Fokus lufte
HARAÇI I NJË KËSHILLE TË SHPËRFILLUR DHE KËNGA E JERIHOSË …
Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 7 mars 2022
1.
Një rishfetim leximesh të hershme do t’më jepte një fokus të ri vështrimi.
Dhe qasja, anise përplaset në sprovë hipotezash, ka aftësinë e lektyrës për një kohë të dytë.
Që, pra, trillet e trishta të së vjetrës t’mos kenë gjasën e rinuar, me akuzë për shpërfillje e harresë.
2.
Gëte mahnitej me anglezët. Ç’i bën të tillë vallë, pyeste e përgjigjej: kushedi, ndoshta toka e lirë, kushtetuta e mirë apo edukata e dlirë…
Ky, në fakt, është mendim i evokuar nga Eckermman në librin e tij “Biseda me Gëten”.
Dhe, me gjasë, patriarku i letrave kishte të drejtë.
Rikujtoj tani një dialog përmasor nga fundlufta e dytë e botës.
Gjermania e Führerit mposhtet. Ai vetë shuhet me dashnoren çifute Evë në një dhomëz bunkeri, pasi më parë bëjnë kurorëzimin dashunor në orën e disfatës.
Dhe i madhi Çërçill, hero i triumfit, politikan legjendar e, njëkohësisht, nobelist letrash, i bën një propozim tejpamës, të largmë qindra vjet, presidentit amerikan Truman në Potsdam.
I thotë: Rajhun e thyem, e tani të vijojmë tutje me Bashkimin sovjetik…
Por Truman, ndërsa mendohet pak, i kthen përgjigje. Fjala e tij e kursyer ishte mohuese. Ftohtësisht e tillë. Krejt dyshimtare për idenë. Prijësi i fuqisë së madhe që lindej në rrënojat e një lufte botërore, do të refuzonte aleatin e vetëm në Europë.
Takimi përfundoi pak shurdhër, ndaj dhe Stalini vuri nën thundrën, tashmë të përligjur, gjysmën e Europës.
3.
I kthehem sërish këtij dialogu në kohën e “kazaçokut” të përgjakur rus.
E, them më vete: Rusia e debolshevizuar dhe në kufijtë e saj natyralë, mund të shkëputej, mbase ngadalthi, për 70 vjet, nga kultura e despotisë. Ndërkohë që e kësomotshmja, pastaj, s’do të frymëzohej negativisht nga madhështia e paanë e Bashkimit sovjetik, shpërbërjen e të cilit Putini i hallakatur e definon fatkeqësi kombëtare.
M’anë tjetër, kombet e lira të Lindjes europiane që mbe’në në hemisferën moskovite, nuk do të qëndronin akoma sot me një këmbë në Bruksel, e me tjetrën në Kremlin. Dhe Mathias Platzeck, ish-premier i Landit Brandenburg, s’do të fliste me nostalgji për vitet sovjetike kur, si thoshte, oficerët rusë i jepnin sheqerka e i flisnim me ledhatim.
E, tani, këtij funddimri të bukur, fëmijët e Ukrainës do të loznin shkujdesur, e do të flinin ende me rrëfime prrallash pa frikën e bombave mortore.
Mirëpo, ndoshta historia vjen e ecën mbas një ligji të epërm. Sidoqoftë, faktori njeri, një përsonalitet i rrallëlindur, i jep vulën e vet epokës. Fundja, a nuk shkruante H. Groschopp, se historia e një kombi nuk është tjetër pos biografi e njerzëve të mëdhenj!
E, së mbylluri, pa idolatri race m’vjen disi behtas mendimi admirues. Ja, nga injorimi i anglezit të urtë, gati një shekull më pas shfaqet ke porta një kosto, haraç i rëndë në ftomën e stuhishme.
Është kjo që jetojmë, padyshim!
____________________
Fokus lufte
KËNGA E JERIHOSË…
(Fletëza notesi)
1.
Selenski i Ukrainës, ky iluzionist i shquar!
Ankohet, njëherë, që Nato nuk mbylli qiellin e atdheut të tij për aviacionin armik. Dhe, pastaj, papritur, kërkon aderim të shpejtë, madje të menjëhershëm, në Europën komunitare.
Po, sidoqoftë, iluzion i ligjshëm. Një fije e hollë shkrepse në errësirë. Po dhe Nato, fundja, nëse nuk ndërhyn në Ukrainë, aherë përse qëndron anashkqyrëse kur bombarderët rusë ekspeditojnë hapsinë sovrane baltike?
Apo, thuase gjithçka parandodh si tek “Tregtari i Venecias” së Shekspirit, që tëhollon aq bukur dramën njerëzore.
Ngjashëm me Antonion, kanë huazuar lirinë e Europës lindore nga Rusia dhe tani, sa tronditëse, duhet t’a kthejnë me copëra nga trupi i tyre…
2.
Boris Johnson, një hero vetmitar i rezistencës perëndimore kundër agresionit fashistoid rus.
E thoshja fillimisht: Europa mbrohet në Londër e Uashington.
Gjermanët janë ende të kapur në beft, italianët të dyzuar e pa vulë fuqie, kurse Parisi i Macronit një aleat i nënujshëm, rikthyer në kohën e dytë.
E pra, një skenë ideale për Odën e humbjes.
3.
Avionët francezë fluturojnë mbi Ballkanin perëndimor.
Mesazhi: siguri për të gjithë?
Vështirë të besohet. Kujtesa ruan ende humbellën e historisë, stolisur tani nga sedefëri mondane.
Një skajesë tjetër, ndaj, gufon lehtë: të dekurajojnë ata që Belgradi i quan armiq.
E, njëkohësisht, të vigjëlojnë mbi taktikat serbe që t’mos përvidhet asnjë gabim: pritje, ngut, vonesë, mënyrë a justifikim i një akti politik apo, mbase, ushtarak serbian.
4.
Jo, ore, predhat e Rusisë nuk bien mbi qytetet e Ukrajinës, i thotë Putin kancelarit Scholz, në telefonatën e gjatë.
Po të kujt vallë? Të Zvicrës? Të Luksemburgut? Apo ato vijnë nga Fronti i mbrojtjes kombëtare që vret popullin e vet.
Ç’përtallje me kancelarin e shkretë! Dhe ç’përbuzje cinike e viktimave nga armët e tij kriminale.
Tipike për tiranët. Veçse për cilët? Për atë soj që ka këputur fijet me rrethnajën q’e mohon? Apo për një ngadhënjimtar të parathënë në Librin e fitores…
5.
“Le të bien muret e Jerihosë, kur në krye të ushtrisë Zotriun të shohin.”
Në këtë këngë e lutje biblike gjen frymëzim një nga pesë versionet e mundshme të disfatës ruse: një puç oficerësh kundër tij.
Por nëse triumfit i prin vetëm shpresa, aherë sikur priret natyrshëm rrokullisja si gur i trishtë nga mozaiku i një realiteti të pamshirë.
Sepse, a nuk sehironin europianët pokështu në messhekullin e ikur, në prehjen ëmbëlcane t’një rudimenti të vonë të “Belle Époque-s”, ndërsa Ariozofi i madh kapërdínte toka e fundoste popuj?
U desh gjaku i miliona njerzëve, jetëprerë dhe ëndrradjegur, që murtaja të vdiste. Por vetëm m’një krah të saj. Tjetri në Lindje do vuante akoma, sa koha e botës, harkun e saj robnor!
Mesnata e Ukrainës dhe dridhmat rretherrotull, janë dëshmia e atij copëtimi të vjetër, tek përshfaq kësokohe, 30 vjet më pas, ritualin e vet…