ELIFE LUZHA: PIKPAMJET E FILOZOFËVE RRETH LIGJIT SI THEMEL I ORGANIZIMIT SHOQËROR (II)

Thelbi i një demokracie është lejimi i lloj – lloj kënaqësie individuale, thoshte Platoni. Duke qenë tejet shpërfillëse për origjinën e njeriut, demokracia do të ngrejë në postet publike gjithkënd që di të shpallë veten si miku i popullit. Është tipar i demokracisë që t’i hutojë të rinjtë me terma lavdërues dhe përkufizime të pasakta: anarkia quhet liri, shpërdorimi quhet madhështi, paturpësia quhet gjallëri, salltanetet quhen nevojë (McDonald,2006;53).
PËRPJEKJA E FILOZOFËVE PËR T’I JETËSUAR LIGJET
Njerëzit nuk duan që në këtë botë të jenë të vetëm. Kështu që për çdo njeri dhe për çdo grup ka një rrugëzgjidhje të vetme, për të jetuar jo si vetmitar por anëtarë të një bashkësie. Bashkësia më e rëndësishme është ajo për të cilën ne do të jepnim edhe jetën. Në kohërat e ndryshme ky subjekt ka qenë një familje, një klan, një fis, një bandë, një klasë, një sekt, një qytet, një shtet ose një komb. (McDonald, 2006: 112). Të gjitha këto subjekte u ndërtuan në kohë të caktuara me rregulla e ligje të caktuara. Një zhvillim të veçantë njohën qytetet-shtete greke, të cilat në një masë njohën qeverisjen e demokracisë së drejtpërdrejtë (Në gjuhën e sotme demokraci e drejtpërdrejtë do t’i thoshim referendumit). Kalimin nga aristokracia në demokraci Athina e përjetoi nën sundimin e Perikleut, që siç thamë e kishte angazhuar Protagorën që të krijonte ligje. Thuhet se e drejta është pasoja e ligjit. Nga këtu rrjedh përkufizimi i ligjit si mendje hyjnore. Ligji është një fjali, një ligjërim, thënë nga i “urti”, filozofi apo gojëtari (Mere,2007:30). Si Protagora, por edhe sofistët tjerë pohonin ekzistencën e një të drejte natyrore para epokës së shkrimit. Kjo e drejtë natyrore përbëhej nga disa rregulla fikse, të emërtuara si ligje natyrore.
Antifoni, sofist bashkëkohës i Sokratit bëri dallimin midis ligjit me ujdi (marrëveshje) dhe ligjit natyror. Ligji dhe natyra janë dy norma dhe dy sisteme të kundërta, shprehej ai. Sipas tij ligji me ujdi nuk mund të krijojë një rend politik të drejtë. Fakti se drejtësia nuk garantohet nga ligji me ujdi, pasi ujditë janë të brishta dhe të pasigurta, megjithatë nuk do të thotë se nuk do të ketë një drejtësi të mundshme brenda shtetit. Por, është e pamundur të vendoset harmonia brenda shtetit, pa përdorur natyrën si normë. Sipas tij jeta është e barabartë, jo sipas ligjit por sipas natyrës. Urdhrat e ligjit të ujdisë, sipas Antifonit janë të tepërta, përderisa ato të natyrës janë të domosdoshme. Ai shkoi aq larg sa që guxoi të barazonte grekët me barbarët, sepse të barabartë janë nga vetë natyra, shprehej ai (Mere,2007:16). (Lexoni: Antiphon The Sophist)
Sofistët në një mënyrë apo tjetër u munduan t’i jetësojnë ligjet brenda shtetit (Mere, 2007:17). Ndëshkimi i drejtë është në të mirë si të individit që ndëshkohet, po ashtu edhe të grupit që ka dhënë ndëshkimin, thoshte Sokrati sofist (McDonald, 2006: 28). Që një ligjvënës të jetë i dobishëm, duhet të ketë virtytin më të lartë si pikësynim. Ai duhet të synojë gjithmonë një shtet me njerëz të lirë e të zgjuar dhe me harmoni të brendshme. Duke e renditur në rend të parë për nga rëndësia zgjedhjen e udhëheqësve shtetërorë.”Është e rëndësishme që shteti të organizohet në atë mënyrë që marrëzia e një personi të mos shkaktojë rrënimin e shtetit” thotë Sokrati i madh (Midgaard, 2007: 32). Sokrati ishte qortues i rreptë i sofistëve edhe pse edhe vetë ishte sofist. Ai besonte në arritjen e së vërtetës, që ishte plotësisht i kundërt me Gorgiasin. Ishte një gjeni i cili përveç një arsyetimi të jashtëzakonshëm dhe rigoroz, zotëronte edhe një ngrohtësi personale dhe një ndjenjë humori. Ai kishte koncept të qartë për njeriun. Sado që kulturat ndryshojnë, ashtu edhe ligjet dhe moralet, ideja e ligjit, drejtësia dhe mirësia mund të përcaktohet po aq me rigorozitet sa edhe ideja e njeriut, thoshte Sokrati. Vetëm atëherë kur secili ka dhe bën atë që i takon, atëherë kemi drejtësi (Midgaard, 2007:22). Janë katër virtyte të njeriut si: dituria, guximi, vetëpërmbajtja dhe drejtësia që i bëjnë të përkryer si njerëzit ashtu edhe shtetin, shton më tej Sokrati (Midgaard, 2007: 26).
Për shkak të varfërisë së tij ai nuk mundi të ndjekë vetëm se një “kurs të shkurtër” mësimi nga sofistët, për çka Platoni më vonë pikërisht për shkak të marrjes së parave për mësim nga ana e sofistëve do t’i quajë “Shitës të mallrave shpirtërore” (Samuel Enoch Stumpf: 30). Sokrati në fund do të bie viktimë e indinjatës popullore, dhe u dënua pikërisht si sofist. Miqtë e tij deri në fund u përpoqën të bëjnë të mundur ikjen e tij, por Sokrati nuk pranoi. Ai ishte i bindur se po të ikte duhej të injoronte, dhe me anën e kësaj të dëmtonte Athinën dhe procedurën e saj të ligjeve. Ligjet nuk janë përgjegjës për gjyqin dhe dënimin tim, por akuzuesit. Me këtë ai konfirmoi respektin e tij hyjnor për ligjet e atdheut, duke zbatuar edhe dënimin e gjyqit (Smuel Enoch Stumpf:43). Si të thuash Sokrati ishte një njeri havale që mund të ndalte në rrugë cilindo që ecte me kapadaillëk, duke i bërë pyetje tinëzare të cilave ai nuk dinte t’u përgjigjej. Këtë gjë e bënte sidomos me njerëzit e mëdhenj të kohës së tij. Me admiralë dhe strategë, për të ditur ç’ishte guximi; e bëri me gjykatësit, për të ditur ç’ishte drejtësia; së fundi e bëri edhe me profetët dhe falltarët, për t’u treguar atyre se ata nuk dinin fare për çështjet priftërore dhe fetare. Sokrati pati shumë imitues, por të gjithë këta rivalë u shuan para Platonit, mendimet e të cilit tërësisht mbështeteshin në argumentet e sofistëve (Gadamer, 2008: 49).
Platoni ishte nxënësi i Sokratit dhe u lind pothuaj në të njëjtën kohë kur vdiq Perikliu (McDonald, 2006:19). Edhe pse filozofia e Platonit është shumë më e gjerë se problemet politike, ai gjithë jetën e tij është marrë me problemin themelor të funksionimit të shtetit (Midgard, 2007:19). Shteti është njeri në përmasa të mëdha, thoshte Platoni. Origjina e shtetit është një reflektim i nevojave ekonomike të njeriut. E nevojat e njeriut nuk janë të kufizuara me kërkesat e tija fizike, sepse qëllimi i tij nuk është thjeshtë një mbijetesë, por një jetë më e lartë se ajo e një kafshe. Një shtet fillon të ekzistojë, sepse asnjë individ nuk është i vetëmjaftueshëm” Ai nxjerr konkluzionin se si në rastin e një anije ku autoriteti i një timonieri bazohet në njohurinë e tij për lundrim, ashtu edhe anija Shtet duhet të udhëhiqet nga një që ka njohuri të përshtatshme (Samuel Enoch Stumpf:46). Çrregullimi i shtetit shkaktohet nga disa rrethana që sjellin çrregullim te individi. Si tek individi edhe te shteti energjitë e pakontrolluara të dëshirave dhe veprimeve shpirtërore çojnë në anarki të brendshme (Samuel Enoch Strumpf:70). Drejtësia në shtet është pikërisht si drejtësia tek individi. Ajo është produkt i qëndrimit të çdo njeriu në vendin e tij, dhe bërjes së detyrës që i takon (Po aty).
Sipas tij, Shteti duhet të jetë i përbërë nga filozofët, që duhet të jenë më të zgjedhurit dhe më të merituarit, dhe që do të duhej të kujdeseshin për ligjet. Si problem bazë të teorisë së shtetit ai shtroi pyetjen se:“Kush duhet të sundojë” duke dhënë edhe përgjigjen e vetme të arsyeshme: Jo të paditurit, por të diturit e të mençurit; jo turma, por ata pak më të mirët (Popper, 2009:43). E të zgjedhurit më të mirë, nuk duhet të kenë interesa të tjera, përveçse ato të shtetit. Duke e krahasuar ligjin me recetën e doktorit, Platoni thotë se: ajo mund të ndryshohet ose rregullohet nga doktori sa here që gjendja e pacientit ndryshon (McDonald, 2006:59). Kurse Sokrati thoshte se ligjdhënësi duhet ta bëjë gjithë shtetin të lumtur (Aristoteli, 2003:46). Në veprën e tij “Shteti” Platoni paraqet mendimet e Sokratit, për nevojat e domosdoshme të cilave nuk mund t’ju shmanget shteti. Një shtet për të mbijetuar thotë ai duhet të ketë luftëtar të mirë, ose “roja”. Ata duhet të jenë të guximshëm dhe të vullnetshëm, si dhe me natyrë agresive. Mirëpo agresiviteti dhe egërsia ndaj armikut të jashtëm duhet të shndërrohen në butësi dhe përzemërsi për bashkëqytetarët, për ndryshe nuk mund të sigurohet harmonia e brendshme (Midgaard, 2007: 21). ( Lexoni: Platon – Der Staat)
Në librin “Republika” nëpërmjet monologut të një ”Athinasi të panjohur” e që duhet të jetë vetë ai, thotë se: shteti që miraton ligjet për këtë apo atë klasë, e jo për të mirën e përgjithshme në vend, ato nuk janë shtete politike por parti! Në atë shtet ku ligji nëpërkëmbet dhe nuk ka autoritet, ai ngarend drejtë shkatërrimit (McDonalld,2006:63). (Lexoni: Platon – Republika)
Gjithsesi Platoni e ngre në qiell madhështinë e ligjit, duke e lidhur atë me respektin që e meritojnë prindërit (McDonalld, 2006:64). Ai gjithashtu kritikoi sistemet e ndryshme shoqërore, duke vlerësuar negativisht edhe demokracinë antike. Duke qenë prezent në gjyqin që iu bë mësuesit të tij, Sokratit dhe duke parë paaftësinë e kësaj demokracie, për të nxjerr udhëheqës të mëdhenj, si dhe mënyrën se si ajo trajtoi një nga qytetarët e saj më të mëdhenj, si Sokratin, ai kishte filluar të nxirrte përfundime negative për Demokracinë. (Samuel Enoch Stumpf:46). Me ekzekutimin e Sokratit, Platoni ishte deziluzionuar thellësisht që çoi deri te largimi i tij nga jeta politike.
Parimi themelor i demokracisë, thoshte Platoni, është e drejta e barabartë, dhe marrja pjesë e të gjithëve në zgjidhjen e problemeve shtetërore. Por ky rregullim bëhet i keq sepse populli nuk është mjaft i arsimuar për t’i zgjedhur ata që me urtësi do ta udhëheqin shtetin. Andaj dhe një demokraci e tillë shpesh kalon në tirani (www.syri3.com). Pikërisht kjo na jep arsye të mbështetemi në një formë qeverisjeje që jo vetëm duhet të drejtojë sipas ligjeve, por edhe duhet qeverisur brenda kuadrit ligjor (Midgaard, 2007:31). Duke shprehur indinjatë për demokracinë në rënie të Athinës, Platoni thotë se: asnjë nuk shqetësohet se çfarë ka bërë më parë një njeri që i futet politikës. “Ata e mbulojnë me nder e lavdi, vetëm sepse ai thotë se e do popullin” e në një shtet të tillë tirania rri në përgjim. (Midgaard, 2007:28).
Thelbi i një demokracie është lejimi i lloj – lloj kënaqësie individuale, thoshte Platoni. Duke qenë tejet shpërfillëse për origjinën e njeriut, demokracia do të ngrejë në postet publike gjithkënd që di të shpallë veten si miku i popullit. Është tipar i demokracisë që t’i hutojë të rinjtë me terma lavdërues dhe përkufizime të pasakta: anarkia quhet liri, shpërdorimi quhet madhështi, paturpësia quhet gjallëri, salltanetet quhen nevojë (McDonald,2006;53). Thirrjen demokratike për liri e bën më të lehtë që udhëheqësit pa parime të gjejnë rrugën për në majë. Por kur virusi i lirisë përhapet gjerësisht, kur edhe fëmijët edhe qenët bëhen anarkist, fillon reaksion i dhunshëm. Njerëzit i drejtohen pushtetarit që u premton atyre se do t’i çlirojë nga kjo barrë. Despoti merr përsipër, ndëshkon, mundon, shpik koka turku dhe është i pamëshirshëm me kritikët (McDonald, 2006.54).
LIGJI ËSHTË FIJA E ARTË QË E LIDH SHOQËRINË (Aristoteli)
Bashkësia shoqërore krijon familjen dhe shtetin. Kurse shteti sipas natyrës së vet është mbi familjen dhe mbi secilin veç e veç, sepse tërësia është medoemos më e rëndësishme se pjesët, thotë Aristoteli në veprën e tij “Politika” (Aristoteli, 1978:8). E mira të cilën e synon shteti është drejtësia, dhe kjo është dobi e përgjithshme (Aristoteli, 1978: 102). Dhe ajo që e bën shtetin të mirë nuk është rasti por, dituria dhe vendimi i lirë (Aristoteli, 1978, 265). Rendi është ligj. Prandaj më mirë është të sundojë ligji se sa dikush ndërmjet qytetarëve. Të kërkosh që të sundoj ligji do të thotë të kërkosh që të sundoj Perëndia dhe Ligjet.. Kurse të kërkosh të sundojë njeriu do të thotë t’i lejosh edhe kafshës të sundojë (Aristoteli, 1978:118).

Aristoteli

__________________

Është e pamundur që shtetin, i cili nuk është i rregulluar mirë ta udhëheqin njerëzit më të mirë (Aristoteli, 1978:141). Stabil është vetëm ai rregullim shtetëror në të cilin barazia sigurohet sipas vlerës personale dhe ku çdo kush posedon atë që i takon (Aristoteli, 1978:186). Një shtet i rregulluar mirë duhet të kujdeset që kurrë të mos veprohet kundër ligjit, na mëson Aristoteli i madh, duke tërhequr vërejtjen se është detyra e burrave të shtetit se jo e cilitdo qytetar ta njohë të keqen që i kanoset shtetit që në fillimin e saj (Aristoteli, 1978: 190). Ai më se njëzet vjet kishte qëndruar në Akademinë e Platonit. Ishte i njohur si tutor apo ndikues i fuqishëm i Aleksandrit të Madh, pushtues ky më i njohur i të gjitha kohërave (McDonald, 2006.76). Duke qëndruar pranë Aleksandrit, Aristoteli pati rastin të udhëtojë qytet më qytet ku i sistemoi dhe krahasoi 168 kushtetuta. Ishte i pari që përdori metodën krahasuese të analizës, dhe erdhi në konkluzion se shtetet ngriheshin dhe shembeshin më së shumti për shkak të faktorit të brendshëm, konkluzion ky që shkakton debate edhe në ditët e sotme (Mings, 2008: 23).
Njeriu që nuk mund të jetojë në bashkësi ose të cilit nuk i nevojitet asgjë, sepse është i mjaftueshëm për vete, thotë Aristoteli, nuk është pjesë e shtetit, por është ose bishë ose Perëndi (Aristoteli, 1978: 9). Kurse shteti do të bëhet shtet vetëm atëherë kur masa e bashkuar do të jetë në gjendje të plotësoj të gjitha nevojat e saj (Aristoteli, 2003:36). Është qëllimi i natyrës që njeriu të jetojë në një polis (shtet). Vetëm njeriut i është dhënë gjuha dhe vetëm ai ka një perceptim të së mirës dhe të së ligës, të së drejtës dhe të së padrejtës. Vetëm ai ndërton shtet me qëllim racional. Kështu, njeriu kur përsoset është më i miri ndër kafshët. Por nëse ai veçohet nga ligji dhe drejtësia, atëherë ai është më i keqi ndër to. (McDonald, 2006: 100). Ligji shtetëror i shkruar, thotë ai, është një zgjatim i së drejtës natyrore, të cilit duhet bindur. Duhet të ketë fuqi detyruese “Ne nuk bëhemi të mirë apo të këqij prej natyre” thotë Aristoteli. Pa ligjin ne nuk mund të bëhemi të mirë.
A duhet ligjvënësi ta drejtojë legjislacionin në të mirë të shumicës?
Aristoteli thotë se ligjvënësi nuk duhet të orvatet që të kënaq qoftë disa njerëz të mirë, qoftë shumicën jo aq të mirë, por të bëjë atë që është në të mirë të tërë polisit (shtetit) “dhe të mirës së përbashkët të qytetarëve të tij” (Mcdonald, 2006:117). Ligji duhet të sheshoj kontradiktat që përçajnë qytetarët, dhe duhet të përmirësoj jetën në shtet. Asnjë njeri apo grup nuk duhet të jetë sovran. Vetëm ligjet duhet të jenë të këtilla (McDonald, 2006:116). Ai gjithashtu e ndante të drejtën nga morali, një mendim ndryshe nga Platoni i cili e moralizonte jetën politike (Mere, 2007:30). E Vetmja e drejtë është ajo që rregullohet me ligj i cili vendos raportin e drejtë midis detyrimeve dhe ndalimeve. Shteti nuk mund të drejtohet mire nëse nuk ka njerëz të cilët kujdesen për rregullin, e në shtetet e vogla, nevojitet një numër më i vogël i organeve të pushtetit dhe rendit (Aristoteli,2003:231). Aristoteli thoshte gjithashtu se ligjet duhet nxjerrë sipas rregullimit shtetëror, e jo rregullimi shtetëror të drejtohet sipas ligjeve. Për rregullimet shtetërore Aristoteli thoshte se: “Karakteristika e përbashkët e demokracisë dhe e tiranisë është lufta kundër njerëzve të shquar të cilët i zhdukë në mënyrë sekrete dhe publike dhe i persekuton si kundërshtar dhe pengesë për pushtetin e vet. (Aristoteli, 2003. 198).
LIGJI ËSHTË GRAMATIKA E QEVEISJES SË BOTËS
Nuk mund të flitet për drejtësi nëse mungon natyra zbatuese e drejtësisë, thoshte Markus Tullius Cicero (Mere, 2007:30). Ligji i vërtetë është arsyetim i drejtë vetëm atëherë kur është në pajtim me natyrën. Të gjitha ligjet e shkruara që thyejnë ligjin e natyrës duhet vulosur si të padrejta (Midgaard, 2007: 59). Një ligj i shkruar, nuk mund të quhet ligj, në qoftë se përmbajtja e tij nuk përputhet me porositë e arsyeshme mbi të mirën dhe të keqen. (Midgaard, 2007: 59). Kur aftësia për arsyetim “është ngulur dhe zhvilluar plotësisht te një njeri, aty është ligji”. Ligji i natyrës është “mendimi i arsyeshëm i njerëzve”. Atë e gjen thjesht në mendimet e një njeriu racional. “Ligji më i lartë (themelor) ka ekzistuar në të gjitha kohët dhe u krijua para ndonjë ligji të shkruar, dhe mbi të gjitha para se të krijohej shteti” thotë Cicëro (Midgaard, 2007:58). Bindja ndaj ligjit, mbajtja e fjalës së dhënë respektimi i marrëveshjeve, janë detyra morale. Kurse ligji është vetë urdhri. Andaj dhe Ciceroni shtron pyetjen, duke dhënë edhe përgjigjen se: ç’na qenka pra ligji? ”Ligji është gramatika e qeverisjes së botës, tërësia e rregullave që këshillojnë dhe ndalojnë.”
Qëllimi i ligjit është që “t’i sigurojë shtetasit, integritetin e shtetit dhe ta bëjë jetën e shtetasve të lumtur dhe paqësore” thoshte Cicëro. (Midgaard,2007:59). Ai kërkonte zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes procesit ligjor në një periudhë të pazakontë trazirash politike, kur stabiliteti i Republikës Romake ishte në rënie (McDonalld, 2006:159) Cicëro shpjegonte se mungesa e karakterit njerëzor e veçanërisht shthurja e njerëzve të mëdhenj ka ndikuar në çuarjen e Romës drejtë tiranisë. (Midgaard, 2007:57). Në periudhën e Mesjetës teologë e filozofë të njohur, në një mënyrë apo tjetër i bashkuan këto dy disiplina, duke arritur edhe kulmin më të lartë të mendimit filozofik në këtë kohë. Një ndër ta është edhe Shën Augustini i cili na dha mendimin gjenial për gjithë pushtetmbajtësit duke thënë se: “Pa drejtësi, ushtrimi i pushtetit politik s’është tjetër veçse kusari”. Ligji natyror thotë ai është kapje nga intelekti njerëzor i parimeve të përjetshme. E kur shteti bënë ligj, ligjet e tilla duhet të jenë në përputhje me ligjin natyror, përndryshe nuk do të kishin karakterin e ligjeve dhe as nuk do të kishim një shtet. “Ashtu si një bashkësi, që është një shtresë njerëzish, dhe se nuk ka njerëz që nuk janë të bashkuar në një ligj të pranuar, po kështu nuk ka as ligj që të mos jetë i bazuar te drejtësia: prandaj, atje ku nuk ka drejtësi, nuk ka bashkësi”. Nuk mund të ketë drejtësi kolektive pa drejtësi individuale. Sepse, në qoftë se kjo drejtësi nuk gjendet tek asnjë njeri, ajo nuk mund të gjendet as edhe në një bashkësi njerëzish (Samuel Senoch Stumpf:144).

Markus T.Cicero

____________

Nga ana tjetër, Thomas Akuini italian i kohës së Mesjetës i njohur si teolog, të gjitha veprat e tija i realizoi duke u mbështetur te veprat e Aristotelit. Ai bashkoi në një sintezë pikëpamjet e filozofisë klasike dhe teologjisë (Samuel Enoch Stumpf. 168). Këto dy disiplina luajnë rolin plotësues gjatë kërkimit të së vërtetës nga ana e njeriut, thoshte ai. Ligjet njerëzore janë formuar për të drejtuar sjelljen e komunitetit, në mënyrë që të sigurohet një shoqëri e rregullt. Ligji në radhë të parë drejtohet nga “arsyeja hyjnore”. I takon arsyes që të drejtojë gjithë aktivitetin njerëzor. Ligjet humane duhet të përshtaten me Ligjin e Natyrës, shprehej Akuin. (A.Mingst, 2008:25). Pra parimet e përgjithshme të ligjit natyror krijojnë ligjet njerëzore. Ajo që është e re rreth ligjit njerëzor, është se ligji është ligj vetëm sepse ai dekretohet nga sovrani. Kurse, “çdo ligj njerëzor ka aq drejtësi nga ligji natyror sa ai rrjedh prej ligjit natyror”. Në qoftë se në ndonjë pikë, shmanget nga ligji natyror, ai nuk është më ligj, por një shtrembërim i ligjit. Disa ligje janë të padrejta, sepse janë në kundërshtim me të mirën hyjnore. Këto janë ligjet e tiranëve (Samuel Enoch Stumpf:184). Zbatimi i vullnetshëm i ligjit nga princi lejon që ai të jetojë (Mere, 2007:51).

Thomas Akuini

_____________________

Shteti thotë Akuini është një institucion natyror. Ai ka vazhduar teorinë e Aristotelit nga e cila ai ka marr frazën se “njeriu për nga natyra është kafshë shoqërore” (www.njefjale.com). Bashkësia njerëzore të qeveriset nga një njeri i vetëm, thoshte ai (ky mendim na kujton preferencat e sotme globale për qeverisjen botërore). Ligji është parim i jetës politike, që udhëheq themelimin e tërësisë shoqërore. Kurse “Pushteti për të bërë ligje i takon bashkësisë së qytetarëve ose shumicës. Njerëzit janë të vetmit krijesa të Zotit që mund të veprojnë mbi të mirën dhe të keqen. Ligji për njerëzit është caktuar nga Zoti në përputhje me kushtet dhe prirjet e tyre (Midgaard, 2007: 61). Por rënia në mëkat është pika vendimtare e kthesës në historinë e njerëzimit. Është fundi i një kohe kur njerëzit jetonin plotësisht sipas arsyes “Kur njerëzit i kthyen shpinën Zotit u futën nën ndikimin e dëshirave shqisore. E njëjta gjë ndodh me secilin nga ne, sa më shumë që i kthejmë shpinën arsyes” thotë Tomas Akuin (Midgaard, 2007: 61).
NUK MUND TË KETË LIGJE TË DREJTA ATY KU NUK KA NJË USHTRI TË MIRË. (Machiavelli)
Machiavelli e modernizoi politikën me të rejat që solli, duke e zhvendosur mendimin politik drejtë një teorie jo fetare shtetërore. (Samuel Enoch Stumpf: 200). Machiavelli i pari hartoi teorinë e racionalizimit praktik, duke e shpërfillur mendimin mesjetar. Ai nuk i njohu ligjet e larta, siç ishin ato që kishte zbërthyer Akuini, por futi laiken në politikë, duke e transmetuar te të tjerët me një të folur të përditshme, duke e thjeshtësuar kështu politikën dhe duke e bërë mjaft të parashikueshme (Samuel Enoch stumpf:206). Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike duhet të ketë vetëm një qëllim thotë Machiavelli: Ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë! (Jacoby, 2006:103). Në veprën e tij “Princi” që u bë proverb për dinakërinë, mashtrimin dhe pabesinë në politikë ai shkruan: “ajo që e motivon veprimin e princit themelues është të japë ligje shumicës dhe pikërisht, nga dhënia e ligjeve pra nga ngritja e shtetit, gjykohen veprat e Princit. Për çdo shtet tjetër, të ri apo të përzier, baza kryesore janë ligjet e mira dhe armët e mira. Por nuk mund të ketë ligje të mira atje ku nuk ka armë të mira, dhe ndryshe, “ka ligje të mira atje ku ka armë të mira’’(Guchet, 2001: 20).

V.Machiavelli
____________________

Kalimi nga një rend i vjetër në rendin e ri, është sfidë për sundimtarët thotë Machiavelli. Ata ndeshen më vështirësi të mëdha, pasi që të themelosh një rend të ri do të thotë të zëvendësosh disa ligje dhe zakone ekzistuese, me ligje dhe zakone të reja. E është në natyrën e njerëzimit që vështirë pranon ligjet e reja. Ai që fut ligjet e reja bënë armiq të gjithë ata që përfitojnë nga rendi i vjetër, duke fituar disa përkrahës të plogët të cilët do të përfitojnë nga rendi i ri (Mere, 2007:67). Ligjet sipas Machiavellit kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e kraterit njerëzor dhe kjo na bën të pyetemi se sa e madhe është rëndësia e tyre (Midgaard, 2007: 75). Veti e njeriut është që të luftojë me ligje, me rregulla, me ndershmëri dhe besnikëri. Veti e kafshës është që të luftojë me forcë dhe me dinakëri. Mënyra e kulluar njerëzore nuk mjafton dhe shpesh njeriu detyrohet të përdorë mënyrën e kafshës. Princi i përkryer duhet t’i zotërojë të dy këto natyra, natyrën e njeriut dhe natyrën e kafshës (Guchet, 2001:32).
Machiavelli me mendimet e tija novatore mësonte drejtuesit politikë që të mos silleshin sipas etikës së krishterë, e cila do të sillte shkatërrimin e tyre. Ky mendim vinte nga fakti se etika e krishterë njeriun e shikonte si “qenie të dobët, e cila mund të bëhej lehtësisht pre e njeriut të lig”. Që njerëzit janë të këqij, ishte një fakt më se i qartë për Machiavellin. (Samuel Enoch Stumpf: 205). Për këtë ai i nxiste sunduesit që të zhvillonin artin e mashtrimit, sepse ishte i bindur se vetëm individët mendjehollë dhe dinakë mund të mbijetonin në artin e rrezikshëm të qeverisjes. Të mendosh për sjelljet politike sipas rregullave morale, do të thotë të zbulosh veten përpara gjithë rreziqeve. Për këtë arsye në vend të kërkesës për moral, ai futi indiferencën. “Njerëzit janë mosmirënjohës, të paqëndrueshëm, fals, frikacakë, të pangopur dhe për aq kohë sa ju jeni i famshëm, ata janë plotësisht me ju… por kur sundimtari ka vërtetë nevojë për ndihmë, ata t’i kthejnë krahët” (www.njefjale.com).
Machiavellizmi “sot është një sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira.” (Jacoby, 2006:100). Duke shprehur mendimin se çdo qytetar duhet ta thotë mendimin e tij mbi një projektligj, Machiavelli lartësonte republikën, që karakterizohet nga dominimi i lirisë. Vetëm dhënia e mendimit të qytetarëve thotë ai jep mundësi që të nisesh nga baza të drejta. Ai shpjegon gjithashtu për domosdoshmërinë e shpërblimit për shërbimet që personat i bëjnë shtetit, si dhe nevojën e dënimit për shkeljen e ligjit. E nëse një person i shpëton dënimit sepse i ka bërë shtetit një shërbim, atëherë liria ndihet e kërcënuar (Midgaard, 2007:76). I çuditur nga dekadenca e përgjithshme shoqërore e Italisë së ditëve të tij, ku edhe papët ishin të korruptuar, ai thoshte: Është e kotë të kërkosh diçka të mirë në vendet e korruptuara (Samuel Enoch Stumpf:205). Atje ku pjesa më e madhe e popullsisë është e korruptuar dhe ligjet nuk kanë forcë detyruese, duhet vendosur një pushtet i lartë, me dorë mbretërore dhe pushtet absolut, për të frenuar lakminë dhe korrupsionin e të fuqishmëve, do të shprehej Machiavelli (Midgard, 2007: 78).
Në mënyrë të veçantë, ai trajton mundësitë që i hapen një populli për të qenë i lirë, nëse më parë ka qenë nën një princ, dhe më vonë pa luftuar vetë ka fituar një qeverisje të lirë republikane. Ai në këtë rast bënë krahasimin me një kafshë të mbyllur në kafaz që lihet e lirë: Ajo është pre e lehtë për kafshët e egra. Në të njëjtën mënyrë edhe populli që sapo ka dalë nga robëria dhe nuk i njeh mjetet e mbrojtjes e të sulmit dhe nuk njeh princin dhe rrethanat, do të bjerë shpejt nën një zgjedhë të re që mund të jetë më e rëndë se e para (Midgard, 2007:79).
VIJON…
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY – Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë – Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

VOLTERI …

VOLTERI autoriteti shpirtëror më i madh i Evropës iluministe shekulli XVIII në Evropë u quajt shekull i Volterit…