HALIM PURELLKU: PUSHTIMI I TREVAVE LINDORE SHQIPTARE NGA FUQITË JUGOSLLAVE/PARTIZANE NË GJYSMËN E DYTË TË VITIT 1944

Tetovë, 11. 04. 2016: (Fuqitë ndërluftuese) – Gjatë Luftës së Dytë Botërore rrethi i Dibrës, i Radastushës (-Rekës së Dibrës), i Strugës, i Kërçovës, i Gostivarit dhe ai i Tetovës, si dhe pesë fshatra të rrethit të Prespës, me sipërfaqe rreth 4.100 km2, nga shtatori i vitit 1944 e deri në nëntor të vitit 1944, ishin nën pushtimin ushtarak gjerman dhe me administratë shqiptare, kurse pjesa tjetër e Trevave Lindore shqiptare ishin nën pushtimin bullgar.1. Asokohe, në Trevat Lindore shqiptare, krahas ushtrive dhe pushteteve gjermane dhe bullgare, vepronin edhe struktura të tjera legale e ilegale politike dhe si ushtarake. Nga organizmat politike shquheshin: “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, me komitetet e saja edhe në Tetovë dhe në Gostivar2., Partia Komuniste e Jugosllavisë (në vazhdim: PKJ), si dhe Organizata çetnike etj.3. Secila nga këto organizata kishin ngritur edhe fuqitë e tyre të armatosura. Të gjithë këta faktorë ushtarak, madje si faktorët ushtarak edhe ata politik vepronin në këto treva mbi bazën e interesave dhe ideologjive të veta.
Fuqitë balliste: Në Trevat Lindore shqiptare, “fuqitë shqiptare” ashtu siç i cilësonte edhe Mihajllo Apostollski, në një raport të tij drejtuar Shtabit Suprem të Ushtrisë Nacional Çlirimtare (UNÇ) dhe Aradhave Partizane (AP) të Jugosllavisë në tetor 1944,4. njihen dhe me sinonime të tjera, si: “fuqitë kreshnike”, “fuqitë kufitare vullnetare”,5. por dhe hera herës në dokumente dhe literaturë i hasim me emrin fuqitë e “shqiptarëve pro-gjerman”), por termi “fuqi balliste” mbeti emërtimi më i përdorur për ta, jo vetëm pas përfundimit të luftës, por edhe sot, ashtu që edhe ne në këtë punim do të përdorim termin: fuqitë shqiptare/balliste. Organizimi i formacioneve të armatosura të kësaj strukture dhe rekrutimi i “vullnetarëve” mbi baza të listave paraprake në radhët e shqiptarëve të trevave të Gostivarit, Kërçovës, Tetovës etj, filloi që nga fillimi i majit 1944, me dekret të Xhemail (Xhemë) Hasanit (Xhemë Gostivarit), i cili edhe ishte komandant i tyre, kurse zëvendës komandant ishte Mefail Shehu (Mefail Kërçova).6. Në gusht 1944, numri i ballistëve në këto treva përgjithësisht ishte i kufizuar dhe ishin dobët të armatosur, kryesisht me armë të lehta; posedonin vetëm disa armë automatike.7. “Ballistët e trevave të Kërçovës-Gostivarit ishin drejtpërdrejt të lidhur me ballistët e Kosovës dhe ishin nën komandën e përbashkët me qendër në Prizren nga ku furnizoheshin me armë e municione” – thuhet në dokumentet partizane të kohës.8.

– Halim Purellku –

Fuqitë partizane: Numri i anëtarëve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) në këto treva edhe asokohe ishte shumë i vogël, përkatësisht minimal. Në katër (4) rrethe të Trevave Lindore shqiptare (atë të Tetovës, të Gostivarit, të Dibrës dhe të Strugës) PKJ-ja, nga mesi i vitit 1944, kishte gjithsej rreth tetëdhjetë (80) anëtarë.9. Ndërkaq, në korrik të vitit 1944, në gjithë “Maqedoninë” njësitë partizane numëronin gjithsej rreth 3000 luftëtarë.10. Svetozar Vukmanoviq Tempo, në qarqet e larta komuniste, cilësohej si “organizuesi dhe frymëzuesi” i brigadave partizane jugosllave në “Maqedoni”,11. një konstatim i këtillë gjen mbështetje edhe në vetë raportin e Svetozar Vukmanoviq Tempo, dërguar KQ të PKJ-së, 8 gusht 1943.12. Kurse “Brigada kosovare është (ishte-H.P.) boshti i lëvizjes partizane maqedonase. Kjo pranohet edhe nga liderët maqedonas” vlerësonte MekDonalld (Donalld), kapiten britanik në misionin tek formacionet partizane, në një raport të tij për Forin Ofis-in britanik.13. Kurse, sa i përkiste karakterit të lëvizjes komuniste partizane në “Maqedoni” ai (MekDonalld) vlerësonte se ajo: “në themelet e saj para së gjithash është (ishte-H.P.) nacionaliste, e pastaj lëvizje komuniste” dhe deri në tetor të vitit 1944 fuqitë partizane “maqedonase”, me një nivel disipline të ulët, asnjëherë nuk kishin ndërmarrë ndonjë aksion të madh luftarak dhe gjithmonë iu shmangeshin atyre.14. Kështu vlerësonte dhe konsulli italian në Manastir, në një raport të tij (30 janar 1945), kur thotë se: “…thuajse asnjëherë partizanët nuk i shqetësonin trupat gjermane…” në “Maqedoni”.15.
Tërheqja e trupave gjermane nga Trevat Lindore shqiptare dhe operacionet ndërluftuese midis palëve (shtator-tetor 1944)
Në Trevat Lindore shqiptare, fillimi, zhvillimi dhe përfundimi i operacioneve ndërluftuese midis faktorëve ndërluftues në terren; trupave gjermane, fuqive shqiptare/balliste dhe fuqive jugosllave/komuniste ishin ngushtë të ndërvarura me situatat momentale ndërkombëtare dhe rajonale, nga të cilët ishin, si: Përfundimi i përgatitjeve të Aleatëve për ofensivë të fuqishme kundër Gjermanisë, si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi; hyrja e trupave sovjetike në Serbi dhe Bullgari; zbarkimi i trupave britanike në jug të Shqipërisë; kapitullimi i Bullgarisë (9 shtator 1944); operacionet aleate “Ratweek” dhe “Helium” mbi trupat gjermane; vendimet e Konferencës së Jaltës etj.16.
Komanda Madhore (e Lartë) gjermane, më 2 shtator 1944 e miratoi tërheqjen e Armatës (Korparmatës) “E” nga Greqia drejt veriut. Nën komandën e grupit të Armatave “E”, në fillim të tërheqjes qe përfshirë dhe “Korpusi njëzetenjë (21) kodrinor i armatës” i cili ndodhej në Shqipëri. Komanda e grupit të armatave “E”, në krye me gjeneralkolonelin Ler, kishte vendosur që efektivat kryesore të tërhiqen në drejtim të veriut nëpërmjet luginës Moravë-Vardar, kurse efektivat e “Korpusit njëzetenjë (21) të armatës” të tërhiqen në drejtimin: Lezhë-Shkodër-Podgoricë-Nikshiq.17.
Mbi trupat gjermane në tërheqje, në Trevat Lindore shqiptare qe ndërmarrë operacioni i koduar si “Retvik” (“Ratwek”) nga ana e britanikëve, që filloi më 26 gusht 1944, me këto objektiva: spastrimin e luginës Kërçovë-Strugë nga trupat gjermane dhe pengimin e tërheqjes së tyre drejt veriut e perëndimit. Në operacionin “Retvik” përkrah forcave partizane komuniste qe angazhuar dhe aviacioni ushtarak aleat, i cili vepronte gjatë ditës. Brenda një jave (1-7 shtator 1944), sipas planit, u ndërprenë plotësisht të gjitha linjat e komunikacionit në drejtimet: Kërçovë-Strugë, Strugë-Dibër, Dibër-Kërçovë dhe Dibër-Gostivar.18. Kështu, gjatë 28-30 gusht dhe 1 shtator 1944, fuqitë partizane, në bashkëveprim me sulmet e aviacionit aleat i cili natën bombardonte qendrat e rëndësishme, kurse gjatë ditës sulmonte kolonat dhe mjetet transportuese të armikut, rrënuan pjesë të hekurudhës Gostivar-Kërçovë dhe Kërçovë-Strugë, përkatësisht pjesën e hekurudhës Izvor-Botun dhe stacionet hekurudhore; Slivovë, Presekë, Pesoçan dhe Botun.19. Pas 7 shtatorit 1944, operacioni vazhdoi me emrin e koduar “Helium”, qëllimi i të cilit ishte që nëpërmjet dëmtimit maksimal të hekurudhave të zvarritej për dy muaj tërheqja e trupave gjermane nga Greqia.20. Megjithatë trupat gjermane u tërhoqën nga Kërçova. Pas evakuimit/tërheqjes së gjermanëve nga Kërçova dhe pas një qëndrese të vogël të fuqive balliste, më 1 shtator 1944, “Brigada I Kosovare” e pushtoi Kërçovën, me ç’rast partizanët terrorizuan popullatën e fshatit shqiptar Dërgovë të Kërçovës. Por, përpara kundërgoditjes së fuqishme të “fuqive balliste” nga drejtimi: Dërgovë-Kërçovë, në fshatrat Klenoec e Izvor dhe në malin Bukovik, në të njëjtën ditë partizanët u thyen dhe ishin të detyruar të largohen nga Kërçova me rrethinë. Ndërkaq, më 3 shtator “Brigada I Kosovare” u tërhoq në trekëndëshin Dibër-Kërçovë-Gostivar.21.

Shtrirja gjeografike e Trevave Lindore shqiptare

Ndërkohë, më 4 shtator 1944, trupat gjermane u evakuuan/tërhoqën edhe nga qyteti i Dibrës, i cili pastaj ra në duar të partizanëve shqiptarë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare (UNÇ) dhe Aradheve Partizane (AP) të Shqipërisë, si dhe të Aradhes partizane të Dibrës-Kërçovës e cila aradhe më 10 shtator 1944 hyri në kuadër të Brigadës IV Shqiptare të UNÇ dhe AP të Jugosllavisë.22. Dibra vazhdonte të ishte në dorë të partizanëve shqiptarë edhe më 16 tetor 1944.23. Por, veç Dibrës, Trevat Lindore tjera vazhdonin dhe më tej të jenë në dorë të trupave gjermane dhe të fuqive balliste. Kështu, rreth 10 shtatorit 1944, Struga, Ohri, Kërçova, Gostivari, Tetova vazhdonin të ishin në duart e gjermanëve, ku dhe qenë përqendruar një numër i vogël i trupave gjermane, si dhe një numër më i madh fuqish shqiptare/balliste. Treva e Tetovës, e Shkupit dhe e Kumanovës dhe linjat e komunikacionit: Shkup-Kaçanik dhe Shkup-Tetovë vazhdonin të ishin në dorë të trupave gjermane edhe më 15 shtator 1944.
Ndërkaq, fuqitë partizane, nga mesi i shtatorit 1944, ishin të grupuara në male midis Dibrës-Kërçovës-Gostivarit dhe në zonat e Brodit (Poreçes) e të Krushevës, ku dhe po përgatiteshin për një sulm të ri.24. Gjithashtu dhe fuqitë vullnetare/balliste të prira nga Xhemë Hasani (Gostivari), sipas vlerësimeve të zyrtarëve komunistë jugosllavë, vazhdimisht po forcoheshin për të mbrapsur sulmet partizane. “I gjithë populli shqiptar, me përjashtim të një pakice, me armë në dorë merr pjesë në anën e Xhemës”, ndaj dhe për një kohë shumë të shkurtër ai ishte në gjendje të mobilizonte 3-4000 veta nën armë. Kurse, sipas vlerësimit të strukturave partizane, për momentin ndryshe qëndronte puna me fuqitë shqiptare/balliste të prira nga Mefail Shehu (Kërçova). Ata, nga fundi i shtatorit 1944, i kishte ngërthyer një krizë e brendshme që manifestohej me rënie të moralit dhe të disiplinës, e gjithë kjo kishte rezultuar gjoja me rënie të numrit të tyre.
Megjithatë në gjysmën e dytë të shtatorit, fuqitë partizane në luftë me shqiptarët u ndanë jo vetëm me disfata por edhe me humbje të mëdha në njerëz. Kështu, p.sh. më 19 shtator, fuqitë e Xhemës shpartalluan fuqitë partizane në fshatin Kiçinicë të Rekës së Dibrës. Ndërkohë, një grup fshatarësh të trevës së Tetovës në një përpjekje të armatosur me një “aradhe partizane” jugosllave, ia dolën t’i rrethojnë dhe t’i likuidojnë njëzet e gjashtë (26) partizanë dhe udhëheqësin e tyre Todor Ciposki-Merxhan. Kjo shënonte një goditje të rëndë për partizanët në zonën e Tetovës.25. Gjithashtu edhe fuqitë partizane të Brigadës IV shqiptare dhe të Brigadës VI të UNÇAPJ-së, më 26 apo 28 shtator 1944 sulmuan dhe i pushtuan fshatrat Serbicë, Novoselë dhe Harangjell në veri të Kërçovës, por përpara kundërpërgjigjes së fshatarëve shqiptar, partizanët u thyen dhe në mënyrë të paorganizuar ikën që aty, duke lënë pas 9 të vdekur dhe 21 të plagosur.26.
Ndërkaq, sipas burimeve jugosllave, në fund të shtatorit, përkatësisht në fillim të tetorit 1944, rreth 1000 trupa gjermane vazhdonin të qëndronin në Strugë, në Ohër dhe në dy fshatra të fushës së Strugës, si p.sh. në Mesheishtë, të cilët mbanin nën kontroll rrugën Ohër-Tiranë. Por, edhe rreth 100 ballistë të armatosur vepronin në trevën e Strugës.27. Më 3 tetor 1944 qe lëshuar urdhri për tërheqjen e trupave gjermane nga Shqipëria dhe Greqia.28. Burimet partizane jugosllave bëjnë të ditur se në ditët e para të tetorit 1944, gjermanët po tërhiqeshin nga Vlora për në Strugë e Ohër. Disa kolona gjermane kaluan nga Ohri në Resnjë, por përsëri u rikthyen në Ohër. Ndërkaq, fuqitë e “Brigadës VII” partizane me veprime luftarake në qafëmalin “Gjavatë” u përpoqën të pengonin lëvizjen e trupave gjermane në këtë relacion, por më 4 tetor 1944 fuqitë partizane u thyen dhe trupat gjermane vazhdonin lirshëm lëvizjet e tyre.29. Andaj Grupi i armatave “E”, vazhdonte t’i dominojë linjat kryesore të komunikacionit, si dhe të sigurojë tërheqjen e disa divizioneve gjermane drejt veriut. Po ashtu, edhe fuqitë shqiptare/balliste gjatë tetorit të vitit 1944 zhvillonin thuajse luftë të përditshme me fuqitë partizane të UNÇJ-së në Trevat Lindore shqiptare, që nga Ohri e Struga në jug e deri në zonat e Kaçanikut, Malit të Zi të Shkupit, dhe Kumanovës-Preshevës në veri.30.
Në këto rrethana, nga strukturat drejtuese jugosllave/partizane ishte hartuar një Plan operativ për pushtimin përfundimtar të Trevave Lindore shqiptare. Për realizimin e këtij plani parashihej që të angazhohen dy korpuse: “Korpusi i Shkupit” dhe “Korpusi i Manastirit” Sipas planit, detyrat e njësive partizane të “Korpusit të Shkupit”, të ndihmuara dhe nga njësitë bullgare të konvertuara, ishin: të ndërpresin linjat e komunikacionit në drejtimet: Shkup-Gryka e Kaçanikut; Shkup-Tetovë dhe Shkup-Kumanovë. Njëkohësit këto fuqi partizane gjatë këtyre operacioneve ishin ngarkuar dhe me detyrën: të veçonin (ndanin) fuqitë shqiptare/balliste nga gjermanët dhe t’i detyronin ata të tërhiqen në Tetovë. Ndërkaq, njësive të “Divizionit 48” të “Korpusit të Manastirit”, iu dha për detyrë që pasi të pushtonin Ohrin dhe Strugën të sulmon Kërçovën dhe, pas pushtimit të saj të vazhdon marshin drejt Gostivarit për të kontribuar në suksesin e operacioneve për Shkupin. Mësymja ndaj trevës së Kërçovës planifikohej të fillonte më 8 tetor 1944. Operacionet e fuqive jugosllave/partizane për realizimin i këtij plani do të vazhdoјnë gjatë tetorit të vitit 1944.31. Më 6 tetor 1944 katër brigada jugosllave/partizane të “Divizionit 48”, ndër ato dhe “Brigada IV Shqiptare” i kishin zënë pozitat luftarake përreth Kërçovës.32. Fuqitë jugosllave/partizane ishin të pajisura dhe me artileri të rëndë; disa topa, të cilët dhe i vunë në veprim.33. Ata më 8 tetor filluan mësymjen mbi Kërçovën34. nga disa drejtime, kryesisht me zonë veprimi përreth vetë qytetit të Kërçovës dhe në pjesën veriore të kësaj zone. “Brigada e Katërt (IV) Shqiptare” vepronte në veri të trevës së Kërçovës dhe, përkohësisht pushtoi fshatit Tuhin, pastaj efektivat e saj u hodhën në malin Bukojç (Bukvik). Kurse, “Brigada I maqedonase” në mëngjesin e 9 tetorit 1944 nga jugu sulmoi qytetin e Kërçovës, por nuk arriti ta pushtojë. Po më 9 tetor 1944, luftime të ashpra zhvilloheshin dhe në vijën e luftës Kërçovë-fshati Qafë (në veri). Mirëpo, fuqitë shqiptare, të ndihmuara nga popullata vendase dhe nga gjermanët, e thyen mësymjen disaditëshe të fuqive partizane mbi Kërçovën dhe iu shkaktuan atyre humbje të mëdha në njerëz dhe materiale, ndaj dhe kjo trevë vazhdonte të ishte në dorë të shqiptarëve.35.
Kështu, Divizioni 48 i UNÇJ-së, në kuadër të së cilit vepronte dhe Brigada IV Shqiptare, pas luftës dëshpëruese me “fuqitë balliste” në vijën Kërçovë-fshati Qafë, më 8 e 9 tetor 1944, u hodh nga sektori i Kërçovës në sektorin e Strugës, me qëllim të pushtimit të trevës së Strugës dhe me këtë të ndërpret linjën e komunikacionit Tiranë-Ohër. Ndërkohë, garnizoni gjerman në Strugë qe përforcuar me efektiva të reja nga Ohri dhe Shqipëria e vjetër, e pastaj qe drejtuar për veprim përgjatë linjës së komunikacionit Resnjë-Ohër. Pas luftimeve treditëshe, fuqitë e Divizionit 48 nuk arritën të pushtonin as Strugën dhe, më 19 tetor 1944 e ndërprenë sulmin ndaj saj. Struga vazhdonte të mbetej në dorë të gjermanëve, si dhe të fuqive/ballistëve me rreth 100 veta të armatosur nën komandën e Murat Labnishti.36.
Gjithashtu edhe në hapësirën midis Gostivarit dhe Shkupit, gjatë tetorit 1944, qenë zhvilluar luftime të rrepta të herëpashershme midis fuqive jugosllave/partizane me fuqitë shqiptare/balliste dhe trupat gjermane. Qëllimi i partizanëve ishte të pushtonin Shkupin dhe territorin në jug dhe perëndim të këtij qyteti.37. Në mbrojtje të trevës së Shkupit qe vënë edhe Xhemë Hasani (Gostivari), komandanti i fuqive shqiptare/balliste, me fuqitë e tij. Në fillim të tetorit të vitit 1944, ai me një numër të fuqive balliste, me Shtabin e vendosur në Harijevë (sot: lagja “Gjorçe Petrov”-Shkup) ndodheshin të përqendruara në mbrojtje të rrugës Shkup-Tetovë.38. Qëllimi i këtyre fuqive shqiptare/balliste ishte t’i përzënë nga ky rajon fuqitë jugosllave/partizane dhe të ndërlidhen me trupat gjermane në Shkup.39. Mirëpo, në fillim të tetorit 1944, dy brigada jugosllave/partizane do të marshojnë nga mali “Karlijaka” (Karshijaka), drejt pozicioneve të këtyre fuqive shqiptare/balliste.40. Numri i efektivave partizane ishte i madh, vetëm rreth Shtabit qëndronin 800 veta. Operacioni i këtyre fuqive jugosllave/partizane kishte për objektiv që pasi të thyen fuqitë balliste të kalonin lumin Vardar dhe të vepronin në zonat në perëndim të tij, për të ndihmuar kështu fitoren e fuqive jugosllave në operacionet për pushtimin e Trevave Lindore shqiptare. Në mëngjesin e 7 tetorit 1944 fuqitë jugosllave/partizane sulmuan fuqitë balliste me zonë veprimi përgjatë vijës: Govorlevë-Svetapetkë-Barovë-Çiflik (fshatra të Shkupit). Pasi e thyen vijën e frontit, fuqitë jugosllave/partizane depërtuan deri te lumi Treska. Por trupa gjermane, rreth mesditës, marshuan në drejtim të fshatrave Nerez dhe Matkë të Shkupit dhe në mbrëmje i thyen e i përzunë që andej fuqitë partizane. Në jug të Shkupit, luftime midis fuqive balliste dhe atyre partizane u zhvilluan edhe gjatë 12 tetorit, që përfunduan me humbje të dyanshme në njerëz e materiale.41. Por, operacionet luftarake në hapësirën midis Shkupit dhe Tetovës vazhdonin. Gjatë 17-19 tetor 1944, Divizioni 42 partizan jugosllav u ndesh me një pjesë të trupave gjermane të Divizionit XI dhe fuqitë shqiptare/balliste dhe, sipas burimeve jugosllave, këtu u thyen fuqitë balliste dhe, partizanët “ia dolën ta kontrollonin dhe ta mbanin në dorë të tyre rrugën Tetovë-Shkup”, si të dhe rrënuan linjën e komunikacionit Shkup-Kaçanik. Njëkohësisht vazhdonin dhe përgatitjet e fuqive partizane për sulm mbi Shkupin.42. Mirëpo, pas një jave, më 25 dhe 26 tetor 1944, sërish u zhvillua luftë për Malin e Thatë (“Suva Gora”) dhe vijën e komunikacionit Shkup-Tetovë midis fuqive balliste dhe atyre partizane.43.
Kështu, deri më 18-19 tetor 1944 të gjitha operacione luftarake të fuqive jugosllave/partizane në të gjitha Trevat Lindore shqiptare, pos disa “sukseseve taktike”, përfunduan kryesisht “me sukses operativ” të armikut. Kurse trupat gjermane pas përforcimeve me efektiva të reja nga Ohri dhe Shqipëria e vjetër, vazhdonin të vepronin përgjatë linjës së komunikacionit Resnjë-Ohër. Gjë që dhe më tej Grupi i armatave gjermane “E” vazhdonte t’i dominojë linjat kryesore të komunikacioni.44.
Operacionet luftarake përfundimtare për Trevat Lindore shqiptare (nëntor 1944)
Nga fundi i tetorit 1944, fuqitë jugosllave/partizane po përgatiteshin për operacione të përmasave të mëdha. Qe hartuar dhe plani operativ për pushtimin përfundimtar të Trevave Lindore shqiptare.45. Sipas planit, kjo detyrë i qe ngarkuar Korpusi XV të UNÇAPJ-së.46. Në dhjetëditëshin e parë të nëntorit 1944 nga territori i Korpusit XV po evakuoheshin edhe mbeturinat e fundit të ushtrisë gjermane. Dibra vazhdonte të ishte në dorë të partizanëve shqiptarë, kurse Struga dhe Ohri pas largimit të trupave gjermane ra në dorë të fuqive partizane dhe po vendosej pushteti ushtarak e civil jugosllav, ndërkaq trevat e Kërçovës, e Gostivarit dhe e Tetovës vazhdonin të ishin në dorë të shqiptarëve, kurse në trevën e Kumanovës dhe në sektorët Shkup-Kaçanik dhe Shkup-Tetovë vazhdonin luftimet.47.
Kështu dhe sipas historiografisë jugosllave, që nga fillimi i nëntorit 1944, kur gjermanët u tërhoqën drejt veriut dhe perëndimit, formacionet balliste ishin forca e vetme që iu kundërvunë pushtimit të Trevave Lindore shqiptare nga partizanët jugosllav.48. Nga fundi i tetorit/fillimi i nëntorit 1944, edhe popullata shqiptare e trevave të Kërçovës, të Gostivarit dhe të Tetovës etj., po organizoheshin dhe po mobilizoheshin për t’iu kundërpërgjigjur mësymjes së fuqive jugosllave/partizane.49. Sipas burimeve jugosllave, nga fundi i vitit 1944 në formacionet balliste në Trevat Lindore shqiptare ishin përfshirë rreth 15.000 veta, nga të cilët: rreth 6000 ishin sistemuar në rajonin e Kërçovës; rreth 2000 në rajonin e Gostivarit dhe 5000 në rajonin e Tetovës.50. Sipas një Raporti të Shtabit të Divizionit 48 të UNÇAPJ-së (4.11.1944), fuqitë balliste nga trevat e Kërçovës-Gostivarit së paku që në tetor të vitit 1944 ishin drejtpërdrejt të lidhur me ballistët në Kosovë dhe kishin Komandë të përbashkët me qendër në Prizren, nga ku furnizoheshin me armë e municione.”51.
Pushtimi i Resnjës, Ohrit dhe Strugës: Në nëntor të vitit 1944, Korpusi 15 i UNÇAP-së të Jugosllavisë qe angazhuar në operacionet për pushtimin e trevave të Manastirit, të Resnjës, të Ohrit, të Strugës, të Kërçovës, të Gostivarit të Tetovës etj.52. Më 20 tetor 1944 Korpusi XV i UNÇAPJ-së mori urdhër të fillon operacionin për “çlirimin” e Pelagonisë dhe të trevave rreth liqeneve të Ohrit dhe të Prespës.53.
Më 24 tetor 1944, fuqitë partizane shqiptare dhe jugosllave sulmuan Kolonën ushtarake gjermane e cila ishte në lëvizje të përhershme në aksin rrugor Qafë Thanë-Strugë. Por, pasi që nga Elbasani arritën trupa shtesë gjermane, në mbrëmjen e asaj dite forcat partizane u tërhoqën në drejtim të fshatrave; Ladorishtë, Frëngovë dhe Zagorçan të Strugës. Pas dy ditësh, më 26 tetor filloi kundërmësymja e trupave gjermane që përfundoi: me përzënien e partizanëve nga këto fshatra. Më rëndë e pësoi fshati shqiptar Ladorishtë, ku gjermanët dogjën shumë shtëpi të këtij fshati, si dhe pushkatuan rreth 100 shqiptarë. Ndërkohë, më 31 tetor 1944 trupat gjermane që ndodheshin në Resnjë u nisën për në Ohër. Rrugës pati një përleshje me fuqitë partizane në Bukovë (ndërmjet Resnjës dhe Ohrit), pas disa përleshjeve gjermanët rreth orës 12h të 2 nëntorit 1944 hynë në qytetin e Ohrit dhe, nga aty vazhduan marshin në drejtim të Strugës. Ndërkohë, në mbrëmje të 31 tetorit, një kolonë gjermane nga drejtimi i Elbasanit pasi theu forcat partizane midis Qafë Thanës dhe Strugës arriti në qytetin e Strugës. Në sektorin e Strugës vepronin Brigada IV Shqiptare dhe një batalion i Brigadës XV jugosllave. Luftimet për Ohrin e Strugën vazhduan për rreth 14 ditë që përfundoi me largimin e trupave gjermane dhe hyrjen e partizanëve në Ohër dhe në Strugë.54. Ndërkaq, në fillim të nëntorit (rreth 6 nëntor 1944) në hapësirën midis Ohrit e Strugës ndodheshin trupat gjermane të grupit »Stajerer«, të cilat përgatiteshin për tërheqje nëpër Shqipërinë e vjetër. Po më 6 nëntor 1944, Divizioni 48, në kuadër të të cilit ishte dhe “Brigada IV shqiptare”, fillon Operacionin për Ohrin. Brigada IV shqiptare kishte për detyrë të vërë nën kontroll linjën e komunikacionit Ohër-Strugë dhe të mos lejonte të arrijë nga drejtimi i Strugës asnjë ndihmë për gjermanët.55. Më 7 nëntor forcat partizane të Divizionit 48 të UNÇ-së dhe APJ-së sulmuan një kolonë ushtarake gjermane përgjatë aksit rrugor Strugë-Ohër dhe po atë ditë (7 nëntor) pushtuan dhe Ohrin, kurse në qytetin e Strugës hynë më 8 nëntor 1944.56. Përkatësisht, më 8 nëntor 1944 Brigada IV shqiptare hyri pa luftë në Strugë. Gjatë luftimeve në trevën e Strugës nga radhët e kësaj brigade 35 veta u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën.57. Kështu, fuqitë partizane më 6 nëntor 1944 pushtuan Resnjën, në 7 nëntor Ohrin dhe më 8 nëntor Strugën.58. Kurse, trupat gjermane po tërhiqeshin nga Struga në drejtim të Qafë Thanës dhe Elbasanit, tërheqja e të cilëve po pengohej nga njësitë partizane shqiptare.59.
Dokumentet historike të kohës, vërtetojnë se pas pushtimit e në vazhdim të nëntorit, Struga mbahej nga fuqitë partizane nën shtetrrethim dhe qe mbyllur “hermetikisht” kufiri shtetëror i paraluftës me Shqipërinë e vjetër. Ashtu që në dhjetëditëshin e tretë të nëntorit të vitit 1944 brigadat partizane po ndërmerrnin nëpër vendbanimet e Strugës fushata me pretekstin e çarmatosjes, por në të vërtet ata ishin ekspedita ndëshkuese masive ndaj shqiptarëve, të cilat shoqëroheshin me: “spastrime”/likuidime “ në “mënyrë më energjike”, arrestime, si që thuhej, të ballistëve të dalluar dhe simpatizuesve, por në të vërtetë ata fushata u shtrinë mbi të gjithë popullatën shqiptare pa dallim gjinie e moshe. E pësuan rëndë fshatrat: Frëngovë, Kalishtë, Zagraçan, Radolishtë, Veleshtë, Oktis, Potgorcë, Lubanishtë etj. Mirëpo, edhe tani përballë terrorit çnjerëzor jugosllav, vazhdonte qëndresa e shqiptarëve të Strugës kundër pushtimit jugosllav/partizan. Një nga drejtuesit e saj ishte Murat Labnishti, nën udhëheqjen e të cilit organizoheshin grupe/njësi të armatosura shqiptare dhe tubime mobilizuese nëpër fshatra të Strugë. Në gjysmën e dytë të muajit nëntor 1944, rreth 280 fuqi shqiptare/balliste operonin me zonë veprimi në fshatrat: Lubanishtë, Tërpejcë, Leshan, Cërvena etj.60.
Ndërkaq, Dibra edhe gjatë tetorit të vitit 1944 vazhdonte të jetë në dorë të partizanëve të Haxhi Lleshit.61. Kështu, deri më 8 nëntor 1944 trevat me qytetet: e Dibrës, Strugës, Ohrit dhe Prespës kishin rënë nën pushtimin e fuqive jugosllave/ partizane. Ndërkaq, trevat dhe qytetet e Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit dhe treva e Kumanovës ende vazhdonin të jenë në duar të fuqive shqiptare/balliste. Ndaj dhe nga 10 nëntori 1944 luftimet midis fuqive shqiptare/balliste dhe atyre jugosllave/partizane do të vazhdojnë në sektorët Shkup-Kaçanik dhe Shkup-Tetovë-Kërçovë”.62.
Pushtimi i Shkupit dhe Tetovës: Pasi që Armatës së Kuqe iu afrua Beogradit dhe Nishit, linja e komunikacionit: Shkup-Vrajë-Nish për gjermanët e humbi rëndësinë dhe tani për to më e rëndësishme ishte linja Shkup-Kaçanik.63. Ndërkaq, largimi i trupave gjermane të grupit »Stajerer« drejt Shqipërisë, iu mundësoi fuqive partizane të shtinë në dorë linjat e komunikacionit Velez-Shkup.64. Deri në 10 nëntor vija e komunikacionit Kumanovë-Shkup ishte në dorë të gjermanëve, por më 10/11 nëntor 1944 u evakuuan trupat gjermane nga Shkupi dhe, më 11 nëntor 1944 Shkupi dhe Kumanova ranë dorë të njësive jugosllave/partizane dhe të trupave bullgare të Armatë I të konvertuar në partizan.65.
Përgjithësisht forcat partizane në Shkup, që në fillim të tetorit 1944, ishin të ngarkuara me tri detyra kryesore, dhe atë: Të pamundësohet depërtimi i gjermanëve në drejtim të Kaçanikut; Të likuidohen trupat gjermane në Shkup dhe në vise tjera përreth; Të ndahen/veçohen fuqitë shqiptare/balliste nga gjermanët dhe të detyrohen të tërhiqen në Tetovë.66. Sipas planit detal ushtarak po bëhej përqendrimi i fuqive jugosllave/partizane në trevën e Shkupit. Efektivat e Brigadës 12 të Divizionit 42, më 11 nëntor ishin pozicionuar në Vodno të Poshtme dhe përreth fshatit Krushapek, me detyrë të mbrapsnin ndonjë intervencion eventual të fuqive shqiptare/balliste dhe të mbrojnë hidrocentralin “Matka”. Ndërkaq, trupat gjermane në natën e 13/14 nëntorit 1944 po evakuoheshin nga treva e Shkupit në drejtim të Kaçanikut.67. Ndërkohë, Xhemë Hasani, Mefaili Shehu dhe Shabani në natën e 11/12 nëntorit 1944 kishin arritur në trevën e Shkupit, për të ndihmuar në mobilizimin dhe ngjeshjen e radhëve të fuqive balliste në mbrojtje të trevës së Shkupit, përpara rrezikut partizan jugosllav.68.
Lufta midis formacioneve jugosllave/partizane të Korpusit 16 me trupat gjermane në sektorët: Shkup-Kaçanik dhe Shkup-Tetovë do të vazhdojë nga 11 e deri në 14 nëntor 1944, por me fuqitë shqiptare/balliste ajo do të vazhdoi deri më 19 nëntor. Kështu, më 13 nëntor 1944, Batalioni IV i Brigadës XII partizane vazhdoi operacionin për pushtimin e fshatrave shqiptare të zonës së Shkupit: Nerez i Sipërm, Gërçec, Krushapek dhe Shishovë që shtrihen përreth lumit Treska, dhe ia doli që formacionet balliste t’i shtyn përtej bregut të majtë të lumit Treska.69. Veçanërisht luftime të rrepta u zhvilluan te fshati shqiptar Orman, në drejtim të Kaçanikut dhe në vijën: fshatrat Çiflik-Lubin-kuota 420-fsh. Gllumovë-manastiri Shën Mëria dhe më tej në drejtim të Tetovës. Formacionet balliste jo vetëm që nuk u thyen, por gjatë 15 dhe 16 nëntor kaluan në kundërmësymje mbi divizionet 42 dhe 50 jugosllave/partizane. Luftime më intensive u zhvilluan veçanërisht rreth hidrocentralit “Matka” dhe fshatit Gllumovë. Fuqitë jugosllave/partizane përballuan këtë kundërsulm dhe pas përgatitjeve, njësitë e Divizionit 50 me mbështetjen e artilerisë dhe armëve tjera të rënda filluan operacionet për Tetovë nga dy drejtime, dhe atë: nëpër luginën e Dervenit (Shkup-Tetovë) dhe nëpër luginën e Vardarit. Kështu, në mëngjesin e 17 nëntorit forcat jugosllave/partizane kaluan lumin Treska dhe filluan kundërsulmin ndaj “fuqive balliste dhe gjermane”.70. Pas luftës së rreptë dhe humbjeve të shumta nga të dyja palët ndërluftuese, në mbrëmje të asaj dite njësitë e Divizionit 50 ia dolën të depërtojnë përtej vijës mbrojtëse shqiptare: fsh. Kopanicë-fsh. Arnaqi-fsh. Semenishtë-fsh. Çajlanë. Pas pushtimit të këtyre pozicioneve, njësitë e këtij divizioni ndërmorën sulm drejt fshatit Rashçe, me synim të depërtojnë në luginën e Vardarit dhe të vazhdojnë nëpër fshatin Radushë në drejtim të Tetovës. Forcat jugosllave/partizane po avanconin dhe, deri në mbrëmje të 17 nëntorit ata u pozicionuan për së gjati në vijën: Gramadë-fsh, Grupçin- fsh. Kopaçindoll-fsh. Llërcë. Më 18 nëntor brigadat partizane të pajisura edhe me artileri, vazhduan sulmin në drejtim të Tetovës. Ndërkaq, formacionet shqiptare/balliste pas luftimeve të ashpra gjatë tërë ditës me partizanët te fshati Grupçin, u detyruan të mbrapsen drejt qytetit të Tetovës. Në mëngjesin e 19 nëntorit tri brigada partizane (e 13-ta, e 14-ta dhe e 15-ta) pa luftë hynë në qytetin e Tetovës nga se qe evakuuar më parë nga trupat gjermane, kurse Brigada e 3-të e Divizionit 42 zuri pozicione te fshatrat Xhepçishtë dhe Poroj të Tetovës.71.
Pushtimi i Kërçovës dhe Gostivarit: Rrethet e Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës ende rreth 12-13 nëntorit 1944 ishin në dorë të formacioneve balliste, të cilët dhe i kishin zënë pozitat për mbrojtjen e këtyre trevave.72. Konsiderohet se fuqitë balliste të cilat ishin vënë në mbrojtje të Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës arrinin në rreth 12.000 veta. Ndërkaq, për pushtimin e Kërçovës, ishin planifikuar njësitë jugosllave/partizane të Korpusit 15, dhe atë: Divizioni 41 dhe Div. 48 dhe Brigada e 7-të e Divizionit 49. Ndër këto formacione partizane ndodhej dhe Brigada IV shqiptare (“shiptarska”) partizane. Detyra e këtyre fuqive jugosllave/partizane ishte thyerja dhe eliminimi i fuqive shqiptare/balliste dhe pushtimi i Kërçovës e pas saj dhe i Gostivarit e Tetovës, si dhe krijimi i kushteve për vendosjen e pushtetit jugosllav në këto treva.73. Në këtë kuadër, “Shtabi partizan i Grupit të Kërçovës”, me në krye shefin Vuko Turkoviq dhe komandantin Kosta V. Jashmak, më 12 nëntor 1944, iu urdhëroi fuqive partizane të angazhuara për pushtimin e Kërçovës, që gjatë operacionit të bëjnë, veç tjerash: Spastrimin e zonës dhe të vetë qytetit të Kërçovës nga fuqitë shqiptare/balliste; Të grumbullonin të gjitha materialet ushtarake, për çka “nëse ishte e nevojshme të përdoret forca” , si dhe; Të bënin grumbullimin në kazermat e Kërçovë të të gjithë meshkujve shqiptarë të aftë për armë, ku do të qëndronin nën roje deri në “vërtetimin e përgjegjësisë”. Por, detyra kryesore e partizanëve jugosllav në këtë operacion ishte të likuidonin sa më shumë efektiva shqiptare në njerëz, por dhe të bëheshin “zhdukje sa më të mëdha” të gjithë çka hasej në trojet shqiptare.74.
Asokohe, edhe fuqitë partizane të UNÇ-së dhe AP të Shqipërisë shprehën gatishmëri të marrin pjesë në mënyrë aktive në mësymjen ndaj Kërçovës dhe Gostivarit. Me këtë detyrë qe ngarkuar Divizioni IV i Korpusit I të UNÇAPSH-së.75. Mirëpo, gjatë ofensivës së fuqive jugosllave/komuniste mbi Kërçovën 12-15 nëntor 1944, nuk iu lejua të merr pjesë Divizionit IV të Korpusit I të UNÇAPSH-së, por ai qe urdhëruar të veprojë në drejtim të Gostivarit. Si duket kjo ndodhi nga arsyeja jo vetëm e pozitës strategjike të Kërçovës, por dhe për atë që forcat e këtij divizioni të mos jenë dëshmitar të terrorit dhe masakrave të partizanëve jugosllavë mbi shqiptarët e trevës së Kërçovës.76.)
Luftimet për Kërçovën, për Gostivarin dhe për Tetovën midis fuqive shqiptare/balliste dhe atyre jugosllave/partizane të Korpusit XV u zhvilluan nga 11 e deri më 20 nëntor 1944. Në këto operacione ishin angazhuar një numër shumë i madh i efektivave partizane. Kështu, sipas vetë burimeve jugosllave, vetëm njësitë e Divizionit 48 nga 11 nëntori e deri në 15 nëntor 1944 numëronin gjithsej rreth 2100 efektiva, kurse më 16 nëntor ky numër shkoi në 3326 efektiva, apo gjatë 19-20 nëntor ai numër arriti në 3529 efektiva.77.
Ndërkaq, sipas një Raporti të Shtabit të Divizionit 48, të 12.11.1944, kuptojmë se efektivat shqiptare/balliste të përqendruara në mbrojtje të rrethit të Kërçovës ishin nën komandën e Mefail Shehut (Zajazit, ) Shazos dhe Shabanit etj., dhe se numri i tyre nuk ishte dhe aq i madh. Në prapavijat e fuqive kryesore shqiptare/balliste dhe në qytetin e Kërçovës kishte efektiva të pakta balliste. Fuqitë shqiptare/balliste në numër më të madh ishin përqëndruar në sektorin e Zajazit dhe, çdo shtëpi në fshatin Zajaz ishte e fortifikuar për mbrojtje.78.
Operacionet intensive luftarake midis fuqive shqiptare dhe atyre jugosllave/komuniste për Kërçovën dhe Gostivarin do të zgjasin nga 15 deri më 18 nëntor 1944.79. Kurse, Divizioni 48 (pa brigadat 4-të dhe 6-të ), i cili divizion përbënte grup të veçantë për veprim nën drejtimin e “Shtabit të përkohshëm” të krijuar rishtas, do të zhvilloj në luftën për thyerjen dhe zhdukjen e formacioneve balliste deri në pushtimin e fshatit Zajaz.80. Kështu, pasi që deri në mbrëmje të 14 nëntorit 1944 njësitë e divizioneve 41 dhe 48 të Korpusit XV i pushtuan pozicionet fillestare për sulm, më 15 nëntor 1944 ata u ndanë në tri grupe operative dhe filluan sulmin për pushtimin e Kërçovës, nga tri drejtime:
1. Nga veriu, sulmoi Brigada e 11-të, në drejtim të fshatrave Qafë dhe Prapadisht;
2. Nga verilindja, sulmoi Brigada e 2-të në drejtim të fshatrave Tuhin dhe Novoselë. Pasi i theu forcat balliste kjo brigadë pushtoi fshatin Tuhin dhe pastaj vazhdoi sulmin drejt fshatrave Jagoll dhe Sërbicë;
3. Nga lindja, sulmoi Brigada e 6-të në drejtim të fshatrave Shutovë, Premkë, Garanë dhe Strellcë dhe, ia doli t’i thyej forcat balliste, me përjashtim në fshatin Garanë ku zhvillohej luftë për çdo shtëpi, dhe ia doli t’i pushtojë këto fshatra.
Si gjithmonë në kontinuitet detyra edhe e këtyre divizioneve partizane jugosllave të përqendruara në këto treva ishte: spastrimi përfundimtar i terrenit nga fuqitë shqiptare/balliste; çarmatosja dhe ndëshkimi e nënshtrimi i shqiptarëve.
Më 15 nëntor formacionet partizane/komuniste e pushtuan qytetin e Kërçovës, kurse fuqitë balliste në tërheqje nga Kërçova në drejtim të veriut (Gostivarit) u pozicionuan në fshatin Kolibar (disa km. në veri të Kërçovës) dhe disa njësi nga radhët e tyre shkuan si përforcim në mbrojtje të fshatit Zajaz. Ndërkaq, Brigada IV shqiptare, ndërkohë bënte ndjekjen e ballistëve në drejtim të fshatrave Reshtan dhe Llagje (Trapçidoll). Luftimet nga fshati Zajaz deri në pushtimin e Gostivarit i zhvillonte Divizioni 48, por tani pa Brigadën I.81.
Luftime më të rrepta midis fuqive shqiptare/balliste dhe fuqive jugosllave/partizane të Divizionit 41 u zhvilluan në zonën e fshatit Zajaz të Kërçovës.82. Por, deri në ora 14:00 të 15 nëntorit 1944, fuqitë komuniste partizane arritën të pushtonin Zajazin dhe pjesën më të madhe të rrethit të Kërçovës. Fuqitë shqiptare/balliste u tërhoqën nga rrethi i Kërçovës në mënyrë të organizuar drejt veriut në malin Bukojç (Bukovik/Parkovik). Aty me përforcimet e reja që erdhën nga Gostivari ata hapën front të ri lufte me zonë veprimi: fsh. Tajmisht-Staroselë-Kolari-kot. 1278 dhe, në natën e 15/16 nëntorit ndërmorën tri sulme të furishme mbi fuqitë komuniste/partizane jugosllave. Në 16 nëntor, në ora 6:00, ata mësyn mbi pozitat e pararojave partizane dhe për pasojë i morën disa pozita luftarake të partizanëve. Luftimet vazhdonin edhe gjatë 16 nëntorit në të dy krahët e vijës së frontit të luftës.83. Deri në ora 12.30 të 16 nëntorit forcat shqiptare/balliste ia dolën ta rikthejnë një pjesë të territorit të humbur një ditë më parë.84. Por, pas 3-4 ditë luftimesh, më 18 nëntor 1944 Kërçova me rrethinë qe pushtuar nga fuqitë jugosllave komuniste/partizane. Po më 18 nëntor, formacionet partizane jugosllave vazhduan marshin nga Kërçova drejt Gostivarit nga tri drejtime, me qëllim që të pushtonin trevën e Gostivarit, të çarmatosnin fuqitë shqiptare/balliste, si dhe të ndërlidheshin me njësi të Korpusit 16 që po marshonte nga Shkupi për Tetovë. Luftimet rezultuan me rrethimin e qytetit të Gostivarit, i cili qe pushtuar më 19 nëntor nga forcat e Divizioni 48.85.
Kështu, më 19 nëntor 1944, të gjitha efektivat e njësive partizane, pos dy brigadave, të Korpusit XV të UNÇAPJ-së, ndërmorën ofensivë energjike kundër fuqive shqiptare/balliste, në drejtimin: Kërçovë-Gostivar-Tetovë, që rezultoi me pushtimin e Gostivarit rreth orës 16.00 të së njëjtës ditë (19 nëntor 1944). Pas pushtimit, qyteti i Gostivarit vazhdonte të mbahej i bllokuar edhe gjatë natës 19-20 nëntor 1944 dhe, njëkohësisht bëhej “çarmatosja masive e shqiptarëve” nënkuptohet ndëshkimi i atyre të cilët i hasën në qytetin e Gostivarit dhe në fshatrat përreth.
Më 20 nëntor 1944, pjesa operative e Shtabit të Korpusit XV, selinë e kishte në Gostivar. Ndërkaq, divizionet e këtij korpusi ishin të dislokuara si vijon: njësitë e Divizionit 41, me Shtabin në Kërçovë, ishin sistemuar në qytetin e Kërçovës dhe në zonën veriore të rrethit të Kërçovës, kurse njësitë e Divizionit 48, me Shtabin në Gostivar, u sistemuan në Gostivar dhe në fshatrat Balindoll dhe Vrapçishti, Divizioni 49 i Korpusit XV vazhdonte të ishte i përqendruar në “frontin kufitar” me Greqinë dhe Shqipërinë, me përjashtim të Brigadës VII të këtij divizioni, e cila pas operacionit Kërçovë-Gostivar u kthye në divizionin e vet, me seli në Dibër. Por, dy batalione të Brigadës VII të Divizioni 49 të Korpusit XV në kthim e sipër për në divizionin e tyre në Dibër, nga 20 nëntori zhvillonin operacionin e spastrimit të terrenit nga formacionet shqiptare, në zonën jugperëndimore të rrethit të Gostivarit, si dhe në rrethin e Radostushës (Rekës së Dibrës) e deri në qytetin e Dibrës. Gjithashtu, edhe njësitë tjera të Korpusit XV, së paku deri në fund të nëntorit 1944, vazhdonin operacionet e tyre edhe në trevat e Gostivarit, Strugës etj., ku dhe herë pas here zhvilloheshin përpjekje të armatosura me fuqi të armatosura shqiptare.86.
Pas pushtimit të Gostivarit u tërhoqën nga aty edhe Xhemë Hasani (Gostivari) dhe Mefail Shehu (Kërçova), komandantët e fuqive shqiptare/balliste, për t’iu prirë dhe më tej deri në vdekje qëndresës kundër pushtimit jugosllav.87. Deri në fund të nëntorit 1944, në Trevat Lindore shqiptare u zhvilluan një numër përpjekjesh të armatosura midis fuqive jugosllave/partizane dhe atyre shqiptare/balliste.88. Luftimet në territorin e Divizionit 48 (Gostivarit) përfunduan më 27-28 nëntor 1944, me thyerjen e qëndresës shqiptare dhe, të shoqëruara me ekspedita ndëshkuese të llojeve të ndryshme, nga të cilat ishin dhe ekspedita të “grumbullimit të armëve”, të eliminimit të “ballistëve”, të arrestimeve në masë të shqiptarëve në “llogore për të zënët rob” (“pleniçeski llageri”) të brigadave partizane jugosllave, të likuidimeve fizike në masë etj.89. Sipas të dhënave jugosllave, në luftimet për trevat e Kërçovës, Gostivarit dhe Tetovës humbën jetën ose u zunë rob dhe u arrestuan nga armiku gjithsej rreth 13.000 shqiptarë,90. kurse rreth 10.000 shqiptarë të trevave të Gostivarit, të Kërçovës, të Tetovës, të Dibrës, të Strugës, si dhe të trevave të Shkupit e Kumanovës (Karadakut), përpara terrorit u tërhoqën dhe në kushte të dimrit u strehuan ndër male dhe nëpër fshatra malore.91.
_______________________________
FUSNOTA/REFERENCA
• Prof. dr. Masar Kodra, Shqiptarët e Maqedonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944), Kumanovë, 1996, (në vazhdim: Prof. dr. Masar Kodra, vep. e përmendur…), f. 76-78, 106-107
• Prof. dr. Masar Kodra, vep. e përmendur…, f. 110 dhe 111 dhe 227.
• Ослободување на федерална Македонија, Документи, Том III, Западна Македонија, Избор и редакција д-р Тодор Чепреганов, д-р Ѓорѓи Чакарјаневски, д-р Васил Јотевски, д-р Миле Михајлов, д-р Лилјана Пановска, boton: Институт за национална историја, Скопје, 2005 (në vazhdim: Ослободување на федерална Македонија, Западна Македонија…), dok. nr. 30, f. 53.
• Државен архив на Република Македонија (në vazhdim: ДАРМ), Скопје, Фонд (në vazhdim: Ф.) Бр. 254- Главен штаб на Македонија 1942-1945 (në vazhdim: ГШМ), Кутија (në vazhdim: К.) Бр. 54-а (i pa i pa rregulluar), Nr. 32, 31.X.1944, Raport i Mihajllo Apostollskit, komandant i Shtabit Kryesor për Maqedoni, Shtabit Suprem të UNÇAP të Jugosllavisë.
• Arkivi Qendror i Shtetit (në vazhdim: AQSH), Tiranë, Fondi (në vazhdim: F.) 152, Viti (në vazhdim: V.). 1944, Dosja (në vazhdim: D.) 179, fl. 21-26, Projekt, kryeministri Rexhep Mitrovica, Ministrisë së PB, Tiranë, 7 dhjetor 1943.
• Prof. dr. Masar Kodra, vep. e përmendur…, fq. 111
• Велика Британија и Македонија, Документи 1942-1945, Избор, превод и редакција Д-р Тодор Чепреганов, boton: Државен архив на Македонија dhe Матица македонска, Скопје, 2000, (në vazhdim: Велика Британија и Македонија, Документи 1942-1945…), dok. 352, f. 421; Ослободување на федерална Македонија, Документи, Том III, Западна Македонија…, dok. nr. 3, f. 31.
• Ослободување на федерална Македонија, Документи, Том III, Западна Македонија…, dok. nr. 45 f. 80.
• Prof. dr. Masar Kodra, vep. e përmendur…, f. 209-210, 212, 219 dhe 221.
• ДАРМ, Скопје, Ф. Бр. 254- ГШМ 1942-1945, К. Бр. 54-а , Nr. 32, 31.X.1944, Raport i Mihajllo Apostollskit…
• A.Q.SH, Tiranë, F. 41/AN, V. 1944, D. 134, fl. 1, Letër e Video Smilevski-Bata, Shtabit Kryesor të LNÇ dhe AP, 1, Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, Shokut Tempo, më 24 Mars 1944.
• ДАРМ, Скопје, Ф. Бр.- 1.426-Централен Комитет на КПМ, K. 2, ае. 422, л. 1-11.
• Велика Британија и Македонија, Документи 1942-1945… dok. 352, f. 418, Raport i kapitenit MekDonalld, shef i Misionit britanik pranë Shtabit Kryesor për Maqedoni, 4 dhjetor 1944 vj.
• Велика Британија и Македонија, Документи 1942-1945…, dok. 352, f. 417-418, 424; Ослободување на федерална Македонија, Документи, Том III, Западна Македонија…, dok. nr. 3, f. 32.
• Велика Британија и Македонија, Документи 1942-1945…, dok. 394, f. 463.
• ДАРМ, Скопје, Ф. -Бр. 254-ГШМ, К. Бр. 54-а, Р. Бр. 134, Прилог 32, Nr. 32, 31.X.1944, Raport i Mihajllo Apostollskit; Велика Британија и Македонија, Документи 1942-1945…, dok. nr. 337, f. 369, nr. 352, f. 415-417, nr. 394, f. 464 dhe shënimi nr. 720; Ослободување на федерална Македонија, Документи, Том III, Западна Македонија…, dok. nr. 3, f. 30, nr. 31, f. 56 dhe 58, nr. 32, f. 59, nr. 36, f. 66, nr. 70, f. 179; Историја на Македонскиот народ, Том пети, boton: Институт за национална историја,(në cazhdim: Историја на Македонскиот народ, Том пети…), Скопје, f. 305.
• Oslobodilački rat naroda Jugoslavije 1941-1945, Druga knjiga (Od Drugog zasedanja AVNOJ-a do konačne pobede), Drugo prepravljeno i dopunjeno izdanje, boton: V o j n o istorijski institut, B e o g r a d, 1 9 6 5 (në vazhdim: Oslobodilački rat naroda Jugoslavije 1941-1945, knj. 2,…), f. 250-351; Marenglen Kasmi, Aspekte të luftës së Tiranës dhe largimi i Wehrmacht-it nga Shqipëria, Studime historike, Nr. 1-2/2015, Tiranë, 2015, f.187; Дане Петковски, Владо Стрезоски, Борбена дејства у Западној Македонији 1941-1944, Београд, 1983( (në vazhd.:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura