GLAUK KONJUFCA: KRYEMINISTËR, BETOHUNI PËRPARA FLAMURIT SE NUK DO TË PRANONI KURRFARË AUTONOMIE PËR VERIUN

(Prishtinë, 16. 11. 2012) – Z. Kryeministër, sot unë këtu me vete kam sjellë një flamur kombëtar të cilin do ta vendos këtu në foltore, Qytetarët e këtij vendi presin nga ju që të betohemi përpara flamurit kombëtar se kurrë nuk do të bëni pazar me një pjesë të territorit të Kosovës se kurrë nuk do të pajtoheni që veriut të Kosovës t’i jepni autonomi.

Për kë punon Hashim Thaçi?
Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Në takimin e fundit që Kryeministri pati me Daçiçin u përmend se për çfarëdo implementimi të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ‘veriu është më ndryshe’, Kjo Qeveri, pra, tashmë është pajtuar që veriun të mos e konsiderojë si territor të Kosovës. Veriu është territor i Kosovës vetëm në fjalimet e Kryeministrit, por jo edhe në veprimet konkrete të kësaj Qeverie.
A mund të na e shpjegoni çdo të thotë kjo që ‘veriu është më ndryshe’, A mos do të thotë kjo se për veriun edhe zgjidhja po kërkohet të jetë ndryshe nga Plani i Ahtisaarit?
Përse marrëveshja e IBM-it, në të cilën zyrtarisht kufijtë e Kosovës askund nuk figurojnë si kufij shtetërorë, nuk do të zbatohet vetëm në dy pikat kufitare në veri. A mos është edhe kjo një shenjë se jeni treguar i pasinqertë kur thoni se pas 25 korrikut është vënë kontrolli në kufijtë veriorë?

Kryeministër, betohuni përpara të zgjedhurve të popullit dhe para të gjithë qytetarëve të Republikës se, nuk do të bisedoni kurrë me Serbinë për veriun e Kosovës dhe se nuk do të pranoni kurrfarë autonomie për veriun.

…………………………………………..

Kryeministër,
Në një prej intervistave tuaja të fundit kemi folur për muhabetin që e keni bërë me Daçiçin, dhe keni thënë se kur Daçiçi ju ka thënë se do t’ju arrestonte, ju i keni thënë atij se edhe ju do të mund ta kishit arrestuar kur Daçiçi ishte në Kosovë, por me urdhrin tuaj keni ndikuar që ai të mos preket. A mund të na e shpjegoni më hollësisht, kush nga policia paska dashur ta arrestojë Daçiçin dhe pse keni ndërhyrë në këtë proces? Përse i pengoni institucionet e sigurisë që ta kryejnë punën e tyre, dhe i viheni në mbrojtje Ivica Daçiçit? Çka është kjo Qeveri kështu që ministër i saj jep urdhër të paligjshëm policisë që qytetarët paqësorë shqiptarë që protestojnë kundër Serbisë t’i rrihni, kurse ju jepni urdhër policor që Ivica Daçiçi të mos preket dhe të qarkullojë i lirë nëpër Kosovë? Për kë tjetër punoni ju, përveçse për vetveten, sepse këtë gjë e dimë?
Zonja dhe zotërinj, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Problemi më i vogël i negociatave me Serbinë është raportimi i Kryeministrit në Kuvend. Çështja kryesore nuk është raporton apo nuk raporton Kryeministri. Problemi kryesor është se Kryeministri shkon dhe takohet me kryeministrin e Serbisë për të biseduar për Kosovën. Me siguri në këto biseda të Kryeministrit me Daçiçin nuk është folur asgjë për Serbinë, apo për Luginën e Preshevës. Atje është fol vetëm për trashëgiminë kulturore të Kosovës, se kah i konvenon Serbisë t’ia mbajë autostrada e kombit. Se në ç’mënyrë Serbia të vazhdojë t’i financoje strukturat e veta në Kosovë. Dhe kështu po shkohet drejt temës së veriut të Kosovës. Përkundër herave tjera, kësaj radhe Kryeministri çuditërisht është treguar shumë i zellshëm për raportim. Siç duket, ai e ka qejf raportimin sidomos në kësi rastesh kur mund të na thotë ç’të dojë e ne nuk mund ta verifikojmë nëse ai po na tregon drejt.
Kështu që ai mund të na e zbukurojë bisedën me Daçiçin ashtu siç ia ka qejfi. Në takim nuk ka pasur kamera, biseda nuk ka transkript, kështu që Kryeministri mund ta kthejë këtë takim për ta promovuar patriotizmin e tij të shtirur. Duke na thënë se ka folur për të pagjeturit. E vërteta, në këtë rast, varet krejtësisht prej ndërgjegjes së Kryeministrit. Por ne nuk mendojmë se ndërgjegjja e Kryeministrit është e përshtatshme për të na e treguar të vërtetën. Sepse kemi të bëjmë me njeriun që na premtoi që nuk do të ketë negociata politike me Serbinë, dhe shkoi pikërisht në këto negociata.
Pardje tha se i kam dërguar VETËVENDOSJE!-s kërkesë për informim, gjë që nuk është e vërtetë. Prandaj ndërgjegjja e Kryeministrit dhe e vërteta rrallëherë, shkojnë bashkë, për të mos thënë fare. Këtij Kuvendi nuk i kanë munguar premtimet e Kryeministrit, të stilit se në fund të negociatave Serbia do ta njeh Kosovën si dhe do të bëhemi pjesë e OKB-së. Bile edhe ne si deputetë, por edhe qytetarët e Kosovës janë lodhë nga premtimet e pambajtura të Kryeministrit. Këtij Kuvendi i kanë munguar dhe i mungojnë ende betimet e Kryeministrit. Ajo që kanë nevojë qytetarët e Kosovës është që Kryeministri i tyre të betohet këtu se nuk do të ketë autonomi për veriun e Kosovës. Sepse edhe Bosnja u bë anëtare e OKB-së, ama vetëm atëherë kur Serbia e mori nën kontroll Republikën Serbe atje.
Kryeministër,
betohuni përpara të zgjedhurve të popullit dhe para të gjithë qytetarëve të Republikës se, nuk do të bisedoni kurrë me Serbinë për veriun e Kosovës dhe se nuk do të pranoni kurrfarë autonomie për veriun.
E keni rastin t’i qetësoni zemrat e qytetarëve të këtij vendi.

Tash ndodhemi në prag të 100 vjetorit të pavarësisë shqiptare. Kjo ngjarje e madhe kombëtare anembanë po shënohet me aktivitete e manifestime. Por ju keni zgjedhë mënyrën më të keqe të mundshme për ta shënuar këtë ngjarje. Sepse këtë gjë po e bëni me negociata me Serbinë.
Sot unë këtu me vete kam sjellë një flamur kombëtar të cilin do ta vendos këtu në foltore,
z. Kryeministër. Qytetarët e këtij vendi presin nga ju që të betoheni përpara flamurit kombëtar se kurrë nuk do të bëni pazar me një pjesë të territorit të Kosovës se kurrë nuk do të pajtoheni që veriut të Kosovës t’i jepni autonomi.

Prishtinë, 16 nëntor 2012
(Fjala e Glauk Konjufcës në debatin parlamentar për raportimin e Kryeministrit për bisedimet me Serbinë dhe takimin e dytë më Ivica Daçiç)

Në vijim shikoni replikën e Hashim Thaçit dhe të Glauk Konjufcës,

lidhur me këtë çështje:

…………………………………………………………………….

REXHEP SELIMI: JA CILI ISHTE BETIMI I UҪK-së

E dëgjova nga një koleg deputet që thotë se për normalizimin e marrëdhënieve, respektivisht për procesin e negociatave me Serbinë, që thotë le ta pranojmë këtë proces në mënyrë të dinjitetshme, sado i dhimbshëm që është ai. Edhe një anëtar i Qeverisë tha mos keni frikë nga ky proces. Nuk e di pse mu kujtua tmerri i shumë civilëve shqiptarë në kohën e luftës, kur batutën e dhimbshme të trishtueshme “mos u tut se e kam dorën e lehtë”, e kanë dëgjuar shumë shpesh. Po ashtu gjatë diskutimeve të anëtarëve të mazhorancës e dëgjova një thënie që nuk e kam dëgjuar me herët, por as që e kam ndërmend ta ruaj si një thënie të mençur “më mirë 100 vite dialog sesa një vit luftë”. Kjo i bie që të mohohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo i bie që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka qenë mirë dhe i bie që më e mençur do të ishte 100 vite dialog me Serbinë sesa lufta e UÇK-së.

“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, BETOHEM, se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dha bashkimin e tyre. …”

……………………………………………..

Kryeministri na tha që pikën e pestë të raundit të dytë është trajtuar tema dhe respektivisht Qeveria e Kosovës ka marr angazhime për ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore “serbe” në Kosovës. Po trashëgiminë kulturore, kombëtare shqiptare, pse nuk na e mbroni z. Kryeministër? Po flamurin kombëtar shqiptar, pse nuk na e mbrojte asnjëherë z. Kryeministër?
Me të njëjtin ton optimizmi u tha që njësite të veçanta të Policisë së Kosovës do të merren me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, respektivisht me ruajtjen e objekteve kulturore të ashtuquajtura serbe në Kosovë.
Këtu fillon ndarja e njësive të Policisë së Kosovës, me detyra etnike, për qëllime etnike, që i bie se këtu de-facto fillon ndarja etnike e njësive të Policisë së Kosovës.
Gjatë kësaj seance kishte disa reagime të disa deputetëve, vetëm të mazhorancës, rreth flamurit kombëtar shqiptar në foltoren e Kuvendin të Kosovës, duke klithur si nëpër dhëmb se ne e kemi bërë moti këtë betim, se ne e kemi bërë kur ju keni qenë të vegjël, etj. Unë kam dyshime nëse vërtetë është bërë ai betim ndonjëherë, por e kam fjalën për ata që kanë arritur ta bëjnë atë betim, dua t’ua kujtoj edhe njëherë. Betimi i ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte kështu, për ata që e kanë harruar:
“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, BETOHEM, se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dha bashkimin e tyre. Do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa e kursyer as jetën time, të luftoj për mbrojtjen e interesave të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM!”

Pra, shumë të atillë që u ka humbur gjaku, i kemi edhe këtu në Kuvendin e Kosovës.
– Fjala e Rexhep Selimit në debatin parlamentar për bisedimet me Serbinë, raportimi i Kryeministrit. Prishtinë, 16 . 11. 2012.

=====================

Fjala e Rexhep Selimit në debatin për bisedimet me

Serbinë dhe raportimin e Kryeministrit Thaçi:

———————————————-

(ILUSTRIMET JANË T Ë PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura