Pashtriku.org, 12. 05. 2015 – (Pas Ukshin Hotit) – Lufta e Kosovës përfundoi me 10 korrik të vitit 1999. Trupat serbe tërhiqen, NATO vendoset në Kosovë dhe një milion shqiptarë, të shpërngulur gjatë luftës kthehen në tokat e tyre. Populli shqiptar duhet të ballafaqohet me dëmet e shkaktuara nga lufta; pa strehim, familje të tëra flenë nëpër strehimore (tenda ose shtëpi të shkatërruara). Megjithatë, shqiptarët do t’i vuajnë pasojat e luftës. Familjet shqiptare do të presin anëtarët e tyre të kthehen nga lufta; disa do të kthehen shpejtë, disa të tjerë do të lirohen nga burgjet serbe më vonë, kurse disa të tjerë nuk do të kthehen kurrë. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet nëse këta të fundit janë gjallë apo të vdekur. Ata ende mbajnë statusin e të zhdukurve. Deri më sot ka 1655 të zhdukur në Kosovë(1), ndër ta është edhe Ukshin Hoti.
Kosova shpalli pavarësinë e një anëshme me 17 shkurt të vitit 2008. Rusia, si anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe aleate e Serbisë, vendosi veton e saj. Deri më sot Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës e këtë nuk e ka bërë as Organizata Kombeve të Bashkuara. Tani, Pavarësia e Kosovës është nën mbikqyrjen e EULEX-it, një mision evropian që ka për qëllim ta shoqërojë Kosovën në procesin e ndërtimit të një shteti të drejtë dhe demokratik.
– Ukshin Hoti –
– Çfarë ndodhi atëherë me demokracinë autentike që e kishte mbrojtur Ukshin Hoti dhe që kishte mbirë në Kosovë në vitin 1981?
– Çfarë ndodhi me vetëvendosjen e popujve, me këtë ideologji të regjistruar në statutin e Kombeve të Bashkuara(2)?
– E gjithë kjo a e bën të skaduar bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë ?
– Gjithashtu, çfarë mund të thuhet për nenin e tretë të kapitullit të parë të Kushtetutës së Kosovës ?
«Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. »
Kjo situatë e krijuar i jep më shumë hapësirë Lëvizjes Vetëvendosje! Në votimet e fundit komunale, kjo Lëvizje ka marrë 20% të votave, duke e fituar kështu edhe bastionin e LDK-së, që është komuna e Prishtinës. Lëvizja do që të jetë trashëgimtare e mendimeve të Ukshin Hotit.
– Por, a është e vërtetë ajo që pretendonë se janë, ose e shfrytëzon personazhin e Ukshin Hotit thjeshtë si simbol i lëvizjes së tyre ashtu siç e shfrytëzon PDK-ja, Adem Jasharin ose LDK-ja, Ibrahim Rugovën?
Ajo që është e sigurt, është se Lëvizja Vetëvendosje fiton më shumë vota dhe në të njëjtën kohë emri i Ukshin Hotit dëgjohet çdo ditë e më shumë.
– Në Krushë të Madhe, një shkollë e ndërtuar në vitin 2008, është emëruar me emrin e tij. Universiteti i Prizrenit, gjithashtu emërtohet si Universiteti « Ukshin Hoti ».
– Shtëpia ku ai jetoi pas viteve të ‘90-ta është kthyer në shtëpi muze dhe është inaguruar më 17 qershor të vitit 2013, ditën kur Ukshin Hoti kishte 70 vjetorin e lindjes.
– Konferenca të ndryshme janë organizuar në Prizrendhe Prishtinë për ta nderuar atë.
Së fundmi, qytetarët e komunës së origjinës së Ukshin Hotit (Rahovecit) kanë parashtruar një peticion, që ka mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime dhe kanë dërguar në Kuvend të Kosovës, për të zgjidhur çështjen e Ukshin Hotit(3).
Në muajin maj të vitit 2014, është publikuar një libër i ri me shkrimet e tij,« Çështja kombëtare shqiptare: komponenti religjioz ».
Shtëpia e Ukshin Hotit, e inaguruar si Shtëpi-Muze me 17 qershor të vitit 2013, ditën kur ai kishte 70 vjetorin e lindjes.
Filozofia e Ukshin Hotit
Filozofia e Ukshin Hotit nuk është vetëm, produkt i mendimit të tij por edhe i studimeve të tij shkencore që bazohen në veprat shkencore të filozofëve, politologëve, ekonomistëve dhe sociologëve të njohur, si : Ralf Gustav Dahrendorf, Georg Kennan, Adam Smith, Maks Weber dhe Slavoj Zizek. Zotërimi i gjuhës serbo-kroate dhe gjuhëve të tjera si anglishtja, frengjishtja, dhe italishtja, ia kanë mundësuar atij qasjen në leximin e veprave, që edhe deri më sot nuk janë të përkthyera në shqip. Ndër autorët e tij të preferuar mund të përmendim: Hegel, Thomas Hobbes, Immanuel Kant, Karl Marks, Thomas Mor dhe Aleksis dë Tokëvill. Si adhurues i teorisë kritike të shkollës së Frankfurtit, i bazoi shkrimet e tij në të, duke cituar ndër to: Theodor W. Adorno, Jürgen Habermas, Maks Horkheimer dhe Wilfrid Röhrich. Ukshin Hoti e përkufizonte veten si një sociolog politik, që do të thotë se studionte lidhjet dhe sjelljet njerërzore në relacion me shtetin. Shkrimet e tij rreth kësaj teme janë shumë domethënëse. Në këto shkrime ai citon shpesh shembuj nga jeta e tij personale për të treguar njohuritë e tij rreth shoqërisë shqiptare dhe duke përkrahur idenë se zgjidhjet e problemeve me të cilat ballafaqohet kjo e fundit, duhen të jenë të harmonizuara me funksionimin qenësor të kësaj shoqërie. Si njohës i shoqërisë indiane dhe veçanërisht i filozofisë së Gandit, të cilin e citon disa herë, thotë që kjo ideologji nuk është në përputhje me popullin shqiptar. Pa e gjykuar atë, Ukshin Hoti shton se nëse Gandizmi ka funksionuar në Indi, kjo ka ndodhur meqë Mahatma, pavarësisht nga vështirësitë që ka hasur, e ka njohur shoqërinë e tij të asokohësme dhe në rrethana të caktuara, të cilat kanë mundësuar që kjo lëvizje të realizohet. Ukshin Hoti, nuk ishte i pajtimit as kur shtypi i asokohshëm ia dha Ibrahim Rugovës statutin e Gandit të Ballkanit.
Ja një fragment nga kjo temë :
«Dua të shtoj se nuk do të duhej tepruar me atë që gazetarët e quajnë gandizëm të popullit shqiptar, dhe që sërish bazohet në metodën e luftës së tij. Ajo që sot nëpër faqet e shtypit po lavdërohet si gandizëm, për ç’shkak individë të caktuar që s’kanë asnjë lidhje me të ngriten gjer në qiell, fitojnë shpërblime, u rrahen shpatullat, falenderohen etj., vërtetë që s’kanë asnjë lidhje me gandizmin. Unë e di se çdo metodë e luftës paqësore e demokratike s’mund të quhet gandizëm, sepse çdo metodë e tillë e luftës nuk është njëherit edhe produkt i një filozofie të tërë të antidhunës, ashtu siç ishte në realitet dhe siç është filozofia e Gandit, por vetëm një pasqyrë e situatës së caktuar dhe e kushteve të caktuara. Ashtu siç e di edhe se sot atë e lavdërojnë pikërisht ato qarqe në botë të cilat kanë bërë, dhe vazhdojnë të bëjnë edhe sot gjithçka, që njerëzit të mos e kuptojnë. Mirëpo kjo është punë e tyre. Unë e mendoj veten si tepër larg Gandit. Pastaj, dhe kjo është më e rëndësishmja, një pjesë e inteligjencisë shqiptare, do të duhej më së fundi të mësonte që për popullin e vet të mendonte me kokën e vet, sepse edhe krahas shumicës së tij islamike, populli shqiptar kurrë nuk ka qenë dhe as që do të jetë ndonjëherë popull aziatik. Ndonëse edhe islamizmi nuk ka me të ndonjëfarë lidhje, t’i imponosh popullit shqiptar vlera që janë në kundërshtim me frymën e tij praktike, nuk do të thotë vetëm moskuptim dhe keqinterpretim i tij, por edhe dhunim të dinjitetit të tij, d.m.th. të një populli të lashtë evropian. Nuk e kam ndjerë veten të goditur personalisht. Ishte obligim i imi intelektual kundrejt një kolosi të mendimit dhe të frymës njerëzore, që të reagoj kundër atyre teprimeve. »
– Ukshin Hoti me vëllezërit: Ragipin dhe Afrimin –
Ukshin Hoti ishte një person shqetësues për pushtetin serb. Për të njëjtin pushtet, i cili ia dha mundësinë një shqiptari me origjinë nga një fshat me 5 mijë banorë të ngjitet hap pas hapi në rradhët e administratës së shtetit Jugosllav, të gjindet përballë këtij njeriu që ka mbledhur njohuri të mjaftueshme për ta kuptuar funksionimin e aparatit shtetëror të Jugosllavisë, pasi i ka kuptuar çështjet globale nga hulumtimet e tij dhe udhëtimet e tija ndërkombëtare, duke denoncuar fillimisht zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të Kosovës dhe më pas në rradhë të dytë, aparteidin serb. Megjithatë, në aktin e tij të mbrojtjes, në vitin 1994, ai akuzon poashtu një pjesë të alternativës së Kosovës për të cilët shfaqi dyshimin për burgosjen e tij si marrëveshje me palën serbe.
Ja disa shkëputje në vijim nga fjala e mbrojtjes :
«Lidhur me faktin e parë prokurori publik më akuzon se kam dashur ta ndaj me anë të dhunës Kosovën nga Republika e Serbisë. Pasiqë Republika e Serbisë, e njeh de facto Republikën e Kosovës, unë nuk po akuzohem për ndarjen e saj nga Serbia, sepse kjo tek e fundit përbën cakun e gjithë alternativës politike shqiptare në Kosovë, por vetëm për mënyren e realizimit të këtij qëllimi (d.m.th. me anë të dhunës).[…] Zatën në qoftë se Republika e Serbisë e njeh de facto Republikën e Kosovës, atëherë funksionimi i saj në formën e këtij gjyqi në territorin e Republikës së Kosovës ose është akt marrëveshjeje midis tyre, ose është akt i dhunimit ndaj kësaj të fundit. [..] Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. »
Morali Politik
Ukshin Hoti në shkrimet e tija, poashtu vë në dukje defektet e shoqërisë shqiptare. Thotë që sistemi fisnor-feudal i Kosovës, pengon zhvillimin moral të rajonit në sferën politike shqiptare. Ai denoncon politikanizmin: ai është për një përballje të hapur të bazuar në faktet shkencore. Në dëgjim të popullit të tij dhe të kërkesave të tij, ai nuk e fsheh se politika është mundësia më pragmatike për të arritur me gjithë legjitimitet qëllimin e fiksuar nga populli(demokracia autentike). Është e rëndësishme të përmendet legjitimiteti i të gjitha veprimeve të ndërmarra nga Ukshin Hoti. Ai i njihte të drejtat e tij, të drejtat e popullit të tij dhe nga ky fakt ishte më i bindur nga vërtetësia e akteve të tij. Ukshin Hoti është i bindur se shqiptarët duhet të dëshmohen për një moral politik bujar dhe të shëndetshëm, për t’i arritur qëllimet e tyre dhe jo ta marrin si shembull politiken serbe(4). Si rrjedhojë e kësaj ai është në kundërshtim me filozofinë e Makiavelit.
Ja një fragment, në të cilin Ukshin Hoti flet për filozofin italian:
«Një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metodat makiaveliste të intrigave dhe të shpifjeve. Bashkimin e Italisë nuk e solli mendimi politik i Makiavelit por vetëm mendimi politik i Macinit dhe lufta vetmohuese e një morali tejet të lartë e Garibaldit. Makiaveli e ka përshkruar luftën politike për pushtet të sundimtarëve të ndryshëm të paskrupullt dhe të princërve të Italisë feudale. Ai u jepte atyre udhëzime se si ta përforcojnë pushtetin dhe ka pasur besim se ndonjëri prej tyre do ta shfrytëzojë atë pushtet në favor të bashkimit të Italisë. Mjeshtritë të cilat i përshkruan dhe i rekomandon ai sigurisht që janë shfrytëzuar edhe më parë, por edhe pas tij, në luftërat e përgjakshme për pushtet nga ana e oborrtarëve të ndryshëm dhe despotëve, nga ana e tiranëve dhe diktatorëve të vjetër e modernë, por kurrë ndonjëherë ato, gjatë gjithë historisë, nuk e kanë sjellë fitoren e çfarëdo lëvizjeje politike serioze dhe as forcimin e çfarëdo pushteti demokratik. Ato mund të sjellin forcimin e pushteteve dhe të pushtetmbajtësve despotikë, autokratikë, autoritarë dhe totalitarë; ato janë metoda të një lufte të paskrupullt, të paturpshme dhe të përgjakshme për pushtet, por ato janë në kundërshtim të ashpër dhe të thellë me vetë nocionin e demokracisë. »
– Bislim Elshani –
Bislim Elshani, një mik i afërt i Ukshin Hotit, është një specialist i filozofisë politike të tij.
Ja një shkëputje nga artikulli i Elshanit, mbi moralin politik të Ukshin Hotit :
«Si studiues dhe hulumtues i sociologjisë politike, Ukshin Hoti është një kritik jashtëzakonisht i rreptë i të metave shoqërore të shqiptarëve. Shkaqet e fenomenit të oportunizmit politik mes shqiptarëve, sidomos tek një pjesë e rinisë së tij, ai i gjen tek raportet anakronike dhe të pashthurura patriarkale e fisnore në Kosovë. Pas një ceremonie mortore në Therandë, në të cilat shpesh hapeshin dhe debate politike, një provokator nga LDK-ja e pyeti Ukshin Hotin se mos doni të na ktheni komunizmin? Më la përshtypje përgjigja e tij kuptimplotë: “Jo, por duam t’ua çrrënjosim feudalizmin.” Për dallim nga pyetja, përgjigja nuk ishte provokative, por fshihte pikërisht thelbin e raporteve shoqërore në Kosovë, të cilat akoma i karakterizon patriarkalizmi, filisteizmi fisnor e mentaliteti feudal, tipare këto që do t’i ngadalësojnë ndjeshëm integrimet euroatlantike të Kosovës. »
Bashkimi Kombëtar
Ukshin Hoti ka vendosur themelet e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të një politike profesionale në Kosovë. Vetëdijëshmëria e tij për çështjet politike dhe gjeostrategjinë ndërkombëtare për ardhmërinë e Kosovës dhe Shqipërisë, bazohen në fakte shkencore, analitike dhe historike. Ai është i bindur se populli shqiptar i Kosovës e ka të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Kjo zgjidhje do të sjellë më shumë stabilitet në Ballkan, për të mirën e shteteve për rreth por gjithashtu për tërë Evropën, e cila e ka nënçmuar faktorin shqiptar të këtij rajoni.
Ja një fragmet, ku Ukshin Hoti përkrahë tezën e bashkimit kombëtar:
«Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. »
Sot, Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete demokratike, ose së paku ndodhen në një proces të gjatë të demokratizimit të vendeve të dala nga lufta ose të dala nga blloku komunistë. Këto dy shtete e kanë të drejtën po të jetë vullneti i tyre, në parimin e vetëvendosjes, të vetëvendosin dhe të bashkohen. Megjithatë, shoqëria shqiptarë është larg një bashkimi të mundshëm ndërmjet këtyre dy vendeve, ndonëse marrëveshjet tregtare janë në rritje. Mbetet veç kësaj përtej kufijëve aktual, pengesa ndërmjet këtyre dy shteteve të shkaktuara me shumë së 80 vite ndarje që koha do të vazhdon t’a zbehë.
– Dhe çka nëse arrihet deri tek bashkimi i këtyre dy vendeve?
– A do të zgjidheshin vallë problemet e shqiptarëve në Ballkan?
– Çfarë do të ndodhë me shqiptarët e Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë?
Në Maqedoni, përkundër marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, gjuha shqipe akoma nuk është gjuhë zyrtare edhe përkundër faktit se 25,17% e popullatës është shqiptare sipas statistikave maqedonase(5). «Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me vetveten, d.m.th. me popullin e vet dhe me trojet e veta historike», thotë Ukshin Hoti. Për të shtuar, në fatin e tij faktin se asnjëherë nuk arriti ta vizitojë Shqipërinë. Ukshin Hoti propozon një bashkim të shqiptarëve përtej kritereve të thjeshta nacionaliste, por dëshmon se kjo do të sjellë një faktor stabiliteti në Ballkan dhe nuk do lejojë intrumentalizimin e popujve të ndryshëm prej lojërave globale gjeostrategjike. I bindur me idenë se populli shqiptare do të emancipohet në një shtet të vetëm, kjo dhe bindjet e tjera të tij e kanë quar atë nëpër burgje dhe sigurisht drejt vdekjes.
Portretet e të zhdukurve të luftës së Kosovës në vitin 1999.(6)
Të zhdukurit
Për të afërmit e Ukshin Hotit që mu dha rasti t’i takoj, si Afrim Hoti, Andin Hoti dhe Bislim Elshani, nuk është bërë asgjë e mjaftueshme për të gjetur se çfarë ka ndodhur me të. Është një person i harruar i Kosovës edhe përkundër kontributit të madh dhe sakrificës që ai ka bërë për kombin e tij. Motra e tij, Myrvetja është akoma e bindur se vëllau i saj është gjallë dhe se mbahet peng diku në Serbi ose në ndonjë vend tjetër. Pas luftës, do të jetë ajo që do t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të zbuluar të vërtetën, fatkeqësisht pa rezultat. Rasti i Ukshin Hotit na jep sot të drejtën për të vënë në pyetje pamjaftueshmërinë e Qeverisë së Kosovës në trajtimin e çështjes së të zhdukurve të luftës. 15 vite pas luftës, numërojmë ende 1655 persona të zhdukur. Disa familje ende shpresojnë se do të shohin njërin prej tyre të kthehet. Atëherë, kur filluan më vitin 2011 marrëveshjet teknike për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të integrimit të këtyre dy vendeve në të, çështja e të zhdukurve thjeshtë injorohet. Edhe pse në dhjetor 2013, në jug të Serbisë zbulohet një varr masiv. Llogaritet se në atë zonë gjenden rreth 250 deri më 350 trupa shqiptarë(7). Në mars të vitit 2014, 48 trupa të shqiptarëve janë gjetur në një aeroport ushtarak afër Beogradit(8).
Përfundim
Jeta e Ukshin Hotit është një paralele e përsosur e ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës së dytë botërore. Ky i fundit e gjeti veten në qendër të ngjarjeve kryesore. Të rrëfesh historinë e Ukshin Hotit është të rrëfesh historinë e Kosovës, është të rrëfesh historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Sot, rinia e Kosovës e kërkon, një rini që nuk është korruptuar nga joshja e pushtetit, që është e bindur nga pastërtia e veprave të Ukshin Hotit dhe që vë në pyetje akoma fatin e kombit të vet. Duke rikujtuar atë rini të demonstrateve studentore, ajo që i kishte dhënë Ukshin Hotit zellin e nevojshëm për tu angazhuar, ti mbrojë dhe të heq dorë nga puna e tij, nga përfitimet që ai vetë i kishte fituar nga studimet, për çështjen shqiptare. Pasardhëse e saj është kjo rini e sotme, që ende shfaq nëpër mure fytyrën e tij pyetëse. Ky epitaf i shpërndarë, pyet akoma: «Ku është Ukshin Hoti?». A duhet populli shqiptar të shoh sot një kuptim të ndryshëm? Duket sikur ky mbishkrim t’ua kthen përgjigjen me një pyetje, sikur në brendësi Ukshin Hoti i udhëhequr nga vendosmëria dhe ndërgjegjia e tij, duke e ditur se në mënyrë të pashmangshme ku do ta çonin veprimet e tij, ta pyes popullin e tij: «Po ju, ku jeni ju?».
_______________
1. Sipas të dhënave të fundit të Kryqit të kuq.
2. Karta e Kombeve të Bashkuara, Kapitulli 1, neni 3.
3. http://rahovecpress.com/peticioni-per-fatin-e-ukshin-hotit-tashme-ne-kuvend/
4. Bislim Elshani, Ukshin Hoti dhe bazat morale të politikës shqiptare. 2013.
5. Faqja zyrtare e shtetin Maqedonas ( Të nënvizohet se faqja është vetëm në gjuhën maqedone dhe në gjuhën angleze) : http://www.mfa.gov.mk/?q=node/162&language=en-gb
6. Fotografi e marrë nga web faqja : preshevajone.com.
7. http://www.arcinfo.ch/fr/monde/serbie-kosovo-21-victimes-decouverte-dans-un-charnier-a-rudnica-577-1300496
8. http://www.eulex-kosovo.eu/en/pressreleases/0580.php
Këtu mund ta lexoni artikullin në frengjisht.
_________________________
Kronologjia
• 1943 – 17 qershor : Lindja.
• 1950 – 1958 : Shkollimin fillore në Krushë të Madhe dhe në Rogovë të Hasit.
• 1958 – 1963 : Shkollen normale në Prizren dhe në Prishtinë.
• 1963 – 1964 : Arsimtarë në shkollen fillore të Krushës së Madhe.
• 1964 – 1968 : Studime në Shkencat politikë në Universitetin e Zagreb-it.
• 1968 – 1970 : Studime pasuniversitare në drejtimin e Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare në Beograd. Njëkohësish në Beograd kryen edhe shërbimin ushtarak.
• 1969 : Shkrime të artikujve të ndryshëm në rubrikën e punëve të jashtme në gazetëne « Rilindja ».
• 1970 – 1972 : Punon në komisionin ndërkombëtarë për bashkëpunimin me (Lidhjen Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë) Përfshirë këtu edhe një qëndrim katër mujor në Angola për një mision paqësor dhe një qëndrim dy mujor në Indi.
• 1972 : Për Kosovën emërohet Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhenie më Jashtë.
• 1974 : Tito i jep Kosovës statutin e Krahinës Autonome.
• 1975 : Publikimi i veprës së tij « Lufta e ftohtë dhe detanti ».
• 1977 : Jep dorëheqje nga posti si Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhenie te jashtme të Kosovës.
• 1978 – 1979 : Specializon në Universitetin e Çikagos, Washington-it dhe Boston-it.
• 1979 – 1981 : Mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës.
• 1980 – 4 maj : Vdekja e Titos.
• 1981 – 11 mars : Demonstratat studentore në Universitetin e Prishtinës.
• 1981 – 19 nëntor : Mbron çështjen e studentëve në një mbledhje në Universitetin e Prishtinës.
• 1981 – 21 nëntor : Arrestohet nga policia.
• 1982 – 21 korrik : Dënohet me 9 vjet burg.
• 1983 – 5 prill : Edi shukriu i shkruan një letër gjykatës së Beogradit për ta zvogëluar dënimin e Ukshin Hotit. Dënimi do të zvogëlohet me 3 vjet e gjysëm.
• 1985 – pril : Dalja nga burgu.
• 1989 – maj : Milosheviçi zgjidhet kryetar i Serbisë dhe heq autonominë e Kosovës.
• 1989 – 9 nëntor : Rënia e murit të Berlinit.
• 1990 – 27 janar : Demonstrata që shkaktojnë vdekjen e 5 shqiptarëve në Brestovc (Rahovec).
• 1990 : Punon në Ljubljanë për revisten shqiptare dhe themelon gazetën « DeA ».
• 1991 : Antarësohet në LDK.
• 1990 – 2 korrik : Shpallja e pavarsisë së Kosovës.
• 1990 – 11 dhjetor : Fundi i regjimit komunist në Shqipëri.
• 1992 – janar : Organizon një homazh për 5 demostruesit e vrarë në Brestovc.
• 1992 : Rikthehet në Fakultetin e Filozofisë dhe largohet nga LDK.
• 1992 – 23 nëntor : Fjalim në Tetovë për përkrahjen e bashkimit kombëtarë.
• 1993 – mars dhe prill : Burgoset për organizimin e homazheve të një vjeti më parë
• 1993 – maj : Pasi ka vizituar grevistët, ai rrihet nga policia serbe.
• 1994 – 16 maj : Arrestohet ditën kur duheshte të marrë udhëheqësinë e partisë UNIKOMB.
• 1995 : Publikimi i veprës së tij të dytë « Filozofia politike e çështjes shqiptare ».
• 1998 – 28 shkurt : Fillimi i luftës në Kosovë.
• 1998 – 14 maj : Kërkesa e Parlamentit Evropian për të liruar Ukshin Hotin.
• 1998 – 13 tetor : Nominohet për çmimin Saharov.
• 1999 – 6 shkurt : Fillimi i konferencës së Rambujesë.
• 1999 – 1er mars : Kontrollimi i kushteve të burgosjes së Ukshin Hotit nga KNKK-ja.
• 1999 – 23 mars : Fillimi i bombardimeve të NATO-së.
• 1999 – 25 mars : Fshati i Krushës së Madhe bombardohet dhe sulmohet nga forcat serbe.
• 1999 – 16 maj : Dalja nga burgu i Dubravës dhe zhdukja.
• 1999 – 19 maj : Masakra e 173 të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës.
• 1999 – 10 qershor : Fundi i luftës në Kosovë.
• 2000 : Publikimi i veprës së tij të tretë « Bisedë permës hekurash ».
• 2001 : Konflikt i armatosur në maqedoni ndërmjet maqedonasve dhe shqipëtarëve.
• 2001 – gusht : Nënshkrimi i marrveshjes së ohrit në maqedoni, me të cilin merr fund konflikti i armatosur.
• 2008 – 17 shkurt : Pavarësia e Kosovës, nën mbikqyrjen e EULEX-it.
• 2013 – 17 qershor : Inaugurimi i shtëpisë-Muze « Ukshin Hoti » në Krushë të Madhe.
• 2014 – maj : Publikimi i veprës së tij të katërt : « Çështja Kombëtare Shqiptare, komponenti religjioz ».
Burimet
Librat :
• Ukshin HOTI, lufta e ftohtë dhe detanti, 1976, Qendra krahinore për arsimin marksist.
• Ukshin HOTI, Filozofia politike e çështjes shqiptare, 1995, ROZAFA.
• Ukshin HOTI & Ismaïl KADARÉ, Bisedë permës hekurash, 2000, ONUFRI.
• Ukshin HOTI, Çështja Kombëtare Shqiptare, komponenti religjioz, 2014, KREK.
• Le cas Ukshin Hoti ou la politique sous les verrous, 1996, Centre d’information de la République du Kosovo.
• Acte de défense de Ukshin Hoti, 1994, UNIKOMB.
• Jusuf BUXHOVI, Kosova, 2012, FAIK KONICA.
• Human Rights Watch, Under Orders, 2001 : http://www.hrw.org/sites/default/files/reports/Under_Orders_En_Combined.pdf
• Serge MÉTAIS, Histoire des Albanais, des Illyriens à l’indépendance du Kosovo, 2006, FAYARD
• Georges CASTELLAN, Histoire des Balkans – XIVème-XXème siècle, 1999. FAYARD.
• Melik ÖZDEN et Christophe GOLAY, Le droit des peuples à l’autodétermination et à la souverainet permanente sur leurs ressources naturelles sous l’angle des droits humains, 2010. Centre Europe – Tiers Monde (CETIM). http://www.cetim.ch/fr/documents/bro12-auto-A41-fr.pdf
• Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008.
Web faqe :
• https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=1606
• https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=1607
• https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=1608
• https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=1573
• http://www.forumishqiptar.com/threads/11452-Ukshin-Hoti-Filozofia-e-ceshtjes-shqiptare?highlight=Ukshin+Hoti
• http://www.radicalparty.org/fr/content/kosovoprix-sakharov-le-kosovar-ukshin-hoti-un-des-trois-candidats-selectionnes-aujourdhui-pa
• http://lpk-kosova.com/historiku.html
Biseda :
• Video regjistrim me Bislim Elshanin, prill 2014.
• Bisedë me Hydajet Hysenin, maj 2014.
• Video regjistrim dhe këmbimin të email-ave me Andin Hoti, qershor 2014.
• Video regjistrim me Afrim Hotin, qershor 2014.
• Këmbimin të email-ave me Erleta Hotin, qershor 2014.
• Telefonata me Arben Puton, tetor 2014.
• Telefonata me Bajram Hotin, nëntor 2014.
Dëshmi :
• Myrvete Kasumi (Motra).
• Fatime Hoti (Nëna).
• Bajrush Xhemaili (Mik burgu).
• Nait Hasani (Mik Burgu).
• Ismet Begolli (Mik Burgu).
• Stephen Larrabee (Shok).
– FUND –
______________
PJESA E PARË:
EDON DURAKU: UKSHIN HOTI – JETA DHE VEPRIMTARIA E TIJ (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4003
***
PJESA E DYTË
EDON DURAKU: UKSHIN HOTI – JETA DHE VEPRIMTARIA E TIJ (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4005
***
PJESA E TRETË:
EDON DURAKU: UKSHIN HOTI – JETA DHE VEPRIMTARIA E TIJ (3)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4009