HILMI GASHI: SKLLAVËRIMI MODERN I PUNËTORËVE TË KOSOVËS

Pashtriku.org, 22.11.2013 – Çdokush ka lexuar e dëgjuar për skllavërinë e errët ndër shekuj, ku njeriu mund të ishte pronë e tjetrit, i cili i mbuluar nga ana ligjore mund ta përdorte atë sipas interesave të tij në çdo aspekt. Për marrëzi është quajtur “vegël”. Fenomen ky, tashmë i ndaluar në formën e tij brutale të atyre kohërave. Një nga hapat më të mëdhenj të ndërmarra për njerëzimin, ka qenë përpjekja e vazhdueshme e disa popujve, grupeve dhe individëve për zhdukjen e skllavërisë në kontinent, shtet, shoqëri, grup, lagje dhe familje.
Duke kuptuar se skllavëria nuk gjendet vetëm në raftet e pluhurosura të historisë, është plotësisht e qartë se skllavëria ende gjallon në botën moderne, kudo në gjithë kontinentin, madje edhe këtu ku duket se frymëzon aq shumë liri, në Europë. Aq më shumë tek ne, në Kosovë. Ndonëse fakti është se në shumë vende europiane po vijon skllavëria e bazuar në forma shfrytëzimi. Në këtë kontekst, do flas për pozitën e fuçisë punëtore sot në Kosovë, një nga format e shfrytëzimi të skllavërimit modern, ndonëse jo e disiplinuar me ligj.
Këtij lloj shfrytëzimi i krahut të punës, i është rënduar së tepërmi gjendja për mbijetesë, individë që mbahen me më pak se një euro në ditë. Në këto situata, së paku punëtorët kanë ca liri dhe të drejta bazë, ndonëse ekstremisht të kufizuara. Në vend të kësaj skllevërit, të cilëve po u referohem, janë ata jeta e të cilëve është hipotekuar prej atyre që i kanë plotësisht në duar armët ligjore. Për ta shprehur ndryshe, këta janë skllevërit e vërtetë.

 Skllavëri është imponimi i njeriut të punojë me orë të tëra pa pasur mundësi t’i përkushtohet edukimit të tij, kultivimit mental apo edhe fizik. Dhe, realiteti i turpshëm këtu është se rregullat ligjore punojnë në të vërtetë kah legjitimimi i kësaj skllavërie të paetiketuar. Për fatin e mjerë, nuk është e mundur që këta skllevër modernë të luftojnë për ndonjë të drejtë për veten e tyre. Tërë kjo i dënon ata të jetojnë të shtypur nga të tjerët.
Situata e punëtorëve në Kosovë, është plotësisht e pambrojtur. Diskriminimi i tyre bëhet në format më të vrazhda. Mbi 70 për qind e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë kontrata të punës. Ka edhe punëtorë që nuk e dinë se ç’është kontrata e punës. Si pasojë, në vit buxheti i Kosovës humb rreth 15 milionë euro në tatime e kontribute. Shtrohet pyetja se qëndron dikush prapa punëdhënësve “keqbërës”. Fjala është për kompanitë e mëdha që kanë të punësuar shumë persona, të cilët detyrohen të punojnë punë të rënda fizike nga 12 orë në ditë, ndërsa një orë pune u paguhet vetëm 1 euro. Ata guxojnë të hanë vetëm një herë në ditë bukë, duke u ballafaquar me presionin e vazhdueshëm nga punëdhënësi.
Punëtorët shqiptarë përpos që janë të diskriminuar në paga, krahasuar me punëtorët tjerë, ata kanë vetëm një ditë në muaj pushim, në kundërshtim me Ligjin e Punës në Kosovë, përderisa detyrohen të punojnë edhe punë të tjera jashtë profesionit të tyre. U shkelen të drejtat e tyre pa mëshirë. Gjendja e tyre ka për të mbetur kështu për sa kohë që mbi ta të jetë drejtuar arma ligjore “e kërcënimit të dëbimit nga puna”.
Veç kësaj, numri për punëtorët që kanë vdekur, janë lënduar apo sëmurë në vendet e tyre të punës, janë bërë viktimë e këtij skllavërimi modern, është shumë shqetësues për shoqërinë kosovare në përgjithësi, pavarësisht faktit që ende nuk dihet numri i saktë i viktimave sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), e që mendohet të jetë shumë i lartë.
Edhe më i turpshëm është fakti që mu këto sindikata nuk angazhohen më tepër në këtë kontekst dhe të bëhet presion tek autoritetet kompetente që ta rregullojnë infrastrukturën ligjore lidhur me këtë çështje të rëndë. Mbase asnjëherë s’do mjaftojë shqetësimi me një komunikatë mediatike.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës këtë vit eventualisht në fillim të vitit 2014 pritet të nënshkruajë marrëveshjen ndërshtetërore me shtetin e Katarit për punësim sezonal. Ndërkaq sipas raporteve ndërkombëtare, shteti i Katarit cilësohet si një vend abuzues dhe keqtrajtues për punëtorët, të cilët punësohen në këtë vend.
The Guardian-i ka zbuluar se punëtorët në këtë shtet keqtrajtohen deri në shkallën e skllavërisë moderne. Ndërsa zyrtarë nga Ministria e Punës nuk duan t’i përgjigjen pyetjes, nëse skllavërimi mund t’u ndodhë edhe kosovarëve që pritet të punësohen atje. Andej apo këndej, të pret skllavërimi. Mbase shumëkush do thoshte, më mirë i skllavëruar në vendin tënd.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura