(Pashtriku.org, 20. 09. 2012) – Në sh XIV kur arbërvrasësit sllavë nuk kishin pushuar as nuk kishin ndërmend të pushonin së nxjerri sytë arbërvet, sa kohë që ne nuk kishim një strategji efikase, ia behën nga Lindja turqit osmanë.
200 vjet iu deshën Turqisë për ta pushtuar krejt tokën arbërore: Nga viti 1371, kur, pas Betejës së Maricës, ata hyjnë në Arbëri, deri më 1571, kur, pas gati 100 vjet qëndrese me shpirt ndër dhëmbë, bien në dorën e tyre gjithshkatërruese edhe Ulqini e Tivari. (Vo! Në librat tanë janë dhënë data të tjera. Mos ua vini veshin libravet që nuk mbështeten në logjikën e dokumentevet!)
Kanë vazhduar, në këtë rrugë të zymtë kohësh, ploja të panumërta të së njëjtës pamje: Vra arbër (që më vonë morën emrin shqiptarë) dhe mos iu përgjigj askujt. Të gjithë qytetet tanë janë zbrazur thuajse tërësisht përpara zjarrit dhe hanxharit të turqvet osmanlli. Kanë ikur ata që kanë shpëtuar gjallë dhe është mbushur Italia me “rracë” arbëreshe. Nga 1371-shi deri më 1912-n, që bëjnë gati plot 5 shekuj e gjysmë, po të numërohen plojat në popull, pas qëndresavet dhe pas kryengritjevet, çuarjet me togje e tufa arbërish, sidomos arbëreshash, në tregjet e skllevërvet, vdekjet nga skamja dhe shuarjet e krahinavet të tëra nga epidemitë, fitohet përshtypja sikur më shumë janë asgjësuar se sa kemi lindur. Atëherë vjen vetiu habia e madhe, ndoshta një nga habitë më enigmatike në të gjithë historinë botërore: Si ia kemi arritur të mbijetojmë ?!
Shtrirja e Perandorisë Osmane në Ballkan.
………………………………………………..
Në një letër të ipeshkvit Nikollë Mekajshi, dërguar më 1599-n kardinalit S.Xhorxhio, bëhet paralajmërimi i frikshëm se, në tërësinë tonë etnike, formësuar në dhjetëra shekuj, shiheshin tashmë qartë dukuritë që bartnin rrëzikshmërinë rrënqethëse të shpërbërjes sonë përfundimtare dhe kërkohej ndihma e Perendimit: Një pjesë e popullsisë po kalonte në ortodoksinë greke, një pjesë tjetër në ortodoksinë pravosllave dhe një pjesë po islamizohej. Fill mbas një të këtillë alarmi, i cili dihet se nuk ish i pari që shkonte në Europë, në truallin e Arbërisë u mbajtën 3 kuvende të rëndësishëm. Njëri, më 1602 dhe 1603 në Dukagjin të Matit, me 1600 delegatë. (Vetëm numri i pjesëmarrësvet në këtë kuvend dëshmon që ne, edhe pas të gjithë rrebeshevet të shekujvet XV e XVI, ende ishim një popull mjaft i madh.) Kuvendi i dytë u mbajt në afërsi të Podgoricës, në kullën e madhe të Lalë Ndrekalit të Kuçit, krahinë e cila ende nuk ishte sllavizuar. Kuvendi i tretë u mbajt mu në Prokuple, në njërën nga pikat më veriore të Arbërisë. Prej të 3 këtyre kuvendeve iu çuan Europës mesazhe alarmi shumë të fuqishëm, por ish e kotë: Ne duhej t’ia dilnim vetë. Iu çuan më vonë Europës mesazhe, memorandume e thirrje: Prej Imz.Pjetër Budit, erdhi mbytja e tij, prej Imz.Fran Bardhit, erdhi vdekja e parakohshme e tij, prej Imz.Pjetër Bogdanit, erdhën trokllimat e kockavet të tija nëpër dhëmbë qensh, sepse turqit ua hodhën ato kocka qenvet.
Po japim në pak faqe një numër episodesh, për të kuptuar sa shumë ka hequr ky Komb, tashmë jo vetëm prej sllavëvet e grekëvet, të cilët gjithsesi nuk na u hoqën, por edhe prej turqvet. Do cekur këtu që autorët e keqtrajtimevet e të reprezalievet nuk kanë qenë përherë osmanllinj të ardhur nga Azia. Të ardhur nga Azia ishin pushteti dhe feja (ideologjia), ndërsa bartësit e atij pushteti dhe të asaj feje (islamizmit), ushtrues të zellshëm të dhunës, ishin vetë vendësit, bijtë e po këtij populli. Kjo është mynxyra më kurrizkërrusëse se çdo mynxyrë tjetër.
“Klerikët provuan (prej ushtruesvet të pushtetit turk-osmanlli. GjD) mbi kurrizin e tyre dhunë fizike dhe morale deri në ekzekutim me vdekje. Nga gjithë ajo plejadë mund të veçojmë: Pjetër Budin, Dom Ndre Kalamashin, prift i Gjakovës, Pjetër Mazrekun, vikar apostolik në malet e Shqipërisë, Dom Nikë Grubesin, Anton Pavlloviqin, misionar apostolik i Trepçës, i Vuçitërnit e i Prishtinës, Pjetër Bogdanin…” Kështu thuhet në librin “Shqiptarët midis Lindjes dhe Perendimit, 1506-1839 “ f.130, shkruar nga Petrikë Thëngjilli. (Të dhënat që do të renditen në vijim, janë marrë po nga ky libër.) “Të panumërt ishin ata (besimtarë) që martesat nuk i shpallnin në kishë, nga frika se turqit, kur shihnin ndonjë vajzë (nuse) të bukur, e donin për vete” (f.126) Rreth 30 seli arqipeshkvore, ose qendra kishtare, u zhdukën dalëngadalë, veçanërisht në krahinën e Shkodrës dhe të Drinit të Ulët. (f.118) Në dioqezën e Shkodrës kishte pasur më shumë se 300 kisha, tani pothuaj të gjitha të rrënuara. (f.118) Në vitin 1602 Kisha e Zojës së Ngjitun në Qiell, në Prizren, digjet 3 herë dhe plaçkitet prej “turqvet”. (f.117) Po në atë vit prishet, rrënohet tërësisht, abacia e Shënkollit në Breg të Bunës, në afërsi të Ulqinit (f.117) Në vitin 1603, kundër ipeshkvit të Shkodrës, Imz.D.Andreasit, kishin shpifur, e kishin arrestuar dhe e kishin dënuar me vdekje. E kanë shpëruar disa të krishterë, pasi kanë paguar një sasi të mirë të hollash. (f.130) Në fshatin Letnicë, që ndan Malin e Zi (të sotmin) me Kosovën, u vra një prift katolik shqiptar. (f.130) Më 1609 sulltani katolikët e Tivarit i quan francezë. Po e citojm: “Marin Bici, fetar dhe antivarens (dmth tivaras, GjD) i të krishterëvet frëngj në krahinën e Tivarit” (f.127) (Mund të merret me mend se çfarë mund të ndodhë në një shtet ku kryesundimtari i njeh kaq pak nënshtetasit e vet). Më 1611 kisha e Shën Markut në Mirditë është gjysmë e rrafshuar prej “turqvet” (f.124) (Emërtimi “turk”, kuptohet, është po aq i “saktë” sa emërtimi “frëng”). Më 1611 Imz.Marin Bicin, në Shëngjergj e morën disa “turq” dhe kishin vendosur ta vrisnin në një pyll, por, me ndërhyrjen e një prifti, ata e lanë të lirë, me kusht që të ndanin plaçkën përgjysmë, ndonëse ai kishte dokument të rregullt nga sulltani. (f.130) Po më 1611 thuhet që në Lezhë kisha e Shënkollit është zaptuar prej “turqvet” dhe është kthyer në xhami qysh prej 40 vjetësh (f.130). Në Prizren 2 kishat më të bukura të qytetit janë kthyer në xhami (f.122). Në Malin e Zi të Shkupit një kishë madhështore kthehet në xhami (f.122). Më 1613, me urdhër të sulltanit u prishën të gjjitha kishat e ndërtuara “pa leje” në sanxhakun e Ohrit (f.121). Më 1624, priftin e Malësisë, Dom Markun, “turqit” e akuzojnë, e lidhin, i kërkojnë para, ai nuk ua jep, e çojnë në Shkodër te kadiu, kadiu e nxjerr të pafajshëm dhe e liron, por ata e vrasin (f.131). Më 1625 në Arbëri gjendeshin kisha të panumërta, por krejtësisht të rrënuara (f.118). Viti 1628. Në krahinën e Pultit, nga 78 kisha dhe manastire kanë mbetur vetëm 3 kisha dhe 5 manastire, edhe ata të rrënuar (f.118). Po në vitin 1628 shohim që priftin Dhimitër e arrestojnë dhe e çojnë në kështjellën e Shkodrës, me kërcënimin se do ta ngulin në hu, por paguan 60 talerë dhe i shpëton vdekjes (f.131). Viti 1629. Ipeshkvi i Lezhës, Imz.Orsini, gjatë 7 vjetëvet është grabitur 4 herë prej “turqvet”. Në lidhje me peripecitë e Imz.Orsinit ka shumë njoftime, por ne nuk do të ndalemi (f.125). Në vitin 1629, Dom Andre Karlin, famullitar i Pëdhanës së Lezhës, e torturoi një “turk”, sa ishte një mrekulli e madhe se si qëndroi gjallë. Qëndroi gjallë, por e humbi arsyen prej torturavet (f.131). Më 1632 kisha e shën Palit në Dukagjin është rrënuar dhe zhveshur nga çdo pasuri e tundshme dhe e patundshme (f.125). Viti 1633. “Turqit” kërcënojnë arqipeshkvin e Tivarit se do t’i presin rrugën dhe se do ta zhveshin nga çdo gjë, siç kishin bërë (edhe herë të tjera) në Tivar e në Prizren (f.132). Viti 1636. imz.Mark Skura, ipeshkëv i Arbënisë, ishte i detyruar t’i numëronte kadiut një sasi të madhe të hollash dhe duhej t’u bënte dhurata krerëvet më kryesorë (f.129). Viti 1637. Kisha e Karmës në Pukë, dikur me 10 priftërinj, tani e degraduar plotësisht (f.118). Kisha e Shën Palit në Kabash (Pukë) është tërësisht e degraduar (f.118). Kisha e Arësit (Pukë) nuk ka mure, por në vend të tyre ka drurë dhe është e mbuluar me kashtë (f.118). Në Koman kanë mbetur vetëm gjurmët e një kishe, por kishë nuk ka (f.118). Viti 1638. Në Spas (Pukë) kisha e Shën Sebastianit është e rrënuar (f.118). Në fshatin Glas kisha është e rrënuar dhe e rrëzuar (f.118). Kisha e Shën Shtjefnit (Pukë), dëmtuar 2 ose 3 herë prej “turqvet” (f.118). Viti 1640. Me rastin e shkatërrimit të misionit në Durrës, 2 misionarë u ngulën në hunj (f.130). Ipeshkvi i Sapës sulmohet me shpatë dhe torturohet egër prej një “turku”, aq sa atë e shpëton një i krishterë, duke e kaluar përtej lumit gjysmë të vdekur (f.132). Viti 1641. Katedralja e Elbasanit ishte shkatërruar nga “turqit” (f.119). Metrpolia e Durrësit gjendet e rrënuar me themel prej “turqvet”. Edhe pjesa më e madhe e kishavet (në dioqezën e Durrësit) janë shkatërruar (f.119). Të gjitha kishat në Spas, Pukë e Iballë janë rrënuar (f.119). Imz.Fran Bardhi i bën dhurata prej frutash e sendesh të shijshëm qeveritarit të Shkodrës, Mehmetbeut, që ishte dashamirës i myslimanëvet dhe dashakeqës i të krishterëvet. Përndryshe nuk mund të kryente detyrën e arqipeshkvit (f.128). Qeveritari u përpoq të arrestonte G.Mazrekun me shpifjen se ai vinte nga Malta për të hetuar gjendjen e arbërvet. Iu desh të paguante 20 talerë, përndryshe do t’ishte ngulur në hu i gjallë (f.128). Viti 1643. Dom Gjon Lili, vikar i Kosovës dhe famullitar i Novobërdës, u persekutua prej “turqvet”, aq sa u detyrua të largohet nga Atdheu (f.132). Viti 1644. Në Bendë, nga 20 kisha famullitare, vetëm 12 janë të mirëmbajtura. (Më vonë edhe ato janë shkatërruar. GjD) (f.120) Në Kanovi nga 23 kisha famullitare, kanë mbetur të parrënuara vetëm 4 (f.120). Në Durrës nga 90 kisha famullitare kanë mbetur të parrënuara vetëm 14 (f.120). Imz.Mark Skura njofton që në dioqezën e Kanovisë janë shkatërruar shumica e kishavet, midis tyre ajo e Shën Stefanit në Çirnë, e shën Stefanit në Okshtun dhe e shën Martinit në Kukanj (f.132). Më 1649, në muajin prill, “turqit” ngulin në hu 2 klerikë dhe 6 besimtarë të krishterë (f.132). Po shënojmë këtu një frazë të asaj kohe nga relacioni i Gjon Kolësit: “Tiranët, shumë mizorë, kurrë nuk ngopen, duan përherë e përherë më shumë të holla, dhurata e ç’u ka ënda, me njëmijë angari e përdhunime” (Nuk e dimë për ç’lloj përdhunimesh është fjala. GjD) “Atë që nuk e nxjerrin me të mirë, e duan me forcë” (f.129). I vitit 1649 është edhe ky njoftim: “Bëhet e ditur se disa priftërinj janë martirizuar, të tjerë u vendosën në Venedik dhe në Dalmaci” (f.130). Imz.Gjergj Vladanji ndenji i fshehur 24 ditë në një fshat të Malit të Zi, me bukë meli e me ujë, që “turqit” të mos e kapnin (f.132). Në Tivar iu pre koka 73 të krishterëvet, të zgjedhur prej fshatrash përrreth (f.133). Gjergj Vuskoviqi, në shërbim të tij si misionar (në Shestan, GjD), ka qenë i sulmuar 2 herë prej “turqvet”, për t’ia prerë kokën (f.133). Viti 1650. G.Mazreku ishte burgosur tashmë 4-5 herë, lidhur e vënë në pranga, por besimtarët e kishin liruar, duke parapëlqyer (siç thuhet, GjD) të hynin vetë atje (f.133). Dom Andre Kalamashi u torturua i lidhur këmbë e duar, u var në sheshin e qytetit, iu pre koka dhe iu dërgua Vezirit të Madh (f.133). (S’e dimë nëse ai Vezir i Madh ka qenë arnaut apo me prejardhje arnautësh. I lutemi lexuesit të mos na keqkuptojnë për ironinë! GjD). Po në vitin 1650 Pjetër Mazrekut ia prenë kokën me shpatë dhe ia lanë varur mbi supe (f.133). Dom Nikë Grubesa, ngarkuar me një hu mbi supe, u shëtit nëpër rrugët e Shkodrës, por i shpëtoi martirizimit nga një shumë të hollash (që u dhanë për të) (f.133). Dom Anton Pavlloviqin e rrahën për vdekje, sepse kishte marrë nën mbrojtje një djalë që osmanët kërkonin ta kthenin me forcë në fenë islame (f.133). Viti 1656. Imz.Pjetër Bogdani, kur u emërua (ipeshkëv) në Shkodër, u burgos nga i biri i pashait dhe u dënua me 1 muaj burg, iu rrëmbye kali dhe iu ndalua letërkëmbimi me Italinë (f.134). Viti 1664. Imz.Pjetër Bogdani burgoset përsëri. Më vonë është burgosur 3 herë me radhë, është keqtrajtuar dhe është kërcënuar se do të dënohej me vdekje (f.134). Pashai i Ohrit, pasi e sulmon dhe e djeg Mirditën, gjen në shtëpinë e ipeshkvit të Lezhës 38 njerëz të fshehur dhe i vret të gjithë, bashkë me famullitarin Dom Markun (f.134). Në vitin 1680 Dom Vinçenc Mateviqi, mësues e misionar në Janjevë, ka braktisur detyrën për shkak të përndjekjevet (f.134). Më 1688, me urdhër të pashait plaçkitet kisha e Janjevës dhe shkatërrohet çdo gjë që nuk mund të merrej me vete. Ky vandalizëm është përsëritur 3 herë (f.124). Më 1689 Imz.Pjetër Bogdanit, forcat ushtarake osmane ia djegin shtëpinë, kurse atë vetë e arrestojnë, e zhveshin lakuriq dhe e shëtisin nëpër qytetin e Prizrenit (f.134). Në Ulqin, kisha e stilit renesans e ndërtuar në vitin 1510, u ndërrua në xhami (f.134).
Në vitet 1726-1733, për shkak të reprezalievet nga ana e pushtetarëvet myslimanë të Shkodrës (Përfaqësues të Shestanit shkojnë për t’iu ankuar pashait të ri të Shkodrës për një vrasje që u kishin bërë bejlerët e Tivarit. Pashai jep urdhër dhe vriten edhe këta.), ndodh eksodi gjurmëlënës i shesanasvet për në Zarë të Dalmacisë.
Në vitet 1737-1739, po për shkak të reprezalievet, ndodh një tjetër eksod i katolikëvet shqiptarë nën udhëheqjen e arqipeshkvit të Shkupit, Imz.Mëhill Sumës. Ata vendosen në Srem dhe, me kohë, shkrihen me sllavët.
Në vitin 1769 fillon shkatërrimi tragjik i Voskopojës, njerës prej qendravet tona më progresiste kombëtare të shekullit XVIII. Pashallarët dhe bejlerët tanë myslimanë nuk krijojnë akademi, por shkatërrojnë akademi.
E kemi formuluar konstatimin tonë në një libër tjetër tonin të mëparshëm, që xhamia në vendin tonë, në Arbëri që më vonë u quajt Shqipëri, nuk ka qenë tjetër veçse institucioni ideologjik i pushtuesit. Lënda që e paraqitëm deri këtu besojmë se është e mjaftueshme për ta rikonfirmuar një konstatim të tillë, si dhe për ta pranuar prej të gjithë atyre shqiptarëve që i gjykojnë gjërat me objektivitet, po edhe me sinqeritet.
Sidoqoftë, të gjitha këto që po renditim këtu, travajat, strapacat, varg i pashkëputur ngjarjesh që nuk duhej të na kishin ndodhur, shtrojnë përpara nesh një dhe vetëm një kryepyetje: Përse lejuan të parët tanë të na ndodhin të atilla kërdi e shkatërrime të paperceptueshëm?! Thërrasin dhe vazhdojnë të thërrasin, që nga dheu ku janë tretur, pa një pllakë varri përsipër: Fëmijët e shkrumbuar, të virgjërat e përdhunuara, pastaj të shitura e rishitura në tregjet e skllevërvet, nuset dhe gratë e përdhunuara, pastaj edhe ato të shitura e stërshitura, syjeshilët, vdekur nga uria, të talentuarit, “vullnetet e ndrydhun”, “vullnetet e shtypun” (Kujto Migjenin!), që lindën e vdiqën pa mundur të kryejnë jo një fakultet, siç bënin mijëra bashkëkontinentasit e tyre, po as edhe një ditë shkollë, ku të mësonin të paktën alfabetin e gjuhës së vet! Të gjithë thërrasin: Përse?! Cili është shkaku ynë i brendshëm i të gjitha këtyre zezërive të pafundme ?!
Jemi ngopur tashmë me “arsyetimet” e studiuesvet gjakftohtë, me nerva prej leshi, në dukje objektivë, por në thelb jodecizivë dhe rrjedhimisht edhe joobjektivë: I këtillë ishte pozicioni gjeografik i Atdheut tonë. Ka qenë rrugë kalimi për pushtuesit. Kemi pasur armiq të shumtë. Kanë qenë armiq të fuqishëm e tepër mizorë. Të gjitha këto kanë në vetëvete të vërteta e pjesë së vërtetash, por asnjëra prej këtyre nuk është thelbi i çështjes. Thelbi i çështjes jemi vetë ne. Të ndodhur përballë të atillë rrëziqeve, përse nuk i kemi gjetur rrugët e shpëtimit?! Jo: Përse nuk i kemi kërkuar, por: Përse nuk i kemi gjetur dhe realizuar rrugët e shpëtimit e, si rrjedhojë, edhe rrugët e progresit !?
– Shkëputur nga libri: Strategjia e Shqiptarëvet, Tiranë 2011 (nëntitulli “TURQIA”)
…………………………………………………….
36 Sulltanët e Perandorisë Osmane që sunduan
(për 500 vjet) në Etnikumin Shqiptar.
………………………………………….
……………………………………………………………….
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)