Durrës, 3 Maj 2020: Para dy a tri ditësh m’u botua një shkrim me titull “Nga Sërbia duhet të ruhemi” dhe aty paraqita vetëm masakrat që kishin kryer sërbët mbi një pjesë të popullit tonë në fillim të shekullit XX. Nuk shkrova ç’kanë bërë sërbët në krejt Shqipërinë. Shkrova vetëm aq sa përmendet në librin e Robert Elsiesë “Fiset shqiptarë”.
Por lexuesi nuk duhet të mendojë që Sërbia ka vrarë vetëm njerëz në vendin tonë. Sërbia ka vrarë edhe ekonominë tonë.
Sigurisht që vrasja e njerëzvet shkakton dhimbjen më të madhe, përjetësisht të pashlyeshme, dhe prandaj ai lloj krimi, krimi mbi jetët njerëzore, duhet trajtuar më vete. Ky ishte edhe qëllimi që unë, nga të dhënat që na ka prurë i ndjeri Robert Elsie në librin “Fiset shqiptarë”, i veçova viktimat-njerëz dhe mendoj që metodikisht është e nevojshme të bëhet një veçim i tillë.
* * *
Tani po i nxjerr nga të njëjtat faqe të librit të z. Robert Elsie, edhe plaçkitjet dhe shkatërrimet që Sërbia i ka bërë këtij vendi, krahas njerëzvet që na i ka vrarë.
Faqe 258. “Vetëm në Bytyç u dogjën dhe u rrafshuan me tokë 2000 shtëpi”.
Faqe 418-419. Në “Raportin zyrtar dërguar Fuqivet të Mëdha”, botuar në dhjetor të vitit 1913, janë dhënë këta detaje:
“Jo më pak të tmerrshme ishin mynxyrat që ndodhën në qarkun e Lumës, veçanërisht në Shullan, ku u bënë plaçkitje e djegie të mëdha. Në Dodaj e Kjushtan shtëpitë u plaçkitën dhe u dogjën. Në Topojan shtëpitë u bënë hi e pluhur. Në Çerem u grabit çdo gjë, u rrëmbyen mbi 350 kafshë shtëpiake. Në Bushtricë dhe në Billushë u plaçkit dhe u dogj çdo gjë, u bë një kërdi. Bagëtitë, pasi që i zunë në kullosë, u rrëmbyen. Në Çajë dhe në Matranxhë u bë një plaçkitje e përgjithshme. U rrëmbyen 600 gjedhë. Në Vasiaj, në Palush, në Gjabrec dhe në Drac, u plaçkit çdo gjë. Të gjitha pajisjet, furnizimet dhe objektet që kishin ndonjë vlerë, u vodhën. U grabitën më se 800 krerë bagëti. Në Gjinaj, në Lusnë, në Kalis dhe në Villë, përpos plaçkitjevet, u dogjën 71 shtëpi dhe u grabitën 2121 krerë bagëti. Në Ujmishtë u bë grabitja dhe djegia e 21 shtëpive. U rëmbyen edhe 480 krerë bagëti. Në Breki (ndoshta Breg, Gj. D.), në Nimç, në Lojmë dhe në Përbreg, të gjitha shtëpitë u bënë rrafsh me tokë. Skena të tjera të egërsisë dhe barbarisë ndodhën në Surroj, ku u dogjën 130 shtëpi. Të 2 fshatrat, Bardhoci dhe Novoseja, u bënë rrafsh me tokë. U rrëmbyen 1620 krerë bagëti që ishin duke kullotur, prej tyre 320 gjedhë. Në Fushë-Sulë dhe në Arrëz u dogjën 34 shtëpi. Të gjitha bagëtitë, gjithsej 610, u rrëmbyen”.
Faqe 446-447. “Trupat sërbe pushtuan Dibrën dhe e shkatërruan rajonin gjatë dhe pas Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913). Qyteti i madh Dibra u bë pjesë e Jugosllavisë, kurse tani është në Republikën e Maqedonisë (Veriore, Gj. D.), ndërsa pjesa tjetër e rajonit ka mbetur në Shqipëri (në Republikën e Shqipërisë, Gj. D.). Përkundër amnistisë, të cilën e kishte shpallur mbreti Petar I i Sërbisë më 7 shtator 1913, masakrat vazhduan dhe shumica e fisevet të Dibrës u shfarosën”.
Në “Raportin Zyrtar të Fuqivet të Mëdha” botuar në dhjetor 1913, gjenden këto të dhëna: Në Homesh vetëm 3 nga 150 shtëpitë e dikurshme, mbetën pa u rrënuar. Të gjitha të tjerat, pasi u plaçkitën, u dogjën. Herën e parë sërbët morën 1000 krerë dele, 150 gjedhë dhe 40 kuaj. Në plaçkitjen e dytë, sërbët rrëmbyen 50 krerë dele, 9 krerë gjedhë dhe 9 kuaj. Në Shupenzë sërbët i plaçkitën shtëpitë dhe i morën të gjitha arturinat dhe gjërat me vlerë. Në Oksharinë (ndoshta Okshtun, Gj. D.), prej 74 shtëpive, vetëm 1 shtëpi kishte mbetur e parrënuar. Sërbët plaçkitën dhe dogjën çdo gjë. I rrëmbyen të gjitha kafshët. Në Topojan, një fshat me 68 shtëpi, u bë një plaçkitje e përgjithshme dhe djegie e shtëpivet. Ushtarët sërbë i rrëmbyen të gjitha bagëtitë e fshatit Topojan. Në Çerenec sërbët dogjën 23 shtëpi, plaçkitën dhe grabitën tërë fshatin dhe i rrëmbyen të gjitha gjërat me vlerë, ushqimet dhe kafshët”.
* * *
Indinjohet njeriu kur dëgjon sot, në të gjitha mediat, që Shqipëria është vendi ekonomikisht më i prapambetur në Evropë. Indinjohet, sepse konstatuesit dhe pohuesit e kësaj prapambetjeje nuk e vënë në dukje shkakun: Pse Shqipëria (e kam fjalën për krejt Shqipërinë), është kaq e prapambetur ekonomikisht? Si është e mundur që, në organet e Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian, të mos merret parasysh fakti që ky vend është plaçkitur në mënyrë të vazhdueshme prej të huajvet?!
– Sërbia në gjysmën e dytë të shekullit XIX!
– Sërbia në gjysmën e parë të shekullit XX!
– Sërbia në gjysmën e dytë të shekullit XX, finalizuar lemerishëm në fund të atij shekulli!
– Po Turqia, 5 shekuj?!
– Po Italia fashiste?!
– Po Gjermania naziste?!
Gjë pa rrënuar e gjë pa marrë s’kanë lënë, dhe diplomatët e analistët e botës (përfshirë edhe farën e keqe tonën), kanë fytyrë e na tregojnë me gisht si vendi më i prapambetur!
Ka ardhur koha që t’i themi kësaj kaste diplomatësh e politikanësh të sotëm, kush është fajtori që ne jemi të varfër! Dhe t’u kërkohet llogari, jo popullit, jo kombit shqiptar, por atyre që s’e lanë këtë komb asnjëherë të qetë, që të punojë e të zhvillohet normalisht!
____________________
GJOKË DABAJ: NGA SËRBIA DUHET TË RUHEMI! E VËRTETA MBI GJENOCIDIN SERB NË SHQIPËRI, 1912 – 1915
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=9978