Durrës, 30. 06. 2015 – Që SHBA-ja ka frikë nga Rusia, është prej kohësh e qartë. Ne shqiptarët kemi mjaft sentenca lidhur me fshehjen e së vërtetës, por më e përshtatshmja në këtë rast është: Nuk mbulohet bytha me hithër. Analiza e gjatë, pak net më parë, e zotit Huper (Hooper) mbi pranimin apo mospranimin nga ana jonë e së quajturës gjykatë speciale, të posaçme, i ngjante asaj që ne i themi: me la mut me shurrë.
SHBA-ja ka frikë prej Rusisë. Arsyeja do kërkuar, jo te pamundësia për t’ia gjetur anën politikës me Rusinë, por te babëzia, te pangopësia e oligarkisë amerikane për t’u pasuruar, pa e vrarë mendjen shumë as për fëmijët e vet, jo më për popujt që presin përkrahje. Duke qenë e pangopur në pikëpamje të përfitimit ekonomik, SHBA-ja është E VERBËR, MIOPE, në menaxhimin e situatavet të sotme botërore, përfshirë aty edhe rolin në menaxhimin e problemit shqiptar në Ballkan.
Në këtë situatë, ne shqiptarëvet, vetëkuptohet që, në radhë të parë, na dhimbet vetja, por na dhimben edhe Evropa jonë dhe SHBA-ja, shteti tek i cili i kemi varur shpresat.
Pozicioni i tashëm i SHBA-së ndaj nesh është: Pranojeni gjykatën speciale, përndryshe, Këshilli i Sigurimit do të krijojë për ju një tjetër gjykatë, shumë më të pafavorshme për ju. Madje, siç kërcënojnë z.Huper dhe zoti Server (Serwer), nëse ne nuk do ta pranojmë të quajturën gjykatë specile, Kosova mund të humbasë përkrahjen e SHBA-së dhe të BE-së dhe se do të jetë edhe SHBA-ja ajo që do të votojë përkrah rusëvet për atë tjetrën, të tmerrshmen gjykatë, me afat 20-vjeçar!
Ky është presion krejt i paskrupull: O bëni siç po ju themi ne, ose do ta pësoni edhe më keq! Një nënkuptim tjetër i krejt këtij inskenimi „diplomatik“ është: Me krijimin e kësaj gjykate, ju a s’po shihni që ne po duam t’ua hedhim rusëvet?!
Sikur rusët nuk gjejnë dot marifete të tjerë për ta keqtrajtuar kombin shqiptar! A mund të fitohet me të këtillë cic-mice mbi rusët, të cilëvet nuk u duhet shkelja mbi shqiptarë e mbi Shqipëri për tjetër, veçse për të dalë lirshëm në Mesdhe?!
Frika që i ka zënë politikëbërësit e SHBA-së prej rusëvet është parë e po shikohet gjithandej.
1.Kur rusët vendosën trupat e tyre në territorin e Kosovës, në ditët kur NATO-ja po vepronte ushtarakisht, me shumë oshilacione, kundër Sërbisë, komandanti i atëhershëm i forcavet tokësore të NATO-s për Kosovë tha: Nuk ndërhyra, sepse nuk desha të bëhesha shkaktar për Luftën e Tretë Botërore. A kështu shpëtoka njerëzimi prej Luftës së Tretë Botërore?!
Kjo na bën të kuptojmë që, nëse Rusia do të kish ndërhyrë aty me forca më të mëdha, NATO-ja edhe mund të ish tërhequr nga Kosova. Ishte fat për ne që, në ata vite, nuk kish ardhur ende në krye të Rusisë V.Putini.
2.Marrëveshja e Kumanovës është gjithkështu shprehje e kapitullimit (ose, më mirë të themi, e kurvërimit) për të plotësuar qejfin e Sërbisë dhe të Rusisë.
3.Rusia e pushtoi Krimenë dhe SHBA-ja bashkë me Evropën dhe në krye të NATO-s, s’bënë tjetër, veçse u përpëlitën, gjë që përsëri tregon frikën që i ka zënë ata prej Rusisë, një Rusie, në të gjitha kohët, kërcënuese dhe arrogante.
Le të bëjmë një krahasim: Kur Sadam Huseini e pat aneksuar Kuvajtin, SHBA-ja e sulmoi atë ushtarakisht. Përse?! Sepse s’kish frikë prej Sadam Huseinit. Po kur Rusia aneksoi Krimenë, pse nuk e sulmoi SHBA-ja Rusinë?! A sepse Krimeja s’paska aq rëndësi sa Kuvajti?!
Tani Rusia po vazhdon të kryejë punët e veta në Ukrainë, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja nuk po gjejnë dot rrugë tjetër kundërveprimi, përveç ca të ashtuquajturavet „sanksione“, pikërisht ashtu siç veprohej në Mesjetë, kur rrethohej një kala: Ta lëmë pa ujë, ta lëmë pa furnizim me ushqime dhe ta detyrojmë të na dorëzohet. Por tani nuk është më Mesjeta, or zotërinj „të mençur“!
E gjithë kjo nuk mund të emërtohet ndyshe, veçse frikë e kapitullim përballë kërcënimit bërthamor nga ana e rusëvet. SHBA-ja është e detyruar të tërhiqet. Ajo e di që Rusia, në rast konflikti, nuk do t‘i hedhë bombat atomike në Ballkan, sepse aty i ka aleatët, por në Vashington dhe në Njujork. Prandaj edhe „përpjekjet“ e SHBA-së për t’i „mbrojtur“ shqiptarët dhe për ta pasur Ballkanin nën influencën e vet, janë vetëm MANOVRA DIPLOMATIKE, madje TË VJETRUARA, sepse, po të ishin bashkëkohore, edhe ne do t’i kishim pranuar e përshëndetur.
***
Nuk mund të mos na kujtohen, me këtë rast, luftërat që bënte Venediku dhe, nganjëherë edhe shtete të tjerë të Evropës Qendrore e Perendimore, herë të bashkuar e herë jo, kundër Perandorisë Osmane. Sapo ajo Evropë bënte „paqe“ me osmanët, arbërit NDËSHKOHESHIN. Nuk ndëshkohej Evropa, por ne! Ata e nxitnin luftën, ne e pësonim!
1.Gjatë 2 dhjetëvjetëshavet të fundit të shekullit XV dhe në shekullin XVI deri në vitin 1571, osnanët e kërcënonin Tivarin vazhdimish. Venediku, ndërkaq, nuk mbetej pa marrë prej Tivarit „ç’i takonte“ dhe vetëm sa për të thënë, gjoja e ndihmonte këtë qytet, ditë e natë të rrëzikuar. S’më hiqet nga mendja një dokument që thotë se Venediku solli në Tivar rreth 200 copë dërrasa, për të „përforcuar“ kështjellën. 200 copë dërrasa! A ka hipokrizi më cinike ndaj popullsisë së një qyteti, të cilit plaçkitësit e përnatshëm, ardhur na shteti i osmanëvet, i rrëmbenin çdo gjë që mund të përdorej për t’u ngrënë?!
Dokumente të tjerë thonë se Venediku, kur e kish në zotërim Shkodrën, ua shkulte me dhunë vreshtat fshatarëvet rreth Shkodrës, sepse nuk donte t’i ulej çmimi i rrushit dhe i verës. A nuk u shkulën vreshtat e „Perlat Rerxhepit“ dhe të „Gjergj Dimitrovit“ në vitet 1991 e këndej?!
2.Më 1571, trupa mbrojtëse venedikase ikte natën, për t’ua lëshuar Tivarin osmanëvet, ndërsa osmanët u prisnin kokat: arqipeshkvit të Tivarit, Gjon Bruni, dhe nipit të tij 20-vjeçar.
3.Në vitin 1646, ndërsa Evropa, (ajo Evropë për të cilën po flas, sepse edhe ne Evropë ishim), bënte „paqe“, duke i lënë arbërit lirikërkues në mëshirën e osmanëvet hakmarrës. Osmanët e ngulën atëherë në hu Dom Gjergj Jubanin, priftin e Tivarit, bashkë me disa të tjerë, dhe bënë kërdinë në Shkodër, Lezhë, Durrës e Vlorë, kudo ku kishin guxuar njerëzit tanë ta përkrahnin atë Evropë, e cila s’pushoi kurrë së zhgënjyeri këtë popull.
4.Në vitin 1649, ajo Evropë, sërish, ne evropianët e tjerë, na la në baltë. Osmanët bënë kërdinë me ndëshkime në krejt Arbërinë Veriperendimore. Vetëm në Tivar ngulën në hu Dom Gjergj Sumën e disa të tjerë, ndërsa u prenë kokat 72 arbërve, të hamendur si udhëheqës të kryengritësvet.
(Për të mos i numëruar një nga një të gjithë zhgënjimet tanë ndaj atij Perendimi, që aq shumë e kemi mbrojtur e dashur, po përmend këtu vetëm edhe 2-3 raste, të cilët i njohim që të gjithë.)
5)Në vitin 1877, Austro-Hungaria, nga babëzia dhe miopia për ta mbajtur Hercegovinën për vete, e lejoi, në mos e nxiti, Knjaz Nikollën për të sulmuar Tivarin e Ulqinin. Punët rrodhën në atë mënyrë që Tivari e Ulqini mbetën nën Malin e Zi. Kjo ishte miopia e një shteti të madh të Evropës!
6)Jo vetëm kaq, por Kongresi i Berlinit i la nën sundimin sllav dhjetëra mijë kilometra katrorë të Shqipërisë, që nga Jabllanica e Leskovcit e rretherrotul deri te Buna. Edhe kjo ish një tjetër miopi e Evropës, me pasveprimin e një krimi që vështirë se mund të riparohet. Evropa e lejoi atë krim mbi një komb TË VETIN, një ndër kombet themelvënës të euroidentitetit.
7)Në vitin 1913, nga frika e Rusisë dhe duke mos e kuptuar dot, sa rëndësi kish një Shqipëri e plotë për mbarëvajtjen e punëvet të Evropës, Konferenca e Ambasadorëvet, e Londrës, la 2 të tretat e Shqipërisë nën sllavët dhe nën grekët. Duke i lënë dorë të lirë genocidit në këto anë, me këtë akt diskriminues ndaj shqiptarëvet, miopia evropiane ndaj SË ARDHSHMES SË VETËVETES arrin në përmasa alarmuese.
8)Në vitet 1944-1945, aleatët perendimorë, Anglia dhe SHBA-ja, as që e vunë ujin në zjarr për t’i korrigjuar padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëvet më 1913-n. Në vend që të punonin për të krijuar këtu një shtet të plotë shqiptar, ata merreshin infantilisht me një Abaz Kup, me një Mit‘hat Frashër, me një Kryezi të Gjakovës apo me një Muharrem Bajraktar, duke intriguar kundër komunistit Enver Hoxha dhe duke përkëdhelur, nga ana tjetër, komunistin Josip Broz Tito. Perendimi, i quajtur DEMOKRATIK, nuk u çlirua dot nga shkurtpamësia e vet tragjikisht tradicionale, në një kohë kur pjesa JODEMOKRATIKE, nazi-fashiste, e Evropës, u tregua gjithsesi më e arsyeshme ndaj shqiptarëvet, sepse e pat korrigjuar së paku një pjesë të krimit të vitit 1913.
9)Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, SHBA-ja dhe Evropa Perendimore asnjëherë nuk e ngritën problemin e çlirimit të Kosovës apo Çamërisë, nga sllavët dhe nga grekët.
Si mund të ishin kaq qorra politikëbërësit dhe diplomatët e një bote që mendohet se është e përparuar, e të mos shihnin se shqiptarët e Shqipërisë Veriore, Lindore e Veriperendimore, nuk e kishin vendin në shtetin jugosllav dhe se shqiptarët e Shqipërisë së Jugut nuk e kishin vendin në shtetin grek?! Shqiptarëvet ortodoksë të Shqipërisë së Jugut po u diskriminohej sistematikisht SHPIRTI dhe po shndërroheshin në kuazigrekë, në gjojagrekë. Ndërkaq, ne shqiptarët që Perëndimi na kish lënë nën Jugosllavi, po bënim qindra mijë vite burg, pikërisht në përpjekje për t’u çliruar. Si është e mundur të ish kaq i verbër Perëndimi, i cili s‘linte ditë pa e përmendur parimin e TË DREJTAVET TË NJERIUT?!
***
E gjithë kjo na i tregon indinjueshëm, se Perëndimi, drejt të cilit shqiptarët kanë aspiruar shekull pas shekulli, e ka pasë një cilësi kryesore në politikën e saj ndaj gadishullit tonë: PRAGMATIZMIN VAJTIMISHT SHKURTPAMËS. Mund të themi, pragmatizëm prej idioti!
Duke vënë në krye të interesavet aspektin e përfitimit EKONOMIK të grupevet të ndryshëm apo edhe të individëvet të veçantë, cilësi kjo e të gjithë sistemevet të mëparshëm, por sidomos e kapitalizmit klasik, është harruar, është lënë krejt pas dore interesi i popujvet në perspektivë. Në mos marrsha, në mos përfitofsha gjë aty për aty, nuk kam pse interesohem për ty. Përfitimi im duhet të jetë i garantuar dhe imediat, ndërsa ndihma ime, 100 apo 200 copë dërrasa, sa për të t’i zënë sytë ty që ke nevojë për mua. Përkrahja politike shkon vetëm deri aty ku nuk rrëzikohen interesat imediatë të përkrahësit „zemërgjërë“, „altruist“ etj, etj.
Në terrenin konkret, në lidhje me temën që po e trajtoj këtu, pra në lidhje me Republikën e Kosovës, së cilës po i kërkohet tani t’i çojë në burg luftëtarët e vet të lirisë dhe, vetëm në dalshin „të papërlyer me gjak“, në daltë se nuk e kanë shkrepur askund asnjë fishek, t’i quajmë të pafajshëm dhe t’u japim statusin e „luftëtarit“, mund të mblidhen statistika: Sa ka përfituar Perendimi EKONOMIKISHT nga Republika e Kosovës dhe sa ndihmë EKONOMIKE i ka dhënë Perendimi këtij shteti të ri? Do të dalin gjëra shumë të çuditshme. Do të dalë që Republika e Kosovës i ka ndihmuar SHBA-në dhe BE-në e jo që SHBA-ja dhe BE-ja ta kenë ndihmuar Republikën e Kosovës. Bëjini statistikat, kthejini në vlera monetare dhe krahasojini!
Del kështu më shumë se e qartë, pse po luhet kaq shumë me kushtetutën tonë dhe me gjykatë pas gjykate, pse po zvarritet njohja, pse nuk po i thuhet Sërbisë: Shih punën tënde! Lëri fqinjët në hallet e tyre!
Del gjithkështu e qartë, pse SHBA-ja ka frikë prej forcës ruse. SHBA-ja ka frikë prej rusëvet, sepse rusët janë më largpamës dhe nuk i llogarisin fare sakrificat e çastit. Ata janë të babëzitur, por janë të babëzitur në një mënyrë tjetër, jo si amerikanët. Ata kurrë nuk i rrjepin EKONIMIKISHT aleatët e vet të Ballkanit. Përkundrazi!
Përfundimisht, do të ish shumë e çuditshme të shihnim një eskimez, i cili, nga frika e ariut (të bardhë) ta trajtonte njeriun e vet (të ritur, jo fëmijë) kështu siç po na trajtojnë ne SHBA-ja dhe Evropa Perendimore. Megjithatë, përderisa këta aleatët tanë nuk i kanë as mendjen, as shpirtin e një eskimezi të pashkollë, ne, me sa duket, do të na duhet ta PRANOJMË atë farë gjykate, por duke u treguar atyre se nuk jemi aq të paditur sa na kujtojnë dhe duke punuar, në anë tjetër, që, me çdo kusht, të bëhemi zotër të vetes.
– Kontakti me autorin: [email protected].