Durrës, 31. 07. 2014 – Duke pohuar këtë konstatim, që s’është vetëm imi, unë nuk mund të mos bëj një varg pyetjesh, midis të cilavet: Ç’do të thoshin udhëheqësit e atëhershëm të Perendimit, zotërinjtë De Gol, Adenauer, Çërçill, Ruzvelt, Truman etj, në qoftë se dikush do të krijonte një prokurori të popsaçme për t’i akuzuar e hetuar antihitlerianët, psh, në Francë?!
Them: Sërbia ishte dhe është një Gjermani Naciste e kohës sonë, sepse, në çastin kur popujt e Jugosllavisë, sllovenët, kroatët, boshnjakët, sllavomaqedonët dhe malazezët, kërkuan shkëputje, ajo përdori metodat e nacizmit, për t’i mbajtur nën sundimin e vet. Ndaj Sllovenisë nuk mundi ta realizojë synimin, me Kroacinë bëri luftë të armatosur, por as aty nuk mundi të triumfojë, me Republikën e Maqedonisë dhe me Republikën e Malit të Zi përdori taktikë tjetër, por gjithsesi naciste.
Në Bosnjë Sërbia Naciste aplikoi genocidin, i cili në disa aspekte vërtet dallohet prej genocidit hitlerian, por në thelbin e tij ai nuk ka kurrfarë dallimi.
Në Kosovë dhe në vise të tjerë shqiptrë, vende që nuk u përkasin kombevet jugosllavë, Sërbia ka përdorur metoda mirëfilli naciste: suprimimin e autonomisë dhe shuarjen, asgjësimin e statusit federalist, terrorin mbi të gjithë institucionet shtetërorë e shoqërorë shqiptarë, suprimimin ose uzurpimin e entevet dhe të ndërmarrjevet shqiptare, pushimin nga puna të të gjithë nëpunësvet shqiptarë, mbylljen e shkollavet në gjuhën shqipe, helmimin e mijëra nxënësvet shqiptarë, burgosjet masive të shqiptarëvet, vrasje shqiptarësh në ushtri, më në fund, masakra masive tashmë të dokumentuara e të njohura botërisht, dhunimet e të gjithë llojevet, plaçkitjet e pasurisë së shqiptarëvet, djegiet e fshatravet dhe të vendbanimevet urbanë kudo ku kish shqiptarë, dëbimi i organizuar (operacioni “Patkoi”) i qindra mijë shqiptarëve, kërkimi tani i të quajturavet “të drejta historike” mbi kishat pravosllave që gjenden në Republikën e Kosovës, krijimi i komunavet artificiale sërbe në shtetin e Kosovës.
Barbarët e shekullit XX’të, Sllobodan Millosheviqi dhe Adolf Hitleri!
Krahasoni të gjithë këta veprime të shtetit sërb të sotëm me veprimet e shtetit nacist gjerman në gjysmën e dytë të vitevet 1930 deri në kapitullimin e Gjermanisë Hitleriane. A ka dallim në thelb midis nacizmit gjerman të asaj kohe dhe nacizmit sërb të kohës sonë?!
S’ka shumë kohë që një pushtetar sërb, kur u ndodh përballë kundërshtimit të shqiptarëvet, para një kishe pravosllave në Gjakovë, u shpreh pikërisht kështu: “Shqiptarë mund të jenë, por njerëz jo.” Kushdo mund ta kuptojë që kjo s’është tjetër, veçse shprehje e një nacisti. Po ai, që po e përdorte religjionin për qëllimet e vet ekspansionistë, jashtë territorit të vet, çfarë ishte?! A ish njeri apo sërb?! Megjithatë, pikërisht ai person, me tipare të qartë nacisti, sado i kamufluar, gjendet sot mu në krye të shtetit sërb.
Tani le të bëjmë krahasimin midis forcavet antihitleriane dhe antinaciste të kohës së Luftës së Dytë Botërore e të Pasluftës dhe forcavet antimillosheviqiane e antinaciste sërbe të kohës sonë.
Antinacistët dhe antihitleianët kanë vrarë apo edhe keqtrajtuar, përveç ushtarakëvet, edhe civilë. Çfarë kanë bërë sovjetikët në kundërofensivën e tyre deri në bombardimin e Berlinit?! Çfarë kanë bërë polakët e persekutuar prej hitlerianëvet, në kundërofensivën e tyre? Ç’kanë bërë forcat degoliste franceze? Po aleatët angloamerikakë, pas hapjes së të quajturit Fronti i Dytë, a u sollën si engjëj në tokat që i çliruan prej nacistëvet gjermanë?! Mjafton të shikohet sa foshnja zezake lindën në Napoli si pasojë e hyrjes së ushtrisë amerikane në atë qutet.
Analet janë aty, gazetat e kohës janë aty, librat me kujtime janë aty. Edhe informacionet e shërbimevet sekretë janë në dispozicion.
Edhe vetë sërbët, të udhëhequr nga forcat antinaciste, e kanë spastruar në veri të Savës një krahinë të tërë të banuar me gjermanë. Nuk kanë qenë ushtarë gjermanë, por kanë qenë popull. Kanë qenë civilë.
Pyetjet që vetëvetiu duhet t’i formulohen në kokë pjesës së kthjellët të njerëzimit të sotëm, janë të shumta.
Në qoftë se do të kish dalë në kohën pas Luftës së Dytë Botërorte ndonjë Dik Marti dhe të kish kërkuar prokurorira dhe hetime ndaj antinacistëvet dhe antifashistëvdet, ç’do të thoshin atëherë një De Gol, një Adenauer, një kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar apo një president i SHBA-së?
Po flasim vetëm për liderët perendimorë. Nuk po flasim për BS-në dhe për Kinën Popullore të atëhershme.
Në qoftë se, në vitet e Pasluftës së Dytë Botërore, do të kish kërkuar dikush që të themelohej një prokurori e një gjykatë speciale, e cila të hetonte e të akuzonte për krime kundër njerëzimit, Çërçillin, Ruzveltin, Trumanin, Ajzenhauerin, De Golin, apo cilindo personalitet civil e ushtarak të atëhershëm, që kish organizuar apo komanduar luftën kundër Boshtit, a do të themelohej një e tillë prokurori e gjykatë?
Ç’do të thoshin, Çërçilli, De Goli, Trumani e Adenaueri, nëse do të ish kërkuar themelimi i një të tillë gjykate, ku të akuzohej për krime kundër njerëzimit cilido antinacist e antifashist?!
Përfundimisht, fjalën e kam këtu: Ç’thonë sot, z.B.Obama, z.D.Kameron, z.F.Holand, z.A.Merkel etj etj kryesues shtetesh të Amerikës dhe Evropës Perendimore lidhur me të quajturën prokurori e gjykatë speciale, ngritur për të hetuar e gjykuar ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ushtri mirëfilli antinaciste?!
A e marrin parasysh këta personalitete që i përmenda, se prej mënyrës si e qevetrisin ata pjesën e botës që u takon atyre, varet e ardhmja, jo vetëm e asaj pjese të botës, por, e them pa mëdyshje, e krejt njerëzimit?! A e dinë ata që keqtrajtimi i shqiptarëvet do të thotë keqtrajtim i krejt Ballkanit dhe keqtrajtimi, dmth trajtimi pa mend në kokë i Ballkanit, do të thotë trajtim pa mend në kokë i krejt Evropës?
Në gjithë këtë histori të përkëdheluri që po i bëhet sot Sërbisë, pas së cilës dihet që rri Rusia, unë s’shoh tjetër, veçse të njëjtën politikë MIOPE, TË VERBËR, që u ndoq në vitet 1930 ndaj Musolinit dhe ndaj Hitlerit. Pasojat do të jenë shumë më të rënda.