FAHRI DAHRI: SHKOLLA E PARË NË FSHATIN QERRET

Itali, 19 mars 2018: Në fillim të shekullit të kaluar, në mbarë Shqipërinë e pushtuar dhe të mbushur me varfëri, mjerim e padituri, ishte e madhe dëshira për dije. Në gjysmën e parë të shekullit XX, historia e arsimit në Shqipëri është ndeshur në rrugën e saj me vështirësi të ndryshme. Sipas dokumenteve, në vitet njëzet të shekullit të kaluar, numri i shkollave dhe i mësuesave në të gjithë vendin ishte i reduktuar. Fenomeni ishte rrjedhojë e kushteve të vështira, largësive të shkollave, mungesa në mjetet shkollore etj. Mësuesit punonin në periudha të shkurtëra nga që zëvëndësoheshin herë pas here.
Vitet e para pas Çlirimit, ishin kohë të vështira. Shqipëria ishte e mbërthyer nga mjerimi, varfëria ishte e tejskajshme, papunësi totale, asgjë nuk u trashëgua nga e kaluara. Populli ishte mbërthyer nga padija, analfabetizmi në shkallën më të lartë. Përpjekja për zhdukjen e analfabetizmit, nisi fill pas çlirimit të vendit. Kudo kishte skamje, por dëshira për të përhapur dhe marrë dije ishte e madhe.
Është në ndërgjegjen e brezit tim të tregojmë se kujtimet për ato vite, na risjellin vlerësimet për sakrificat e mësuesve, serioziteti, devotshmëria dhe dëshirat e tyre të mëdha për të na paisur ne, bijve të atyre prindërve që shumica nuk dinin shkrim e këndim. Ne i kujtojmë me respekt sjelljet, dashurinë për profesionin fisnik, sikundër kujtojmë mbresat që na kanë lënë durimi, këmbëngulja dhe shqetësimet e tyre lidhur me ambientet e pa përshtatshme, mungesat e mjediseve dhe mjeteve shkollore, interesimi i veçantë i tyre ndaj frekuentimit dhe mbarëvajtjes tonë në mësime. Kur ata shënonin në rregjistër notën “njësh”, shikonim veç gëzim në fytyrat e tyre, ndofta edhe më i madh se ai i disa prej prindërve.

Shqipëria me mbarimin e luftës, filloi nga reformat në të gjitha drejtimet. Ndër prioritetet e para ishte edhe arsimimi i popullsisë, mbasi sipas rregjistrimit të kryer më 30 shtatorit 1945, numri i analfabetëve zinte 911.410 banorë, ose 81,2O%, kundrejt 1.122.044 banorë që ishte numuri i popullsisë në Shqipëri. Përpara asaj situate në fushën e arsimit, puna e parë ishte hapja e kurseve kundër analfabetizmit, masë urgjente e cila u shtri në të gjithë Shqipërinë gjatë viteve 1945 deri në vitin 1949.
Në ato vite, me hapjen e shkollave edhe në fshatra, nevoja për arsimtarë ishte e madhe. Shumë prej tyre patën vështirësi të përballonin jetën e fshatit. Kishte mungesa komunikacioni për lëvizjet e arsimtarëve, të cilët banonin kryesisht në qytete.
Një shtator 1945.
Gjatë gushtit ishin bërë parapërgatitjet e duhura. Kryetari i këshillit të fshatit dhe dy mësuesit, e kishin gjetur ndërrtesën ku do të zhvillohej mësimi dhe sipas kontakteve në çdo familje, ishin regjistruar fëmijët që do mësonin në shkollë. Ishte mëngjesi i “Një” shtatorit të vitit 1945. Të gjithë banorët e fshatit, atë ditë e prisnin me emocione të veçanta. Muaj më parë ishte bërë i njohur lajmi se në fshatin tonë do të hapej për herë të parë shkolla.
Shumica e banorëve ishin kureshtarë për të parë hapjen e shkollës, vendi ku do të zhvillohej mësimi, si do funksiononte, por qarkullonin tek tuk edhe fjalë për mos hapjen e shkollës, si një veprim i panevojshëm dhe që do pengonte të rinjtë për të ndihmuar në punët e famljeve. Në ato vitet e fillimit, nuk duhet harruar se kishte shumë propagandë kundër gjithçkaje, veprime të qëllimshme për të sabotuar, si kundërvënie ndaj qeverisë së at’hershme.
Ai mëngjes ishte mbushur me burra, gra dhe fëmijë që rrinin përpara ndërtesës së shkollës. Të gjithë prisnim me kurreshtje se si do të vijonte puna, zhurmonin bisedat mes njerëzve dhe lëvizjet e fëmijëve.
Erdhi një moment ku u vendos heshtja e pa kërkuar. Ishte momenti kur kryetari i këshillit popullor të fshatit doli nga dera e shkollës bashkë me dy mësuesit dhe mbajti fjalën e hapjes. Dalja e tyre u shoqërua me duartrokitje dhe brohoritje që i përshtateshin kohës, thurreshin lavdi për Luftën Nacional Çlirimtare dhe Frontin Demokratik.
Fjalën e mori kryetari i këshillit Sali Zeka:
“Bashkëfshatarë të dashur, sot në fshatin tonë hapen për herë të parë dyert e dijeve. Fëmijët tanë sot do hyjnë në këtë derë ku do të mësojnë shkrim e këndim. Ata do të mësojnë historinë e popullit tonë të shumëvuajtur nga pushtuesit e huaj, do të njihen me traditat, zakonet dhe mbi të gjitha do të mësojnë si ta duan, respektojnë dhe mbrojnë Atdheun tonë të shtrenjtë, të cilin sapo e çliruam nga zgjedha e pushtuesve nazi-fashistë”.
Fjala e tij u ndërpre nga brohoritjet: “Vdekje fashizmit”, “Liri e popullit”; “Rroftë Fronti Demokratik”. Më pas kryetari i këshillit i dha fjalën mësuesit tonë të parë Q. Kokalari, i cili falënderoi kryetarin e këshillit dhe banorët e fshatit për ndihmën e dhënë për hapjen e shkollës. Me mbarimin e përshëndetjeve banorët u shpërndanë, ndërsa mësuesi tjetër A. Berisha bëri apelin sipas regjistrit dhe na rrjeshtoi sipas moshave.
Mësimin e zhvilluam në një kasolle me qerpiç, të mbuluar me papir (kashtë kënete e butë). Ne, nxënësit u ulëm në dysheme, por me dashuri për dije. Ishim 14 nxënës që uleshim për herë të parë në shkollën e parë të historisë së fshatit Qerret. Nga këta, 6 fëmijë ishim të moshës nga 7 dhe afro 8 vjeç, ndërsa 8 fëmijë ishin të moshës mbi 7 deri në 10 vjeç. Ndërtesa (kasollja) e shkollës kishte vetëm një dhomë, dera e shkollës ishte nga lindja, në anën e majtë të rrugës që të çonte në bregdet. Hymë brënda dhe sipas porosisë së mësuesit Q. Kokalari, u ulëm këmbëkryq përdhe (në shesh) në dy rrjeshta. Në krahun e djathtë u rrjeshtuam ne, 6 nxënësit e moshës 7 vjeç (unë, Hajredini, Fatmiri, etj.) dhe në rrjeshtin tjetër u ulën 8 nxënësit që ishin më të mëdhenj (Enveri, Hamzai, Vathi etj.).
Mësuesi spjegoi se rrjeshti i ulur djathtas do të ndiqte mësime të reduktuara, që i përshtateshin klasës “pregë” (parapërgaditje për në klasën e parë); ndërsa ata majtas do zhvillonin mësimet që i përshtateshin klasës së parë fillore. Mësimet do ti bënim sëbashku në të njëjtën dhomë. Për gjatë orës së mësimit, mësuesi do mësonte njëherë rrjeshtin e klasës së pare dhe pastaj ata të klasës pregë. Si dha porositë, mësuesi shkoi tek tavolina dhe meqenë se nuk mjaftonin fletoret për të gjithë nxënësit, i preu me gërshërë në mes dhe i ndau një e nga një për secilin nga ne.
Mësuesi u drejtua nga ne dhe na bëri të ditur se vitin e parë do të zhvillonte mësim për dy lëndë. Deri në dhjetor do mësonim alfabetin e gjuhës shqipe dhe arithmetikë. Rrjeshti i klasës “pregë” do mësonte vetëm alfabetin dhe shkrimin. Në janar klasa pregë, do bënte dhe arithmetikë; kurse rrjeshti i nxënësve të klasës së parë do mësonin alfabetin me gojë dhe shkrim, do mësonin të shkruanin, të lexonin, do mësonin numrat dhe do bënin arithmetikë (mbledhje, zbritje, shumëzimi dhe pjestim të numurave).
Afër tavolinës së mësuesit në mur ishte dërrasa e zezë. Mësuesi mori shkumësin dhe filloi të shkruante shkronjën e parë “A”. Ne rrinim në qetësi. Tepër të vëmëndshëm ndiqnim dorën e mësuesit, po ndjeheshim kureshtarë dhe donim ta provonim se a e shkruanim dot atë shkronjë si mësuesi. Në këto momente, mësuesi mori tre dërrasa të zeza (aq kishte) me madhësi sa të një fletoreje dhe i shpërndau. Një drrasë të zezë të vogël e la në rrjeshtin e parë, një në mes dhe tjetrën në fund. Mbasi shpërndau tabelat e vogla dha dhe shkumësat, udhëzoi si të vepronim për të shkruar shkronjën “A”.
Ne të habitur, u ngritëm në këmbë për të parë veprimin e shokëve tanë që po mbanin për herë të parë shkumës në dorë, por mësuesi me buzëqeshje na tha të uleshim se të gjithëve do na vinte radha.
Kështu e nisëm shkollën në ato vite fillimi. Atje hodhëm bazat e të mësuarit shkrim, këndim dhe arithmetikë. Atje u kurorëzua etja e madhe për dije, dëshira për tu arsimuar, e cila u shoqërua duke hedhur hapa drejt shkollës unike (7vjeçare), të mesme dhe të lartë.
Ishin ata, mësuesit e asaj kasolles me kashtë, që me sakrificat, durimin dhe dëshirën e madhe të tyre, na treguan rrugët e dijes, na hapën hapësirat e jetës për njohjen e ligjeve të natyrës, na mësuan rregullat, mirësjelljen ndaj shoqërisë, na mësuan historinë e popullit tonë dhe të popujve të tjerë, na rritën profesionalisht për ti shërbyer vendit dhe popullit, jo më si bujkrobër analfabetë, por të aftë për të ecur të sigurtë në drejtimin dhe zhvillimin e vendit tonë.
Për të gjitha këto, me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, përulem me nderim të madh para kujtimit të paharruar të atyre mësuesave, pedagogëve dhe profesorëve, të cilët na mësuan, edukuan dhe na treguan drejtimin e ecjes tonë drejt dhënies së kontributeve me vlera për shoqërinë shqiptare.
Duke hedhur këto rrjeshta me kujtime sot, mbas 73 vitesh, ndjej një pezmatim, një keqardhje për trajtimin që i bëhet figurës së nderuar të mësuesit. Mësuesit sot i duhet të përballojë, jo ato vështirësitë e fillimit të hapjes së shkollave, por sot ata duhet të përballojnë trysni të ndryshme që fillojnë të veprojnë bashkë me rotacionet politike. Ata rrojnë me stresin e pasigurisë në punë, mbasi politikanët, gjoja me “Reforma” si kudo dhe në arsim, i hedhin në rrugë, duke mbushur numurin e mësuesave me mediokër, militantë partish.
Duke vendosur në rolin e mësuesit njerëz të tillë, patjetër pasojat e goditjeve shkojnë tek cënimi i arsimimit të brezave, frenohen dijet, rritet mediokriteti, krijohen pakënaqësira, fenomene të shfaqura realisht në paaftësitë profesionale të një pjesë të konsiderueshme të “specialistëve” dhe “profesionistëve” të pas vitit 1991. Profesioni i mësuesit, duam nuk duam bëhet objekt kritikash nga e gjithë shoqëria, bien vlerat e tyre tek prindërit, deri edhe tek nxënësit. Nuk janë të pakta rastet kur shfaqen gjeste përçmuese për mësuesin, sepse ata dallojnë tek këta “pseudo mësues” paaftësi, as interes për dhënie mësimi, as kanë interes për edukimin e nxënësve.
Liberalizimi pa limit, mungesa e kontrolleve për mësimdhëniet, ryshfetet, lëshimet e dëftesave, diplomave, qoftë dhe titujve shkencorë, kundrejt një çmimi korruptues në të gjitha nivelet arsimore, krijuan situata tejet shqetësuese gjatë gjithë këtyre viteve të pas nëntëdhjetës, me lindjen dhe përsosjen e sistemeve korruptive në administratat shtetërore, në drejtësi, ekonomi, politikë, brenda dhe vetë partive politike që janë përkujdesur për këtë risi të panjohur më parë. Shkollat dhe institucionet arsimore, nga vend i dhënies së dijeve, u kthyen në vende tregu ku shiten e blihen dëftesa, diploma, doktoratura, çertifikata titujsh shkencorë, etj.
Goditja e sistemit të arsimit, gjatë këtyre 27 viteve, është goditje serioze, shkatërruese për të gjitha strukturat e shoqërisë. Nëse dokumentat që vërtetojnë aftësitë sipas profesioneve të ndryshme, i nënështrohen sistemit korruptiv, nuk duhet pretenduar për profesionistë të aftë, përkundrazi krijohen ambjente tepër të rehatshme për “gropat e zeza” që thithin vlerat e trashëguara, mbjellin paditurinë në shoqërisë shqiptare.
Nuk duhet harruar asnjëherë që shkolla dhe arsimtari janë një, të pamdarë, sëbashku janë pjesë e secilit nga ne. Sa herë vjen “Një” shtatori (pavarësisht se kjo datë ndërron ngandonjëherë, përsëri ka mbetur traditë që nëkupton hapjen e dyerve të diturisë), të gjithë ndjejmë krenari për këtë datë, zgjohen kujtimet e “Një” shtatorëve të shkollave tona, por dhe të fëmijëve, nipave e mbesave tona. “Një” shatori është dhe mbetet i shenjtë, të qenurit, ekzistenca fizike e gjithkujt, vjen në një shator për tu paisur me dije, të cilat ndikojnë në “kalitjen” e ndërgjegjës tonë. Por “Një” shtatorët, nuk do të kishin vlera të veçanta nga “njëshat” e muajve të tjerë, nëse do mungonin arsimtarët, mësuesit, pedagogët dhe profesorët, përçuesit e dijeve, kalitësit e ndërgjegjes të çdo njeriu papërjashtim
Personalisht nuk i shikoj të nevojshme “Reforma në arësim” sa herë ndryshojnë qeveritë. Në mënyrat se si është vepruar në sistemin e arsimit tek ne, gjoja me “Reformat në arësim”, është arritur me sukses vetëm “lufta e klasave”, ku hiqen dhe vendosen “arsimtarët” sipas militantizmit, kur dihet dhe kërkohet që në sistemin e arsimit të mos guxojë kush të ndërhyjë politikisht, kjo për arësyen e vetme sepse dëmtohen rëndë profesionalizmi dhe dijet, dy themele të domosdoshme për çdo njeri, prej të cilëve varet zhvillimi dhe përparimi i vendit dhe i shoqërisë në tërësi.
Respekte të sinqerta, nderime të përzëmërta për gjithë punonjësit e sistemit të arsimit.
Itali, më19 mars 2018 – Fahri Dahri

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

XHORXH GORDON BAJRONI

Me rastin e 200-vjetorit të vdekjes XHORXH GORDON BAJRONI Nga Xhelal Zejneli                                           Xhroxh Gordon Bajroni (George Gordon…