GJOKË DABAJ: NJË VETING E PAT BËRË EDHE ENVER HOXHA

Durrës, 6 tetor 2018: (Botohet me rastin e 16 Tetorit, ditëlindjes së Enver Hoxhës, udhëheqës i madh i krejt Kombit Shqiptar )- Këto ditë po dëgjohet e përsëritur shumë herë fjala SHPRONËSIM dhe mua, krejt pavullnetshëm, po më shkon mendja te SHPRONËSIMET që i pat bërë Enver Hoxha në kohën e vet. Po thuhet: Ata shqiptarë që janë pasuruar me rrugë kriminale, do të shpronësohen dhe madje edhe arrestohen dhe dënohen simbas krimevet që kanë kryer. Dhe mua prapë po më vete mendja te dënimet që u kanë dhënë gjykatat e atëhershme atyre që në atë kohë quheshin kriminelë.
I shfletova 2-3 veprat e Enverit, kryesisht ato që flasin për ngjarje të vitevet 1945-1950, dhe nxora që andej një listë të dënuarish, të cilën po e shoh të nevojshme ta risjell në kujtesë të lexuesit. Disa prej tyre janë pushkatuar, disa janë dënuar me burgim, disa internuar dhe disave u është ndaluar kthimi në Atdhe dhe kanë vdekur syrgjyn.
Abaz Kupi, Abdyl Kokoshi, Agathokli Xhitomi, Ahmet Zogolli, Aleks Çeçoja, Ali Bej Këlcyra, Ali Zeneli, Androkli Xhitomi, Aqif Blloshmi, Aqif Përmeti, Bahri Omari, Bedri Spahiu, Bektash Bej Cakrani, Bektash Çorrushi, Besim Balishova, Beso Gega, Bilal Kola, Cen Elezi, Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dule Alarupi, Fazlli Frashëri, Fejzi Alizoti, Fiqiri Dineja, Gjergj Kokoshi, Gjon Marka Gjoni, Halil Alija, Hamit Matjani, Hetem Bej Frashëri, Hivzi Kokalari, Hysni Lepenica, Ibrahim Biçaku, Isa Manastirliu, Isa Toska, Ismail Golemi, Jahja Çaçi, Kadri Cakrani, Koçi Xoxeja, Kolë Bibë Miraka, Kolë Tromara, Kostandin Kotteja, Lef Nosi, Liri Gega, Llukë Bibi, Maliq Bej Bushati, Mark Gjon Marku, Mehdi Frashëri, Mestan Ujkani, Milto Litoja, Mirash Ivanaj, Mit’hat Frashëri, Muharrem Bajraktari, Mustafa Kruja, Pandi Kristoja, Pashk Biba, Patër Anton Harapi, Pertef Karagjozi, Petraq Katroja, Prenk Cali, Qazim Koculi, Qazim Selfoja, Qemal Vrioni, Qenan Dibra, Qerim Dibra, Rasim Babametoja, Reuf Fratari, Sami Kokalari, Safet Butka, Sami Qeribashi, Sejfulla Malëshova, Selim Kaloshi, Skënder Muçoja, Suat Asllani, Syrja Selfoja, Shefqet Beja, Shefqet Vërlaci, Sheh Ibrahim Karbunara, Sherif Karagjozi, Tefik Cfiri, Tuk Jakova, Vasil Shahini, Veip Runa, Xhafer Deva, Xhafer Bali, Xhelal Staravecka, Xhemal Aranitasi, Xhevat Kallajxhiu, Xhevat Starova, Xhevdet Selfoja, Zai Fundoja.
Mbas vitevet 1990, vetë këtyre (të shpallur fajtorë apo kriminelë dhe të dënuar si të tillë), ose familjevet të këtyre, u janë kthyer pronat dhe u janë dhënë dëmshpërblime në të holla.
Vetëkuptohet, edhe shumë të tjerëvet si këta (sepse këtu nuk janë shënuar as përafërsisht të gjithë emrat), u janë kthyer pronat, janë dëmshpërblyer me të holla dhe vazhdon ripronësimi dhe dëmshpërblimi, i tyre dhe i familjevet të tyre.

Për të nxjerrë një konkluzion të saktë lidhur me këto ngjarje, është e nevojshme të bëhen studime të thelluar dhe analiza të gjithanshme. Veproi mirë apo nuk veproi mirë Enver Hoxha?! A ish Enveri kriminel e fajtor, apo ishin kriminelë e fajtorë, jo ndaj Enverit, por ndaj Atdheut të vet, ata që u dënuan prej regjimit të Enverit?! A u duheshin kthyer pronat ish të shpronësuarvet dhe sidomos a duheshin ripronësuar të gjitha kategoritë e ish-pronarëvet, për shembull, kategoria e feudalëvet të mëdhenj, të cilët i kishin krijuar feudet e vet në kohën e Perandorisë Osmane?! A duheshin dëmshpërblyer me para ish të burgosurit dhe ish të internuarit?! Mbi ç’parime juridikë po mbështeteshin këta rikthime pronash dhe këta dëmshpërblime?!
Edhe pa këto që thashë këtu lart, DY SHKELJE janë plotësisht të qarta.
E para: Është dashur të rigjykoheshin, prej një gjykate speciale, të gjithë ish të dënuarit dhe të merreshin vendime të qartë, juridikisht të argumentuar, për secilin veç e veç: A KA QENË APO NUK KA QENË FAJTOR?!
E dyta: Nëse i duhej dhënë dëmshpërblimi një ish të dënuari, duke qenë se ka rezultuar i pafajshëm, atë dëmshpërblim duhej ta jepte AI QË E KA DËNUAR PADREJTËSISHT ATË NJERI. Jo populli! Ai dëmshpërblim nuk duhej t’i ngarkohej mbi kurriz popullit shqiptar!
Se si do ta rregullonte këtë punë e supozuara gjykata speciale, do t’ish detyrë e saja. Por, që dëmshpërblimi të jepej nga buxheti i shtetit, i cili tashmë nuk ish një buxhet komunist, kjo ishte dhe është një padrejtësi e madhe. T’ia pakësosh të ardhurat një qytetari apo një fshatari dhe ta detyrosh atë të marrë arratinë, sepse u dashka dëmshpërblyer një numër ish të dënuarish, këtë nuk mund ta miratojë asnjë logjikë normale njerëzore. T’ua pakësosh, arsimit dhe mjekësisë, investimet dhe t’u japësh para familjevet të ish të burgosurvet e ish të internuarvet, sepse ata i paska dënuar dikush, qoftë edhe padrejtësisht, kjo nuk mund të pranohet prej asnjë mendjeje të shëndoshë. T’i pakësosh të ardhurat familjes së një dëshmori, i cili ka dhënë jetën për lirinë e këtij vendi, dhe t’i japësh para pa kurrfarë rigjykimi me norma juridike, një ish të dënuari, kjo vërtet nuk mund të justifikohet. Ligje me përfshirje kategoriale dhe fajësim kategorial ka nxjerrë vetëm Hamurabi.
Me qëllim për t’i përforcuar mendimet që dhashë, unë do të sjell më poshtë edhe emrat e një numri dëshmorësh. Dhe të shohim pastaj sa keq kanë bërë pushtetarët në Republikën e Shqipërisë, që i kanë rivënë përballë, madje edhe përzier, këto dy kategori shqiptarësh!
Të dyja palët nuk janë më. Të dy këta grupe njerëzish janë vrarë tragjikisht këtu e 70 vjet më parë. Por pasardhësit e të dy këtyre grupeve do të duhej të mbanin QËNDRIM TË PËRBASHKËT OBJEKTIV edhe ndaj njërit, edhe ndaj tjetrit grup.
Mirëpo, çfarë po ndodh në të vërtetë?! Po ndodh që pasardhësit e grupit të parë po u thonë pasardhësvet të grupit të dytë: “I keni vrarë kot paraardhësit tanë, prandaj duhet, jo vetëm të na kërkoni ndjesë, por edhe të na paguani paratë për gjakun që na e keni derdhur pa të drejtë.” Pasardhësit e grupit të dytë, grupit të dëshmorëvet, ose po heshtin, ose praktikisht po e pohojnë që vërtet ashtu paska qenë dhe po pranojnë që ky shtet i sotmi t’ua heqë koromanen nga goja, për të paguar “fajin”, madje “krimin” e gjyshërvet të tyre dëshmorë.
Është një kompleks që s’është vështirë të kuptohet, por është tepër vështirë që ta pranojë logjika njerëzore. Në fund të fundit, ata, të cilëvet regjimi i Enver Hoxhës ua ka vrarë paraardhësit, nuk mund të ngarkohen me faj pse po i pranojnë paratë që po u jep ky shteti i sotëm. Por, si është e mundur që pasardhësit e atyre që u vranë në luftë për çlirimin e këtij vendi dhe pasardhësit e atyre që punuan gjysmë shekulli për ta ndërtuar këtë vend, të pranojnë tani që çdo gjë paska qenë gabim?! Paska qenë gabim që regjimi i Enver Hoxhës i pat dënuar me vdekje, me burgime apo me internime njerëzit që e kundërshtonin çlirimin dhe ndërtimin e vendit?! Paska qenë gabim që diktatura e Enver Hoxhës punoi për ta rimëkëmbur dhe për ta fuqizuar ekonominë e këtij vendi dhe prandaj: “Hajdeni ta shkatërrojmë bashkë këtë ekonomi dhe hajdeni t’ju japim edhe paratë për gjakderdhjen dhe për telashet që ju ka shkaktuar Enver Hoxha i ynë!”
Kjo është fytyra e shëmtuar e restaurimit! Kjo është fytyra e shëmtuar e kthimit në pikën zero dhe fajin këtu nuk e kanë pasardhësit e ish tradhtarëvet të këtij vendi, por pasardhësit e ish dëshmorëvet dhe të ish heronjvet të këtij vendi dhe PASARDHËSIT E ISH-KOMUNISTËVET, të cilët, me këtë rast, DESHËN DHE PO DUAN TË PASUROHEN. Pasardhës TË DEGRADUAR, prej kohësh jokomunistë. A u ka dhënë Gjermania ish-hitlerianëvet dëmshpërblime?! A u ka dhënë Italia ish-fashistëvet dëshpërblime?!
Para se të kaloj në trajtimin e një tjetër absurdi të kohës sonë, absurd që po gëlltitet në mënyrën më naive të mundshme, po ndalem pak në literaturën që Enver Hoxha ua ka lënë brezavet pasardhës dhe që brezi i sotëm, i çoroditur, as që po dëshiron të dijë, ekziston apo nuk ekzison kjo literaturë më se 60-vëllimëshe.
Në veprën nr.3, f.20, Enver Hoxha shkruan: “Armiku grumbulloi rreth vetes… gjithë të poshtrit e vendit tonë, i organizoi, i armatosi dhe i lëshoi në luftën vëllavrasëse.“
A dinë gjimnazistët dhe studentët e sotëm shqiptarë që Enver Hoxha ka thënë e shkruar kështu? Dhe, a e dinë këta se në çfarë sikleti ndodhej Enver Hoxha kur e pohonte një të vërtetë kaq të helmët?!
Po në faqet 20 e 21 të veprës nr.3, Enver Hoxha ka thënë: „Përballuam dy fronte të tmerrshëm: frontin e armikut dhe atë të tradhtisë…, populli shqiptar rezistoi me një energji të çuditshme.“
Rezistoi atëherë. Po sot?! „Po sot, Shqypni, pa m‘thuej si je!/ Porsi njaj lisi i rrxuem përdhe!“ Ka thënë dikur një Pashko Vasë Shkodrani.
Në kohën e Enverit Shqipëria nuk ishte e rrxueme përdhe. Shqipëria është sot e rrxueme përdhe, sepse vetë trashëguesit e atyre që e çliruan dhe e ndërtuan, u katandisën si mos më keq: U shndërruan: ose në të pamençur e të paaftë, ose në tradhtarë më të ulët se ata që dikur dënoheshin me vdekje prej gjyqevet të Enverit.
Në atë kohë, Enveri thoshte dhe shkruante: „Shihni si bien në dorën e drejtësisë kuislingët njëri pas tjetrit. Dje ishte radha e Patër Anton Harapit dhe e Lef Nosit, u shfaros krejt banda e Abaz Kupit me Bilal Kolën e Macukullës në krye, kurse nesër do të jetë radha, pa tjetër, e disa banditëve si Gjon Markaj që kanë shtypur popullin trim të Veriut dhe që tani s’gjejnë vend ku të futen… E vetmja shpresë e këtyre banditëve është bajoneta e huaj. (Vep.3, f.79)
Nuk besoj të ketë guximin dikush e të më thotë, pse po e citoj Enver Hoxhën, në një kohë kur në Shkodër veprojnë 3-4 grupe kriminelësh të quajtur të strukturuar, kur në rrethinat e Vlorës një njeri vret 8 kushërinj mes të cilëvet 2 fëmijë dhe kur, për të nxjerrë në gjyq një katërshe morracakësh, qeveria detyrohet „ta blindojë“ gjykatën me dhjetëra policë dhe prapë nuk ia mban t’i sjellë aty të akuzuarit.
„Kurrë në Shqipëri, -thotë Enver Hoxha, – gjyqet s’kanë gjykuar me aq drejtësi, sa gjyqet e popullit, të krijuar në bazë të këtyre ligjeve.“ (Vep.3, f.97)
„Ndjekjet nga ana e forcavet tona s’u lënë asnjë mundësi krerëvet bajraktarë si Muharrem Bajraktarit, Fiqiri Dines, Gjon Markut etj. të organizohen dhe të armatosen.“ (Vep.3, f.137)
„Shpejt do të dalin në gjyq tri nga fytyrat më të poshtra të tradhtisë së madhe që iu bë popullit shqiptar gjatë gjithë historisë së tij: Patër Anton Harapi, Lef Nosi dhe kryeministri kuisling Maliq Bej Bushati.“ (Vep.3, f.225)
„U erdhi dita të lajnë hesapet.“ (Vep.3, f.227)
„Në vendin tonë kriminelët e luftës japin llogari përpara popullit dhe nuk rrojnë nëpër hotelet luksozë.“ (Vep.3, f.228)
„Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Llukë Bibi etj.“ (Vep.3, f.232)
„Qëllimi i këtyre elementëve (të arrestuar në qytete të ndryshëm të RPSH-së në janar 1946, Gj.D.) ishte të rrëzonin pushtetin e popullit dhe të sillnin në fuqi regjimet e vjetër shtypës dhe antipopullorë.“ (Vep.3, f.233)
„Ish-oficerë të Zogut, pseudointelektualë dhe pseudodemokratë, feudalë dhe qehallarë bejlerësh, të gjithë njerëz të radhës së Xhelal Staraveckës e të Ali Këlcyrës me shokë. Veprimtaria e tyre do të fillonte duke bërë atentate kundër udhëheqësvet të shtetit.“ (Vep.3, 233)
„Kur iu vu zjarri kullavet të Marka Gjonit, malësori… mori frymë dhe tani e shikon të ardhmen e tij me besim.“ (Vep.3, f.353) (Është viti 1946. Shtatëdhjetë vjet më vonë, punët kanë ndryshuar për keq. Malësori, shpesh herë po merr frymë nëpër qelitë burgjevet. Gj.D.)
„Për Mehdi Benë, Mit’hat Benë ose Ali Benë, pak punë prishte nëse jeta e popullit ishte në rrëzik; për këta bejlerë rrëziku ishte populli.“ (Vep.3, f.456-457)
„Mos më shkelni në tokat e mia, bërtiste tradhtari Bazi i Canes, agjent i armikut okupator dhe këlysh i Ahmet Zogollit, po partizanët heroikë i përlanë, atë dhe mercenarët e tij, brenda tri orëve.“ (Vep.3, f.523)
„Po kështu bërtisnin, nga prehri i gjermanëvet, tradhtarët Gjon Marka Gjoni, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dineja e të tjerë. Por brigadat e ushtrisë sonë të lavdishme… i përshkuan si rrufeja këta male, duke ndjekur këmba-këmbës gjermanët dhe bajraktarët tradhtarë e armiq të popullit.“ (Vep.3, f.523)
„Mori fund përgjithmonë pushteti barbar i Gjon Marka Gjonit dhe i priftërinjvet që e ndihmonin, mori fund përgjithmonë sundimi dhe terrori i Muharrem Bajraktarit, i Fiqiri Dines, i Pashk Bibës, i Maliq Bushatit, i Prenk Calit e të tjerë banditëve.“ (Vep.3, f.524)
Ishte, pra, një LUFTË. Por tani, mbas 70 apo 80 vjetësh, njerëzit tanë duhet të ndalen dhe të bëjnë analiza serioze. Ç’solli në shtetin që quhej Republika Popullore e Shqipërisë përmbysja, largimi nga pushteti i asaj kategorie njerëzish që Enver Hoxha i quante banditë, dhe ç’solli rikthimi në pushtet në Republikën e Shqipërisë i po asaj klategorie njerëzish mbas vitit 1990? Të bëhen analiza sociale, të bëhen analiza ekonomike, të bëhen analiza politike dhe të nxiren konkluzione, në mënyrë që Kombi Shqiptar të mund të gjejë rrugë të sigurta për të sjellë në këtë vend një mirëqenie të qëndrueshme. S’është aspak fjala për të risjellë socializmin e Enver Hoxhës. Ai socializëm perendoi për të mos u kthyer më. Por është fjala për të gjetur rrugë sa më racionale, në mënyrë që ky popull të dalë më në fund nga kolapsi ku ka rënë.
„Mercenarët e Jugut, vegla të verbra të Lumo Skëndos dhe të Ali Këlcyrës, që me armë vritnin, prinin dhe grabitnin popullin për të mbrojtur dhe për të ndihmuar veprën e armikut okupator, ishin njëmijë herë më shumë fajtorë se mercenarët e kriminelëvet tradhtarë, Halil Alisë dhe Mark Gjon Markut.“ (Vep.3, f.525-526)
„Xhafë Bali (ishte) komandant i bandavet të armatosura të Ballit Kombëtar që vepronin në qarkun e Elbasanit.“ (Vep.4, f.21) A nuk ka edhe sot në Elbasan disa banda të armatosura?! Në vitn 2018! Ç’është kjo hata e madhe, që na u rikthye terrori?!
„Italianët dhe Balli Kombëtar organizuan Operacionin e Qershorit kundër Mallakastrës. Rreth 2000 italianë të armatosur gjer në dhëmbë, 500 e ca milicë të Maliq Bushatit dhe banda balliste e kriminelit Isa Toska, shpërthyen një operacion më 28 qershot kundër Mallakastrës.“ (Vep.4, f.178)
„Pas këtij operacioni, italianët dhe Balli Kombëtar organizuan një operacion tjetër. 26000 italianë dhe 2000 ballistë të Isa Toskës u grumbulluan në Qafën e Rabies e në Berat, në Fier e në Selenicë.“ (Vep.4, f.178)
A janë të vërteta këto të dhëna? Nëse këto të dhëna janë të vërteta, ballistët e sotëm do të duhej të mbanin një qndrim normal, objektiv, dhe të thoshin: Kanë bërë mirë apo keq paraardhësit e tyre?!
„Okupatorët e rinj, gjermanët, bashkë me ballistët e Bektash Cakranit, Reuf Fratarit, Isa Manastirliut dhe Hamit Matjanit, shpërthyen një operacion në shkallë të gjërë mbi Mallakastrën.“ (Vep.4, f.179)
Por pak më poshtë Enveri thotë:
„S’ka më në Mallakastër Bektash Cakran, Bektash Çorrush, Xhemal Aranitas, Qazim Selfo, ose bejlerë e agallarë të tjerë si këta.“ (Vep.4, f.180)
Meqë jemi te Mallakastra, do të doja të them diçka edhe për Mehmet Shehun.
Në lidhje me bashkëpunimin midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, historiografia duhet të mbajë një qëndrim të qartë. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të dy së bashku, kanë bërë një luftë të madhe për çlirimin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për çlirimin e pjesëvet të tjera të Shqipërisë. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të dy së bashku secili në profilin e vet, kanë bërë një punë të madhe për rindërimin e Republikës së Shqipërisë, të shkatërruar, jo vetëm nga lufta, por edhe nga një e kaluar e rëndë pesëqindvjeçare, dhe për hedhjen e themelevet të një ekonomie e të një kulture që Kombi ynë s’e kish parë qysh prej Humanizmit dhe Renesansës së madhe Evropiane.
Me mënyrën se si e mbyllën jetën këta dy udhëheqës të mëdhenj të Kombit tonë, historiografia sigurisht që do të merret, por ajo nuk është thelbësore. Thelbësor është bashkëpunimi i tyre i suksesshëm dyzetvjeçar. Se çfarë kontradiktash ka pasur Napoleon Bonaparti dhe sa francezë janë vrarë nën flamurin e tij, sigurisht që është për t’u ditur, por themeli është dhe mb etet ajo çfarë solli Napoleon Bonaparti në historinë e kombit francez. Kështu do të trajtohen edhe Enver Hoxha e Mehmet Shehu në historiografinë shqiptare.
Tani vazhdojmë me citimet:
„Qazim Koculi… tok me Halil Alinë, Selim Kaloshin dhe me kolonel Klementin (italian, Gj.D.) në krye, u vërsulën… për të shuar luftën e Vlorës.“ (Vep.4, f.190)
A janë të vërteta këto të dhëna? Nëse po, ç’thonë tekstet e historisë dhe ç’qëndrim mbajnë legalistët e sotëm?
„Spiunët e fashizmit italo-gjerman, Qazim Koculi, Hysni Lepenica e Skënder Muçoja u vranë nga dora e vetë atyre, në shërbimin e të cilëvet ata kishin shitur edhe shpirtin.“ (Vep.4, f.190)
„U gjykuan në Tiranë Abdyl Kokoshi, Sheh Karbunara dhe të tjerë tradhtarë.“ (Vep.4, f.199)
„Çfarë do të presë populli nga familja e Kokoshit, e Koculit, e Risilisë, e Sharrës, e Peshkëpisë? Asgjë tjetër, përveçse një varg tradhtarësh, të cilët njeri pas tjetrit zbulohen dhe marrin dënimin e merituar.“ (Vep.4, f.199)
E MIRA do të ishte që pinjojtë e sotëm të këtyre familjeve të dëshmonin të kundërtën e asaj që ka thënë Enver Hoxha. Jo me fjalë, por me vepra, në të mirë të Kombit e të Atdheut. Dhe E MIRA do të ishte që, për asnjë person apo familje, ne shqiptarët e sotëm, të mos mund të flisnim siç pat folur atëherë Enver Hoxha për Kokoshët, Koculët, Risilitë, Sharrët e Peshkëpitë. Por, ku t’i gjesh këto TË MIRA në Kombin tonë, në ditët e sotme?!
“Ali Këlcyra, Zenel Gjoleka etj. hodhën parulla nacionaliste mashtruese duke thënë se gjoja këtyre u dhimbsej populli, kurse neve, djemve (të popullit) (nuk na dhimbsej populli).” (Vep.4, f.219)
“Këta pseudopatriotë, këta pseudointelektualë, këta bejlerë, që dje gjoja hiqeshin kundër Zogut, …këta s’ishin veçse njerëz të Italisë dhe të Gjermanisë, të shitur kokë e këmbë te ata. Të tillë kanë qenë Ali Këlcyra, Bahri Omari, Rasim Babametoja.” (Vep.4, f.232)
“Agallarët e Gjirokastrës dhe ideologët e tyre: Ali Këlcyrët, Bahri Omarët, Rasim Babametot, Beso Gegët, Vasil Shahinët, Aleks Çeçot, …u përpoqën …të futnin grindjen e vjetër, myslimanë e të krishterë, shqiptarë e minoritarë.” (Vep.4, f.238)
“Ç’i lidhte Sherif Karagjozët dhe serselinët e tyre, Hasanajt, djemtë e Sami Kokalarit, Litajt, Çeçët, djemtë e Xhevdet Selfos, Xhevat Kallajxhiun etj. me popullin e (krahinës së Gjirokastrës)? Asgjë. Këta çifligarë dhe spekulatorë rronin vetëm për veten e tyre.” (Vep.4, f.239)
“Shefqet Bejën me shokë ne i quajmë banditë fashistë dhe i dënojmë pa mëshirë.” (Vep.4, f.259)
“Pushteti popullor i kapi këta njerëz nga zverku, i çoi në gjyq dhe u dha denim të pamëshirshëm. Të tillë qenë Agatokli Xhitomi e të tjerë.” (Vep.4, f.271)
“Ju keni parë dhe dëgjuar gjyqin që u zhvillua në Tiranë kundër disa tradhtarëve e të shiturve te i huaji.” (Vep.4, f.281)
“Ju keni parë në gjyqin e popullit se si tradhtarët i deklaruan të gjithë qëllimet e tyre të errët. Një nga ata ishte edhe Sheh Ibrahim Karbunara.” (Vep.4, f.292)
“Ne e dinim që populli shqiptar, që kish vuajtur shekuj me radhë, do të haste në rrugën e tij edhe armiq të brendshëm. Këta armiq ishin bejlerët e pashallarët, si Shefqet Vërlaci, Ibrahim Biçoku e të tjerë, të cilët u lidhën me okupatorin kokë e këmbë për të shpëtuar pasurinë e tyre… Ju e dini mirë çfarë metodash, çfarë mënyrash të poshtra përdornin tradhtarët. Ata përdornin parulla gjoja nacionaliste. Ata bënë sikur dolën në mal për të luftuar… (Populli ynë) i shpartalloi forcat e Ballit e të Legalitetit, forcat e Shefqet Vërlacit e të Xhafë Balit.” (Vep.4, f.296)
Dora në zemër, ballistët dhe legalistët e sotëm kanë fare pak peshë në zhvatjen e popullit në krahasim me zhvatësit e rinj njëmijë herë më të babëzitur dhe më të poshtër.
“Si mund të quhen patriotë një Kolë Tromarë ose një Faslli Frashër, që u bënë veglat më të poshtra të Italisë dhe të Gjermanisë për të shtypur popullin shqiptar? Jo. Këta janë tradhtarë.” (Vep.4, f.342-343)
Si mund të quhet patriote një qeveri që ia lejon Telekomin Sërbisë?!
“Nga informatat që kemi, qeveria jugosllave po grumbullon krerët e reaksionit shqiptar që janë në arrati, si Cen Elezi, Fiqiri Dineja, Muharrem Bajraktari etj.” (Vep.6, f.114. 28 prill 1949)
Pra, a nuk duhet t’i lexojnë këta rreshta shqiptarët e sotëm dhe të ruhen, të ruhen shumë, nga mielli jashtë standardit i Sëbisë dhe nga shumë “dhurata” të tjera që na vijnë prej andej në emër të një Evrope, realisht shumë më problemore për ne se një Jugosllavi titiste e dikurshme?!
Tani, shih e shkruaj. Ata që i pat dënuar regjimi i Enver Hoxhës ishin të shumtë. Shumica e tyre, në mos të gjithë, qenë dënuar e ndëshkuar me vendime gjykatash. Vetëkuptohet që ato gjykata gjykonin ashtu siç ua sugjeronte sistemi, në bazë të kodevet penalë të atij sistemi dhe nga juristë që e kishin detyrë ta mbronin atë sistem shoqëror të cilit i takonin.
Në kohën e sotme ka shumë njerëz që thonë se sistemi shtetëror që udhëhiqej nga Enver Hoxha, ka qenë një sistem kriminal. Unë nuk them ashtu, megjithatë, analizat duhet të jenë shkencërisht të vërtetueshme.
Nëse njerëzit që i dënonte regjimi i Enver Hoxhës ishin njerëz të mirë dhe të pafajshëm, ku gjendeshin njerëzit e këqinj dhe kriminelët? A mund të thuhet që, në periudhën nga 1941-shi, kur u krijua Partia Komuniste Shqiptare dhe u vu në krye të luftës për çlirimin e vendit të vet, deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha, në Republikën e Shqipërisë (RPSH, RPSSH), nuk ka pasur njerëz të këqinj dhe kriminelë, që duhej t’i dënonte shteti i atëhershëm? A është e mundur të pohohet kështu, duke thënë që në atë kohë ishin të gjithë shqiptarët gra të mira dhe burra të mire dhe Enver Hoxha i ka dënuar kot ata njerëz, prandaj dhe duhet të dëmshpërblehen? Ose edhe ndryshe: Ata ishin njerëz të mirë, ishin patriotë të devotshëm dhe pikërisht se ishin të tillë dhe se e kundërshtonin regjimin në fuqi, i dënonte regjimi i Enverit me pushkatim ose me burgje e internime.
Mirëpo, duke u nisur nga maksima e pakundërshtueshme që askund në botë nuk ka popull pa shkelës të normavet të moralit, pa njerëz të këqinj dhe pa kriminelë, mbetet për t’i gjetur ata njerëz midis atyre shqiptarëve që e pëlqenin dhe e mbronin regjimin e Enver Hoxhës. Mbetet që të quhen kriminelë apo të mashtruar prej një klike kriminelësh ata që shkonin mbas Enver Hoxhës dhe që vepronin simbas udhëzimevet të tij.
Kategoria e parë e “kriminelëvet” do të ishin ata që u vranë në luftë për lirinë ose që luftuan për lirinë kombëtare dhe shoqërore. Janë disa mijëra dhe mund t’i marrim që të gjithë një nga një dhe secilit prej tyre t’ia bëjmë gjyqin special.
Në 2-3 veprat e Enver Hoxhës unë hasa nja 125 emra, prej atyre që ai regjim i ka cilësuar si dëshmorë ose heronj të popullit:
Abaz Shehu, Adem Krasniqi, Adem Sheme, Ago Topalli, Ajet Xhindole, Ali Demi, Ali Këlmendi, Alqi Kondi, Arshi Lengo, Asim Zeneli, Beqir Selimi, Bexhet Visoçica, Bule Naipi, Çome Mandi, Demir Xheloja, Demir Progri, Demo Fejzoja, Dervish Aliu, Dervish Osmën Hekali, Faik Panço, Fejzo Dervishi (Baba Fejzoja), Floreshë Myteveliu, Fuat Babani, Gani Nexhipi, Gani Nivica, Haskë Hoçishti, Haxhi Dobrenji, Hysen Çino, Hajredin Beqiri, Ismail Abazi, Isuf Omari, Janaq Kilica, Jani Robo, Jonuz Çuçi, Jorgo Plaku, Jorgji Dilo, Kajo Karafili, Kapo Baco, Kastriot Muço, Kiço Greço, Koci Bako, Kolë Myzeqari, Koli Gusho, Kozma Naska, Kristaq Capo, Kristaq Ilo, Kristaq Ttulani, Laze Nuro, Lef Sallata, Lefter Talo, Male Cangonji, Margaritë Tutulani, Memo Meto, Midhi Kostani, Mihal Duri, Milo Gjoka, Misto Mame, Mitat Dautaj, Mitat Gjoliku, Mitraq Sallata, Mitro Xhani, Muhamet Bakiri, Muhamet Rexhepi, Muharrem Çollaku, Mumin Kollarati, Musa Braho, Musa Ramo, Mustafa Matohiti, Mustafa Xhani (Baba Faja), Myzafer Asqeriu, Nazif Korleni, Nevruz Poloska, Ormën Elmaz Murra (dëshmor vetë i katërti), Pandeli Boçari, Pano Xhamballo, Peço Llukani, Perlat Rexhapi, Pertef Kokona, Petro Lakrori, Ptoleme Xhuvani, Qani Nuredini, Qemal Stafa, Qirjako Dhroso, Rahmi Stopani, Ramiz Aranitasi, Rapo Hasimi, Raqi Qirinxhi, Raqi Themeli, Reshit Çollaku, Sadik Stavileci, Seit Abazi, Selfo Abedini, Skënder Libohova, Sofo Meksi, Sotir Gurra, Sotir Rrëmbesi, Spiro Gjiknuri, Stavri Themeli, Shaban Suli, Shefit Feti Goxhaj, Shyqyri Alimerko, Tajar Guranjaku, Taqi Treni, Teli Ndini, Temo Vasi, Todo Grapshi, Tomor Sinani, Thanas Ziko, Theodor Mastora, Thoma Kalefi, Thoma Lula, Vasil Shanto, Vojo Kushi, Xhafer Lubonja, Xhevit Bektash Pashaj, Xhemzi Saraçi, Xhoxhi Martini, Zaho Koka, Zenel Baboçi, Zonja Çurre.
A mund të konsiderohen njerëz të këqinj, armiq të popullit apo kriminelë këta bij e bija të këtij populli?! Sigurisht që jo! Këta nuk mund të cilësohen si të tillë.
Pjesa tjetër e këtij populli ishin fshatarë dhe qytetarë, prej të cilëvet një pjesë nëpunës, drejtues shteti, ushtarakë. Por dihet që asnjë pjesëtar i atij shteti NUK VINTE PASURI. Kjo është shumë e rëndësishme të vihet në dukje. As në shtim dhe as në rrëmbim pasurie, kriminaliteti nuk kish terren të krijohej e aq më pak të zinte rrënjë apo të bëhej dukuri shoqërore. Pra, fshatarët, qytetarët dhe nëpunësit e atij shteti nuk mund të cilësohen si kriminelë. Madje as si keqbërës.
Nëpunësi mund të kish ndonjë ambicje karriere ose maninë e rehatisë, maninë e marrjes së rrogës me sa më pak punë, por e gjithë kjo, në rrethanat e atij pushteti, nuk mund të arrinte deri në përmasat e kriminalitetit makabër. Individët që arrinin, dënoheshin. Ushtarakët, oficerët e ushtrisë së rregullt s’kish pse bënin krime. Individët që devijonin natyrisht që dënoheshin. As policët s’kishin pse bënin krime. Përjashtim mund të bënin policët e burgjevet. Por edhe kriminaliteti i tyre, në rastet kur i shkelnin rregullat, mund të shkonte deri te një trajtim i palejueshëm fizik i të arrestuarit apo i të dënuarit. Më tutje nuk mund të shkonte, sepse dënohej vetë polici apo hetuesi. Po kështu edhe gjykatësi mund të ndodhte që të jepte një gjykim të gabuar, por kjo ndodhte rrallë, pasi ligjet e mbronin edhe të pandehurin. Ish rregull që letrat e të burgosurvet i lexonte një për një vetë Enver Hoxha dhe ndaj çdo keqtrajtuesi merreshin masa disiplinore deri në largim nga ajo punë.
Atëherë, kush bënte krime të përmasavet të dënueshme në kohën e Enver Hoxhës, përveç atyre që gjyqet enveristë i dënonin? Fshatarët kooperativistë apo punëtorët e fabrikavet dhe ata të ndërtimevet? Apo në atë kohë s’kish fare kriminelë?!
Tjetër gjë është të jetë dikush potencialisht i prirur për krime. Por një i tillë njeri, pa bërë krime, nuk mund të quhet kriminel.
Përfundimisht, as në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, as në kohën e Mbasluftës, të quajtur Periudha Socialiste, kategori të mirëfillta kriminelësh nuk mund të vërtetohen askund, përveç asaj kategorie që ligjet e asaj kohe i kanë dënuar. Shprehja “krimet e komunizmit” është një slogan ANTISHKENCOR. Është thjesht importim ose shfryrje dufi e pasardhësvet të atyre që e kanë pësuar nga ajo kohë. Është reagim i viktimavet të atij VETINGU që Enver Hoxha e pat kryer kundër keqbërësvet të asaj kohe, por edhe shfrytëzim rasti nga ata që nuk dëshirojnë t’u rrijë mbi kokë kurrfarë ruajtësi të ligjevet. I vetmi „krim i komunizmit“ ishte që ai i dënonte kriminelët.
Kështu nxjerrim konkluzionin që Enver Hoxha, në kohën e vet, e ka kryer VETINGUN SHQIPTAR më së miri dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Vetëm mbas rënies dhe degradimit të së quajturës Diktaturë e Proletariatit, në Republikën e Shqipërisë u krijuan kushte për një zhvillim të përbindshëm të kriminalitetit. Në këtë kohë, pra në kohën mbas vdekjes së Enver Hoxhës, kriminaliteti në vendin tonë erdh e u shndërrua në epidemi dhe shkaku është BABËZIA PËR T’U PASURUAR.
NËPUNËSIT, jo një e dy, por krejt kasta e nëpunësvet, ajo pjesë që kish e ka në dorë të zhvatë para në rrugë joligjore dhe të pamoralshme, u shndërrua në një kastë të papërballueshme kriminelësh të pazhurmë, siç janë pa zhurmë pickimet e gjarpërinjvet. Po marr një shembull. Që një të papuni t’i gjejnë punë, këta, pra nëpunësit shtetërorë, i kërkojnë ryshfet 2000 deri në 5000 euro, sipas kategorisë së vendit të punës. A s’është ky një krim i shëmtuar i ngritur në sistem?! I bërë ligj me anë “ligjesh” të pashkruar! T’i kërkosh një të papuni para, pra, një njeriu që s’ka para as për të blerë bukë për fëmijët, është krim nga më të përbindëshmit në radhë të parë ndaj atyre fëmijëve. Krejt kasta e nëpunësvet, në këtë kohë, mbasi degjeneroi dhe pushoi së vepruari diktatura e kohës së Enverit, i shfrytëzoi të gjitha mundësitë që i dha sistemi “i ri” (në të vërtetë, i vjetri) i “demokracisë” (në të vërtetë i të kundërtës së demokracisë) për të zhvatur para e për të vënë pasuri.
JURISTËT u shndërruan sakaq në shkelësit më të paskrupullt të drejtësisë. Krimineli që paguan (dhe kuptohet që kriminelët gjithmonë kanë para), dënohet pak ose aspak. Fajtori që nuk ka para, një shkelës ligji që i ka zënë rrota bishtin kushedi se si, dergjet në hetuasi me muaj e vite dhe në fund vetëm ai dënohet “sipas ligjit”. Në gjykatat tona përditë luhen komedi kriminelësh: një ditë mungon gjykatësi, një ditë mungon anëtari i gjykatës, një ditë tjetër mungon prokurori dhe në seancën e radhës mungon avokati. Mbushen gjykatoret dhe magazinat e hetuesivet me dosje, të mbushura me letra që as dreqi s’i lexon, se “njerëzit e drejtësisë” nuk dinë të shkruajnë as emrin e vet.
MËSUESIT, një pjesë e tyre, janë shndërruar në spekulantë me profesionin që duhet të konsiderohet i shenjtë. Kush mund të besojë se u hapën dhjetëra shkolla private dhe universitete privatë, për t’u bërë mirë nxënësve dhe studentëve?! Nxënësvet dhe studentëvet u bëhet mirë vetëmm atëherë kur ata paguajnë sa më pak para dhe marrin sa më shumë dituri. Si mund të quhet mësues një mashkull që abuzon me vajza adoleshente?! Me nxënëset e veta! Ai s’është mashkull! Ai është thjeshtë një amebë! Si mund të quhet mësuese një femër vetullashkulur që Ditën e Mësuesit e mat me sasinë e dhuratavet, sende me vlerë, që ia sjellin nxënësit?! Kam qenë një çerek shekulli mësues. Nuk kam pranuar kurrë asnjë dhuratë tjetër, përveç përvetësimit sa më cilësor të mësimevet. Ajo ish dhurata më e madhe që mund të më jepnin nxënësi e mi! Dhe dhuratat më me vlerë të krejt jetës sime, janë kur shoh se ish-nxënësit e mi janë bërë diçka në jetë.
MJEKËT u bënë tregtarë sëmundjesh dhe tregtarë medikamentesh. U bënë përfitues nga fatkeqësitë shëndetësore të njerëzvet dhe, në realitet, jo vetëm mosshërues ose zvarritës në mjekimin e pacientëvet, por edhe shkatërrues të ekonomisë familjare të pacientëvet me anë të ryshfetevet. Në spitalet privatë njeriu duhet ta blejë jetën aq sa nuk i del levërdia të jetojë! Në farmaci blen njeriu me para kokrra që s’bëjnë asnjë efekt ose që e sëmurin njeriun edhe më shumë. Mjafton të përmendim një të dhënë të fundit që thotë se mbi 90% e ilaçevet rezultojnë të skaduar dhe nuk asgjësohen (sepse asgjësimi i tyre paska kosto të lartë), por vazhdojnë të përdoren me rrugë spekulative!
Në këtë pseudodemokraci, të riimportuar nga bota kapitaliste, kush mbeti pa u shndërruar në zhvatës?! Mos mbetën policët rrugorë?! Mos mbetën tatimmbledhësit?! Mos mbetën inspektorët e financavet?! Mos mbetën punonjësit e kadastravet?! Mos mbetën supervizorët, inxhinierët mbikqyrës të punimevet ndërtimorë?! Apo ata që kanë detyrë të mos lejojnë ndotjen e ambientit?!
Mbasi u prishën dhe u shkatërruan kombinatet, uzinat, fabrikat dhe mbasi iu dhanë të huajvet me koncesione të gjithë resurset e ekonomisë shqiptare dhe mbasi u asgjësua që nga themelet e gjithë bujqësia, një pjesë e djemvet tanë dhe një pjesë e vajzavet tona, mijëra e jo pak, duke mos qenë të vetëdijshëm ç’vjen prapa, bënë edhe gabime, iu vunë rrugëvet të ndryshme të “ekonomizimit” pa shumë mund dhe vunë një dorë para. Tani, ç’kërkon ky farë VETINGU I VONUAR? T’i shpronësojë edhe këta?!
Nuk janë KRIME TË KOMUNIZMIT, të atij komunizmi i cili dështoi me turp në fund të shekullit njëzet, por janë KRIME TË KAPITALIZMIT, i cili, mbas dështimit të komunizmit, po ia bën qejfin vetes duke menduar se është ky i vetmi sistem që i duhet njerëzimit.
Në këtë mënyrë, në Republikën e Shqipërisë u krijua një e atillë situatë ngërçi, prej së cilës po mendohet se nuk mund të dilet pa një VETING TË DYTË. SHBA-ja dhe BE-ja po ia vënë Republikës së Shqipërisë, madje edhe si kusht kryesor për t’u pranuar në BE, pikërisht kryerjen e këtij VETINGU, të cilin unë po e quaj VETING TË DYTË, sado që askujt deri tash s’i ka shkuar mendja ta quajë atë të Enver Hoxhës vetingu i parë.
Kryetarët e partivet po bërtasin e po kërcënojnë me SHPRONËSIME e BURGIME secili për hesap të vet. Basha, produkt i parlamentarizmit kapitalist, të dështuar që në kohën para Musolinit dhe Hitlerit, po bërtet përditë: Do t’i SHPRONËSOJMË të gjithë krerët e Partisë Socialiste të pasuruar prej krimit të organizuar! Në krah tjetër, krerët e Partisë Socialiste, mbeturinë e socializmit të dështuar pasenverist që po bredh tash 20 vjet rrugëvet të humbura të eurokomunizmit, s’po ia lënë pa përmendur Bashës milionat që i ka përvetësuar në të quajturën “Rrugë e Kombit”.
A vërtet e hante meraku për një Rrugë Kombi Lulëzim Bashën?! Veç kësaj, a kjo është RRUGA e Kombit tonë?! Që krerët e partivet tona të kërcënojnë njeri-tjetrin, ndërsa Sërbia po zgjat duart deri në tabulatet e bisedavet private të shqiptarëvet?! Ç’do të bëhet me fatin e organizimit patriotik të shqiptarëvet, kur Sërbia ta ketë në dorë përgjimin e secilit prej nesh?!
Është mijë për qind e sigurt që ky VETING, i dyti sipas meje, nuk do të ketë kurrfarë suksesi. Krimin nuk mund ta luftojnë ata që vetë janë përlyer e madje zhytur në krime. Por duhet thënë edhe diçka tjetër: E sikur vërtet u dënuan, u rrasën nëpër burgje e u shpronësuan këta të pasuruarit e sotëm, kush e garanton popullin shqiptar që mbas disa vjetësh nuk do t’u kujtohet aleatëvet tanë që t’i dëmshpërblejmë edhe këta që po dënojmë sot?! Plutokracia botërore, por edhe ajo e fqinjëvet tanë, nuk dëshirojnë që ne shqiptarët të zhvillojmë një kapitalizëm normal, të ashtuquajtur me fytyrë njerëzore.
I përmenda pak parë të huajt dhe desh harrova edhe një të vërtetë tepër të rëndësishme. Po zbatohet VETING për njerëzit e drejtësisë, po kërkohet VETING edhe për politikanët shqiptarë, po paralajmërohet VETING i madh, fshesë e madhe, për të gjitha fushat ku kriminelët, siç e pamë edhe më lart, kanë gjetur kushte për t’u bërë kriminelë. Por PËR FIRMAT DHE KOMPANITË E HUAJA nuk po thotë askush që duhet edhe ato t’i nënshtrohen të njëjtit VETING. Pse vallë nuk po përmenden kompanitë dhe firmat e huaja si të mundshme për t’iu nënshtruar edhe ato këtij VETINGU?! Apo, le të livadhisin ato! Le të rrjepin sa të mundin nga pasuria e këtij vendi!
Më në fund, mendimi im do të ishte ky: SHBA-ja dhe BE-ja, para se t’i hyjnë çdo VETINGU në vendin tonë, do të duhej t’i nxitnin shqiptarët që ta rehabilitojnë Enver Hoxhën për të gjitha punët e mira që ai ka bërë. Amerikanët dhe evropiano-perendimorët do të duhej t’i nxitnin shqiptarët që t’i ringrejnë përmendoret e Enver Hoxhës dhe të të gjithë bashkëluftëtarëvet dhe të bashkëpunëtorëvet të tij besnikë, sepse gjithsesi, ata do të mbeten figura të shquara në historinë e krejt Kombit Shqiptar. Enver Hoxha nuk ka qenë kurrë, as kundër Evropës Perendimore, as kundër Amerikës.
Gjokë Dabaj Tetor 2018

Total
10
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura