GJEKË GJONAJ: NDIHMA DHE SOLIDARITETI ME FAMILJET E VARFËRA!

Ulqin, 21 qershor 2018: Tomë Palokë Memçaj, Nua Prekë Gjokaj dhe Tone Mark Cacaj nga Trieshi prej shumë vitesh përballen me kushte të rënda të jetës dhe me probleme të theksuara shëndetësore. Emërues i përbashkët i këtyre familjeve janë mbijetesa, sëmundja dhe varfëria. Edhe historia e tyre e hidhur i përngjanë mjaft njëra-tjetrës. Të ardhurat e tyre mujore nga ndihmat sociale as për së afërmi nuk mundësojnë minimumin e shpenzimeve të tyre jetike.
Shtypi malazez, para pak kohe, publikoi lajmin se njëra përej këtyre familjeve jeton në varfëri të skajshme dhe se ajo nuk gëzon përkrahje e as ndihmë nga askush. Për hirë të së vërtetës duhet thënë se për të tri këto familje trieshjane në nevojë para 12 vitesh u interesua mërgimtari humanist Gjekë Gjonlekaj, nga Trieshi, i cili jeton në Nju-Jork. Gjeka, në fillim, për disa kohë, me vëllain Lucën dhe djalin e vëllait Tomën, u dhuruan këtyre familjeve nga 1.000 ( një mijë) dollarë në vjet. Më vonë Gjeka vetëm pa ndihmën e tyre vazhdon t’u dhurojë atyre të njëjtën shumë dollarësh.
Shpërdnarësi i rregullt dhe i besueshëm i këtyre ndihmave financiare ka qenë dhe vazhdon të jetë Lekë Lucaj, mësimdhënës i gjuhës angleze në SHF “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh. “ Unë tash 12 vjet radhazi ua kam dorëzuar nga 1.000 ( një mijë) dollarë familjes së Tomë Memçaj, Nua Gjokaj dhe Tone Cacaj. Këtë donacion ua kamë dhënë atyre katër herë në vit dhe atë nga 250 dollarë për Pashkë, për Shtjefën, për Zojë të Trieshit dhe për Kërshëndella.” pohon Lucaj, i cili këto ndihma i ka ndarë me përgjegjësi e korrektësi të plotë.
Në këtë mënyrë Gjekë Gjonlekaj tash 12 vjet radhazi shprehu dëshirën e gatishmërinë dhe u erdhi në ndihmë këtyre familjeve trieshjane në gjendje të vështirë ekonomike dhe shëndetësore. Falë përkujdesjes së vazhdueshme të tij këtyre familjeve u është kthyer shpresa për jetë. U është kthyer optimizmi i humbur e fuqia e munguar e shpirtit. Ishte ky një mison i cili me siguri i ka lumturuar këto tri familje, duke ua kthyer vaujtjen në shpresë.
Sigurisht që kjo ndihmë në prag të festave ka krijuar një atmosferë të mirë të këtyre familjeve të varfëra. Me këto ndihma ata e ndien një siguri mbijetese, nga se ato ishin aq të rregullta saqë nuk janë vonuar asnjë ditë të vetmen. Kjo me siguri u ka mundësuar atyre të përballojnë më lehtë vështirësitë e rënda të jetës. Dhe jo vetëm kaq, por të tre familjarët e përmendur u ndien të sigurtë se nuk kanë mbetur në mëshirën e fatit. Se nuk janë të vetmuar. Se ka njerëz vullnetmirë. Se dikush ndanë dhimbjen me ta dhe u shtrinë dorën e ndihmës m’u atëherë kur ata kishin më së shumti nevojë. Ky donacion dëshmon se me vullnet dhe ide konkrete mund të përmirësojmë mirëqenien e këtyre familjeve në nevojë, duke shpalosur solidaritetin si virtyt të shoqërisë sonë shqiptare.
Kjo ndihmë vullnetare e Gjekë Gjonlekaj nuk është kontributi i tij i parë dhe as i vetëm. Kontribute të këtilla vullnetare ka dhënë me vite dhe vazhdon të japë edhe sot në Shqipëri , Kosovë e Maqedoni. Ai prej vitesh i ka qëndruar pranë popullit vëlla shqiptar në nevojë e në gjendje të rëndë. Po ashtu ai ka ndihmuar edhe në raste të ndryshme të varfërisë shqiptarët në nevojë në Nju-Jork. Nuk janë të rradha ndihmat personave të panjohur në nevojë, siç është për shembull rasti i tre fëmijëve që nuk i njeh në Brazil, të cilët rregullisht i ndihmon tash tetë vjet, përmes shoqatave bamirëse të Amerikës.

Përfituesit e këtyre ndihmave gjatë bashkëbisedimit u shprehën të jenë falënderues për këto kontribute të Gjonlekajt me këto fjalë: Nuk kemi fjalë me iu ç’borxhçua.“Nera i kjoftë për herë e mot! Jem borxhi i tij sa të jem gjallë. Zoti e nimoftë me të mirat e tij!
Këta familjarë, edhe përkundër vështirësive, ndjehen shumë të kënaqur e të lumtur. Natyrshëm se ky optimizëm i shprehur i këtyre nevojtarëve të bënë të ndjehesh mirë kur dëgjon fjalë të ngrohta miradie për donatorin ( donatorët). Dhe kjo besoj është forca motivuese që e bën Gjekë Gjonlekaj të ofrojë ndihmën e tij, e cila po ua lehtëson sado pak jetën familjeve që kanë nevojë për mbështetje. Shtojmë se vëllai i tij Luca para pak kohe ia kompensoi Gjekës shpenzimet e viteve të munguara.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura