GJOKË DABAJ: ZOTI F.RIKER, KEMI NEVOJË PËR TY, SI PËR NJË DIELL!

(Durrës, 27. 02. 2013) – Siç ka nevojë bima, e cila rrëzikon të thahet, për një rreze dielli dhe për një pikë shiu, ashtu ka nevojë Kombi Sqiptar të përkrahet prej Shtetevet të Bashkuar dhe prej Bashkimit Evropian. Të përkrahet SHPREHIMISHT dhe FUQIMISHT! Jo me kozmetikë dhe me këshilla, se me çfarë lloj pudre duhet të lyhet fytyra, për t’u dukur e bukur! Shqiptarët kanë nevojë për ndihmën tuaj TË FUQISHME, 100 herë më të efektshme se kjo që po i jepni, dhe unë ju siguroj që pikërisht ky është edhe interesi më racional, qoftë i SHBA-së, qoftë i BE-së, në krejt Ballkanin, por edhe më larg.
Prandaj edhe nuk mund të mos shqetësohem, kur Ju i hipët avionit dhe erdhët që nga Vashingtoni, vetëm për 2 gjëra që Ju i konsideroni të rëndësishme: Të porositni që ZGJEDHJET e Qershorit t’i bëjmë TË NDERSHME (kur Ju e dini fort mire sa të ndershme mund të bëhen ato në këtë shtet tonin dhe shoqëri tonën të shkatërruar) dhe që RETORIKA NACIONALISTE të mos përdoret prej shtetarëvet dhe prej politikanëvet tanë, sepse ajo retorikë, ai, më mirë të themi, të regëtuar në një çast të ardhjes më vete, mund të shkaktojë DESTABILIZIM në rahjon.
Që në fillim, z.F.Riker, do të doja të Ju informoja, se NACIONALIZMI SHQIPTAR, sot, në krahasim me të gjithë nacionalizmat përrreth, me përjashtim të atij aromun, i cili është thuajse në shuarje të plotë, I NGJAN NJË LIVADHI TË SHKRUMBUAR. E keni parasysh një livadh me bar, lule e bimë nga më të bukurat, të cilit i ka rënë zjarri herëpas’here dhe vazhdon t’i bjerë zjarri në çdo stinë rigjelbërimi?! Shumica e atij livadhi është e mbuluar me hi të zi e të zymtë, dhe vetëm aty-këtu shfaqet e tenton të rirritet ndonjë tufë bari, me shpresën se do të mund ta rigjallërojë jetën mbi atë dhe, mbi atë truall, të djegur e të ridjegur.

Për të dalë nga figuracioni, unë po i drejtohem mundësisë për të bërë statistika. Në SHBA dhe në Evropën Perendimore, metoda e të mbështeturit në statistika, me të drejtë, është shumë e pëlqyer. Atëherë, Ju lutem, me qenë se merreni me punët tona, me qenë se jeni shtetërisht i ngarkuar të bëni politikën e SHBA-së në këtë pjesë të Botës, angazhoni një nga organizmat statistikëbërës, për të parë sa i rrëzikshëm apo i parrëzikshëm është nacionalizmi shqiptar, krahasuar me atë sërb apo grek! Sa fëmijë shqiptarë apo me prejardhje shqiptare ka sot në Botë që nuk bëjnë kurrfarë shkollimi në gjuhën amëtare?! Krahasojini ata me fëmijët shqiptarë që, ndonësi ndodhen jashtë Atdheut, e marrin një lloj arsimi shqip, dhe nxirni përqindjen! Bëni të njëjtën gjë me fëmijët grekë ose me prejardhje greke, të cilët, me angazhimin e faktorit nacional grek, marrin arsim në gjuhën greke, dhe sa fëmijë grekë nuk marrin kurrfarë arsimi në gjuhën greke! Nxirni përtqindjen dhe bëni krahasimet! Sa fëmijë sërbë nëpër Botë, shkollohen apo nuk shkollohen në gjuhën sërbe? Vetëm kjo statistikë do t’Jua bënte të qartë që nacionalizmi shqiptar, dmth dashuria dhe kujdesi ndaj kombit të vet, është një livadh i djegur. Por Ju mund ta shikoni këtë fenomen edhe brenda Shqipërisë Gjeografike, psh në Çamëri, apo, siç do të mund të quhej ndryshë, në Notio-Epir. Sa fëmijë ortodoksë të Çamërisë shkollohen në gjuhën e të parëvet të vet?! A e kanë ata shqiptarë të Çamërisë kishën e vet autoqefale, ku liturgjia të shërbehet në gjuhën shqipe?! Shikoni në krah tjetër, në Tivar dhe në Plavë, sa fëmijë shkollohen atje në gjuhën amëtare?! A i kanë shqiptarët e Tivarit, Plavës, Podgoricës, Beranës, Filatit, Follorinës, Konicës, Kosturit, Negovanit, Janinës, Pramithisë, Pargës, Artës, Prevezës, administratat në gjuhën e vet, apo, të themi më saktë, në gjuhën e të parëvet të vet?!
Le të hyjnë statistikëbërësit brenda, në shtetin që quhet Rep.e Shqipërisë! Shihni sa fëmijë shqiptarë (S’e kam fjalën për ata që u takojnë pakicavet kombëtare. Ata le të shkollohen në gjuhët e tyre.), sa fëmijë shqiptarë, pra, këtu Brenda Rep.së Shqipërisë, nuk shkollohen në gjuhën shqipe, por në gjuhën greke, duke u financuar nga shteti grek? Sa shqiptarë të Rep.e Shqipërisë janë regjistruar në Rep. e Greqisë, si vorio-epirotë, që, në konceptin e shtrembëruar të atij shteti, konsiderohen grekë?!
Shihni, pastaj, një tjetër fenomen, në sistemin e arsimit privat në Rep.e Shqipërisë! Midis disa dhjetëra universiteteve privatë, sa prej tyre kanë fgakultet të gjuhës shqipte dhe të historisë së Shqipërisë?! Është pak të themi që nacionalizmi shqiptar është një livadh i shkrumbuar!
E që, tashmë, ky Komb, Kombi Shqiptar, është i përcëlluar, i shndërruar në hi e në thëngjill të zi, Ju, z.F.Riker, sigurisht e dini kontributin që ka dhënë Perendimi për ta katandisur në këtë gjendje Kombin Shqiptar.
——————–
Ju kërkoj ndjesë që, në tekstin në vazhdim, do ta përdor përemrin JU me një kuptim më të zgjëruar! Do të nënkuptoj me këtë përemër të gjitha gjeneratat evropiano-perendimore dhe amerikano-veriore, të politikanëvet, pushtetarëvet, diplomatëvet, burokratëvet dhe skolastikëvet jolargpamës, jo vetëm sa i përket Kombit tonë, por edhe më tepër, filluar nga gjysma e dytë e sh XIX e këndej.
Në gjysmën e dytë të sh XIX Kombi ynë pati në krye një properendimor nga më të kompletuarit, Abdyl Frashërin. Ai kërkoi që Shqipëria të mos copëtohej. Thonë se erdhi deri në Berlin. Ju nuk e përkrahët kërkesën e tij. E latë të kalbet burgjevet të Perandorisë Osmane, ua latë Sërbisë dhe Malit të Zi disa copa të mëdha të truallit shqiptar dhe vazhduat punën tuaj, duke pandehur se po bënit punë të mençura.
Në vitin 1913, në krye të Kombit Shqiptar ndodhej një properendimor nga më të përkthjelluarit e kohës (mysliman, i martuar me një të krishterë). Ai ishte Ismail Qemali. Ju ia copëtuat shtetin që ai, me stërmundime, sapo e kish proklamuar në fund të vitit 1912! E copëtuat dhe e stërcopëtuat shtetin e Ismail Qemalit, ndërsa atë vetë, e latë të vdiste, diku atje te ju, në rrethana misterioze.
Në vitin 1924, forcat properendimore, proevropiane e proamerikane, demokratike dhe antifeudale, prunë në krye të shtetit shqiptar një nga përfaqësuesit më të shquar të kulturës perendimore, Theofan Stilian Nolin. Ju nuk e njohët dhe nuk e pranuat as atë. E detyruat të bredhë nëpër Evropë e nëpër Amerikë, si Moisiun nëpër shkretëtirën e Judesë!
Në vitet 1928-1939, një copë fare e vogël e Shqipërisë, një e treta e Shqipërisë, arriti të shpallet mbretëri. Ishte Ahmet Zogu, i martuar me një princeshë perendimore. Ju, perendimorëvet, nuk ju pëlqeu as ai! E sulmuat mbretërinë tonë të vogël, më 1939-n, dhe e asgjësuat! Mbretin Zog e detyruat të marrë arratinë. Por, ku do të shkonte?! Ai erdhi atje te ju. Erdhi në Angli! Ju nuk e njohët, nuk e pranuat dhe nuk e ndihmuat EFEKTIVISHT që të kthehet prapë në Shqipëri! Ju, madje, as nuk e dënuat pushtimin e Mbretërisë Shqiptare nga një shtet i juaji, shtet perendimor!
Në vitet 1941-1944, në krye të Lëvizjes Nacionalçlirimtare shqiptare erdhi Enver Hoxha, i shkolluar me frymë perendimore, i idelogjizuar atje te ju dhe i ushqyer me shpresën se ju do ta ndihmonit efektivisht. Këtë, midis tjerash, e dëshmon edhe fakti që ai, gjatë gjithë luftës, mbajti pranë shtabit të vet 2 misione perendimorë, 1 anglez dhe 1 amerikan. Por ju nuk e përkrahët atë EFEKTIVISHT. Ju përkrahët J.B.Titon, që gjithashtu ishte komunist, bëtë alenacë me J.V.Stalinin, i cili ishte 9 herë më komunist se Enver Hoxha. Titos ia dhatë të drejtën që t’i shkëpusë nga shteti italian një pjesë të Brigjevet të Dalmacisë dhe Ishujt e Dalmacisë, përkundër përrallavet për mosndryshim kufijsh. Enver Hoxhës nuk i thatë: “Ti je udhëheqësi i kësaj lufte, ti je aleati ynë, dhe prandaj të takon ty të vihesh në krye të KREJT këtij Kombi!” (Nëse i është thënë e ai s’ka pranuar, kjo duhet të na vërtetohet me dokumente.) T’i thuhej Titos: “More Dalmacinë, lëshoje Kosovën!” Kosova, në Mbledhjen e Bujanit, ish deklaruar për bashkim me shtetin shqiptar. Ku ishit ju atëherë? Ju nuk bëtë asgjë në këtë drejtim, ndërsa mijëra fëmijë ashqiptarë po thereshin prej sllavojugorëvet. Enver Hoxha e kish krijuar batalionin “Çamëria” dhe kjo do të thotë që ai ish i prirur për ta çliruar edhe Çamërinë. Por ju, në vend që të zbarkonit në Prevezë me flotën tuaj dhe t’i thoshit Enverit: “Përparo drejt Jugut!”, në një kohë kur nëpër Çamëri po thereshin prej grekëvet me qindra shqiptarë dhe po dëboheshin me mijëra, ju preferuat të zbarkoni në Sarandë, për ta mbytur edhe atë pak liri që e kishte fituar kjo pjesë e vogël e Kombit Shqiptar!
Nga viti 1944 deri në vitin 1985, pengesa juaj kryesore në këtë rajon ishte shqiptari Enver Hoxhë. Nuk ju bënte aspak përshtypje, vrasja, asgjësimi fizik i mijëra shqiptarëve në shtetin jugosllav. Nuk njohim asnjë memo drejtuar pushtetmbajtësvet komunistë apo kuazikomunistë në Jugosllavi kundër genocidit që ata ushtronin ndaj shqiptarëvet. Qindra mijë burra të torturuar nëpër burgje në vitet 1053-1956! Ju nuk bëtë asgjë për të mos ndodhur këto hatara! Mbi 200 apo 300000 shqiptarë të shpërngulur me makinacione drejt Turqisë. Ju nuk bëtë asgjë! 500000 vjet, llogaritur në total, i kaluan shqiptarët nëpër burgje në shtetin jugosllav! Ju nuk ndërmorët asnjë masë! Perendimit i kish mbetur merak vetëm rrëzimi i regjimit të Enver Hoxhës dhe i përdorët Jugosllavinë e Greqinë, për të rrëzuar pushtetin në Tiranë. A ishte një politikë realiste properendimore, kjo politikë e Perendimit?!
Ndërkaq, mbretin Zog e kishit lënë në pikë të hallit, duke u munduar të mbijetojë me idealet e vet, ca nëpër Egjipt e ca nëpër Francë. Sa rrekeshit ta rrëzoni Enverin, ju e kishit më lehtë të paktën ta shtronit si ide korrigjimin e padrtejtësisë kataklizmike që i kishit bërë Ismail Qemalit. Në vend që ta linit Ahmet Zogun të bridhte andej e këndej, ju mund t’u propozonit shtetit grek dhe shtetit jugosllav që Ahmet Zogu, të pranohej mbret i atyre shqiptarëve që nuk sundoheshin prej Enver Hoxhës. Të formësohej ashtu një mbretëri shqiptare me shtrirje prej Prevezës e rretherrotull deri në Tivar. Në një rast të tillë, as 3 ditë nuk do të mbijetonte diktatura e Enver Hoxhës në Rep.Pop. të Shqipërisë.
Por ju, as që ju kish shkuar ndër mend një opcion i tillë dhe kjo ka ndodhur, sepse JU NUK E KENI PASUR KURRË NË AGJENDË KONSOLIDIMIN E KOMBIT SHQIPTAR. Ju e kishit në agjendë bashkimin e 2 Gjermanivet ish-naziste, dhe mirë bënit që e kishit në agjendë, por nuk u ka shkuar kurrë në mendje që një komb shqiptar, i bashkuar, këtu në Ballkan, do të mund të luante të njëjtin rol që luan një Germani, e bashkuar, në Bashkimin Evropian.
——————–
Tani, e morët rrugën, Ju, z.F.Riker, për t’u bërë vërejtje pushtetarëvet tanë dhe politikanëvet tanë, që të mos e përdorin retorikën nacionaliste, sepse ajo po shkaktoka destabilizim në rajonin tonë! Unë po dua të Ju pyes me këtë rast, meqë z.Sokol Balla nuk bëri të këtilla pyetje: A e keni quajtur destabilizues faktin që Sërbia ka në Beograd një ministri të posaçme për Kosovë-Metohi?! Pjesë e shtetit të Austro-Hungarisë ka qenë edhe Kroacia. A ka pasur në Vjenë një ministri për Kroacinë, qoftë edhe në ditët apo muajt e parë pas shkëputjes së Kroacisë nga Austro-Hungaria? A e keni quajtur destabilizuese ekzistestencën e një kushtetute në Rep.e Sërbisë, ku Kosova, tashmë shtet i pavarur, i njohur edhe prej SHBA-së, konsiderohet pjesë e asaj republike? A e keni quajtur destabilizues për rajonin një aksion për hapje gropash këtu nëpër Shqipëri, gjoja për të kërkuar varre dëshmorësh grekë, të cilët edhe në janë vrarë këtu, janë vrarë prej ushtrisë italiane e jo prej nesh?! A e keni quajtur destabilizuese për rajonin, faktin që Greqia, edhe kur thotë se i gjeti eshtrat e dëshmorëvet të vet, nuk i çon ato eshtra për t’u prehur në atdheun e tyre, por i rivarros këtu në Shqipëri?! A e keni quajtur, z.F.Riker, destabilizues për rajonin faktin që parlamenti i sotëm grek nuk po e abrogon një ligj lufte me Shqipërinë, që e ka pasë ratifikuar një parlament i dikurshëm grek, në rrethana krejt të tjera?! A e keni quajtur destabilizuese atë çfarë shktruhet në një kuazienciklopedi të një pjese sllavësh, që kanë ardhur të jetojnë në Shkup mbas tërmetit të vitit 1960?!
Titulli i këtij shkrimi është: “Z.F.Riker, kemi nevojë për ty, si për një diell!” Mua tani po më kujtohet që të njëjtën ide e ka shprehur një personalitet i yni shumë i madh. Ai ka thënë: “Për Shqipërinë, dielli lind nga Perendimi.”
Por, ç’po bën ky diell për ne, z.F.Riker?! Ky diell, që kemi parasysh ne shqiptarët, nuk është një forcë e verbër e natyrës, si ai Dielli i qiellit, por është një organizëm i ndërgjegjshëm, i cili do të duhej të vepronte mbi Kombin tonë, jo thjeshtë për të mirën e këtij Kombi, por edhe për të mirën reale të kombevet përrreth, si dhe, gjë që është edhe më e rëndësishme, për të mirën e vetëvetes.
Unë nuk kam të drejtë të përzihem në punët financiare e ekonomike të cilitdo shtet apo grup shtetesh. Por, përderisa bëhet fjalë, midis tjetrash, edhe për vendin tim, aq më shumë e kam të drejtën ta shpreh mendimin tim. Për mua, sa vini e na këshilloni për votime të ndershëm, kur dihet që votimin e bën për të mos qenë i pandershëm vetëm detyrimi teknik dhe administrativo-juridik, dhe sa vini si ajo edukatorja jometodike e kopshtit të fëmijëvet, e na vini gishtin te buza: “Mos qaj, se po zgjon të tjerët!”, në një kohë kur ata TË TJERËT ulurijnë jo si fëmijë, por si egërsira, pra, në një kohë kur na vini me të këtilla këshilla, me natyrë thjeshtë kozmetike, unë mendoj që ju, dmth SHBA-ja dhe BE-ja, duhej të vinit këtu në Rep.e Shqipërisë, herëpas’here, me nga një pako investimesh 10-miliardë dollarësh, të vinit këtu në Rep.e Kosovës, herëpas’here, por jo duke u vonuar shumë, me nga një tjetër pako investimesh 10-miliardësh, nga të cilët 2 miliardë t’i investonit në Veri të Kosovës, në mënyrë që atje të mund të rrojnë mirë edhe sërbët, që historia i ka zatetur aty, por të mund të kthehen në vendin e vet edhe shqiptarët që janë shpërngulur andej në dhjetëvjetëshat e fundit. Të merreshit vesh me qeverinë e Beogradit dhe të investonit edhe në Kosovën Lindore, herë 2 miliardë e herë 3 miliardë dollarë dhe euro, në mënyrë që shqiptarët e atyre anëve të mos detyrohen për t’u larguar nga vendi i vet. Të investonit herëpas’here nga 10 miliardë dollarë e euro edhe në Ish-Rep. Jug. të Maqedonisë, por jo si J.B.Titoja, në mënyrë që të përfitonin vetëm sllavët. Të investonit nga 10 miliardë dollarë e euro ekskluzivisht në Notio-Epir, duke realizuar njëkohësisht edhe të drejtat nacionale të banorëvet vendës të Notio-Epirit.
Mos më thoni, z.F.Riker, që këto janë ëndrra! Mos më thoni që këto janë përralla! Unë e di sa miliarda keni investuar ju në Korenë e Jugut, për të pasur atje një shtet të fortë proamerikan. Unë e di sa miliarda keni derdhur ju në Izrael, duke realizuar 2 të drejta njëkohësisht: Edhe të drejtën e izraelitëvet për të pasur më në fund një shtet të vetin, edhe të drejtën e perendimorëvet për të pasur në Lindjen e Afërt një mbështetje sa më të fuqishme. Arritët ashtu ta keni aleat një popull që ju vetë, dmth perendimorët, e kishit keqtrajtuar deri në shkallën e holokaustit. A nuk do të duhej të bënit edhe me ne shqiptarët të njëjtën kthesë, dmth, nga keqtrajtimi, siç e pamë këtu fare shkurtimisht, të ktheheshit në miqtë dhe përkrahësit tanë MIRËFILLI EFEKTIVË?! Unë e di sa e keni ndihmuar ju shtetin grek, madje duke mos e vënë re fare që ai shtet po e shkelte sistematikisht Kartën e të Drejtavet të NJeriut, duke mos hapur shkolla shqipe për ashqiptarët ortodoksë të Çamërisë dhe për arvnitët, historikisht mbrojtësit dhe shpëtimtarët e Greqisë. E keni ndihmuar Greqinë deri në atë masë, sa, përveç ç’kanë pirë edhe ngrënë deri më sot, grekëvet të pasuruar u kanë tepruar diku rreth 600 apo 700 miliardë evro. U kanë tepruar 600-700 miliardë euro, i kanë depozituar nëpër banka, dhe kërkojnë prapë të marrin ndihma pa fund nga taksapaguesit e BE-së.
Jeni ju (Nuk e di si mund të ju quaj: burokratë shkurtpamës, skolastikë, eklektikë apo disi ndryshe.), të cilët prapë po i jepni klasës së të pasuruarvet të Greqisë, para me miliarda, ndërsa ne mjaftoheni duke na këshilluar për “zgjedhje të ndershme” dhe për mbyllje goje në lidhje me problemet shekullisht të pazgjidhur të Kombit tonë.
Z.F.Riker, unë do të doja që Ju të ishit të paktën një rreze e diellit, në mos krejt diellli. Por Ju erdhët në Tiranë dhe na prodhuat këtu vetëm tym. Nga ai lloji i tymit që improvizohet në skenat e teatrovet. Më vjen keq që u shpreha kështu, por konsideroj se është më e ndershme të jemi të drerjtpërdrejtë me njerëzit që duam t’i kemi miq.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura