GJOKË DABAJ: MAKINERIA E NDRYSHKUR PERENDIMORE ANTISHQIPTARE!

Durrës, 30. 08. 2016: Nuk do ta kisha bërë këtë shkrim, nëse nuk do të na ishte kurdisur një i quajtur “ASOCIACION I KOMUNAVET SËRBE” dhe një RIDHURIM, RIFALJE, E TOKAVET SHQIPTARE MALIT TË ZI, thelë mbi bisht, siç e përdor shpeshherë Jugu i Shqipërisë. Së fundi edhe kërkesa e zotit Xho Bajden vërtetoi që SHBA-ja NA DO FORT NE SHQIPTARËT, VETËM NËSE U JAPIM TOKA DHE TË DREJTA SPECIALE FQINJËVET TANË SLLAVË.
Mund të thuhet: politikë shqiptarshtypëse, politikë shqiptarndrydhëse, politikë shqiptarcopëtuese, politikë shqiptarshkatërruese. Cilindo prej këtyre epiteteve mund ta përdorim dhe e vërteta mbetet po ajo: Politika DOMINUESE, politika MBIZOTËRUESE e PERENDIMIT, së paku nga gjysma e dytë e shekullit XIX e këndej, ka qenë një politikë THELLËSISHT ANTISHQIPTARE, krejt konjukturale dhe krejt e pamoralshme.
E para që duhet ta kuptojë këtë të vërtetë, është PJESA POZITIVE e Perendimit. Qoftë ajo e Evropës Perendimore, qoftë ajo e SHBA-së. Sa më parë e sa më alarmueshëm ta kuptojë këtë të vërtetë, jo vetëm shqiptarmbytëse, por edhe vetëmbytëse, PJESA POZITIVE e Perendimit, aq më mirë do të jetë për vetë Perendimin. Është e domosdoshme që PJESA POZITIVE e Perendimit të ushtrojë presion sa më të fuqishëm, qoftë në opinionin publik perendimor e botëror, qoftë mbi qeveritë e veta. Përndryshe, po ky Perendim, të cilit ne shqiptarët, njëlloj si popujt e tjerë të këtij nënqielli, ia dëshirojmë të mirën, do të përballet me reperkusione të pakorrigjueshëm.
S’është nevoja të renditim këtu se çfarë mund të ndodhë me Ballkanin, gjegjësisht me Gadishullin e Ilirikut, dhe me Evropën, nëse Perendimi do ta vazhdojë politikën shqiptarshtypëse, shqiptarcopëtuese, shqiptarmbytëse e shqiptarndrydhëse.
Po u rikujtoj ANALISTËVET vetëm disa nga aktet, disa nga veprimet nga më të ulëtit dhe nga më të pajustifikueshmit, qoftë juridikisht në të gjithë aspektet, qoftë edhe moralisht, që janë ndërmarrë në dëm të Kombit Shqiptar në njëqind e pesëdhjetë vitet e fundit.
Në vitet 1876-1880 shqiptarët nuk konsiderohen prej politikanëvet sylëbyrur evropianoperendimorë, komb i veçantë. Bullgarët po, sërbët po, grekët po, madje edhe malazezët Perendimi i konsideron komb, kur as ata vetë nuk e dinin çfarë ishin.

Jo në vitet 1876-1880, por e pakta gjysmë shekulli më parë, shqiptarët E KANË NJË DOKTRINË të vetën KOMBËTARE. Këtë mund ta dinte mirë, po të donte Evropa Perendimore, nëpërmjet Jeronim de Radës, Dora d’Istrias, Pashko Vasës, Zef Jubanit etj. Por politikanët perendimorë ishin mirëfilli të verbër. Ata nuk shihnin, nuk dinin të shihnin, nuk donin të shihnin dhe nuk duan të shohin as sot, që pikërisht te Kombi Shqiptar, te përkrahja e Kombit Shqiptar, qëndron edhe INTERESI AFATGJATË i krejt Evropës.
Në vitin 1876, më 24 dhjetor, krijohen dy provinca bullgare, në njërën prej të cilavet përfshihet një pjesë e madhe e Shqipërisë: Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Dibra.
Malit të Zi, po në atë kohë, pasi ai i kish pushtuar Palabardhin, Piprin, Zhabjakun, Podgoricën, Kuçin e vise të tjerë të Shqipërisë, Perendimi i jep edhe tre ishuj shqiptarë në Liqenin e Shkodrës, si dhe “të drejtën” e lundrimit të lirë nëpër Bunë.
Çka do me thënë kjo?! Kjo do me thënë që Evropa po i vendoste minat vetëvetes! Mina me veprim shkatërrues edhe në të ardhshmen!
Në të gjitha kohët, që nga perandori Teodos e këndej, fundi i shekullit IV të erës sonë, krishtërimi lindor, ortodoksia, kisha greke, më vonë kishat sllave, kanë qenë RIVALË të Perendimit dhe ARMIQ të vendosur të Perendimt. Perendimi, përgjithësisht, ose u është lëpirë këtyre armiqve, ose ka bërë kundër tyre atë që nuk duhej të bënte. Psh, në një rast, ka plaçkitur dhe shkatërruar Konstantinopojën.
Shteti i Bizantit, që nga ardhja e perandorit Irakli në pushtet e këndej, fillimi i shekullit VII, ka vepruar sitematikisht kundër Evropës Perendimore. I vetmi etnitet, pjesë e asaj perandorie, që ka qenë organikisht i lidhur me Evropën Perendimore, ka qenë etniteti i arbërvet. Bizantologët, ata të kthielltët, jo bizantologët matufë, duhej t’ia kishin thënë Evropës me kohë këto të vërteta.
Në shekullin XV u shënua një nga kulmet proevropianë të arbërvet nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Por Evropa Perendimore, pjesa e rilindur e saja, pjesa humaniste e asaj Evrope, u kujtua ta adhurojë Gjergj Kastriotin Skënderbeun vetëm mbasi ai kish vdekur. Dhe kjo ndodhi vetëm falë penës së një humanisti arbër, po aq të madh sa Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Marin Barletit.
Por ne nuk duhet të rrimë pa e vënë në dukje këtu, që pjesa e politikanëvet shtetërorë të Evropës Perendimore, edhe në e kujtonte aty-këtu Heroin tonë Kombëtar, Kombit tonë as që kish ndërmend t’i jepte përkrahjen që i duhej dhënë. Janë një varg kuvendesh, filluar nga ai i Matit e deri te Kuvendi i Kuçit e i Prokupjes, në fillim të shekullit XVII, të cilëvet Evropa Perendimore as denjoi t’ua vinte veshin. I vetmi reagim efikas ndaj problemevet të arbërvet, në fillim të shekullit XVIII ka qenë ai i papa Klementit XI, i cili, për fat, kish prejardhje shqiptare.
Në shekullin XIX, siç thashë, Kombi Shqiptar, si vazhdues i drejtpërdrejtë i etnitetit arbëror, erdhi me një PLATFORMË TË QARTË KOMBËTARE. Por Evropa Perendimore prapë nuk diti apo nuk deshi t’i çelë sytë dhe të shohë në atë platformë një shkëndijë shumë domethënëse për krejt njerëzimin, atë të tolerancës ndërfetare dhe ndërkombëtare. As sot, kur në krejt Evropën po lulëzon një mishmash i mirëfilltë nacional, politikanëvet të atjeshëm nuk po ua kap dot logjika konceptin tonë mbi kombin. Presidenti i Francës i quan francezë zezakët dhe algjerianët, mjafton që ata të kenë lindur në Francë, ndërsa preshevarët tanë, pa e vrarë mendjen fare, i quan sërbë. Kryministri i së quajturës Mbretëri e Bashkuar, Irlandën e Veriut e konsideron pjesë gjeografike të Irlandës, ndërsa Çamërinë nuk e konsideron pjesë gjeografike të Shqipërisë.
Në qershor të vitit 1878 u themelua LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT, e cila i ra një kambane të madhe mu në dyert e Kongresit të Berlinit, por kultura e politikëbërësvet të Evropës ishte aq e mangët, sa ata nuk e dinin apo nuk donin ta dinin që në Evropë ekziston një Komb i mirëfilltë Shqiptar, me baza shumë më të shëndosha se ata që Evropa i njihte dhe i pranonte si kombe.
Të udhëhequr nga PLATFORMA E VET KOMBËTARE, shqiptarët, veç përpjekjevet diplomatike, të cilat nuk bien aspak më poshtë se diplomacitë e shtetevet fqinjë, bënë edhe luftëra të armatosura kundër pushtuesvet osmanë, por edhe kundër pushtuesvet sllavë e grekë. Evropa nuk diti dhe nuk deshi t’i dëgjojë, as fjalët tepër të arsyeshme e të qytetëruara të promemorjevet dhe memorandumevet dhe as krismat bubulluese të armëvet tona kombmbrojtëse.
Është pak me thënë që Evropa Perendimore ish E VERBËR ndaj çështjes shqiptare. Ajo ish pjesë integrale dhe permanenete e KRIMEVET që po zbatoheshin mbi Kombin Shqiptar.
Me mosndërhyrjet e saja, Evropa Perendimore i miratoi masakrat dhe shpërnguljet që iu bënë shqiptarëvet prej forcavet destruktive të Ballkanit, gjegjësisht të Gadishullit të Ilirikut.
Në vend të një qëndrimi serioz të politikanëvet të atëhershëm evropiano-perendimorë (Shumica e tyre mbanin mustaqe dhe mjekër), ata kuturisën në atë kohë disa teza nga më qesharaket, që as fëmija shtatë vjeç nuk do t’i merrte për serioze: Krijimin e një „principate“ katolike mirditore, „njohjen“ si etnitet shtetformues të një Malësie të Mbishkodrës, sepse edhe ajo na qenkësh katolike. Kishim, pra, të bënim me njerëz që s’e kishin fare të qartë idenë e kombit. Mjerë Evropa ç’po i përgatitej! Po i përgatiteshin dy luftëra me milona viktima!
Më 28 Nëntor të vitit 1912 shqiptarët, e pakta dy shekuj më të përparuar se politikëbërësit evropianë, nuk shpallën as pavarësinë e një cope të vogël të Shqipërisë, as pavarësinë e pjesës myslimane të shqiptarëvet, as pavarësinë e pjesës katolike dhe as pavarësinë e pjesës ortodokse. Ata shpallën dhe konstituuan PAVARËSINË E KREJT SHQIPËRISË dhe përfaqësimi në Kuvendin e Vlorës ishte i krejt Kombit Shqiptar.
Politika evropiano-perendimore nuk diti, sepse ishte injorante, ose nuk deshi të kuptojë te kjo kulturë e lashtë e Kombit Shqiptar (sado që na kish lënë robëria me 95% analfabetë), thirrjen iluministe që iu drejtua kombevet për një bashkim pa dallim feje e pa dallim krahine.
Në vend të kësaj, në Traktatin e Fshehtë të Londrës, 1915, ajo Evropë e pa „të arsyeshme“ ta zhdukë krejt nga faqja e dheut edhe atë pak shtet shqiptar që e kish miratuar vetë në vitin 1913.
Duhet ditur që një ndër shkaqet për fillimin e Luftës së Parë Botërore, ka qenë fuqizimi antievropian, nga ana e vetë evropianëvet, i dy shtetevet sllavë të Ballkanit, gjegjësisht Gadishullit të Ilirikut, Sërbisë dhe Malit të Zi në kurriz të shqiptarëvet. Të mos ia kish dhënë Evropa Sërbisë sanxhakun e Nishit, sanxhakun e Pazarit të Ri, Prokupjen, Toplicën, Kurshumlinë e më në fund krejt Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, a do të kish guxuar Sëbia ta vrasë Ferdinandin në Sarajevë?!. Të mos ia kish lejuar Evropa, Palabardhin, Piprin, Podgoricën e Kuçin, dhe të mos ia kish falur Tivarin, Ulqinin, gjysmën e Malësisë së Mbishkodrës, Plavën dhe Gusinë, Malit të Zi, a do të kish guxuar Mali i Zi t’i shpallte luftë Austro-Hungarisë në vitin 1914?!
Gjithkush e di që Lufta e Parë Botërore do të fillonte disi, por a do të fillonte kështu, që t’i lërë shteg edhe luftës së Dytë?! Sepse sajimi i një Mbretërie Jugosllave SHS, s’ka dyshim që krijoi premisa edhe për fillimin e një tjetër lufte botërore pikërisht këtu në Evropë.
Hapja e Frontit të Selanikut, mund të kish rëndësi për fitoren e Antantës ndaj fuqivet të Lidhjes Tripalëshe, por fitorja e Antantës nuk duhej t’u linte, Mbretërisë së Greqisë dhe Mbretërisë së Jugosllavisë, dy të tretat e Shqipërisë! Shqipëria nuk pat luftuar kundër Antantës! Përse të ndëshkoheshin shqiptarët në atë mënyrë, kur ata nuk kishin luftuar kundër Antantës?!
Më 30 janar 1923 nëshkruhet, nën kujdesin e fuqivet evropiane, në Lozanë, „Konventa në lidhje me shkëmbimin e popullatavet greke dhe turke“. Konventë e mirëfilltë kriminale, që shkel, jo të drejtat e individëvet, por të drejtat e popujvet! Mbështetur pikërisht në këtë lloj konvente kriminale, shpërngulen për në Turqi, vetëm nga trevat çame të Shqipërisë së Jugut, 35 mijë shqiptarë. Le të kujtojmë këtu, ironikisht, madje sarkastikisht, që „arkitekti“ i asaj konvente shteghapëse për ta diskriminuar Kombin Shqiptar, ka qenë norvegjezi Frindjof Nasen, pasuar, tetëdhjetë vjet më vonë, prej finlandezit Ahtisari, me të njëjtin lloj „arkitekture“, sipërfaqësisht „shqiptarpërkrahëse“, por në të vërtetë, thikë pas shpine Kombit Shqiptar!
Në Luftën e Dytë Botërore, një pjesë e shqiptarëvet vërtet iu bashkuan forcavet të nazifashizmit, por ME TË DREJTË, sepse Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste i patën KORRIGJUAR deri diku krimet që kish bërë ndaj shqiptarëvet krejt Evropa Perendimore, sidomos nga vitet 1878-1780 e deri në vitet 1919-1923. Qëndrimi që mbajti një pjesë e shqiptarëvet ndaj Italisë e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, mund të krahasohet me qëndrimin që po mbajnë sot shqiptarët ndaj SHBA-së, BE-së dhe NATO-s, sepse SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja, ashtu si Italia e Gjermania atëherë, i KORRIGJUAN deri diku krimet që paraardhësit e tyre kishin bërë ndaj shqiptarëvet, duke e njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Kaq është kjo punë!
Por, në Luftën e Dytë Botërore, një pjesë e madhe e shqiptarëvet luftuan kundër fashizmit e nazizmit dhe në krah të forcavet aleate.: Bashkimit Sovjetik, Anglisë e SHBA-së. Në Luftën e Dytë Botërore Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare, e udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare, u radhit pa rezerva në krah të Aleatëvet dhe dha kontribut shumë të rëndësishëm në fitoren e Aleatëvet në hapësirat shqiptare e edhe më gjërë.
Nuk mund të mos vihet në dukje këtu që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, pranë Shtabit të Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare nuk kish përfaqësi të Bashkimit Sovjetik, por vetëm të Anglisë dhe të SHBA-së. Përfaqësia jugosllave ka qenë këtu vetëm përfaqësi partiake, sepse shteti jugosllav atëherë as që ekzistonte. Veç kësaj, duhet theksuar që Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha ishin përfaqësues të asaj partie komuniste, me të cilën anglezët dhe amerikanët patën vendosur miqësi shumë ngushtë, miqësi që e vazhduan dhe e trashën edhe një gjysmë shekulli më vonë. Kështu që historikisht nuk është aspak e vërtetë që Enver Hoxha qe lidhur me armiq të shqiptarëvet dhe me armiq të anglezëvet dhe amerikanëvet. Nëse thuhet që Enver Hoxha, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë lidhur me armiq të shqiptarëvet, atëherë aty në radhë të parë duhen futur angloamerikanët dhe pastaj, natyrisht, edhe komunistët jugosllavë, të përkrahur gjithanësisht pikërisht prej angloamerikanëvet.
Por unë nuk them ashtu. Unë them që, edhe lidhjet e Enver Hoxhës me komunistët jugosllavë, lidhje që u shtynë me zor deri në vitin 1948, edhe lidhjet me aleatët angloamerikanë, që gjithashtu u shtynë me zor, për faj të tyre e jo për faj të Enver Hoxhës, kanë pasur qëllime PATRIOTIKË e njëkohësisht TEJET LARGPAMËS. Them TEJET LARGPAMËS, sepse, po të mos kish ekzistuar fare Enver Hoxha si i tillë, ç’do të bëhej në fund të Luftës së Dytë me atë copë Shqipëri, që Perendimi mezi e kish pranuar si shtet?!
Pra, Perendimi, Anglia dhe SHBA-ja, i kishin të gjitha mundësitë që t’i ndihmonin shqiptarët për t’u çliruar, qoftë nga nazifashizmi, qoftë nga ripushtimi prej sllavëvet dhe prej grekëvet, pikërisht sepse këtu në Shqipëri kishin një aleat të fuqishëm: Enver Hoxhën.
Anglia dhe SHBA-ja kishin mundësi, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos në fund të asaj lufte, t’i KORRIGJONIN krimet që Perendimi kish bërë ndaj Kombit Shqiptar: Krimin në Krizën Lindore, krimin në vitin 1913, krimin në vitin 1915 (mbetur në tentativë) dhe krimin në vitiet 1919-1923 e në vazhdim, duke mos njohur madje, as kokë e këmbë properendimorin, Theofan Stilian Noli!
Kur në krye kemi një mysliman, Ismail Qemalin, ata na e helmojnë, kur në krye kemi një ortodoks, ata e quajnë “peshkopi i kuq” dhe nuk na e njohin, kur në krye kemi një mbret proevropian, dhëndër katolikësh, ata na pushtojnë me ushtri të madhe, kur në krye kemi një komunist, ata zgjedhin shtetin e një tjetër komunisti, për të na shantazhuar dhe izoluar dyzet vjet me radhë, e tash, mbasi e kemi rrokonisur komunistin Enver Hoxhë nëpër kalldrëmet e Sheshit “Skëndebe”, nuk na pranojnë në BE, sepse qenkemi “komb mysaliman” dhe se “nuk po ditkemi” të luftojmë korrupsionin, të cilin vetë ata na e futën permes të gjithë rubinetavet!
Në atë kohë, përfaqësuesit shtetërorë e ushtarakë të Anglisë e SHBA-së, duhej të kishin ndërhyrë ENERGJIKISHT dhe me format plotësisht të arsyetuara, si ndaj udhëheqjes komuniste jugosllave, ashtu edhe ndaj udhëheqjes nacionaliste greke, që pjesët e Shqipërisë t’i liheshin Shqipërisë.
Por aleatët perendimorë, Anglia dhe SHBA-ja, jo vetëm që nuk ndërhynë, por nuk e patën as në cep të mendjes për t’i KORRIGJUAR krimet që paraardhësit e tyre i kishin bërë duke e copëtuar Shqipërinë. Ruzvelti dhe Çërçlli nuk bënë as aq sa kishin bërë Musolini e Hitleri, le më ta kishin KORRIGJUAR përfundimisht padrejtësinë që i ishte bërë këtij kombi ndër shekuj. E nuk është se nuk mundën ta bëjnë. Ata nuk deshën ta shohin Kombin Shqiptar të lirë e sovran!
Çfarë duhet të mendojnë sot ANALISTËT e ngjarjevet historike? A duhet të mendojnë që Enver Hoxha nuk do të pranonte për të qenë udhëheqës i të gjithë shqiptarëvet?! Enveri e kish krijuar batalionin „Çamëria“. Enveri i kish çuar divizionet e ushtrisë së vet në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë dhe në të gjithë viset shqiptarë, prej Ulqinit e deri në Strugë. Konferenca e Bujanit ishte shprehur për të ju bashkuar të gjithë viset shqiptarë nën ish-mbretërinë jugosllave, shtetit shqiptar. Mungonte vetëm ndërhyrja e anglo-amerikanëvet, që të krijohej një shtet shqiptar nën qeverisjen e Enver Hoxhës. As nën Mit’at Frashërin, as nën Ahmet Zogun, as nën një Prekë Cal, as nën Kryezi dhe as nën Muharrem Bajraktar, por pikërisht nën qeverisjen e Enver Hoxhës, sepse vetëm ai ishte treguar i aftë për ta bashkuar Kombin Shqiptar dhe vetëm ushtria e udhëhequr prej tij ishte aleate EFIKASE e të gjitha forcavet antifashiste dhe antinaziste. Pse nuk e kryen këtë KORRIGJIM të historisë angloamerikanët?! A sepse Enveri ishte komunist?! Jo! Komunist ishte edhe Titoja, komunist ishte edhe Stalini, me të cilin Ruzvelti e Çrçilli kishin nëshkruar gjithato marrëveshje. Angloamerikanët nuk e kryen KORRIGJIMIN historik, jo se nuk e donin Enverin, por sepse nuk e donin Kombin Shqiptar! Nuk e donin Kombin Shqiptar, sepse nuk ia dinin vlerat! Ishin SHKURTPAMËS!
Edhe mbas Luftës së Dytë Botërore Perendimi ka vazhduar të njëjtën politikë antishqiptare në të gjithë aspektet. Në vend që, ta zëmë, të krijonin një shtet shqiptar, demokratik ose monarkik, nga Preveza deri në Ulqin, për ta rrethuar shtetin komunist shqiptar nga të gjitha anët, me një shtet të dytë shqiptar apo edhe me dy shtete, një nga Preveza në Follorinë e një nga Shën Naumi në Bunë, perendimorët investuan para të madhe për spiunazh e për diversion në Republikën Popullore të Shqipërisë.
Në po ata vite, po ata perendimorë, një SHBA tashmë shumë e fuqishme, e përkrahur prej një Evrope Perendimore tashmë më të konsoliduar, ditën të krijojnë një Kore Demokratike përballë një Koreje Komuniste dhe të investojnë miliarda për ta forcuar Korenë e Jugut. Ditën të krijojnë një Vietnam të Jugut, për t’ia kundërvënë Vietnamit të Veriut, duke çuar në vdekje mijëra shtetas amerikanë, por nuk u shkoi mendja fare të krijonin këtu në cep të Evropës një shtet shqiptar të fuqishëm, qoftë edhe kundër shtetit ekzistues komunist.
Shqiptarët ortodoksë po greqizoheshin KRIMINALISHT në pjesët jugore të Shqipërisë, të cilën Perendimi ia kish falur Grekut që në fillim të shekullit XX. Shqiptarët e të tria feve po DISKRIMINOHESHIN SISTEMATIKISHT në të quajturën Jugosllavi Socialiste, pra komuniste, shqiptarëvet myslimanë, emigrantë në Turqi, nuk po u jepej asnjë e drejtë nacionale, ndërkaq, Bota Perendimore, inicuese me bujë e Kartës së të Drejtavet të Njeriut, e kish më të ngutshme të digjte mullarët e Enver Hoxhës, se sa të ngrinte zërin për të drejtat e atyre shqiptarëve që, për faj të vetë perendimorëve, kishin mbetur jashtë kufijvet të shtetit shqiptar. Nuk ka as edhe një rezolutë të SHBA-së apo të Evropës, që të mbronte të drejtat e shqiptarëvet nën Jugosllavi. E pra, shpërnguljet dhe burgosjet e shqiptarëvet, komunistët jugosllavë, nuk po i bënin ilegalisht, por sheshit, në sytë e ambasadorëvet: amerikanë, anglezë, francezë, italianë, gjermanë e spanjollë. Si nuk u ngrit njëherë zëri për të mbrojtur mijëra të burgosur shqiptarë nëpër burgjet e Jugosllavisë Komuniste?! As për të kërkuar të drejtat e arvanitasvet dhe shqiptarëvet në shtetin grek, Perendimi nuk tha asnjë fjalë për më se gjysmë shekulli! As për të kërkuar të drejtat e diasporës shqiptare në Turqi, perendimorët nuk thanë asnjë fjalë!
Erdhën, më në fund, vitet 1990. Prapë Perendimi as që kish ndërmend të thoshte e të bënte diçka në favor të shqiptarëvet.
Në vend që ta thoshte një fjalë në favor të shqiptarëvet që po persekutoheshin nëpër Jugosllavi, Perendimi, me sa duket, e quajti më të levërdishme ta asgjësonte dhe ta rrafshonte EKONOMINË që me aq mund ish krijuar në RPSSH për dyzet vjet me radhë. Perendimi i quante “terroristë” shqiptarët që luftonin për liri në Kosovë e gjetkë, ndërsa në Republikën e Shqipërisë “kujdesej” që të mos mbetej më këmbë asnjë fabrikë, asnjë uzinë, asnjë ekonomi bujqësore, asnjë minierë dhe asnjë hekurudhë. Kjo ishte “ndihma” që Perendimi u dha shqiptarëvet në këtë periudhë. Jo sepse këta shqiptarë ishin “komunistë”, por sepse ishin SHQIPTARË!
Duke trumbetuar urrejtjen patologjike ndaj komunizmit e ndaj Enver Hoxhës, Perendimi i tërhoqi me qindra mijë shqiptarë nga Atdheu i tyre dhe i shpërndau nëpër botë, me të vetmin qëllim që ne të mos mund ta merrnim veten kurrë më.
Duke trumbetuar urrejtjen ndaj komunizmit e ndaj Enver Hoxhës, gjë që s’e kishin bërë ndaj asnjë udhëheqësi tjetër komunist, madje as ndaj Stalinit, Perendimi riinstaloi në Republikën e Shqipërisë institucionet e religjionevet, duke shpenzuar miliarda, jo në ringritjen, por në ndërtimin nga e para të qindra objekteve të kultit. E asgjësoi me arrogancë Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe, në krahun tjetër, krijoi terren për lloj-lloj rrymash islamike, aq sa tash detyrohen, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, t’i burgosin e t’i anatemojnë BIJTË E VET, të mashtruar dhe të çorientuar keqas. Kush i çorientoi kështu djemtë tanë kaq të hijshëm dhe kaq trima?! Ca me mjekërr te ISIS-i, ca te Ungjilli, ca te Kur’ani, ca te trafikimi, ca te droga e kanabisi!? Kush ua mori mendjen kështu vajzavet tona kaq të bukura?! Mish të bardhë për horra të jargavitur qytetendotës, fshatrandotës dhe planetndotës!?
E thashë pak parë: Dikur Perendimi s’na njihte si komb, sepse ishim “myslimanë”, pastaj nuk na donte, na kish halë në sy, sepse gjoja u bëmë “komunistë”, tash prapë nuk na do në BE, sepse qenkemi “myslimanë”, në një kohë kur në Francë ka më shumë shtetas myslimanë se sa në Shqipëri e po kështu edhe në Gjermani e SHBA. Absurdet antishqiptarë nuk kanë të mbaruar!!
Që LDK-ja të gëzonte sado pak përkrahje nga Perendimi, duhej pa tjetër Ibrahim Rugova t’i falej papës në Vatikan, ndoshta edhe të pagëzohej, por pa e shkëputur varësinë prej Sllobodan Millosheviqit! Dhe ky s’mund të quhet ndryshe, veçse QULL PERENDIMOR që këtu në Shqipëri nuk e hanë as qentë!
Përfundimisht, kur Perendimi e pa se nuk mund të bënte asgjë me qullin e Ibrahim Rugovës, iu drejtua një UÇK-je, por prapë pa hequr dorë asnjëherë nga ANTISHQIPTARIZMI! Se kush dreqi sundon sot në atë Perendim, nuk e di! A Greku sundon?! Nikolla Gejxhi?! A sundon Sërbi?! Jabllanoviqi e Jeremiqi?! A Rusi, apo të gjithë së bashku?!
Çfarë ishte Rambujeja në krahasim me Dejtonin?! Ishte thjeshtë një manovër dinake për të realizuar hyrjen e NATO-s në Shqipëri. Në kuptimin e mirëfilltë të emrit Shqipëri, por duke ia lënë Mitrovicën Veriore dhe Preshevën sërish Sërbisë!. Pasi hyri NATO-ja NË SHQIPËRI, nga Shijaku deri në Merdare, dhe u prit në Prizren me brohori si çlirimtare, pa i dhënë UÇK-së as edhe një lloj merite, erdhën njëri pas tjetrit aktet ANTIÇLIRIMTARË, përkundrazi, ROBËRUES të krejt Kombit Shqiptar në krejt Ballkanin, Ilirikun e dikurshëm. Erdhi Marrëveshja e Kumanovës, pa pjesëmarrjen e shqiptarëvet, erdhi ÇARMATIMI TOTAL i shqiptarëvet, natyrisht pa dëshirën e shqiptarëvet, erdhi Pakoja e Ahtisarit, një minë me sahat në këto hapësira, erdhi Marrëveshja e Ohrit, pa pjesëmarrjen e atyre që bënë luftën, u la Mitrovica në duart e sërbëvet IMIGRANTË, jo vendës, gjithsesi jo pa një qëllim djallëzor antishqiptar, dhe të gjitha këto i bënë pikërisht politikëbërësit perendimorë, miopë, dinakë, frikacakë dhe burokratë, në dëm të vetë PERENDIMIT! Kush dreqi sundon në atë Perendim?! Sigurisht, jo ata që i duan progresin dhe jetën normale në Perendim! Ata perendimorë që ia duan të mirën Perendimit, janë lënë në margjina, në periferi, pa kurrfarë fuqie drejtimi!
U prunë në tri qeveritë, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në të paemrën “IRJM”, pra, në krejt Shqipërinë, njerëz kameleonë, që “dinë” të bëjnë çdo lloj politike, përveç politikës kombëtare shqiptare! U PRUNË! Nuk u ZGJODHËN!
Në këto rrethana dhe me këtë mentalitet ANTISHQIPTAR të politikanëvet ANTIPERENDIMORË të Perendimit, është e qartë që, të kafshuarit e Atdheut të shqiptarëvet as që mund të marrë fund ndonjëherë, po nuk e ndryshoi Perendimi RRËNJËSISHT qëndrimin e vet ndaj faktorit shqiptar. (Sigurisht, jo ky Perendim, por një Perendim tjetër, në duart e forcavet POZITIVE!)
Krijimi i të quajturit “ASOCIACION I KOMUNAVET SËRBE”, mes për mes Republikës së Kosovës, s’është tjetër, veçse vazhdim i TË KAFSHUARIT të Atdheut të shqiptarëvet! Legjenda e “DEMARKACIONIT” midis Republikës së Malit të Zi (30% tokë shqiptare) dhe Republikës së Kosovës, (republikë e DESHQIPTARIZUAR me një himn anonim dhe me një flamur të verdhë), s’është tjetër veçse TRADITË MAKABRE e KAFSHIMIT të Kombit Shqiptar dhe të Tokës Shiptare, herë këtu e herë aty, gjithnjë, jo vetëm në dëm të Kombit tonë, por në dëm të krejt Evropës! Çfarë fiton Mali i Zi me tetë mijë hektarë tokë tjetër shqiptare, përveç ringjalljes së armiqësivet midis shqiptarëvet dhe malazezëvet?!
Dhe së fundi: A ka shfaqje më QESHARAKE se sa kur një “diplomat” del e u thotë shqiptarëvet: “Pa miratuar demarkacionin me Malin e Zi, s’keni liberalizim vizash”?!
Nuk po flas tash për zotin Xho Bajden, i cili, në muajt e fundit të qëndrimit të tij në krye të SHBA-së, la ndër shqiptarët një përshtypje hipokrizie dhe dyfytyrësie.
Tani s’ka mbetur tjetër, veçse të hapim SHKOLLA SPECIALE për kryetarët e shtetevet të Evropës Perendimore e të SHBA-së, për t’u mësuar atyre, cilët janë interesat AFATGJATË, në radhë të parë TË VETË POPUJVET DHE VENDEVET TË TYRE e pastaj EDHE TË POPUJVET TË TJERË.
Gjokë Dabaj – Durrës, 11-30 gusht 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura