GJOKË DABAJ: NË BISEDIMET ME SËRBINË ËSHTË HARRUAR KËRKESA NR.1 (DHE PËR KËTË FAJIN NUK E KA SËRBIA)

(Durrës, 18. 10. 2012) – Çështjen e bisedimevet të Rep. së Kosovës me Rep. e Sërbisë diplomacia ndërkombëtare po e trajton si një çështje të rëndësishme. Po e trajton Europa. (Zonja K.Eshton e ka pikë të dobët.) Po e trajton OKB-ja (Më tërhoqi vëmendjen qëndrimi i Azerbajxhanit, i cili, me një insistim më këmbëngulës se sa vetë Rusia, shprehu kundërshtimin për të njohur Rep. e Kosovës. Qëndrim, të cilin as Rep. e Shqipërisë si duket s’e ka vënë re. S’e ka vënë re, sepse, përndryshe, nuk do të zhvillonte me të një miqësi kaq të madhe. Miqësi kaq të madhe, sa tratativat për një gazsjellës po duken më të rëndësishme se pavarësia e Rep. së Kosovës.) E dëgjuam edhe z. J.Krasniqi. Ai foli përgjithësisht mirë lidhur me bisedimet, por prapë çështjen kryesore, problemin kryesor, atë që gjithkush duhej ta quante kërkesë nr.1, as ai nuk e përmendi. Madje, me sa di unë, këtë problem nr.1 në të gjithë bisedimet me Sërbinë, nuk e kanë ngritur as mediat tona të mençura.
Sërbia duhet t’i paguajë Rep. së Kosovës, madje edhe Ish-Rep. Jug. të Maqedonisë, pjesës shqiptare, REPARACIONET E PUSHTIMEVET.
Fjala REPARACION nëpër fjalorë shpjegohet kështu: Dëmshpërblim në të holla ose mallra që detyrohet t’u paguajë shteti i mundur vendevet fitues për dëmet që ka sjellë lufta. Leksikografi sërb Millan Vujaklija, e ka zbërthyer këtë fjalë edhe më shkoqur e më qartë: REPARACIJA (nl.reparatio) opravka, popravka, popravljanje; pravno uspostvljanje, obnova; naknada, pllaqanje shtete; naknada shtete priçinjene ratom, ratna otshteta. Në shqip do të thuhej kështu: REPARACION (neolatinisht, reparation) riparim, ndreqje, të ndrequr; të korrigjuar, rivendosje juridike, rimëkëmbje, ripërtëritje; dëmshpërblim, pagesë e demit; të paguar dëmesh shkaktuar nga lufta, dëmshpërblim lufte.

LEXONI: KRIMET E PANDËSHKUARA NË KOSOVË!
Kliko ketu: http://pashtriku.beepworld.de/krimet_kosove_9899.htm
=======================

Dikush mund të bezdiset duke lexuar të këtilla nuanca përkthimesh, por Kombi Shqiptar bezdiset edhe më shumë duke numëruar kockat e atyre që i janë vrarë prej sulmevet të Sërbisë mbi tokat e tija.
Cilido delegacion shqiptar që shkon e ulet përballë një delegacioni sërb, të parën kërkesë duhet të ketë: Sërbia t’u paguajë shqiptarëvet dëmet e luftëravet të saja pushtuese. Duke thënë këtë, delegacioni duhet të vërë mbi tavolinën e bisedimevet materialin nja 20 a 30-vëllimësh mbi të gjithë dëmet që Sërbia u ka shkaktuar shqiptarëvet:
1. Në luftën e vitevet 1877-1878.
2. Në 2 Luftërat Ballkanike.
3. Në Luftën e Parë Botërore, edhe kur është tërhequr nëpër Shqipëri para ushtrisë austrohungareze, edhe kur ushtria sërbe ka vepruar në tokat tona mbas hapjes së të quajturit Fronti i Selanikut.
4. Gjatë periudhës midis 2 Luftëravet Botërore.
5. Në Luftën e Dytë Botërore.
6. Në periudhën mbas Luftës së Dytë Botërore, deri në vdekjen e Titos.
7. Nga vdekja e Titos e deri në vitin 1999.
8. Gjatë bombardimevet të NATO-s.
9. Nga Deklarata e Kumanovës e këndej.
20 a 30 vëllimet, me nga mbi 500 faqe, do të ishin vetëm paraqitje panoramike e krimevet dhe e dëmevet që Sërbia u ka shkaktuar shqiptarëvet. Për t’i përshkruar ata krime dhe ata dëme ekonomikë, do të duhen 200 apo 300 vëllime dhe këtë detyrë e ka pala shqiptare e bisedimevet. Po e themi këtë, sepse ndoshta dikush prêt që pasqyrën e krimevet dhe dëmevet që sërbia u ka bërë shqiptarëvet, ta paraqesë z.T.Nikoliq.
Është e ditur që, një e këtillë kërkesë, kërkesa që Sërbia, para se të bisedojë për çdo gjë tjetër me ne, të detyrohet për të paguar reparacionet, do të hasë në 100 pengesa juridike. Por delegacionet prandaj edhe krijohen: Për të kapërcyer justifikimet e palës tjetër dhe pengesat juridike. Mund të thuhet që Sërbia, në ato kohë, ka sulmuar Turqinë e jo Shqipërinë. Ka sulmuar Turqinë, por ka zaptuar tokat e Shqipërisë dhe ka vrarë e masakruar shqiptarë. Ka plaçkitur me mijëra kokë bagëti të shqiptarëvet. Ka rrëmbyer me qindra mijë ton drithëra. Ka grabitur me dhjetëra ton flori e argjend, jo të turqvet, por të shqiptarëvet. Mund të thuhet që ka çliruar tokat e veta. Në vend të fjalës PUSHTUAR, gjithandej përdoret fjala ÇLIRUAR. Mund të thuhet që janë nënshkruar një varg marrëveshjesh, filluar prej Traktatit të Shë Stefanit e deri te Deklarata e Kumanovës. Por dihet që Traktati i Shën Stefanit është anuluar, është bërë nul, e ashtu mund të bëhet nul edhe Deklarata apo Marrëveshja e Kumanovës. Mund të rishikohet Kongresi I Berlinit, mund të rihapet një Konferencë Londre,për të çuar në vend padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëvet. Mund të thuhet kështu e mund të thuhet ashtu. Mund ta dredhin sërbët nga të katër anët, por e vërteta historike mbetet po ajo: Sërbia ka sulmuar tokat e Shqipërisë, ka vrarë shqiptarë, i ka stërmasakruar me mijëra, ka plaçkitur Shqipërinë, e ka rrjepur ekonomikisht, dhe, për të gjitha këto, nëse hyn në bisedime, duhet të përgjigjet. Duhet të përgjigjet dhe duhet të paguajë. Delegacioni shqiptar nuk ka asnjë arsye legjitime, as mandate legjitim, për të kaluar në çfarëdo pike të dytë apo të tretë, pa e zgjidhur këtë të parën.
Zonja K.Eshton mund të mendojë ndryshe, Europa mund të mendojë ndryshe, SHBA-ja mund të mendojë ndryshe, Azerbajxhani mund të mendojë ndryshe, por shqiptarëvet nuk u lejohet as të mendojnë, as të veprojnë ndryshe, sepse në çdo hap i ndjek e do t’i ndjekë mallkimi i të pavarrosurvet. Jo veç mallkimi i të pavarrosurvet, por edhe varfëria e të mbeturvet gjallë, të cilët, për shkak se Sërbia e ka thither e tejthithur ekonominë tonë, siç thith ujku gjakun e berrit, po detyrohen sot të bredhin nëpër botë. Të gjithë mund të mendojnë ndryshe, shqiptarëvet nuk u lejohet as të mendojnë, as të veprojnë në dëm të vetëvetes. Rast tjetër për të biseduar me sërbët nuk do të ketë, përveç, kur të jetë ndezur një luftë tjetër dhe kur të na kenë dëbuar përsëri prej tokës sonë. Çka po mendoni?! A s’mund të ndodhin prapë ato që s’kanë pushuar së përsërituri këtu e 200 vjet!?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura