EJUP AJDINI: NJË SATIRË QË BALLAFAQOHET ME KOHËN

 Tetovë, 4 mars 2017: Ekrem Ajruli është figurë e njohur krijuese, veçmas në fushën e poezisë satirike. Vazhdimisht është pritur mirë nga lexuesi në hapësirat shqiptare të Maqedonisë dhe më gjerë. Poezia satirike e këtij autori zë vend të rëndësishëm në kulturën e hapësirave tona letrare, përmes së cilës plotësohet zbrazëtira e krijimtarisë letrare e këtij zhanri. Me këtë i hapën rrugë të reja satirës në letërsinë tonë, edhe atë me një natyrë të hapur e të guximshme, duke e justifikuar me një humor sa të mençur dhe përqeshës, po aq edhe ironik. Ai din t’i ironizoj ata që thirren të mëdhenj, apo idhuj. Me delikatesë i zbulon anët e ulëta, të shëmtuara dhe ato qesharake. Për këtë mund ta kujtojmë poezinë Nostalgjia:
Thoshin zgjeboproletarët
Kemi një atdhe
Shtrihet nga Sibiri
Gjer poshtë në Egje.

Kjo poezi nuk ka asnjë maskomani dhe mu për këtë, në njëfarë forme, autori paguan njëfarë haraçi dekadë pas dekade. Këndi i tij krijues, përveçse është interesant, ai dallohet edhe për nga optimizmi dhe krenaria edhe pse ajo nuk aplikohet sa duhet.
Ekrem Ajruli deri më tani botoi këto përmbledhje me poezi satirike: “Marshi i demonëve” (1995), “Rroftë e qoftë Lolestani”(2004),“Kur qesh doktor Valuta” (2007). “Palopatriotët”(2012) dhe së fund mi, nga të gjitha këto botoi përzgjedhjen. “XX vite krijimtari letrare”.

Ekrem Ajruli është figurë e njohur krijuese.

Te të gjitha përmbledhjet poetike, në thelb e hasim theksin e fuqishëm satirik, ku, në të njëjtën kohë ato mbajnë me vete edhe dhembjen e tragjikes jetësore që e përcjellin botën e kohës sonë, veçmas atë shqiptare. Herë-herë kjo poezi lexuesit i sjell edhe gëzime, sepse kjo poezi e guximshme, jo vetëm satirizon të keqen, por edhe e harmonizon me një humor të lehtë të vërtetën. Ajo na bën ta ndjejmë thellësisht ate dhe të kultivojmë besimin për një të ardhme më të mirë, pasi bota nuk është bosh, ajo ka edhe poet që janë kujdestar dhe sulmojnë në vazhdimësi të keqen dhe të shëmtuarën në mesin tonë. Njëherit na bënë që të mësojmë nga gabimet dhe të këqijat që përvidhen në mesin e shoqërisë sonë.
Arti i këtij autori nuk është i zbrazur në asnjë moment, por gjithmonë është një terapi psikologjike për lexuesin, e cila gjithmonë ka një qëllim dhe një porosi të caktuar, siç duket qartë te poezia Atdhe:
atdhe i dashur
ç’të gjeti sot
shpirtin ty ta nxinë
emrin ta kanë ndot………..
pjellat e përdala
që i lakmohen lekut
të sulen pa mëshirë
për hesap të grekut.

Me energjinë e madhe për poezinë satirike, Ekrem Ajruli, sipas meje, dëshmohet veçmas me përmbledhjen “Palopatriotët”, me të cilën u kundërvihet fenomeneve të ashpra e të shëmtuara shoqërore dhe vetive të ulëta të individëve.
Këto poezi janë të hapura dhe pa e fshehur vetveten, pasi duken qartë gjurmët dhe mendimet që ka përçuar autori nëpër këto vargje. Rrallë ndodh që ndonjëra nga këto satira të jetë e pakripur, sepse gjithmonë sjell një gjellë të shijshme poetike. Vazhdimisht mëton që këtë lloj poezie ta ngrejë në shkallën e një humori satirik të moderuar. Ai shkruan pa ekuivokë, ashtu siç i vjen dhe si e ndjen në shpirt. Nuk matën shumë e shumë se ku prek dhe kënd e hidhëron.
Autori ka guximin që të prek edhe strukturat më të larta pushtetmbajtëse si p.sh. te poezia Amaneti, të cilën ia kushton figurës së ndritur Ymer Prizrenit, ku edhe thotë:
Hej Imer Prizreni
Në pyet për Pollogun
E kam lënë rrëmujë
Grinden bajraktarët
Për kolltuk të huaj
………………………………..
Grinden bajraktarët
Hekur brejnë me dhëmbë
Mbi amanet dëshmorësh
Shkelin me dy këmbë.

Në këtë drejtim nuk kursen as figurat politike evropiane. Me guxim i sulet Dik Martit, i cili me pa të drejt mundohet ta njollosi dinjitetin e shqiptarit, veçmas atë pjesë që është më e shenjta dhe më sublimja për botën shqiptare, Uçk-në:
Vallë kujt i duhen sot
Organet tuaja-organe barbarësh……
Bota mirë e njeh
Gjakun tuaj të prishur.

Përveç satirizues, herë-herë të bën të mendosh thellë për shumë probleme të shoqërisë sonë në tërësi. Kjo poezi satirike sjell edhe një jehonë të lehtë humori, e cila e bënë këtë poezi më relaksuese dhe më të pranueshme për lexuesin, ku humori edhe satira e ndihmojnë njëra tjetrën të sulmojnë të keqen dhe të ulëtën, si kategori e padëshiruar estetike në mesin e shoqërisë sonë. Prandaj, rreth pentagrameve të qeshjeve dhe humorit dëshmon edhe poezia “më”, ku ndër të tjera thuhet:

Pate thënë ta heq këtë ves
Ndaj duhanin nuk e dua
Por cigaren s’e shmang dot
Ngase digjet veç për mua.

Poezia e këtij autori nuk dallon dukshëm vetëm për nga forma dhe cilësia, por, ajo në veçanti dallohet pikërisht për nga motivet që trajtohen në te, pasi në këtë të fundit, autori shtyn edhe një cikël me motive të dashurisë, të cilat vijnë si krijime të papritura deri më tani. Edhe tek autori ndjehet një dilemë, por në fund të fundit ia arrin që t’i mund tabu-temat lokale për dashurinë dhe për këtë me vetëdije të plotë dëshmon te poezia “ç’t’u”:
ç’t’u
Bëj ndjenjave që nuk ndalen
As nuk ndrydhen
Si valë deti vijnë furishëm
Dhe në grykë të gjitha mblidhe
n.
Siç duket, poetit ia ka marrë mendjen një vetullhollë, vetull e cila lahet me djersën e poetit dhe pastaj thahet nga dielli në ballin e saj. Një motiv i tillë i jep mundësi autorit që edhe në këtë zhanër të krijoj vargje të realizuara bukur:
N’u bëfsha rreze dielli
Do të ulem përmbi vetull
Bulëz djerse të shndërrohem
N’ballin tënd për t’u tretur.

Satiriku dhe humoristi, tani dhe poet i dashuruar, arriti që në njëfarë mënyre t’i përsos në formë të ndjeshme krijimet e tij poetike. E kaliti me sukses këtë lloj poezie dhe me plot shprehje të pasura në mendime, me plot figura stilistike dhe mjaft aktuale për kohën dhe hapësirën kur jeton dhe vepron autori. Ndër të tjera, herë-herë haset ndonjë ngutje e ndonjë vargu, ku mund të kërkohet ndonjë gjetje më e përshtatshme, apo edhe ndonjë strofë që mund te ngrihet në nivel edhe më të lartë, duke ia rritur muzikalitetin, apo duke ia gdhendur vargun.
Marrë në tërësi, Poezia satirike e këtij poeti i plotëson shumë standarde bashkëkohore. E veçanta e kësaj lloj poezie është se, në kohën e realizmit socialist humori dhe satira ishin të papëlqyeshme si kategori estetike, kurse tani në kohën e demokracisë, kjo poezi vjen si nevojë dhe si plotësim i asaj zbrazëtire të gjatë kohore.
Në kuptimin më të thellë të kësaj poezie, figura stilistike e ironisë gjen hapësirë më të gjerë në krijimtarinë e tij, e cila është një tallje e hollë dhe me shije estetike midis fjalëve që kanë karakter shpotitës. Ai në vazhdimësi kacafytet me virtytet e ulëta të njerëzve, ku bëjnë pjesë: Demagogët, Kriminelët, hajdutët, pushtetarët, mizevirët, tradhtarët dhe snobët e ndryshëm, pra, me një fjalë, hordhitë e kohës sonë, që e kanë ngulfatur fatin e atdheut dhe të popullit, të cilin nuk e lënë të marre frymë dhe për këtë shkruan:
“Atdhe i dashur
ç’të gjeti sot
fytyrën ty ta nxirën
emrin ta kanë ndotur
ca turma hordhish
të sulen përmbi
të t’shndërrojnë në gërmadha
nga jugu në veri”
Duke vështruar aspektin e thellësisë analitike të këtyre vargjeve, shkrimtari dhe studiuesi Fatmir Terziu, te revista “ Fjala e Lirë”, ku analizon poezinë satirike të Ekremit dhe thotë: “Ironia, kjo figurë e afërt me metonimitë e shumta që përdor poeti në vëllimin e tij poetik, na jep një mundësi të lehtë për të kuptuar fjalën si e kundërta e kuptimit të saj të parë… Të gjitha këto vargje ironike të pushtuara nga sarkazma kanë në detaje anën e kundërt të kuptimit”
Për në fund, ka arsye të plotë që të lexohet poezia e Ajrulit, pasi kjo satirë shpreh lidhjen kulturore midis njerëzve e që realizohet përmes formave më të përkryera të komunikimit letrar me shumë ndjesi estetike dhe me një diskurs të ndjeshëm plot art kulturor që vihet në shërbim të identitetit të njeriut. Poetit, apo thënë ndryshe, mikut tim, Ekrem Ajrulit, i dëshirojmë jetë të gjatë, shëndet dhe suksese në vepra të reja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura