Pashtriku, 19 qershor 2020: PJESË NGA LIBRI “GENOCIDI SËRBOMADH DHE QËNDRESA SHQIPTARE” I AUTORIT SHABAN BRAHA, Nr. 18
Lojë shifrash me “turq” e “joturq”, me “myslimanë” e me shqiptarë “pravosllavë” dhe dëbimi për në Turqi.
“Në një burim të 29 gushtit 1951 thuhet: Nisën të hapen shkollat turke. Shumë kosovarë do të detyrohen t’i dërgojnë fëmijët në shoklla turqisht.” (f. 489)
“Nga krahasimet midis regjistrimevet të popullsisë në vitet 1948 dhe 1953, dalin shifrat e spekullimevet: Në vitin 1948, kur si pakicë turke, numër gjithsesi i zmadhuar, qenë regjistruar 97954 banorë të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Më 1953, pra 5 vjet më vonë, dilnin 259535 banorë me kombësi turke. Në vitin 1948 figurojnë 1315 nxënës turq, ndërsa më 1953 janë 34583 nxënës turq. Në po këta 5 vjet popullsia shqiptare shtohet vetëm me 3814 banorë, që do të thoshte se e gjithë shtesa natyrale e popullsisë i ishte “falur” kombësisë turke.” (Krs. f. 489-490).
“Në trevën shqiptare të Vardarit në vitin 1948 qenë regjistruar si turq 95940 banorë. Në vitin 1953 dilnin 203000 turq. Në Republikën e Sërbisë (në trevat që administrativisht i ishin hequr krahinës autonome), më 1948-n kish pasur vetëm 523 turq. Më 1953-shin dolën 19550. Kjo lojë shifrash nuk i prekte aspak sërbët apo sllavomaqedonët, por vetëm shqiptarët.” (Krs. f. 490)
“As historikisht e as tradicionalisht nuk ka ekzistuar në trevat shqiptare kategoria etniko-kombëtare myslimane. Megjithatë, në vitin 1948 qenë regjistruar si “myslimanë”9679 vetë, më 1953 ranë në 6241, në vitin 1961 ishin 8026 banorë me “kombësi myslimane”. Por, kur kjo “kombësi“ u njoh me ligj në vitin 1971, numri i të regjistruarvet me “kombësi myslimane” shkoi në 26357. (Krs. f. 490)
Vaso êubriloviçi
Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi!
Varja e të burgosurit shqiptar në kazamatet serbe!
“Rruga e kthimit nga emërtimi ortodoks në emërtimin pravosllav, mori përmasa veçanërisht në Republikën Popullore të Maqedonisë ndër shqiptarët ortodoksë”. (f.490)
“Lojë kundër shqiptarëvet u bë edhe me romët. Ata u joshën të shkruhen si sërbë, malazezë apo sllavomaqedonë, në mënyrë që numri i pakicavet sllave, në vendbanimet me shumicë shqiptare, të rritej sa më shumë edhe me ndihmën e romëvet”. (Krs. f. 490)
“Programi i sërbizimit të Kosovës dhe visevet të tjerë të asaj pjese të Shqipërisë, i hartuar nga Vaso Çubrilloviqi, po zbatohej jo vetëm me terror e shfarosje, por edhe me dëbimin e shqiptarëvet me forcë. Nxjerrja në pah e pakicës turke dhe zmadhimi i saj (artificialisht) i kish paraprirë këtij dëbimi qysh në vitin 1951.” (f. 493)
“Deri në fund të vitit 1954, nga Përlepi, Kumanova, Presheva, u shpërngulën 3000 vetë. Nga Tetova, Gostivari dhe nga katundet e Zhupës, afër Koxhaxhikut të Dibrës, u shpërngulën 2000 vetë.” (f. 493)
“UDB-a jugosllave, nga njëra anë i torturonte tmerrësisht njerëzit, nga ana tjetër dërgonte spiunë në Turqi me mision për të propaganduar se atje jetohet më mirë.” (f. 493)
“Në revistën Përparimi nr. 10/1971 të Prishtinës jepet kjo pasqyrë e shpënguljevet të shqiptarëvet për në Turqi: Në vitin 1953 janë dëbuar 13000 shqiptarë. Në vitin 1954 janë dëbuar 17000. Në vitin 1955 janë dëbuar 51000. Në vitin 1956 janë dëbuar 54000. Në vitin 1957 janë dëbuar 57000. Në vitin 1958 janë dëbuar 41000. Në vitin 1959 janë dëbuar 27000. Në vitin 1960 janë dëbuar nga atdheu i tyre 23000 shqiptarë.” (f. 493)
“Shihet se ajo punë ishte shumë e organizuar, sistematike, e përvitshme dhe, siç del nga të dhënat e mësipërme, vetëm në vitet 1953-1960 numri i të dëbuarvet arrinte në 283000 vetë. Përzënie që kish nisur qysh më parë, që vazhdoi edhe më vonë, pa iu ditur fundi AS SOT.” (f. 493) (AS SOT! Sh. B. 1991, AS SOT! Gj. D. 2020)
* * *
Duart e lira të UDB-s.
“Vetëm në vitin 1948 iu dhanë gjyqevet në Kosovë 306 persona për vepra penale kundër shteit.” (f. 494)
“Dhjetor 1948. Xheladin Hana, luftëtar i orëvet të para kundër pushtuesvet nazi-fashistë. Ish-anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, njëri nga bashkautorët e formulimevet të dokumentevet bazë të Konferencës së Parë Nacionalçlirimtare në Bujan, drejtor i gazetës Rilindja në Prishtinë, njëri ndër kapacitetet e njohur të Kosovës, bir i një familjeje të thjeshtë, por atdhetare të Gjakovës.
Ai duket se ishte vënë në krye të listës së zezë të UDB-s. U arrestua në mënyrë sekrete, kinse dërgohej me shërbim, ndërsa brenda murevet të UDB-s i bëhej presion , i kërkohej të tradhtonte bashkëluftëtarët. I drejtohej revolveri, kërcënohej: O bashkëpuno me UDB-n, ose plumbi! Thelbi i përgjigjevet të tija ishte: Plumbi mund të më vrasë trupin, por jo bindjen. Tradhtinë e urrej.
Shefi i UDB-s e zbrazi armën! Këshu Xheladin Hana kaloi në përjetësi në emër të lirisë dhe të bashkimit kombëtar.” (f. 495)
“Maj 1949. Rifat Berisha, deputet, ish-Nënkryetar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit dhe Kryetar i Frontit Popullor të krahinës, u bllokua në kullën e tij në fshatin Berishë të Drenicës në një natë të errët.
Dy zv-shefat e UDB-s, Çedo Topalloviqi dhe Çedo Mijoviqi, duke spekulluar me traditën e mikpritjes shqiptare, i shkuan Rifatit në shtëpi dhe iu paraqitën si shokë të revolucionit. Të ulur pranë vatrës i thanë se po e kërkonte ngutshëm Fadil Hoxha dhe se duhej të udhëtonin bashkë për në Prishtinë. Ekipi udbash kishte me vete shoqërues, pararojë, praparojë. Një nënë e kullës e kuptoi fillin e kësaj loje dhe ua dha trimavet të Drenicës lajmin. Shtegu u zu në rrugëkalim, kah s’e priste askush. Tre armiq u vranë.
Në Beograd u dha alarmi: Prapë kryengritje në Kosovë! Forcat ushtarako-policore dita-ditës shtoheshin që nga Shkupi e që nga Nishi. Thuhej se edhe nga Zagrebi po bëheshin përgatitje për në Kosovë. Në Gajrak të Drenicës njësiti prej 6 trimash u rrethua tradhtisht nga një forcë e armatosur deri edhe me artileri… Më në fund, kryetrimi ra nën breshërinë e plumbavet bashkë me 3 luftëtarë, ndër të cilët edhe vëllai i Rifatit Islami. Dy të tjerët, ndonëse të plagosur, mundën të shpëtojnë dhe të vazhdojnë denjësisht rrugën e qëndresës kosovare.
Kështu, akti luftarak i këtij kryerimi po e përtrinte epopenë e Azem Galicës në Drenicën trime. (Epope, së cilës 49 vjet më vonë një Adem Jashar do t’ia ngrinte lavdinë deri në përmasat më madhështore, të paarritshme ndër heroizmat në shkallë gjithnjerëzore. Gj.D.)” (Krs. f. 495-497)
“Trevën e Vardarit e kishte përfshirë një terror që s’po i ndahej, duke nisur qysh prej përbuzjes së flamurit shqiptar e deri te jeta e bijvet të shquar të asaj treve.” (f. 497)
“Viti 1949. Nexhat Agolli i Dibrës së Madhe ishte ndër të parët që udbashët e mbërthyen në pranga. Përfaqësonte Shqipërinë Lindore në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, si Nënkryeministër. Por UDB-a s’i ndahej për dy faje të tij: që robërisë s’i thoshte liri dhe që faktet e shfarosjevet masive i kishte mbajtur shënim një më një. Prapa karrierës dhe prapa postit si Nënkryeministër, qëndronin pasiguria, arrestimi, tortura. I përballoi që të gjitha. Ia kishin vënë përpara për të zgjedhur: o tradhtinë, o vdekjen. Dhe Nexhat Agolli zgjodhi vdekjen e jo tradhtinë.” (f. 497)
“Burgjet dhe kampet e përqëndrimit anembanë Jugosllavisë mbusheshin gjatë periudhës 1948-1980. Veçanërisht deri në vitin 1968. Numri tyre arrinte deri përtej në 200-mijëshit të përkatësivet të ndryshme kombëtare: malazezë, boshnjakë, kroatë, hungarezë, sërbë, sllavomaqedonë, shqiptarë. Rrjeti i burgjevet dhe i fushavet të përqëndrimit fillonte nga Idrizova e Velesi i Maqedonisë dhe shtrihej deri te Goli Otoku i Kroacisë. Shqiptarët, edhe pse quheshin pakicë në liri, në burgjet e në kampet vdekjeprurës ishin shumicë.” (f. 497)
“Në mjedisin e kësaj shumice shqiptarësh, midis të cilëvet shumë luftëtarë: Faik Pruthi, Sami Peja, Ali Boletini, Qamil Brovina. Të pakët janë ata që nuk i provuan një mbas një disa burgje e kampe dhe shumicën e llojevet të arsenalit torturues rankoviqian.” (f. 498)
“Omer Çerkezi, njëri nga luftëtarët e orëvet të para kundër pushtuesvet të huaj, sërbë, italianë, gjermanë, bullgarë. Ai thoshte: Të zezës nuk mund t’I them e bardhë, pabarazisë nuk mund t’i them barazi, robërisë nuk mund t’i them çlirim… Fundi i jetës së tij, në kampin famëkeq të Goli Otokut, në thellësitë e Adriatikut!” (f. 498)
“Sabaudin Gjura, nga bijtë e ditur të Tetovës së rraskapitur. I provoi të gjitha, më në fund e morën, e afruan pranë kufirit me Republikën Popullore të Shqipërisë. I thanë: Këtu është Shqipëria, këtu është vdekja jote. Aty, në mesin e acarit, udbashët, pasi e vdiqën mundimshëm, ia lanë kufomën zbuluar, që ta shqyenin egërsirat. Ishte dimri i vitit 1950. “ (f. 498)
“Në vitet 1950 terrori individual ishe një praktikë e përditshme e UDB-s. Por UDB-a nuk harronte as provokimet në grupe. I tillë ishte rasti i Met Idrizit me grupin e shokëvet të tij në Voksh të Gjakovës në vitin 1952.” (f. 499)
“Përmes provokatorëvet të saj, UDB-a i çonte njerëzit deri në kufi dhe atje i likuidonte. Kështu, brenda vitevet 1950-1960 ishin likuduar 19 shqiptarë.” (f. 499)
“Në Gjakovë udbashët vranë 3 shqiptarë në kufi, 2 shqiptarë i vranë në burg, ndërsa 2 të tjerë i keqtrajtuan aq sa ata janë detyruar të bëjnë vetëvrasje … Në Vushtrri u vranë 6 vetë.” (f. 499)
“Vdisnin ose vetëmbyteshin njerëzit nga torturat. Saq Mushtitshti nga Prizreni u gjend i hedhur në baltën e një kënete. Haxhi Alia nga Juniku vdiq në tortura. Udbashi Kileviq ia hodhi kufomën në pus dhe e paraqiti të vetëmbytur. Hajriz Zhilivoda nga Prishtina vdiq në tortura. Jetish Mushtishtin e mori familja të vdekur nga ambientet e UDB-s. Selim Gashi u mbajt në tortura pesë javë dhe vdiq. Zef Shala nga Stupeçi i Vogël i Rugovës u torturua në Kuqishtë, u vra te kisha e Pejës dhe u deklarua i vetëvrarë. Ismail Blakaj nga Vrella e Istogut u mbajt dy muaj në tortura dhe me brinjë të thyera, vdiq në familje. Çel Ibrahimi i Kabashit të Prizrenit vdiq prej torturash. Musa Berisha i Suharekës vdiq prej torturash. Sali Hysenit nga Grekoci i thyen kraharorin dhe nga ky shkak vdiq. Man Tafa i Prelezit të Ferizajt dhe Bajrush Mersala vdiqën nën tortura. Shyqyri Gaçka i rrethit të Ferizajit u torturua me sadizëm nga udbashi Misheviq. Shaban Shkreli nga rrethi i Pejës po ashtu vdiq nën tortura.” (f. 500)
“Bek Isuf Dugajeva i Rugovës ther veten. Rexhep Fetahu nga Drelajt u hodh nga shkëmbi. Ibrahim Peci i Lipës së Pejës u mbyt në lumë. Cen Isuf Kacaferi nga Juniku, pasi u torturua gjatë ditës, u zvarrit deri në oborrin e tij, aty theri veten me thikë, sepse pas mesit të natës e prisnin tortura të tjera në postën e milicisë. Rexhep Tahiri nga Strellci dhe një tjetër Rexhep Tahiri nga Sterukaj i Pejës, për shkak të torturavet, u vetëvranë.” (f. 500)
“Në katundin Dubovë të Istogut, nga 50 shtëpi që kish katundi, për pesë muaj u torturuan 50 burra nën pretekstin e mbledhjes së armëvet.” (f. 500)
“Në oborrhin e shkollës së Kabashit në Prizren u torturuan 80 burra, valoi druri tri ditë e tri net rresht, gjoja për armët.” (f. 501)
“Brahim Kuçi e Muharrem Kuçi të Nabergjanit të Pejës u likuiduan dhe vetëm pas dhjetë ditësh u gjendën të masakruar e të mbuluar me gjethe. Vetëm në burgun e Nishit, në vitet 1948-1956, ndodheshin 2000 shqiptarë të burgosur. Në burgun e Sremska Mitrovicës, që ish gjithashtu burg qendror, ndodheshin 700 të burgosur, një e treta e të cilëvet qenë shqiptarë. Në burgun e Prishtinës, njërin ndër tre shqiptarët e kishin prerë copë-copë, tjëtrit ia kishin thyer duart edhe këmbët, të tretit ia kishin prerë njërin vesh, ia kishin nxjerrë një sy dhe ia kishin prerë një anë të mustaqes me gjithë buzë. Burgjet, në Idrizovë, në Nish, në Prishtinë, ishin pajisur me dhoma frigoriferi dhe kaloriferi. Të arrestuarit i futnin të zhveshur në dhomat-frigorifer, me temperaturë shumë gradë nën zero, i mbanin atje dy-tri orë, pastaj i fusnin menjëherë në dhomat-kalorifer.” (f. 501)
“Me procese të inskenuar u dënuan: sheh Hasani i Prizrenit, i cili u gjend i vdekur, sheh Rama, sheh Muhedini dhe 9 shqiptarë të tjerë… Me deklarata të dhunshme u inskenua procesi i Njazi Malokut, Sedat Didës, Demush Cahanit, Ibrahim Manit, Rexhep Muhadrit, Shani Hoxhës, Muhamet Eminit, i cili përfundoi më 1 korrik 1956 duke dënuar 9 shqiptarë me burgime deri më 12 vjet. .. Një proces tjetër gjyqsor politik ishte edhe ai që u zhvillua kundër 30 intelektualëvet shqiptarë me në krye Adem Demaçin, që u dënua më 1976-n pa asnjë fakt… Në procese të tillë të inskenuar, më 1980-n, u dënuan 56 shqiptarë, shumica sërish pa asnjë fakt.” (f. 501-502)
“Gazeta Borba e 11 janarit 1968 shkruante se mbi 120000 shqiptarë (në RFSJ) ishin me dosje.” (f. 502)
* * *
“Në Plenumin IV të KQ të LKJ-së, mbajtur në vitin 1966 në ishullin Brioni të Dalmacisë, gjendja terrorizuese dhe dhunuese në Kosovë e vise të tjerë të Shqipërisë, mbetur nën Jugosllavi, përbënte njërën nga dëshmitë serioze kundër hegjemonistëvet sërbomëdhenj dhe kreut të tyre Aleksandar Rankoviqit.” (f. 502)
“Në vitin 1967, në Beograd e Zagreb shpërthyen demonstrata të fuqishme kundër regjimit. Ato pasuan edhe në Kosovë në tetorin e nëntorin e vitit 1968. Masat shqiptare nën Jugosllavi kërkonin ato që u kishin munguar gjithmonë në krahasim me popuj e Jugosllavisë.” (f. 503)
“Një delegacion i Kosovës i parashtroi Titos kërkesën për statusin e republikës. Përgjgjja e Titos ishte: Republika nuk është i vetmi faktor që i zgjidh të gjithë problemet… Por opinioni pyeste: Përse republika për disa qenka faktor që i zgjidh problemet dhe për disa jo?!” (f. 504)
“Po në vitin 1968, me rastin e diskutimit të amendamentevet për kushtetutën jugosllave, shqiptarët e Kosovës ngritën edhe njëherë problemin e të drejtavet të tyre kombëtare dhe e rishtruan kërkesën e statusit të republikës.” (f. 504)
“Duke u ndodhur në vazhdim të gjendjes së mëparshme, brezi i ri i pjesëvet të Shqipërisë të mbetura nën Jugosllavi, po përpunonte strategjinë e vet të bashkimit të kombit, në varësi me kushtet që po krijoheshin.” (f. 504)
“Në këtë atmosferë kërkesash shquhej grupi i Lëvizjes Kombëtare i përbërë nga studentë e punëtorë: Meriman Braha, Pashko Laçi, Haxhi Maloku. Nga Rahoveci Rafet Rama, nga Tuzi Gjergj Camaj, nga Rugova Isa Dema, Nga Peja Zymer Neziri.” (f. 504)
“Më 6 tetor 1968 në Prizren organizohet demonstrata e parë masive në trevat shqiptare mbetur nën Jugosllavi, me parullën Kosova Republikë. Bijat e Prizrenit, Shpresë Elshani dhe Limane Dobruna, prinin me flamurin kombëtar.” (f. 505)
“Një javë më vonë u bë demonstratë në Suharekë me kryeparullën Kosova Republikë. Aty u shquan Haxhi Bajraktari, Aishe Bajraktari e Hamza Morina. Javën e tretë në Pejë demonstratës i prinin Zymer Neziri e Xhemal Gashi.” (f. 505)
“Në nëntorin e 1968-s vazhduan demonstratat masive në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, organizuar nga grupi studentor i Prishtinës, Skënder Kastrati, Adil Pireva, Selatin Novosela, Xheladin Rakaliu. U vra në ballë të demonstratës djaloshi 16-vjeçar Murat Mehmeti.” (f. 505)
“Në Beograd veshi bëhej i shurdhër.” (f. 506)
* * *
I takon pjesës së mirë të kombit tonë të merret shumë më seriozisht pikërisht me këtë aspekt të historisë sonë. Them kështu, sepse, pjesa e mirë e kombit tonë, a i ka kryer këto punë ashtu si duhej t’i kryente?!
Pjesa e mirë e këtij kombi, sa libra që bëjnë fjalë për genocidin ndaj shqiptarëvet, i ka shkruar, por edhe përkthyer në gjuhën sërbe, në gjuhën sllavomaqedone, në gjuhën greke, në gjuhën turke, pastaj edhe në gjuhët e tjera, në mënyrë që (sërbët e mirë, grekët e mirë, malazezët e mirë, turqit e mirë, iranianët e mirë, anglezët e mirë, francezët e mirë, gjermanët e mirë, rusët e mirë, brazilianët e mirë, kinezët e mirë, egjiptianët e mirë, indianët e mirë, arabët e mirë), të mund të dinë mbi numrin e fëmijëvet që na i kanë therur sërbët e këqinj, grekët e këqinj, malazezët e këqinj?!
Sa letra të hapura përkujtuese u janë dërguar, institucionalisht, sërbëvet të mirë, sllavomaqedonëvet të mirë, malazezëvet të mirë, grekëvet të mirë, në mënyrë që ata të mund të punojnë në kombet e tyre për të mos prodhuar më kaq shumë kriminelë?!
Në qytetin e Kragujevacit nazistët gjermanë kanë pushkatuar në kohën e Luftë së Dytë Botërore, fëmijë sërbë, nxënës sërbë, dhe sërbët mblidhen atje vit për vit për t’i përkujtuar ato viktima. Sërbët u kanë ngritur monument atyre viktimave. Sërbët u kanë kushtuar dhe vazhdojnë t’u kushtojnë poezi elegjiake atyre nxënësve.
Përse nuk veprojnë kështu shqiptarët në të gjithë vendet ku sërbët shovinistë kanë vrarë shqiptarë?!
Ndodh që themi se pjesa e mirë e shqiptarëvet nuk ka faj për masakrat që na përsëriten, dekadë pas dekade e shekull pas shekulli, në mënyrën më të pakonceptueshme! Themi pastaj që intelektualët tanë i paskan kryer detyrat e tyre! A i kanë kryer dhe a po i kryejnë intelektualët shqiptarë detyrat e tyre?!
Mjafton të shkojmë nëpër mendje vetëm kaq: Unë tani i plotësova 20 shkrime, në të cilët pasqyrohet vetëm një pjesë e krimevet që i janë bërë kombit tonë. Dhe, duke e mbyllur këtë statistikë të njëzetë, nga më tronditëset që mund të përfytyrohen, po më gërryen thellë në ndërgjegje një pyetje nga më të rëndat që mund t’ia bëjë vetes cilido shqiptar: Sa, ndër dhjetëra mijë intelektualë të sotëm shqiptarë do t’i printojnë këta 20 shkrime dhe t’i mbajnë mbi tavolinën e tyre të punës?!
Gjokë Dabaj, Durrës 28 maj-18 qershor 2020
___________
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITET 1945 – 1947
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10192