GJOKË DABAJ: PSE GJERMANIA PO I VE KUSHTE KAQ TË RËNDË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË?!

Durrës, 26. 11. 2016: Po gjykoj si një qytetar i thjeshtë evropian. Jo se nuk mund të bëj analiza të sakta politike, por sepse më mungojnë hollësirat faktike që i duhen një analisti. Duke i vënë kushte Republikës së Shqipërisë, madje jo pak, por shtatë kushte dhe, pas dy muajsh, mund të bëhen njëmbëdhjetë, Gjermania po ndërhyn qartazi në punët e brendshme të këtij shteti sovran.
Sapo ta kemi pranuar këtë pohim si të vërtetë, lind vargu i pyetjevet:
– Kur po shkatërrohej në këtë shtet pushteti i diktaturës enveriste, ku ish Gjermania, që të kujdesej për të vendosur këtu një pushtet normal të tipit kapitalist perendimor?!
– Përse Gjermania nuk ndërhyri atëherë, që të mos shkatërroheshin industria dhe bujqësia e këtij shteti?!
Gjermania Perendimore u kujdes atëherë për industrinë dhe bujqësinë e Gjermanisë Lindore, që ajo të shndërrohej, me një kalim të butë, në industri e bujqësi kapitaliste.
– Pse s’këshilloi të njëjtën metodë edhe për industrinë e bujqësinë shqiptare, qoftë edhe duke ndërhyrë po kaq ashpër, sa ç’po ndërhyn tani?!
Gjermania e sotme po na thotë që ne nuk mund të pranohemi në BE me këtë sistem gjyqësor.
– Ku ish në vitet 1990 kjo Gjermani, që të mos e lejonte të majmurit antinjerëzor të gjyqësorit tonë?!
– Tani u kujtua Gjermania të na thotë që s’e kemi gjyqësorin në rregull dhe të vëjë kusht për të bërë revolucion, duke i rrasur në burg ndoshta tetëdhjetë për qind të këtyre juristëve?!
– Tani u kujtua Gjermania të na vëjë kusht se, pa e luftuar korrupsionin, nuk mund të pranohemi në BE?!
Gjermania Perendimore e kish mundësinë që në vitin 1990 të kontribonte për të mos u përhapur korrupsioni në vendin tonë. Gjermania ka qenë këtu kur sapo kish filluar të kultivohej droga.

– Pse nuk na ndihmoi që ta luftonim këtë dukuri që në zanafillë?!
Unë nuk mund të konkludoj ndryshe, veçse kështu: Gjermania (Meqë po flasim për Gjermaninë, përndryshe mund të thoshim të njëjtat fjalë edhe për Francën, Anglinë, Italinë, Greqinë…), pra,
– Gjermania donte që në këtë shtet të Evropës të shkatërroheshin industria e bujqësia,
– Gjermania donte që këtu të instalohej një sistem gjyqësor antihuman,
– Gjermania donte që këtu të përhapej korrupsioni,
– Gjermania donte që këtu të krijohej terren edhe për përdorimin e rrjedhimisht edhe trafikimin apo kultivimin e drogës.
– Por, cila Gjermani?!
– Gjermania e keqe! Gjermania antievropiane dhe Gjermania, në fund të fundit, edhe antigjermane!
– Po cila është arsyeja e vërtetë që shteti gjerman u kujtua tani të na vërë kushte kaq drastikë për të mos na u hapur dyert e BE-së?!
Si qytetar i thjeshtë, si një evropian i çfarëdo shkalle arsimi, por që nuk është indiferent ndaj asaj që po ndodh në kontinentin tonë, mua më shkon mendja te Aeroporti i Tiranës. Dikush nga Gjermania donte të kish monopolin e transportit ajror në Republikën e Shqipërisë. Qeveria e Ed Ramës e rishikoi kontratën me atë dikushin nga Gjermania. Të njëjtën gjë qeveria e Ed Ramës, me aq sa jam i informuar nga mediat, bëri edhe me kompani të tjera investitore gjermane në ekonominë e këtij vendi. Mirëpo, kompanitë gjermane nuk duan të fitojnë pak në Republikën e Shqipërisë. Ato duan të fitojnë shumë.
– Po kur do të mund të fitojnë shumë kompanitë gjermane në këtë vend?! Atëherë kur këtu të ketë një qeveri servile e jopatriotike.
– Mbas zgjedhjevet të qershorit 2017.
Për të mbështetur këtë konstatim, që është i hidhur dhe nuk do ta dëshironim kurrsesi, po bëj edhe disa pyetje:
– Në vend që t’i thonë Ed Ramës, rregullo gjyqësorin, përse nuk i thonë Lulzim Bashës, përkrahe Ed Ramën në ato fusha që janë vendimtare për të ju pranuar sa më parë në BE?!
– Përse nuk u thonë parlamentarët gjermanë, edhe Lulzim Bashës, edhe Ilir Metës, ndihmojeni Ed Ramën, ndihmojeni qeverinë që t’i përmbushë këta kushte, pastaj keni kohë edhe për të bërë gara politike?!
Nuk thonë kështu.
Përkundrazi, më duket sikur bundestagu gjerman mezi po pret që të rrëzohet qeveria e Ed Ramës, jo që të përmbushen të shtatë kushtet e pranimit, por që t’u bëhen koncesione kolonialistë kompanivet të Gjermanisë.
Do të mund të mendohej edhe se krahu i djathtë i politikës gjermane po frymëzohet tani prej fitores se D.Trampit në SHBA. Të djathtët e Evropës po vrapojnë tani të marrin pushtetet nëpër shtetet e vet e, rrjedhimisht, u dashka t’i humbë zgjedhjet e 2017-s edhe partia e Ed Ramës. Mund ta ketë edhe këtu synimin z.A.Merkel dhe, me këtë rast, ajo vret dy a tre zogj me një gur: e rrit elektoratin në Gjermani, fiton privilegje kolonialë në Republikën e Shqipërisë dhe kushedi çfarë tjetër.
– Por, a lejohet të shikohen kaq ngushtë problemet e sotëm të Evropës e të botës?!
– A nuk po e shohin politikanët e Evropës që Evropa, si pa u kuptuar, po vendoset në një sanduiç fuqishë bërthamore?!
Fuqitë e mëdha bërthamore, së pari SHBA-ja dhe Rusia, po krijojnë aleanca, jo për t’i shpëtuar, se shpëtimi me këtë rend shoqëror-politk nuk mund të ndodhë, por për t’i shtyrë sa të jetë e mundur përballjet e dretjtpërdejta kundër njëri-tjetrit.
– A nuk po shohin politikanët e Evropës që, duke u larguar Britania nga BE-ja, kjo BE mbetet faktikisht pa armatim bërthamor (sepse Franca as që mund të llogaritet) dhe, si e tillë, kjo BE mund të trajtohet thuajse njësoj siç u trajtuan Afrika Veriore dhe Lindja e Afërme?!
Pra, poligon “kolaudimesh” të armëvet konvencionale!!! Ndizet lufta fillimisht në Ilirik, dmth, në Ballkan, kalohen aty disa vjet përgjakjesh, provokohet e njëjta trazirë në Evropën Lindore, (aty i ke të gjithë grumbull dhe nuk është aspak vështirë t’i vësh në luftë njërin me tjetrin) dhe, më në fund, Gjermania, Franca, Spanja e Italia, për t’i shtyrë sa të jetë e mundur krizat financiare botërore dhe shkrepjet atomike mbi Njujork e mbi Moskë.
– Nëse do t’i kuptonin kështu situatat politikanët e Gjermanisë, a do t’u interesonte atyre ta shtynin pranimin e Republikës së Shqipërisë në BE?!
Unë them, përkundrazi, BE-ja, përkundër kostos së saj të përkohshme ekonomike, duhet t’i kooptojë në BE të gjithë shtetet e Ilirikut, dmth të Ballkanit, ashtu siç i kooptoi para disa vjetësh Bullgarinë, Rumaninë etj.
Evropa bëri gabim të rëndë që i ngriu negociatat me Turqinë. Prite tani kur në Turqi të ndodhin të njëjtat tragjedira si në Siri! Ku do t’i çojë BE-ja miliona refugjatët që do të vërshojnë nga Turqia e zhytur në gjak?!
Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, shqiptarët e Republikës së Kosovës dhe shqiptarët e IRJM-së, mund të vriten një pjesë, po shumica kanë për t’ia mësyrë Evropës Perendimore. Ç’do të bëjë Evropa Perendimore në një situatë të tillë?! Të vijë e të “rregullojë” gjyqësorin në Republikën e Shqipërisë?!
Përfundimisht, unë mendoj që deklaratat e fundit të politikanëvet gjermanë janë tejet shkurtpamës dhe, në thelbin e vet, ato deklarata janë në radhë të parë kundër interesavet afatgjatë të vetë Gjermanisë.
Gjokë Dabaj, Durrës – 25 nëntor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura