GJOKË DABAJ: KAH PO SHKON KJO EVROPË E SHEKULLIT XXI, KAQ KEQ E ҪAKORDUAR MENDËRISHT?!

Durrës, 15. 03. 2016: Morëm vesh që e quajtura Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë e mbylli kufirin për refugjatët e Lindjes së Mesme (Apo të Afërt?). Hungaria e pat mbyllur më parë, me një mur të ngjashëm me atë të Berlinit, veçse jo me tulla e beton, dhe shumë herë më të gjatë se ai i Berlinit. E ndaloi kalimin e refugjatëvet edhe Austria. Që të dyja anëtare të BE-së.
Morëm vesh që turmat e refugjatëvet, tashmë mund të “orientohen” drejt kufirit që ndan shtetin grek nga Republika e Shqipërisë. U bënë takime midis ministravet të punëvet të brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Republikës së Italisë. (Pse s’u bënë takime midis homologëvet të Greqisë dhe Italisë, të 2 anëtarë të BE-së?!) U hartuan plane të veçantë, u nënshkruan memorandume. Midis tjerash, dolën në televizion 2 kazerma të ish-ushtrisë shqiptare, në të cilat qenka e mundur “të mirëpriten” refugjatët e Azisë! A mund të “akomodohet” një Azi, qoftë edhe një pjesë e Azisë, në aq kapanone të një ish-ushtrie shqiptare?! Erdhën edhe forca policore italiane në ndihmë të policisë shqiptare për të menaxhuar kufirin shtetëror shqiptaro-grek.

KRYEPUSHTETARËT E EVROPËS – KRYEPIRATËT E KËSAJ TRAGJIKOMEDIE POPUJSHKATËRRUESE!

Nuk ka nevojë të jesh as analist, as vëzhgues i zhvillimevet politikë, as politikan, madje as të kesh mbaruar ndonjë shkollë 9-vjeçare, model Bolonje. Një katundar fare i përditshëm apo një bakall i rëndomtë qyteti, mund t’i bëjë disa pyetje nga më të thjeshtat:
– Mirë, more burra të mençur e gra të mençura të Evropës, a nuk mund të kalohen këta qyqarë drejt Gjermanisë, me anije, me trena apo me avionë, psh, nga Izmiri, nga Stambolli, nga Selaniku, nga Athina, nga Patra, por u dashka të bëhen kaq ecejake për t’i zvarritur nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë dhe për të mos ditur pastaj nga t’ia mbajnë?!
– Pse u dashka, nga një vend i BE-së të nxiren jashtë BE-së, për t’i futur përsëri në BE?!
– Përse u dashka të hyjnë në Republikën e Shqipërisë këta varganë “lumturikërkuesish”, kur asnjëri prej këtyre nuk ka shpresë ta gjejë “lumturinë” këtu?!
Më në fund, një katundar apo një qytetar pa shkollë, dmth, i pajisur vetëm me një 9-veçare Bolonje, krejt natyrshëm duhet të pyesë:
– Kujt i intereson që ajo turmë mjeranësh t’i përshkojë më këmbë rrugët e Ballkanit Perendimor, duke hequr pisërinë e zezë, me fëmijë në krahë?!
Doemos që i intereson dikujt të llapashiten nëpër baltëra disa qindra mijë atdhebraktisës. Doemos që i intereson dikujt të sillen ato turma azilkërkuesish nga Athina në Konicë, “PËR TË QENË MË AFËR GJERMANISË”!
Dikush thotë që këto punë të pista u interesojnë trafikantëvet. S’do mend që edhe trafikantët do të përfitojnë prej mjerimit të atyre turmave, por kush fshihet prapa trafikantëvet, sepse dihet që trafikantët nuk i marrin të gjitha paratë për vete?! Policia dyfytyrëshe?!
Industria johumane?!
Edhe ato doemos e marrin pjesën e vet të këtij lloji “modern” të piraterisë. Por, mos janë, vallë, vetë KRYEPUSHTETARËT e kësaj Evrope, me të gjithë klasën e tyre të babëzitur, KRYEPIRATËT e kësaj tragjikomedie popujshkatërruese?!
Sigurisht, në marrëveshje, me zë apo të heshtur, edhe me amerikanët, edhe me rusët, edhe me kinezët: Të merremi me sherre midis popujvet që s’kanë armë gjithshfarorsëse, për t’iu larguar edhe sado pak vite, SHERRIT TË MADH!
Kush po i telendis kështu qindra mijë nëna, me fëmijë në bark a ndër duar, të rraskapiten nëpër detërat e nëpër monopatet e një Ballkani cinikisht “të paintegrueshëm”?! Ky Ballkan, i cili dikur mbante një tjetër emër, ka pritur e përcjellë hordhi pa mbarim, hunësh e avarësh, kotrigurësh e gotësh, longobardësh, svevësh dhe sllavësh, ka pritur e përcjellë karvanë kryqtarësh, kalorës e këmbësorë, me fytyrën e Jezusit në gjokse e në fletët e flamujvet, të cilët, njëherë vrisnin 200 mijë myslimanë palestinezë në Palestinë e njëherë plaçkitnin e digjnin Konstantinopolin e krishterë, por pa e çliruar asnjëherë varrin e Jezu Krishtit.
Ku po shkon kështu kjo Evropë e shekullit XXI, kaq keq e çakorduar mendërisht?!
Ku dreqin e ka fshehur kjo Evropë pjesën e vet më të mençur, e cila doemos do të duhej ta dinte që kasta e sotme e botëshkatërruesvet, në vend të urëvet të zjarrit të shekujvet të Mesjetës, mban nëpër duar armë të shuarjes totale të jetës?!

Gjokë Dabaj – Durrës, 15 mars 2016.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura