Pashtriku.org, 06. 02. 2014 – H Y R J E – Si shqiptare përjetoj dhembje të madhe kur kujtoj që atdheu im, Kosova, u nda nga Shqipëria. Sidoqoftë, shqiptarët kurrë nuk do ta duronin zgjedhën Serbe. Kështu shprehej, në një harmoni të gjerë mbarëkombëtare zemra e Isa Boletinit, si një frymëmarje e dhimbëshme homerike dalë nga gjakosja e tokave shqiptare, copëtuar për oreksin e pangopur sllav. Zhvillimet njerëzore natyrshëm kalojnë nëpër faza të cilat bartin me vete interesa të caktuara, parime brënda strategjish e taktikash që e përcaktojnë më gjerë botën e që nuk varen thjeshtë nga viktima. Idenditeti dhe shqetësimi shqiptar edhe përkundër politikës së shteteve përkatëse ka zgjuar shumë studiues të huaj të hulumtojnë gjenezën dhe historinë e lavdishme shqiptare, prejardhja ilire e të cilëve tanimë nuk është e kontestuar.
Periudha e pas Luftës së Parë Botërore njohu një fuqi të re, ate amerikane, e cila solli një vizion të ri për të drejtën e popujve, në tërësi kundër vizioneve dhe interesave tradicionale të fuqive europiane. Kjo ngjalli shpresat e shqiptarëve për një zgjidhje të drejtë të çështjes së tyre. Por lufta e shqiptarëve për liri do të jetë e gjatë e me mundime Sizifi e sakrifica Prometeu deri në ditët tona.
Unë do të doja që në mënyrë kronologjike të paraqes sado shkurt qëndresën shqiptare kundrejt pushtuesve sllavë. Për të patur një shpjegim sa më të qartësuar, do të bëj një ndarje në tre kapituj dhe shkrimin do ta përqëndroja rreth tezës se në shkallëzimin historik të saj:
– A ishte Rambuje fitore për Kosovën!?
– Në kapitullin e parë, kryesisht do të përdor metodën empirike dhe analitike; do të them fjalën time për copëtimin e tokave shqiptare në Shën Stefan më 1878 nga dhe do të pasojnë luftërat e shqiptarëve për bashkimin e tyre. Shqipëria u shpall shtet më 1912 por mëse gjysma e saj mbeti jashtë kufijve etnik. Nga këtu u rindez me fuqi të re idenditeti kombëtar edhe aspirata e popullit shqiptar për bashkim. Lindin pyetjet: si i trajtuan serbët shqiptarët gjatë pushtimit mizor? Po Mbretëria e S.K.S. a e ndryshoi politikën ndaj shqiptarëve? Çfarë solli LNÇ për shqiptarët në ish’Jugosllavi dhe si do të trajtohen në Federatë? Çfarë fituan shqiptarët e Kosovës më 1974, dhe çfarë humbën me ardhjen e S. Millosheviqit në pushtet? Janë pyetje që do mundohem t’u përgjigjem me zërin tim në këtë kapitull. Do të shpjegoj gjithashtu për Lëvizjen Pacifiste si dhe organizimin e formacioneve të para të armatosura të UÇK-së.
– Në kapitullin e dytë, do të përdor tri metoda: empirike, sintetike dhe analitike. Kjo për faktin e saktësimit të hipotezës së parashtruar. Këtu do të shpjegoj periudhën e luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Si erdhi deri tek sensibilizimi i opinionit botëror për çështjen e Kosovës? Kush ishte Institucioni nga do të fillonte realizimi i ëndrrës së shqiptarëve? Si erdhi deri tek organizimi i Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje? Në mënyrë më të detajuar, dhe nga të dhënat e autorëve të cilët ishin pjesëmarrës në konferencë, do të shpjegoj negociatat e delegacionit shqiptar, rreth Marrëveshjes kalimtare për Kosovën. Në këtë kapitull do të shpjegoj gjithashtu edhe rolin e personaliteteve kombëtare e ndërkombëtare në konferencë, duke veçuar këtu Sekretaren e Shtetit të SHBA-ve znj. Medeline Ollbrajt, etj.
– Në kapitullin e tretë, do të përdor metodën empirike dhe analitike, ku do të shpjegoj kthimin e delegacionit shqiptar në Kosovë, për të marrë miratimin e popullit të Kosovës në mënyrë që marrëveshja të zyrtarizohej. Këtu do të shpjegojë edhe reagimet serbe pas nënshkrimit të marrëveshjes në Paris, si dhe reagime të tjera. Do të shpjegoj gjithashtu se si erdhi deri tek fillimi i operacionit luftarak mbi forcat serbe në Kosovë dhe ish-Jugosllavi dhe kapitullimin e Serbise. Për këto kam përdorur fakte nga burime të ndryshme, kyesisht nga literaturë shqiptare. Informacionin rreth çështjeve të caktuara e kam plotësuar me të dhëna nga mediet e formateve të ndryshme, si dhe intervistave personale që kam patur me personalitete të shquara të Republikës së Kosovës e pjesëmarrës në Rambuje. Kurse thënia se “Shqiptarët dinë t’i fitojnë luftërat por humbin në paqe” ka qenë i gjithë frymëzimi im për zgjedhjen e kësaj teme.
(…)
LEXONI TË PLOTË KËTË PUNIM DIPLOME TË ELIFE LUZHËS:
FITORJA E KOSOVËS NË RAMBUJE (PUNIM DIPLOME)
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/elife-luzha-rambuje.pdf