HAZIR MEHMETI: ALBUMI HISTORIK “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”

Vjenë, 20 tetor 2018: Dr.Eqrem Zenelaj, veprat e tij një Akademi në vete. Albumi historik kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” botim me vlera të veçanta. Argumente nga njëzet arkivat e njohura të Europës në mbi dymijë dokumente, portrete, gravura. 50 mirënjohje nga Arkivat e Institucionet e vendeve të ndryshme. Çuditërisht nuk e hasa emrin Prof.Dr.Eqrem Zenelaj në Akademitë Kombëtare Shqiptare. Apo, njeriu ynë që hulumton jashtë vendit vlerësohet vetëm nga të tjerët!

***
– Vjena dje mburrej me figurat e njohura në historinë e kulturën shqiptare, si Norbert Jokli , Franz Nospa Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Asdreni, Dr.Gjergj Pekmezi, Krist Maliki, Dr.Sokrat Dodbibaj, Qemal Butkën, e disa tjerë, kurse sot mburret me veprën e Prof.Dr.Eqrem Zenelajt, i cilësuar si njëri ndër hulumtuesit më të mirë shqiptar i tanishëm. Ai sërish vjen me botimin e veprës së tij të dhjetë, albumin historik kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kjo vepër botohet me rastin e “Vitit Mbarëkombëtar Gjegj Kastrioti Skënderbeu” në 550 vjetorin e vdekjes së kryeheroit, i shpallur nga të dy shtetet: Shqipëria dhe Kosova. Kjo vepër vjen pas “Pellazgët – Ilirët –Shqiptarët” e cila ishte më e kërkuara nga gjithë botimet e vitit 2017. Vetëm ata që kanë lexuar prej Prof.Dr. Eqrem Zenelajt, mund të kanë afërsisht të njohur një figurë kaq me vlera në fushën e historisë e diplomacisë kombëtare dhe më shumë. Jeta e tij, lirisht mund të thuhet, është jetë e terë arkivave, bibliotekave me emër në botë: Vjenë, Vatikan, Romë, Frankfurt, Berlin, Paris, Londër etj. Ai nuk kurseu asgjë nga vetja e tij, familja e tij, shoqëria e farefisi i tij në rrugën e realizimit të misionit tij me rëndësi kombëtare. Gjurmëve të jetës së tij, duket se frymëzimi i tij ka burim të thellë kombëtar që nga baladat dhe këngët kreshnike të recituara dhe kënduara nga vet ai që në moshë të re. Dhe, s’ka se si të mos të kujton Homerin e lashtë që i këndonte jetës, trimërisë e lavdisë në kohë të kolosëve pellazgë të lakmuar e grabitur aq pamëshirshëm nga të tjerët. “Po i bjen era retë e zeza”, zëri i tij i freskët rinor në këngë thërret në vigjilencë me pendë e vepër për ta mbrojtur e prosperuar historinë e kulturën kombëtare gjeneratave. Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, ishte një inspirim shtesë në realizimin e një rruge të gjatë hulumtuese shumëvjeçare arkivore mbi fakte të pakontestueshme rreth jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prof Dr. Eqrem Zenelaj zbuloi dokumente të shkruara, gravura e portrete, partitura të punuara nga mjeshtrit më të njohur të kohës duke ua ofruar publikut dhe shkencës si fakte të reja rreth jetës dhe veprës së heroit kombëtar të cilat nuk ishin të ditura më parë. Nga këto materiale botoi veprën e re “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në shqip dhe në anglisht, në “Artini”, Prishtinë, me redaktor Jahir Ahmetin. Autori me respektin e krenarinë ndaj prindërve të tij, Musliut dhe Hajrijes, hap faqet e librit të tij të mrekullueshëm. Libri fillimisht u promovua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku mes tjerash rreth tij për RTK-në, folen autori dhe Prof.Dr.Muhamet Malaj. Prof. Malaj mes tjerash tha: “Në fakt e veçanta e këtij albumi qëndron në mbështetjen burimore për arsye se portretet, gravurat rrjedhin nga bibliotekat, arkivat e Evropës dhe përmban vlera artistike dhe historiografie. E veçanta tjetër është ana tekstuale ku paraqitet kronologjia e historisë së Skënderbeut që nga lindja, pastaj pema gjenealogjike, origjina e tij deri në vdekje. Në fakt albumi përmban një lloj libri atraktiv i cili shoqëron anën tekstuale me anën vizuale. Skënderbeu me kohë i ka kaluar kufijtë kombëtare ai është pjesë e trashëgimisë historike të Europës, pse jo dhe i botës. Duhet larguar disa shabllone të krijuara në formë të pavetëdijshme janë krijuar për Skënderbeun; duke e portretizuar atë vetëm si një luftëtar me shpatë duke e kundërshtuar perandorinë osmane për një çerek shekulli, në fakt, ashtu siç paraqitet edhe në albumin historik, figura e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, nuk ishte vetë e luftëtarit por shumë më komplekse. Para së gjithash ai ishte një burrështetasi, ishte themelues i shtetit shqiptar. Ne, si shqiptar, çdo herë historiografia qëllimkeqe, na ka goditur në kontekstin se shqiptarët; ditën me luftuar, por nuk ditën me krijuar shtetin. Prandaj, bazuar në argumente se kjo ide e perceptuar për Skënderbeun vetëm si luftëtar duhet të jetë e dorës së dytë, për arsye se Skënderbeu ishte para se gjithash një burrë shtetasi. Ai ishte një intelektual i kohës së vet, ishte një poliglot që njihte shqipen, italishten sllavishten, turqishten, persishten, e merita kryesori ishte formimin i shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në rrethanat e luftës. Pjesa e gjenealogjisë është shumë faktike dhe vërteton origjinë e pastër shqiptare të Skënderbeut bazuar në burimet arkivore të shumtë faktik. Pra, ky libër është qëlluar, në kohën e qëlluar”.

Autori i librit Prof.Dr.Eqrem Zenelaj në fjalën e tij mes tjerrsha shtoi: “Për Gjergj Kastriotin Skënderebeun kanë folur shumë autorë botëror. Kam hasur ne rreth pesë mijë dokumente rreth tij në njëzet arkiva të Europës. Ky është një album historik kombëtar i cili i dedikohet Viti Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, 550 vjetori i vdekjes së tij. Jam përpjekur për njëzet vite të tuboj portrete, dokumente, gravura të ndryshme për Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe pas asaj ia kam arritur që ky album i mrekullueshëm të del për heroin tonë kombëtar, për figurën emblematike dhe figurën më markante të shekullit të pesëmbëdhjetë të Europës.
Libri ka shumë të veçanta, një nga ato kryesore është portreti i parë i Gjegj Kastriotit, i cili është në ballinë dhe nga ky portret janë marr të gjitha portretet tjera. Ky portret është një gravurë, gjegjësisht një pikturë e punuar 450 vjet më parë e cila gjendet në Muzeun Historik të Arteve në Vjenë, Të tjera të veçanta janë shumica e pikturave, e portreteve shumica e tyre të papara deri me sot e të pa njohura për publikun. E treta është se ky album është punuar në dy gjuhë: në shqip dhe anglisht të cilin e kam shpërnda në të gjitha arkivat e Europës, kam qenë i obliguar dhe kam marr rreth 50 mirënjohje nga arkivat apo diplomaci të Evropës. Dhe, tjetra është viti i lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut i cili është kontradiktor të shumë autorë dhe duke analizuar rreth dy-tre mijë dokumente për Skënderbeun del se viti i lindjes është viti 1414, pra ai nuk ka lindur në vitin 1405. Kjo bazohet në rreth njëzet fakte, por unë po përmendi më kryesoret; 1- Si ka mundësi që Gjergj Kastrioti Skënderbeu të lindë në vitin 1405 dhe të merret peng nëntëvjeçar ndërsa të jetë Sulltan Murati II, kur dihet se ai vjen në pushtet në vitin 1421 dhe e nënshtron Shqipërinë dy vite më vonë. (23 minus 9 është 14 (2014). Fakti i dytë: Josef von Hammer, historiani më i njohur i perandorisë osmane, i cili ka shkruar dhe mësohet në Turqi dhe të gjitha vendet, thotë se kur u kthye Skënderbeu në Krujë ishte 29 vjeçar, pra viti 1443 minus 29 del viti i lindjes 1414. Gjithashtu kronika arabe të cilën e kam zbuluar unë për herë të parë e përkthyer në gjermanisht nga gjuha arabe në vitin 1680 nga Loschke, aty bënë fjalë për jetën e Skënderbeut që është vëzhguar nga një agjent arab në pallatin mbretëror të sulltanit, dhe, aty dy-tri vite e ka vëzhguar Skënderbeun. Ai në shkrimet e tij tregon për dashurinë e Skëndebeut me sulltaneshën e katër të sulltanit e cila ka qenë vajza e Brnkoviqit, e quajtura Maria, por arabi nuk ia di emrin dhe i thotë Servilia, në gjuhën latine Serbisë i thonë Servilia, pra të gjitha këto dokumente pa i përmendur faktet tjera, dëshmojnë se Skënderbeu ka jetuar 53 vjet, pra ai ka lindur në vitin 1414. Skënderbeu ka qenë një personalitet i përsosur, është krenari kombëtare dhe është i përmasave ndërkombëtare”. Libri u promovua në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Has dhe pritet të organizohet promovimi në Austri dhe vende tjera.
Prof.Dr.Dr.Eqrem Zenelaj është sot figurë e njohur në historiografi dhe diplomaci me përmasa ndërkombëtare. Nga puna hulumtuese e tij rrodhën dhjetë vepra shumë interesante të bazuara në fakte e dokumente nga arkivat dhe bibliotekat më të njohura të botës. Njeriu i bibliotekave dhe arkivave, njeriu ynë, Nderi i Kombit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura