FERIDE PAPLEKA: DEMOKRACIA NË KRIZË – PËRSE HESHTIN SHKRIMTARËT?

Tiranë, 07. 07. 2012 – Faik Konica, kur e pa se ky vend nuk çlirohej dot nga marrëzitë, shkroi tregimin “Katër përralla nga Zullulandi”. Personazhi kryesor, Plugu, në fund të tregimit mediton dhe thotë: “Të iki. Të shkoj në ndonjë vend të largmë, dhe të zë nonjë punë të përulur, një punë me duar, dhe të fitoj me bukën ndofta edhe qetësinë e shpirtit – protagonist i harruar i një tragjedie të fshehtë e të errët.” Përse heshtin shkrimtarët? Shkrimtarët janë shpirti i epokës në të cilën rrojnë. Ata duhet të vihen në shërbim të çështjeve të mëdha. Çështje të mëdha sot janë kthimi i dinjitetit të atyre njerëzve që jetojnë në mjerim dhe nxjerrja e të ngujuarve në liri. Nuk po them: varfëri, sepse varfëria është buka jonë e përditshme, por mjerim, kushte jo njerëzore për të jetuar, gjendje e dhimbshme (që ngjall mëshirë)…Ne jemi një vend ku shkrimtari i çon lule kryetarit të bashkisë, në vend që ky i fundit duhet t’i çojë lule shkrimtarit.
Pamjet vrastare si imazhet e vdekjes, të shoqëruara me njerëz të shfytyruar e të depersonalizuar nga mjerimi, si dhe nga shkëputja e lidhjeve me shoqërinë, të transmetuara kohët e fundit, në emisionet “Fiks Fare” dhe “Shqipëria tjetër”, në televizionin “Top Channel” e lëkundin fort statu quo-në e realitetit dhe pohojnë disa të vërteta të pakundërshtueshme që flasin për anën e errët të medaljes së demokracisë në Shqipëri. Rrëfimi në këto emisione me dokumente filmike të drejtpërdrejta është i shtruar, konstatues dhe argumentues. Mbi të gjitha aty zbulohet morali i dyshimtë që ka pushtuar dhe po e mposht përditë e më tepër shpirtin dhe mendjen shqiptare. (*)

_____________________________

(*)SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Shikoni në shtojcën e pashtriku.org disa materiale nga emisionet e “Fiks fare” dhe “Shqipëria tjetër” të TV-TOP’CHANNEL’it:

FIKS&FARE: GJAKMARRJA – NJË PLAGË E PASHËRUESHME SHQIPTARE! (I-II)

……………..

__________________________

SHQIPËRIA TJETËR: MANASTIRI I ALFABETIT SHQIP PO VDES – NJË SHEKULL MË PAS!

———————

SHQIPËRIA TJETËR: HARRESA E BABALLARËVE TË KOMBIT, NGA SHTETI!

——————————

SHQIPËRIA TJETËR: HARRESA E MASHKULLORES SE ҪERҪIZ TOPULLIT, NGA SHTETI!

…………………………………….

SHQIPËRIA TJETËR: NEGOVANI I PAPA’KRISTO NEGOVANIT – NJË HISTORI E HARRUAR!

……………………………………

SHQIPËRIA TJETËR: SHKODRA – HISTORIA QË PO ZHBËHET!

……………………………………….

SHQIPËRIA TJETËR: SKENDERBEU I HARRUAR!

…………………………………………..

SHQIPËRIA TJETËR: FSHATI I HARRUAR I KRYEMINISTRIT SALI BERISHA!

……………………………………………..

KJO ËSHTË SHQIPËRIA E SOTME – E DEMOKRACISË POSTKOMUNISTE!!
(PERGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

_______________________________

Arsyetimi për qytetërimin e madh, i theksuar me të gjitha mjetet e kohës mediatike, se ka ndodhur kryesisht në vitet e demokracisë, vihet në dyshim sapo përballesh me këto episode të paimagjinueshme, të denja për seanca fimike, që përshkruajnë kohërat e mesjetës. A mund të flitet pastaj për kulturë dhe shoqëri të dijes, poezi, filozofi, dashuri, qytetari, bashkësi, turizëm, Europë, Bashkimi Europian, etj.? Jetojmë në kohë paqeje, por skena të tilla vijnë si luftë për mbijetesë. Nëse është e vërtetë teza e një filozofi britanik se qytetet janë skena reale e zhvillimit të shoqërisë bashkëkohore, dhe fshati është pasqyrë e këtij zhvillimi, atëherë në Shqipëri nuk mund të flitet as për qytete të zhvilluara. Në vendin tonë raporte të tilla shumë-shumë mund të gjejnë zbatim si një absurd ekzistencial që përshkruan me mjeshtëri shkrimtari çek Franz Kafka në veprat e tij absurde, ku ftohtësia, trishtimi dhe mizoria e bëjnë të padurueshme përvojën e ndarjes së njeriut me botën.
Në këto emisione nuk është fjala për krizë të përkohshme demokracie që vjen prej idealeve ende të parealizuara, por për një keqkuptim të madh. Demokracia këtu shërbehet kryesisht si cilësi e një pjese të popullatës. Por demokracia është forcë dhe pushtet i gjithë popullit dhe jo pronë private e një pjese të tij. Është thënë dhe rithënë që edhe formalisht fjala demokraci (demokratia gr.), përbëhet nga dy fjalë: demos “popull” dhe kratos “pushtet”. Guximi për t’ia përplasur të vërtetën në sy shoqërisë sonë kaq sipërfaqësore e të papërgjegjshme, që nuk njeh ende veten, është një nga gjestet më të lavdërueshme të këtyre gazetarëve dhe kameramanëve heronj.
Përse heshtin shkrimtarët?
Shkrimtarët janë shpirti i epokës në të cilën rrojnë. Ata duhet të vihen në shërbim të çështjeve të mëdha. Çështje të mëdha sot janë kthimi i dinjitetit të atyre njerëzve që jetojnë në mjerim dhe nxjerrja e të ngujuarve në liri. Nuk po them: varfëri, sepse varfëria është buka jonë e përditshme, por mjerim, kushte jo njerëzore për të jetuar, gjendje e dhimbshme (që ngjall mëshirë). Është e vërtetë që shkrimtarët nuk kanë një organ shtypi të vetin për t’u shprehur e nuk kanë një vend që të mblidhen, por ata duhet ta gjejnë mënyrën me çdo kusht. Është e habitshme që në shekullin XXI kur në Europë dhe Amerikë përparësitë e jetës nuk mund të krahasohen as me 20 apo 30 vjet përpara, shqiptari në disa aspekte është kthyer pas me shekuj. Prandaj është ringjallur edhe gjakmarrja. Si mund të flejë e qetë një shoqëri, kur e di se disa shtetas të këtij vendi janë bërë burra duke “jetuar” të ngujuar për njëzet vjet rresht dhe që me mijëra fëmijë rriten pa fëmijëri?!
Përpara kësaj rënieje dhe humbjeje të dinjitetit të njeriut shkrimtarët kanë heshtur. Por koha nuk fal. Sot nuk fshihesh dot pas faktit se nuk njihet e vërteta. Perdja ka rënë dhe, sido që bëhet përpjekje për ta ngritur atë, përsëri ka mjaft mënyra që sigurojnë leximin e situatës. Shoqëria e hapur na ka krijuar mundësinë për të qenë dëshmitarë.
Përse nuk e ngrenë zërin shkrimtarët?
Një përgjigje është se disa shkrues të djeshëm, ndihmës të partisë, thjesht kanë ndërruar pozicionin nga e majta në të djathtë dhe janë bërë sërish ndihmës të partisë, kurse të djathtët ruajnë pozita zotëruese, duke përdorur gjithnjë atunë e së kaluarës. Nga e kaluara tepër e ndërlikuar doemos duhet të nxjerrim mësime, por ekziston edhe e sotmja me problemet e saj që nuk janë as të majta dhe as të djathta. Vërtet ne nuk ia sjellim dot dashurinë e humbur Ernest Tushes, po përmend vetëm një shembull tragjik nga e kaluara, por nuk duhet të lejojmë që të krijohen tragjedi të reja e të përsëritet historia.
Si i kuptojnë shkrimtarët të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare të cilat përmbledhin detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta qytetar/shtet? Si e konsiderojnë ata pjesëmarrjen demokratike në qeverisje dhe mbrojtjen e njerëzve? Këto janë pyetje që marrin përgjigje të mjegullt në kohërat tona. Shkrimtarët duhet të flasin. Problemet e shoqërisë janë universale, ajo ka nevojë për zërin e tyre. Nuk ka ardhur ende koha që shkrimtarët të merren vetëm me mjeshtërinë e të shkruarit. Demokracia nuk është konsoliduar ende, por është në krizë.
Këtu ne vazhdojmë të përpunojmë lista,
– lejojmë të na mbysë korrupsioni,
– shuajmë zërin opozitar,
– kusht sine qua non i demokracisë,
– çmojmë antivlerat,
– e konsiderojmë si pronë tonën atë që nuk na përket,
– i futim fëmijët nëpër rreshta partiakë,
– dënojmë atë që duhet lëvduar.
Ka edhe më: ne jemi një vend ku shkrimtari i çon lule Kryetarit të Bashkisë, në vend që ky i fundit duhet t’i çojë lule shkrimtarit.
Një fakt statistikor: në botë kapitali është përqendruar në duart e 20 për qind të njerëzve dhe analistët e konsiderojnë një shifër me përmasa jo normale, ndërsa në Shqipëri ai është përqendruar në duart e 5 për qind të njerëzve. Dhe më e çuditshmja është se pjesa më e madhe e personave juridikë të kësaj shifre janë njerëz të veshur me pushtet. Një katastrofë e vërtetë! Prandaj edhe mjerimi është i tejskajshëm. Mjerimi është akoma edhe më i gjerë, po të marrim parasysh se një përqindje e konsiderueshme e familjeve shqiptare i mbyll ditët me minimumin jetik, sa për të mbajtur shpirtin gjallë.
Është e habitshme që në shekullin XXI, kur në Europë dhe Amerikë zhvillimi është i pakrahasueshëm edhe me 20 apo 30 vjet përpara, shqiptari në disa aspekte është kthyer pas me shekuj. Prandaj është ringjallur edhe gjakmarrja, ky atavizëm primitiv. Po të veprojë ligji jo vetëm ndaj atij që kryen krimin e vrasjes, por edhe ndaj atij që kërcënon me mjete verbale (me fjalë), gjakmarrja pushon së vepruari. Kur mendon se ata të ngujuar qysh prej njëzet vjetësh të vetmen ëndërr kanë të ecin nëpër rrugë, kudo qofshin ato, edhe në hënë, por pa frikën e gjakësit, të zë trishtimi. As këtë gjë kaq gjë të thjeshtë ne nuk ua japim dot?! Dhe shkrimtarët heshtin!
Të bën përshtypje edhe fakti që ata njerëz njohin aq mirë kanunin, e cila është një vepër hulumtuese e Gjeçovit, e destinuar për të zënë raftet e bibliotekës e për të ndihmuar thjesht etnologët për studime, dhe nuk njohin ligjin e sotëm të Republikës. Sigurisht mendësia e tyre nuk mund të merret e shkëputur nga shumë elemente dhe faktorë politikë, shoqërorë e kulturorë të jetës shqiptare.
Çfarë programi ka Shqipëria jonë për zhvillimin dhe përparimin kombëtar?
Ndonjë element pozitiv mbytet kur sheh që aftësitë profesionale në shumë raste lihen mënjanë dhe kur konstaton edhe se si e kemi shtrembëruar historinë, si e kemi masakruar mjedisin, se si po e zhdukim kulturën e traditës, tregues burimorë, identitarë që kanë pasur vlera jetike për hyrjen tonë në Bashkimin Europian. Por shkrimtarët heshtin. Dhe pastaj janë shumë matës të tjerë që na tregojnë si vend qesharak. Le të kthehemi sidoqoftë te pamjet e mjerimit dhe të jetëve të ngujuara, viktima të drejtpërdrejta të kapitalizmit “demokratik” dhe të na vijë turp që jemi bashkëkohës.
Autorët, Filip Çakuli dhe Marin Mema e përballojnë tmerrin e fakteve me një kuptimësi të lartë solidariteti ndaj atyre njerëzve që sfiliten vetëm e vetëm si të mbijetojnë, sikur të ishte ky qëllimi kryesor i njeriut në jetë. Ata shpalosin njëkohësisht vizionin e tyre të lartë për rolin e gazetarit, i cili duhet të zbulojë plagët e shoqërisë, la vraie raison d’etre. Sekuenca të tjera që i janë bashkuar këto dy vitet e fundit këtij kortezhi të zymtë, të shtyjnë të mendosh thellë se ne kemi hyrë në 100-vjetorin e Pavarësisë pa ideale të qarta, që i ushqen ideja e përbashkët për të ecur përpara. Duke u kthyer pas në kohë në planin kombëtar mund të radhitësh me zemër të thyer më tepër dështime se fitore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura