(Prishtinë, Gusht 2012) – Çështja e veriut të Kosovës, terminologji e shpikur pas vitit 1999 nga strukturat e fshehta ndërkombëtare në Kosovë, padyshim se është njëra ndër sfidat më të rënda në Kosovë dhe rajon. Kjo çështje, jo rastësisht është krijuar në vrimë të zezë për Kosovën me ndihmën e këtyre parasistemeve të mekanizmave ndërkombëtare: KFOR-it, UNMIK-ut, OSBE-së, shërbimet e huaja të ndryshme, shërbimet sekrete serbe, ruse, organizatat e ndryshme joqeveritare të huaja dhe vendore, individë dhe misionarë të ndryshëm të paguar nga shërbimet e ndryshme sekrete; nga neglizhenca, mosveprimi, mospërgatitja, mungesa e planit dhe strategjisë, por edhe nga budallallëku i shqiptarëve, të cilët këtë problem ia kishin lënë stihisë kohore.
Skenari i thellimit të këtij problemi është duke vazhduar tani e tutje dhe ka shtrirë rrënjët thellë, sepse kështu deshën forcat e këtyre parasistemeve të mekanizmave të lartcekura kryekëput për interesa të tyre. Mirëpo, fajtori kryesor është parasistemi i UNMIK-ut, mision i cili ka përgatitur terrenin që kjo zonë të bëhet një vend konflikti i përhershëm. Për këtë problem përgjegjësia kryesore bie mbi ish-administratorin e dytë të UNMIK-ut në Kosovë Bernar Kushner. Ky njeri konsiderohet si fajtori kryesor i krijimit të këtij problemi, sepse gjatë kohës së tij ishte lejuar që pjesëtarët e grupeve të ndryshme kriminele serbe të grumbullohen, si në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, por edhe nëpër vendbanimet tjera duke uzurpuar pronat e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre.
Ish-administratori UNMIK-ut Bernar Kushner me “partnerët” Thaçi-Rugova.
………………………………………
Bernar Kushner, si një pjesëtarë i shërbimeve franceze nuk e kishte zbatuar Rezolutën 1244 të OKB-së në tërë territorin e Kosovës duke iu lënë vend të posaçëm bandave dhe strukturave të llojllojshme inkriminuese serbe. Jo krejt misioni i UNMIK-ut ishte në shërbim të tyre, por individë të caktuar në bashkëpunim me organizata të fshehta serbe dhe të huaja. Po ashtu, mund të përmendet edhe njeriu tjetër i UNMIK-ut, ish-administratori ndërkombëtar i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, Gerhart Galluçi, një italian i amerikanizuar, padyshim se ishte një agjent dhe zbatues i planeve të shërbimeve ruso-serbe në këtë pjesë të Kosovës. Nuk duhet shumë mend për të kuptuar këtë skenar të individëve dhe shërbimeve të ndryshme për interesa të tyre dhe të treta, sidomos për shfrytëzim të pasurisë nëntokësore të Trepçës, e cila llogaritet si pasuri e pallogaritshme. Po ashtu, kjo zonë u ka shërbyer këtyre individëve dhe shumë të tjerë që punonin nëpër mekanizma ndërkombëtare që ta përdorin këtë zonë për biznes të tyre të paligjshëm, si dhe për shpëlarje parash.
Jo rastësisht, gjatë një kontrolli po të këtyre shërbimeve nga një kontingjent i KFOR-it francezë kishin zbuluar sasi të konsiderueshme të barnave, cigareve, etj, të cilat përdoreshin për tregtim të brendshëm. Meqë, kjo zonë është krijuar për këto punë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, primatin e kontrollit mbi këtë territor e kishin marrë shërbimet serbe dhe ruse. Tashmë, këto shërbime janë duke e mbajtur pezull këtë rajon, kuptohet në bashkëpunim me shërbimet e huaja, por edhe individë të fuqishëm të biznesit me përkatësi shqiptarë, si dhe matrapazë dhe sharlatanë të tjerë.
Bllokimi i rrugëve, pengesat për lëvizje të lirë të pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, krijimi i barrierave ndaj tyre nënkupton se këto shërbime kanë shpallur konfrontim të hapur ndaj këtyre mekanizmave dhe nuk lejojnë zbatimin e rendit dhe ligjit. Duhet theksuar se Policia e Kosovës në këtë pjesë të vendit, përkatësisht shumica e pjesëtarëve serb të saj janë pjesë logjistike e Beogradit dhe vetëm emrin e kanë të Kosovës. Krejt kjo punë po bëhet me skenar të caktuar nga Beogradi dhe të tjerët dhe pritet vetëm koha dhe momenti i legalizimit të kësaj gjendjeje, si nga Prishtina dhe faktori ndërkombëtar, së pari të një autonomie speciale dhe më vonë shkëputja e saj dhe bashkimin me shtetin serb. Për këtë qëllim do të organizohet dialogu politik i ardhshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për hiçgjë tjetër.
Politika zyrtare e Kosovës e ndërtuar në një hipotezë të aferave të ndryshme korruptive, bile edhe me dosje të ndryshme ndërkombëtare ndaj individëve të saj është e paaftë të bëjë diç më shumë, që sado kudo të kthejë shpresat se ky rajon në një të ardhme do të rikthehet dhe futet në kornizat legale dhe funksionale të Kosovës. Kjo politikë nuk ka një plan unik kombëtar të zgjidhjes së këtij problemi dhe për këtë arsye kemi një gjendje të tillë. Por, edhe elitat tjera politike, grupet e vogla, etj janë stihike, të papërgjegjshme dhe të paorganizuara karshi këtij problemi, duke përjashtuar individë të vullnetit kombëtar të cilët po tentojnë vetëm tani të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Tashmë, është vonë për ndonjë kontribut serioz dhe se ky problem sigurisht se do të zgjidhet sipas skemave të huaja dhe do të jetë pengesë serioze si për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Vetëm një ndryshim rrënjësor në politikën e Prishtinës dhe Tiranës, bashkimin e këtyre dy qendrave shqiptare me të gjitha kapacitetet e tij, krijimin e një plani të përbashkët kombëtar dhe në bashkëpunim me aleatët e dëshmuar të shqiptarëve do të mundësojë që ky problem të zgjidhet në formë të drejtë, duke garantuar të drejtat maksimale për pakicën serbe në këtë rajon, por edhe ruajtjes dhe definimit të shtetësisë së Kosovës, si një projekt i përbashkët kombëtar e ndërkombëtar me ambicie prosperuese, zhvillimore, integruese dhe më gjerë.