(Durrës, 9 shkurt 2012) – Në Republikën e Shqipërisë po dënohet e stigmatizohet Kreshnik Spahiu. Në Republikën e Kosovës ka vite që po dënohet e po stigmatizohet Albin Kurti… Nëse Albin Kurti e Kreshnik Spahiu s’kanë bërë shkelje të tjera, përveç atyre që i dimë ne, dëgjuesit, shikuesit dhe lexuesit e përditshëm të mediavet, ata nuk meritojnë të ndëshkohen. Përkundrazi, ata meritojnë të respektohen, madje të dekorohen pikërisht prej atyre organeve (thënë më saktë, personave), shtetërorë që po i ndëshkojnë…
Në Shqipëri, në kuptimin tërësor të sajin, po ndodhin gjëra të çuditshme. Po dënohen njerëz që, të paktën në aparencë, për aq sa di opinioni, adhurojnë Flamurin Shqiptar. Një çudi e tillë po ndodh në të 2 shtetet, shqiptarë, jo sërbë apo grekë. Në Republikën e Shqipërisë po dënohet e stigmatizohet Kreshnik Spahiu. Në Republikën e Kosovës ka vite që po dënohet e po stigmatizohet Albin Kurti.
Unë nuk e di, dhe besoj që shumë shqiptarë nuk e dinë, çfarë mund të fshihet realisht prapa veprimtarisë legale të këtyre 2 njerëzve. Mirëpo, dora në zemër, a mund ta dijë dikush me siguri të plotë se çfarë fshihet prapa veprimtarisë legale të secilit prej nesh? A mund të dimë, ne të thjeshtët, me siguri 100%, që edhe një president a një kryeministër nuk mund të gatuajë diçka në fshehtësi kundër shqiptarëvet? Mirëpo, askush nuk ka të drejtë të lëshohet mbi kurrizin e tjetrit me hamendje ose prej ndonjë mllefi thjeshtë personalo – klanor. Nëse dikush di diçka, ai duhet ta thotë, në mënyrë që ta marrin vesh të gjithë.
Kur shohim se si po trajtohen Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu nga të 2 qeveritë tona, mendja na shkon që këta 2 njerëz duhet të kenë bërë dhe të jenë duke bërë diçka të hatashme kundër Shqipërisë. Duhet të kenë bërë diçka të hatashme dhe duhet të jenë tepër të rrezikshëm, sepse, të dalësh edhe të tundësh Flamurin e Kombit përpara shqiptarëvet, me hile, e pakta që duhej bërë me të tillë delenxhinj, është, jo të arrestohen e prapë të lirohen, por të kapen edhe të dënohen sa më rëndë të jetë e mundur. Si guxoka ai tjetri t’i mbushë sheshet me Flamuj Kuq e Zi, të marrë edhe emrin e ngjyravet të këtij Flamuri, e, në anë tjetër, t’ia ketë me të pabesë Kombit që idealet e vet i ka lidhur, të paktën prej 569 vjetësh, me këtë Flamur?!
Në krahun tjetër, nëse unë si pjesë e Kombit tim, nuk dua të jem i verbër apo i mangët mendërisht, duhet të shtroj edhe pyetjen e anasjelltë: Po sikur këta 2 shqiptarë që po anatemohen e sulmohen në këtë mënyrë nga të 2 qeveritë tona, të mos jenë të atillë tinzarë, faqezinj e vetëfundosës, siç po i paraqesin qeveritarët përkatës, ç’duhet të mendojë Kombi ynë për këta qeveritarë?!
Tash, prapë dora në zemër:
Nëse Albin Kurti e Kreshnik Spahiu s’kanë bërë shkelje të tjera, përveç atyre që i dimë ne, dëgjuesit, shikuesit dhe lexuesit e përditshëm të mediavet, ata nuk meritojnë të ndëshkohen. Përkundrazi, ata meritojnë të respektohen, madje të dekorohen pikërisht prej atyre organeve (thënë më saktë, personave), shtetërorë që po i ndëshkojnë… Nëse Hashim Thaçi është po ai që e përshkruan Rexhep Qosja në librin “Paqja e përgjakshme”, ai nuk duhej të kish shpenzuar para për forcat policore, por duhej të kish shkuar edhe vetë në Merdare krah për krah me Albin Kurtin… Në njoftimet mediatikë po thuhet që Kreshnik Spahiu ka bërë 39 vizita jashtë shtetit në orarin zyrtar. Po thuhet edhe për Jozefinë Topallin që, në udhëtimet e saj, ka shpenzuar karburant 95 milionë lekë (të vjetër?). Nëse zonja Jozefinë Topalli i ka shpenzuar 95 milionë lekë, jo të vjetër por të rinj, për ngjyrat e Flamurit, ashtu siç i ka shpenzuar Kreshnik Spahiu të 39 vizitat e tija jashtë shtetit, hallall milionat!.. E dimë që reklamat në bursën e Uoll-stritit kushtojnë shumë, por kur e pashë atje Flamurin Shqiptar, thashë me gjithë zemër: Hallall!.. Nëse Sali Berisha do të kish shpenzuar, jo aq sa shpenzoi Kreshnik Spahiu në Ulqin, por 300-fish më shumë, për të lejuar, ligjërisht e realisht, Flamurin Shqiptar edhe në qytetin e Tivarit (unë jam tivaras), do t’ua kisha lënë amanet pasardhësvet që, për 300 vjet, ta mbajnë portretin e Sali Berishës në dhomën e pritjes.
Në kohën e shtetit jugosllav, në viset shqiptarë të pushtuar prej sllavëvet, deri në vitin 1968, kush guxonte të nxirte Flamurin Shqiptar, shkonte atje ku s’e shihte më diellin me sy. Burgosej dhe shpallej armik i atij shteti. Kreshnik Spahiu dhe Albin Kurti po trajtohen thuajse njësoj, në Shqipëri, jo në Jugosllavi. Atje, në atë shtet, përndjekjet e shqiptarëvet kanë vazhduar edhe në vitet pas 1968-s, deri sa bijtë e këtij Kombi (shih veprën e Kolë Berishës “Djajtë nuk flenë”) i kanë kryer gjysmë milioni vite burg, në emër të këtij Flamuri.
Në vazhdim të të njëjtavet fobi patologjike, sërbët i kanë cilësuar terroristë luftëtarët e UÇK-së, pikërisht sepse këta luftëtarë priheshin prej këtij Flamuri. Sot, sllavët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, po kërkojnë vdekje (CMPT) për bartësit dhe adhuruesit e këtij Flamuri… Në shtetin grek, edhe në kohë të shkuara, edhe në kohën e sotme, cilido çam (ortodoks, se çamët myslimanë as që i lejojnë të shkojnë atje), që do të guxonte të ngrinte këtë Flamur, Flamurin Kuq e Zi, qoftë edhe në ballkonin e vet më 28 Nëntor, a mund ta përfytyrojmë ç’do të bëhej me të? Në shtetin grek na e vranë një djalë, vetëm sepse guxoi të mbështillet me Flamurin Kuq e Zi, ditën kur ekipi i tij kish fituar një ndeshje futbolli.
A nuk kemi të drejtë të mendojmë që edhe 2 qeveritë tona, shqiptare, jo greke, shqiptare, jo sërbe, po na i vrasin këta 2 djem në të njëjtën mënyrë?! Po na i vrasin moralisht Albinin dhe Kreshnikun, dhe, bashkë me ta, po vrasin moralisht edhe mijëra vajza e djem, të cilët po guxojnë t’u shkojnë prapa këtyre 2 djemve!
Njëra nga të dyja:
O janë këta, që po e varrosin tinëzisht Kombin e vet, duke u paraqitur sikur e duan shumë këtë Komb, o janë qeveritarët tanë aktualë që (midis tjerash), duke u sjellë në mënyrë vrastare me këta 2 djem, dhe me mijëra të tjerët, po e varrosin Kombin tonë edhe më tinëzisht.
Ç’mund të themi tjetër, në mos zënçin vend këto që thamë?!
Po themi vetëm kaq:
Për Flamurin, më poshtërofshin!
Veç ata që të më poshtërojnë, të mos jenë shqiptarë!
Për Flamurin, më arrestofshin!
Veç ata që të më arrestojnë, të mos jenë shqiptarë!
Për Flamurin, më pushkatofshin!
Veç ata që të më pushkatojnë, të mos jenë shqiptarë!
Postime të Lidhura
DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): KRIJIMI I FRONTIT GJITHËPËRFSHIRËS NË KOSOVË – DOMOSDOSHMËRI HISTORIKE (JANAR 1999)
Pashtriku, 26 Qershor 2019: Ushtritë pushtuese nuk janë aq të tmerrshme sa ekspozohen. Ato, kur ndodhen përpara ushtrive…
DR.SHAQIR SHAQIRI: ENDE PENGJE TË SERBISË!
Prishtinë, 03. 04. 2015 – Javën e shkuar Kosova, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, ishte organizatore e…
OLSJAN TOPALLI: ELBASANI, QYTETI QË ‘DERGJET’ ME HISTORINË DHE MONUMENTET E LËNA NË HARRESË!
Elbasan, 06. 02. 2015 – (Reportazh) – Është mëngjes dhe ora shënon 7 e 30. Rrezet e para…
MËMËDHEU, UҪK-JA DHE GJYKATA SPECIALE
MËMËDHEU, UҪK-JA DHE GJYKATA SPECIALE Nga Dritan Goxhaj, Tiranë 01 Janar 2023 Gjithë jetën e tij, shqiptari është…