GJOKË DABAJ: ORTODOKSËT E BOSNJËS, SI DHE SËRBËT, DISA SHEKUJ TË PRAPAMBETUR!

Durrës, 13. 10. 2016: Në shekullin XIX, por edhe në shekullin XV, ne arbro-shqiptarët kemi qenë, në shumë pikëpamje, më të përparuar se shumica e sllavëvet që jetonin rrotull nesh. Gjithashtu edhe sot shqiptarët, në kulturën e tyre, janë me shekuj më të qytetëruar, sidomos në krahasim me sërbët dhe me ortodoksinë e Bosnjës.
Dëshmia më e mirë është në marrëdhëniet që kemi ne midis pjesëtarëvet të konfesionevet.
Në meshën që u celebrua në Katedralen e Shën Palit në Vatikan, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezes, shumica e shqiptarëvet të pranishëm ishin të përkatësisë myslimane. Asnjëri prej tyre, jo vetëm nuk shprehu as përçmim dhe as urrejtje ndaj ceremonisë kristiane apo ndaj besimtarëvet të krishterë. Madje, as mijëra shikuesit shqiptarë, të përkatësisë myslimane, nuk u dëgjua të kenë thënë: “Po këta, si pranuan të marrin pjesë në një meshë të krishterësh?!” Dhe pyetja që bëhet në këtë kontekst, është kjo: Sërbët apo ortodoksët e Bosnjës, me mentalitetin që kanë ata, a do të mund të prodhonin një Nënë Tereze, që t’u shërbente të gjithëvet njësoj, pa dallim race, kombi e feje?!
Po marr edhe dy-tre a katër shembuj të tjerë, midis mijëra shembujsh që do të mund t’i numëroja në kombin shqiptar: Themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, e ka pasur bashkëshorten të krishterë. Mbreti i shqiptarëvet, Ahmet Zogu, e kish bashkëshorten të krishterë. Në familjen e kryeministrit të sotëm të Republikës së Shqipërisë janë të përfaqësuara të tria fetë: ortodokse, katolike dhe myslimane.
Në familjen e autorit të këtij shkrimi, gjithashtu janë të përfaqësuara të tria fetë: katolike, ortodokse, myslimane. Unë jam me prejardhje katolike, ime shoqe është me prejardhje ortodokse, dy nuset e djemvet tanë janë me prejardhje myslimane dhe dhëndri ynë është me prejardhje myslimane. Të parët e të gjithë këtyre, dikur kanë qenë të krishterë e akoma më herët që të gjithë ishin politeistë.
Kjo është gjendja në një shumicë familjesh shqiptare, sidomos këtu në Republikën e Shqipërisë, për shkak edhe të edukatës pozitive që kanë marrë në kohën e Enver Hoxhës. Familjet janë konfesionalisht të përziera dhe shkojnë shumë mirë njëri me tjetrin. Aty ku ka dashuri dhe nderim reciprok, përkatësia fetare nuk ka pse të bëhet shkak i përçarjevet. Aty ku ka nivel kulture të lartë, përkatësia fetare nuk merret si një mur apo gardh ndarës midis njerëzish e aq më pak midis pjesëtarëvet të të njëjtit komb.
Ne shqiptarët, qysh prej vitit 1880, e kemi krijuar dhe përhapur maksimën tonë kombëtare “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Është përvetësuar kjo maksimë prej shumicës së kombit tonë, pa e cënuar apo përçmuar religjionin e njërit apo tjetrit komb ose person.

Kjo, gjithsesi, ende nuk do të thotë që në kombin tonë nuk ka tashmë kurrfarë pengesash.
Në Çamëri, psh, ortodoksia greke ia arriti që, në shekullin XX, të krijojë një lloj hendeku midis shqiptarëvet ortodoksë dhe shqiptarëvet myslimanë, duke i konsideruar dhe regjistruar, me metodat më diskriminuese, ortodoksët e atjeshëm sikur ata të ishin grekë dhe duke u imponuar atyre shkollimin në gjuhën greke. Por kjo ka ndodhur vetëm në sipërfaqe, ndërsa në thellësi të shpirtit, edhe të çamëvet ortodoksë e myslimanë, nuk ka dallime për shkak të religjionit.
Në anë tjetër, ekstremizmi islamik i ka mashtruar disa nga djemtë tanë dhe i ka çuar si mish për top në Irak e në Siri. Por kjo nuk përbën kurrsesi një tipar dallues të kulturës sonë kombëtare.
Ndërkohë, çfarë po shohim e po dëgjojmë lidhur me banorët ortodoksë të Bosnjës?! Ata po e quajnë veten sërbë, duke u mbështetur thjeshtë te përkatësia e tyre religjioze. Në të kundërt të elitës kulturore shqiptare, filluar prej Jeronim De Radës në gjysmën e parë të shekullit XIX, madje prej Marko Boçarit, të cilët nuk bënin kurrfarë dallimi midis shqiptarëvet të krishterë dhe myslimanë, ortodoksët e Bosnjës u bënë, në kohën tonë, vegël e verbër e politikës sërbomadhe. Kisha Pravosllave Sërbe i barazoi ata me kombin sërb, madje ia bashkëngjiti kombit sërb, duke i shtyrë deri në luftëra vëllavrasëse. Në vitet 1990 kombi boshnjak u përgjak mbi bazat e përkatësisë fetare.
Ortodoksët e Bosnjës, në të vërtetë, nuk janë sërbë, ashtu si nuk janë sërbë as ortodoksët e Malit të Zi dhe as ortodoksët e Hercegovinës. E gjithë kultura e tyre e vërteton këtë, që nga dallimet në gjuhë (gjuha e tyre i takon dialektit të ijekavishtes), deri te të dhënat e tjera etnokulturore, përfshirë edhe ato të historisë, sepse ata nuk janë të pushtuar prej Bosnjës. Do të kish qenë krejt tjetër gjë, nëse atë popull do ta kish pasë pushtuar Bosnja dikur e tash të kërkonin të çliroheshin. Mirëpo, Kisha Pravosllave Sërbe, e themeluar prej Sava Nemanjiqit më 1219-n, nuk u është ndarë atyre shekull pas shekulli, duke ngulur këmbë që t’i tjetërsojë. Në këtë mënyrë, pikërisht nën presionin e Kishës Pravosllave Sëbe, ortodoksët e Bosnjës kanë mbetur sot elementi më i prapambetur i krejt Evropës. Nuk them se nuk ka të tjerë si ata në Evropë, por them se ata, pra ortodoksët e Bosnjës, sot, krahas me sërbët, përbëjnë shembullin më regresiv të këtij kontinenti.
Në një kohë kur, sado me vështirësi, në Athinë ndërtohet një xhami, në një kohë kur brenda shtetit turk, me shumicë myslimane, jeton e vepron kryekisha ortodokse botërore, kur në mes të Londrës është ndërtuar një xhami, siç thuhet, me minaren më të lartë në botë, kur në Egjiptin mysliman jetojnë disa milionë të krishterë, në Bosnjë, ortodoksët e atij vendi, vrasin e masakrojnë, brenda një qyteti, përmbi tetë mijë bashkëkombës të vet, për të vetmen “arsye” se ata i takojnë një tjetër besimi. Ku dallohen këta banorë të Evropës prej themeluesvet të të quajturit Kalifatit Islamik në Irakun Verior?!
Kohët e fundit, në pjesën ortodokse të Bosnjës, të quajtur pa asnjë bazë Republika Sërpska, u bë një i quajtur referendum, i cili synon të sanksionojë një copëtim tragjik të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës dhe bashkimin e asaj pjese me shtetin e Sërbisë. Dolën, po thonë, 98 për qind prosërbë dhe u shpall madje sikur edhe në Srebrenicën e masakruar paska fituar pala prosërbe.
Ç’do të bëhet pas këtij referendumi?!
Nëse nuk bashkohen ortodoksët boshnjakë me shtetin sërb, si do të shkojë puna brenda shtetit të Bosnjë-Hercegovinës?!
Nëse ortodoksët e Bosnjës bashkohen me shtetin sërb, siç edhe është plani, çdo të bëhet me myslimanët e Sanxhakut, të cilët historia i ka lënë padrejtësisht brenda shtetit sërb?!
Në anë tjetër, ç’do të bëhet me ortodoksët e Hercegovinës?!
Po me algjerianët myslimanë që janë shtetas të Francës, ç’do të bëhet?!
Po me qindra mijë myslimanët që kanë lindur e po jetojnë në Gjermani, ç’do të bëhet?!
Shkurt, nëse bota fillon tani të ndahet në bazë të fevet, ku do të arrijë njerëzimi?!
Në një kohë kur pjesa e përparuar e Evropës po kërkon rrugët më të arsyeshme të mirëkuptimit midis pjesëtarëvet të religjionevet të ndryshëm, dhe shembullin më të mirë kjo Evropë po e gjen te përvoja shekullore e kombit shqiptar, ortodoksët e Bosnjës, duke iu nënshtruar kambanavet destruktive të pravosllavizmit sërb, po japin shembullin më të keq në kontinentin tonë.
Unë nuk po dua të besoj që ortodoksët e Bosnjës janë që të gjithë kaq të prapambetur sa ç’e tregojnë shifrat e referendumit. Përkundrazi, jam i bindur që, brenda asaj pjese të kombit boshnjak, pra, brenda pjesës ortodokse të atij kombi, ka një shumicë që nuk e miratojnë këtë politikë kaq tragjikisht përçarëse. Por po më habit fakti, pse nuk pati midis tyre kundërshtime të hapët, psh, në Zenicë, në Doboj, në Banja Llukë, por edhe në Sarajevë, në Pale?!
Pjesa e kthjellët e ortodoksëvet të Bosnjës gjithsesi duhej të kish reaguar kundër këtij komploti, i cili kurrsesi nuk shkon në të mirë të tyre. Nuk shkon në të mirë të tyre, sepse ata e dinë fort mirë si do të trajtoheshin prej sërbëvet, nëse do të bashkoheshin me Sërbinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura