

Mbinjeriun e gjejmë vetëm tek Zarathustra, kurse emanacioni i tij në jetën reale ka përfunduar shpesh në tragjedi…

2.

Ndërkaq, ana tjetër e medaljes shpjegon vetë për gjithçka.

Deri në mërzi.

E pra, squllosjen etike, ultësinë, dëshirimin e fshehtë negativ, madje urrejtjen e vetë shtetit të pafaj pse në krye të guvernës gjendet rivali politik dhe, njëkohësisht, ëndrrën e ligë që ai të disfatohet në përballje me gjaksin e shqiptarëve, vetëm që Opozitari, i rrëzuar nga Koha dhe Bëmat e veta, të gëzojë e lumnohet – nuk do t’i kuptoj kurrë.

Asnjëherë në jetë.

Janë fanar mashtrues i bregut që quhet shtet dhe miljeut që quhet demokraci.

Kudo në Europë. Atje ku betohemi me afsh e poterë të hyjmë.

3.

I pyetur për H. Kohl, kundërshtari politik e kancelari pararendës, H. Schmidt do të thoshte: qysh herët e mendoja politikan të vogël provincial, por në aktin e bashkimit gjerman ai dëshmoi madhështinë historike!

Po përse nuk mësojnë shqiptarët këtë kulturë?!

Konica, rebel e sfidant si askush, thoshte m’një rast: në Shqipëri Zogu është kundërshtari im, kurse në botë ai është mbreti im.

Por thirrjen e tij e shurdhuan motet.

Pastaj, nga vitet e largët 60-të, kujtojmë dhe një shenjë, një kulturë e ndjesi të ngjashme që i troket kohës sonë.

Mbahej aherë moti një demonstratë e veçantë e shumëthënëse. Një shkollë e vërtetë e edukatës kombëtare.

Ku? Në Uashington. E kush demonstronte?

Ishte një demonstratë paralele e dy mërgatave: shqiptare dhe greke. Të dyja palët tundnin parulla kundër Shqipërisë, më saktë kundër diktaturës komuniste. Grekët, që t’a kompromitonin për interesa të tyre, kurse shqiptarët, për të kërkuar në atdhe botën e lirë.

Por në çastin e parë që shqiptarët do t’vërenin grupin tjetër matanë sheshit, harruan misionin e tyre dhe iu sulën grekëve.

Ç’do thotë kjo? Kjo thotë më shumë se gjithë lektyrat: atdheu qëndron mbi partitë, sistemet dhe ideologjitë!

4.

Studio. Njëra prej tyre në Prishtinë. Analistë shterrakë kuvendonin një natë me gjuhë të drunjtë e zhurmërisht.

Tema ishte aktuale: Premieri në Bruksel.

Gati të gjithë, ose ata me teza dhe mëri të parashkruar mercenareske, flisnin për motivet e paraqitjes së Kurtit dhe asnjë fjalë të vetme për rreshtimin e tij.

Më saktë: pa mundur të  mohojnë prezantimin inteligjent e atdhetar, ndalonin tek sfondi taktik i tij.

Dhe jo taktikë bisedimore me serbin Vuçiq, por taktikë që, si thoshin, i referohej zgjedhjeve vendore në Kosovë. Madje, sipas tyre, dhe Vuçiq kishte po atë agjendë në fokus: zgjedhjet serbe të pranverës që vjen.

Nga diskursi i tyre rrjedhonte se ata, të dy, do t’kishin qenë më të maturuar sikur t’mos i priste kjo matje e besueshmërisë politike!

Por pranvera nuk do vonojë.

Dhe, ndaj, lutemi për fitoren serbit Vuçiq. Sepse, duke lënë pas provën zgjedhore, ai do të mirëkuptojë të drejtën shqiptare. Ashtu si përballësi i rreptë Kurti, që, poashtu, pa gurin elektoral mbi qafë, do ecën drejt pikës afrimore…

Errësira intelektuale dhe merkantilizmi politik s’kanë emër tjetër! Dhe s’patën kurrë ndonjëherë.

5.

Ç’ti thuash këtij mjerimi: të paraqitej flashkët – e priste damka e zezë e trathtarit, kurse paraqitjen burrërore – e priti smira dhe, ndaj, truku i stisur i motivit zgjedhor!

Nuk e dija se kaq shumë të lidhur: patogjenisht me pushtetin dhe edipërisht me shtetin, qenkëshin oligarkët e përmbysur.

Veçse kjo gjëmë, siç shihet, më shumë se për armikun (se kështu e ndjejnë atë), flet për ata vetë. E tillë, ajo bën përfundimisht arsyeshmërinë e lartë dhe provën kurorë që përligj humbjen e tyre!

6.

Serbët janë të vështirë në tavolinë bisedimesh. Kanë traditë mendimi shtetëror dhe dinakëri race.

E kështu, hazjajini i serbëve, para se të niset, ngarkon mbi supe teori e doktrina të qëmoçme njëj studimi të përimtuar të tokës, resurseve, gjeopolitikës,  njerëzve dhe psikologjisë etnike shqiptare.

Kurse, ndërkohë që dy Akademitë shqiptare vijojnë mrizin e kotnisë, kryepari i dërgatës së Kosovës merr udhë në mëshirën e vetmisë.

Lirinë e ruajnë armët, pohonte Machiavelli, dijetari klasik i politikës. Por ato, edhepse aleate gjithësesi, janë të huaja. Pjesë e tyre, fjala vjen, është dhe formacioni francez që ndodhet i stacionuar aty për t’i garantuar, hapur e fshehtë, Veriun  Serbisë, e jo Kosovës tërësinë e tokës së vet.

Mirëpo Nicolo që pohonte kështu, shkruan diku edhe për Republikën e fatit. Domethënë të fatit historik, siç është dhe Republika e re e Arbërit.

Ndaj serbët, pra, ose duan dialog sipas masës së tyre, ose ndërprerjen e tij për faj të shqiptarëve. Në rastin e dytë, të naltorganizuar siç janë, ruajnë t’rezervuar dhe “planin B”, ciklin e ri të rrëmujës: inskenim i një masakre ndaj serbëve të veriut, rebelimi, vetëmbyllja nga pjesa e Kosovës poshtë Ibrit…Dhe pastaj: deklarimi i shkëputjes apo prerja e territorit nga një ndërhyrje e shpejtë e ushtrisë serbe!

Kosova, tutje, nuk i ka as armët dhe as miratimin e heshtur të botës për një version vendor të “Stuhisë kroate”. Skenari gazmon Rusinë, por tmerron Europën dhe, për t’a shmangur, çështja kthehet sërish në Kosovë: në tagrin që ajo duhet t’i paguaj politikës së madhe, përtej fuqisë reale për rezistencë!

Në mbyllje fare, nuk gjej dot urti më të mirë se kjo popullore: një trimëri i do njëqind mjeshtëri!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura