Durrës, 03. 06. 2013 – (Shënime për romanin “Çamëria… klithmë e mbytur” të shkrimtarit Kadri Ali) – Libri më i ri, romani “Çamëria … klithmë e mbytur” e shkrimtarit Kadri Lutfi Ali që u botua ditët e fundit, tashmë siguron vazhdimin e një kolane të romanit historik që trajton tërësisht çështjen e madhe të popullit të Çamërisë. Shkrimtari i njohur Kadri Ali e nisi këtë kolanë jo pa dashje, ndonëse shumëkush e di që në vitin 1994 ai botoi librin e tij të parë, të vogël si vëllim por madhështor në poezitë e tij të fuqishme e me titullin domethënës “S’e kam nxjerrë në ankand Çamërinë”. Ishte një prelud i bukur për të hyrë në thellësitë e shpirtit të popullit çam, një prelud për vetë autorin, i cili hodhi gjithçka kishte në zemër në ato poezi delikate e impresionuese.
U deshën vite të tëra përpjekjesh të shumëanshme që shkrimtari Kadri Ali të kthehej rishtas në botimet e librave të tjerë për Çamërinë. Brenda periudhës 2007-2011botoi tre libra me publicistikë, tregime dhe romanin e parë historik të tij të titulluar “Labirinthi i një tranzicioni”. Duke u nisur pikërisht nga këta tre libra në prozë dhe sidomos nga suksesi i romanit “Labirinthi i një tranzicioni”, shkrimtari Kadri Ali arrin të na japë romanin e ri “Çamëria… klithmë e mbytur“, pjesën e tij të parë.
Kadri Lutfi Ali
Ky roman, krejt i veçantë, është i pasur me një bagazh të madh personazhesh, ngjarjesh e vendesh të ndryshme, çka përbëjnë një rekuizitë të një teatri të ri në dukje, por të vjetër për kohën që paraqet. Të mësuar deri tani me librat e udhëtarëve apo konsujve të huaj që kanë shkruar apo pikturuar për tokat e Çamërisë, si me Fransua Pukëvil, Eduard Lir, si edhe me shkrimtarë shqiptarë si Sabri Godo që përmend tabllo çame nëpërmjet librit për Ali Pashë Tepelenën, kur lexon romanin e ri të Kadri Ali përpara ke paraqitje të tjera të botës çame, paraqitje që do të lenë gjurmë në letërsinë shqiptare.
Romani “Çamëria… klithmë e mbytur”, që në titull na jep problemin psikologjik të çështjes çame, problem që ngërthehet në ngjarjet e dhimbëshme të popullit çam të luftës së dytë botërore. Ky roman për nga mënyra e narracionit është i vetmi deri tani, që nxjerr në pah të plotë artin stilistik dhe talentin në prozë të shkrimtarit Kadri Ali.
Ky roman mëton të pasqyrojë me artin e prozës, të vërtetën e pamohueshme të popullsisë çame, mëton që të tregojë ato që kanë ndodhur me të vërtetë, mëton të largohet nga slloganet e politikës të të gjithë ngjyrave. Në roman ndjehet rrahja e pulsit të një patrioti të ndershëm, të ndjeshëm por dhe të fuqishëm që di të përballojë dhimbjen dhe pasojat e saj.
Kadri Ali sublimon maksimalen e fuqisë së tij krijuese, duke shkelur në “troje“ të panjohura të narracionit artistik. Mënyra e të shkruarit të këtij romani ka stilin e “përroit” që zhurmon, pak të ngjashëm me “përroin” e Prustit, por që zhurmën e kthen në një qetësi shpirtërore jo vetëm për lexuesin por dhe vetë autorin e tij.
Ja si e fillon këtë roman autori:
“Eshtë tjetër të gjallosh në hapsirën e një qyteti e tjetër të ndjehesh zot në të. Këtë kishin dëshirë t’i kumtonin vetes banorët e qytetit të Paramithisë, sa herë e shihnin mëngjezeve, Fuat Ajdhonatin, të shkelte me hapin e rëndë kalldrëmeve, për të shkuar në kafenenë në qendër të qytetit.”
Megjithëse është një roman historik dhe është vetëm pjesa e parë e tij, mbasi pjesa e dytë do të botohet së shpejti, romani “Çamëria …klithmë e mbytur”, është një intersektim emocional i shumë personazheve gati realë me ngjarje që nuk janë shumë të njohura nga bota shqiptare në letërsi e më gjërë. Kompleksi emotiv i autorit duket se është në shërbim të eleminimit të “klithmës së mbytur”, ai kërkon shpërthimin përfundimtar të së vërtetave të panjohura, prandaj romani është një pamflet gjigant që thërret e thërret…
Tek lexon faqe të këtij romani të duket sikur lexon librat që komentojnë e përshkruajnë ditët e apokalipsit total, ku skenat makabre janë dhënë krejt pa doreza keqardhjeje,të dhimbshme për lexuesit por plot besueshmëri.
* * *
Kadri Ali, duke qenë një shkrimtar skrupuloz në drejtim të shpalosjes së artit të tij narrativ, ai është njëkohësisht dhe një atdhetar me ndjenja të larta, gjë që e ka treguar me impenjimin e tij me vite të tëra në shtypin shqiptar. Me origjinë të familjes nga Paramithia e Çamërisë ai është shfaqur para lexuesit shqiptar si një shkrimtar i revoltës për të drejtat çame. Kjo nuk ndodh sot, kur janë shtuar tribunat e partive të ndryshme që përfaqësojnë problemin çam, por shumë më herët. Ai ka një ekperiencë të madhe që e ka mbajtur mbi supe, duke drejtuar gazetën për Çamërinë, e duke shkruar me qindra artikuj pa pushim, për çështjen çame që nga viti 1990.
Me një vetmohim të pashoq, shoqëruar me një “heshtje” burrërore ai boton librat njeri pas tjetrit e duke i dhënë botës shqiptare gjithçka të sinqertë, pa zbukurime e me një origjinalitet prej shkrimtari sqimatar. Kohët e fundit ai ka hapur dhe shtëpinë botuese K.Ali& Juenjo që i shërben më së miri ideve përparimtare të tij.
Kohët e fundit Kadri Ali ribotoi dhe librin e tij të parë, poetik të tij, “emblemën poetike” të tij “S’e kam nxjerrë në ankand Çamërinë “.
Do ta quaja këtë libër pemën e parë që mbolli Kadri Ali në kopshtin e shkrimtarisë të tij, kopësht që është shumë i gjërë, që nga Durrësi ku ai vetë jeton dhe punon në biznesin e tij modest, e deri në qytetin e origjinës së tij, Paramithi. Frutet e këtyre pemëve po i shijojnë lexuesit shqiptarë , por vetë autori kërkon më shumë. Ai thotë se: “Jo se nuk i pëlqej promovimet e librave, por ato nuk plotësojnë kërkesat e mia si autor. Dëshira ime është që libri të lexohet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në diasporë.”
Autori ka të drejtë sepse ai është kundër slloganeve dhe fjalimeve boshe, ai është mik me metaforat dhe metonimet, me format e reja të stilit narrativ të personalizuar, në luftë për të ndërtuar struktura të reja, ndryshe nga të tjerët, në fund të fundit të jetë një zë i veçantë në fushën e prozës.
* * *
Romani “Çamëria…klithmë e mbytur” e nis subjektin e tij me personazhin e parë të tij, fisnikun nga Paramithia, Fuat Aidhonati dhe familjes së tij. Kadri Ali ka ditur që këtë familje ta trajtojë si trungun e një lisi që përfaqëson shpirtin atdhetar çam, ndërsa të gjithë personazhet e tjerë vinë si degë të fuqishme të kësaj peme shekullore. Nëpër faqet e romanit, patjetër që gëlojnë hijet e zeza të andartëve grekë e të shëbëtorëve të tyre.
Figura e Fuat Aidhonatit dhe tre bijve e vajzës së tij është krejt e pa trajtuar në letërsinë shqiptare e aq më tepër kur flitet për historinë e popullit çam.
Tek lexon ngjarjet rënqethëse në këtë roman tronditës, mendja të shkon se ata piktorë të huaj veçse kanë paraqitur veshjet dhe vallet e çamëve e jo tabllo masakrash që janë bërë ndër shekuj. Ndoshta i vetëm është piktori italian Françesko Hayes që realizoi tabllon e fuqishme “Refugjatët e Pargës”, e që është një solidarizim i piktorit me atë dhimbje të madhe të popullit shqiptar në vitet e fundit të shekullit të 19-të.
Janë ditë të vitit 1941.
Dega e parë e lisit janë djemtë e mëdhej të Fuatit të cilët janë angazhuar me forcat e EAM-it, Baliu dhe Bako si dhe i vogli Ago që përjetoi masakrën që andartët grekë i bënë familjes së tij. Pastaj vinë me radhë vëllami Dhimitër Toka me trimin e tij Kiço Nikën, Koli Xhima e Mitro Beko, Çako Daliani e Nasho Toka. Midis këtyre personazheve të spikatur degën kryesore të lisit e merr ngadalë-ngadalë Dhimitri, natyrisht mbas vdekjes heroike të Fuat Aidhonatit. Ngjarjet gërshetohen me mjeshtri nga autori dhe lexuesi nga faqja në faqe ndeshet me skena luftimesh të ashpra me andartët grekë . Dallon negativi Jorgo Pandazi që bashkëpunon me Zervën, i cili jepet me një qartësi përshkuese të bindshme.
Autori ka futur aspekte të ndryshme të jetës së popullsisë çame duke mos harruar At Foto Gjinika, Met Xhodin, prijës i Aleancës çame për qëndresë, Stavri Patihagas, komandant i divizionit të EAM-it për Epirin, fisin e madh të Dinajve, Taho Seikon në ngjarjet e Shqipërisë së jugut, përfshirë dhe qëndrimin e Enver Hoxhës në atë kohë, e shumë të tjerë. Subjektet e këtij romani janë treguar me një frymë, me një “nxitim“ narrativ, krejt të një lloi më vete, që i përshtaten ngjarjeve; autori duket sikur ka qenë me të vërtetë në ato vite në Paramithi e më tej. Këtë narracion e zbukurojnë me madhështi retrospektivat e viteve 1913 e të tjera ngjarje ku një vend të veçantë zë arsimimi i shumë djemve në gjimnazin Zosimea, apo internimet e shqiptarëve në ishullin Hios të Greqisë.
Ky roman për herë të parë, mendoj se jep fenomenet e besimeve që kishin shqiptarët e Çamërisë, në myslimanë e në ortodoks e ku autori me mjeshtëri jep mardhëniet e mira midis tyre. Jo vetëm kaq por si në film shfaqen skena të panjohura siç janë besëlidhjet midis tyre, ku të shkon mendja tek vetitë më të mira që shkrimtarët e Rilindjes kanë dhënë për besëlidhjen. I paharrueshëm mbetet episodi i marrjes në përkrahje të Agos, djalit të vogël të Fuatit, nga miku i tij i hershëm Sotir Nika dhe nga arbëreshi Mitro Kristuli. Ja si i shprehet Mitro Sotirit për Agon, djalin e mikut të tij:
“Sado të bëj për të, nuk lahem kurrë unë me atë familje bujare, ndaj gjithë vlerën e mallit përdore për çfarë i duhet, Agos. Është djalë i veçantë, që po të arsimohet , bëhet shpresë për Atdheun! Të lutem bëj gjithçka për të, se e ndjej se ai do bëj të pamundurën, që haku i çamit të vej në vend!”
Romani “Çamëria… klithmë e mbytur” rikthen Baiun dhe Bakiun si dhe shumë personazhe të tjerë luftarakë për të vazhduar çështjen çame, pavarësisht se në cilat formacione ishin të ingranuar.
“Nga Veri – Lindja, forcat greke të EAM-it , ishin në gatishmëri që nën preteksin e luftës kundër gjermanit, të qëllonin mbi cilindo çam, që hidhte armët në sup për t’u mbrojtur…Të vetëm, mes armiqve, por në të drejtën tonë!” – kështu shprehet Baliu, djali i fisnikut Fuat Aidhonati, duke dhënë kështu dhe mesazhin e pjesës së parë të këtij romani.
Romani ka dhe pjesën e tij të dytë.
Kam bindjen se autori do të dijë të vazhdojë me mjeshtrinë e tij të tregojë më shumë për gjëra që kanë ndodhur por që nuk dihen të gjitha. Atëhere ky roman nuk është më vetëm historik!