HYSEN GEGA: ASGJË NUK HARROHET, JUSUF BUXHOVI MË KA MARRË NË PYETJE NË SEKRETARIATIN E PRISHTINËS, DHE M´I OFENDONTE VËLLEZËRIT GËRVALLA ME SHARJE NËNE…

(Pashtriku.org, 26. 01. 2013) – Hysen Gega është arrestuar më 31 dhjetor 1980. Hetimet ndaj tij kanë zgjatur rreth 6 muaj. Gjatë gjithë kohës së hetimeve e kanë marrë në pyetje udbashët Mehmet Lumi, Lorenc Selmani dhe Adem Ibrahimi. Por në fillim të janarit 1981, atë e ka marrë në pyetje edhe gazetari JUSUF BUXHOVI. Për Jusuf Buxhovin ka dëgjuar më parë se ishte korrespodent i „Rilindjes“ në Bon, por nuk e kishte parë kurrë me sy. Për herë të parë e ka parë, në lokalet Sekretariatit në Prishtinë. Ndërsa për herë të dytë e ka parë në fillim të vitit 1991 në Lokalet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë.
Hysen Gega, i lindur në fshatin Sallgrazhdë me 1950, njihet midis të burgosurve politikë kosovarë si “legjendë e burgjeve jugosllave“ për shkak të qëndrimit të tij të paepur dhe përherë kryengritës. Për herë të parë unë vetë kam pasur rastin ta njoh atë gjersa isha nën hetime në Burgun e Qarkut të Prizrenit gjatë verës së vitit 1981. Isha në vetmi. Sa herë që dilja në shetitje, prej një dhome në katin e II-të, në mes parmakësh depërtonte një grusht i përcjellë me një zë: „Mos u mërzit! Vdekje titizmit!“. Kush ish ky njeri vallë që nuk e njihja? Pas një gabimi të rastësishëm (ose të qëllimtë) të gardianëve, më ra ta takoja në oborrin e burgut. Iu prezentova dhe m´u prezentua. M´u kujtua se emrin e tij ma kishin përmendur disa herë në hetuesi, mbase për të zbuluar ndonjë lidhje të mundshme. Pas ca muajsh atë e degdisin në burgje të tjera, në Burgun Qendror në Beograd dhe së fundi në Nish, ndërsa mua në Leskovc.

Ka vetëm katër klasë fillore. Megjithatë ka lexuar një bibliotekë të tërë. Por shkollën më të madhe ia dha jeta. I detyruar të punojë që në moshë të re për bukën e gojës, vajti në fillim në Beograd pastaj edhe jashtë vendit, në Gjermani, ku i ra të punonte me veprimtarët më të shquar patriotë të atjeshëm. Pothuajse jeta i kaloi në mërgim.  Lidhur me njërin prej aksioneve ilegale që kishte kryer, me ç´rast i kish vënë zjarrin emrit të Titos të shkruar me lule në një hapësirë të gjërë në një parkë të Prizrenit, gjykatësi e kish pyetur: – Kush ta dha idenë për një gjë të tillë, – ai i ish përgjigjur pa hezitim: – Në një film dokumentar kam parë djegjen e Rajhshtagut, kryqit të thyer fashist dhe të fotografisë së Hitlerit. Aty e mora idenë.
Lidhur me ndriçimin e disa fakteve që patën jehonë në opinion, bëmë një intervistë të shkurtër në fshatin e tij.
PYETJA: Hysen, a të kujtohet se kur je arrestuar me t´u kthyer prej Gjermanisë dhe kush të ka marrë në pyetje pas arrestimit?
H.GEGA:
Posi. Po ato janë gjëra që nuk harrohen. Më kanë arrestuar më 31 dhjetor 1980 në orët e hershme të mëngjesit, diku kah ora 5 – 6 sapo kishte filluar pakëz të zdritej. Hetimet e mija kanë zgjatur rreth 6 muaj. Pothuajse gjatë gjithë kohës së hetimeve më kanë marrë në pyetje MEHMET LUMI dhe LORENC SELMANI. Kah fundi i hetimeve më ka marrë në pyetje edhe ADEM IBRAHIMI. Por në fillim të janarit 1981, data e saktë nuk më kujtohet, po ashtu më ka marrë në pyetje edhe JUSUF BUXHOVI. Kështu ma kanë prezentuar atë. Për JUSUF BUXHOVIN kisha dëgjuar më parë se ishte korrespodent i „RILINDJES“ në Bon, por nuk e kisha parë kurrë me sy. Për herë të parë e kam parë aty, në lokalet Sekretariatit në Prishtinë.
PYETJA: Sa herë e ke parë gjithësejt JUSUF BUXHOVIN në jetën tënde?
H. GEGA:
Dy herë. Një herë në fillim të janarit 1981 kur më ka marrë në pyetje dhe një herë tjetër në fillim të vitit 1991 në LOKALET E LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS NË PRISHTINË.
PYETJA: A ishte fjala për të njëjtën fytyrë?
HYSEN GEGA:
Po
PYETJA: A mund të na i përshkruani sjelljet e tij gjatë hetimeve? Për çka interesohej më shumë dhe si sillej?
H. GEGA
: Qëllimi i tij ishte që unë të pendohem për aq sa kisha bërë. Më thoshte se më kishte përcjellur atje (në Gjermani – vërejtja ime) dhe se i dinte të gjitha gjërat. M´i përmendi disa lokale, por për fat në ato lokale unë s´kisha qenë kurrë. Në këtë mënyrë bile ai më ndihmonte, ma bënte me dije se s´dinte, se dinte fort pak ose fare lidhur me çështjen time. MË BËNTE PRESION PSIKIK. M´I OFENDONTE SHOKËT,VËLLEZËRIT GËRVALLA; IBRAHIM KELMENDIN. E ofendonte Enver Hoxhën. Më thoshte se ata janë në rrugë të gabuar dhe se edhe mua më paskan hudhur në rrugë të gabuar prandaj duhet…
PYETJA: Domethënë shprehej me fjalorin më të ndytë të UDB-së?
H.GEGA:
PO. PO. PO. ME SHARJE NËNE E ME FJALË TË CILAT AS ME LAPS NUK SHKRUHEN.
PYETJE: Sa herë të ka marrë në pyetje?
H. GEGA:
Vetëm një herë. Ka zgjatur disa orë, saktësisht nuk më kujtohet, Dy deri në tri orë. Në prezencën e tij presion psikik nuk më kanë bërë, nuk më kanë rrahur me asgjë… Gjatë asaj kohe kanë qenë mjaftë korrektë. Aty ishin prezent MEHMET LUMI e LORENC SELMANI.
PYETJE: A ka pasur ndonjë pyetje të BUXHOVIT rreth vëllezërve GËRVALLA?
H. GEGA:
Jo, ai s´më pyeste asgjë për ta vetëm se i ofendonte, i shante. Thoshte se ata janë në një rrrugë të gabuar, se ne kurrë s´kemi qenë më mirë…
PYETJE: A mos e ke njohur rastësisht BUXHOVIN gjatë qëndrimit tëndë në RF të Gjermanisë?
H.GEGA:
Jo.

JUSUF BUXHOVI

…………………………………………………

PYETJE: A është dëshmuar gjatë marrjes në pyetje se ai të ka njohur ty?
H.GEGA:
Po. Kur më kanë sjellë në zyrë, ata më kanë prezentuar në bisedë e sipër ai (BUXHOVI) më ka thënë se të kam përcjellë, se të kam njohur shumë mirë, i kam përcjell edhe vëllezërit GËRVALLA. M´i përmendte disa lokale e kafene, për të cilat për herë të parë dëgjoja prej tij.
PYETJE: Z.Hysen, kemi dëgjuar edhe për një ofertë që të ka bërë UDB-a jugosllave lidhur me likuidimin e vëllezërve GËRVALLA. Sa është e vërtet kjo?
H.GEGA:
Po. Kanë qenë të pranishëm aty MEHMET LUMI, ADEM IBRAHIMI, LORENC SELMANI, VESEL KRASNIQI dhe një SERB. Për herë të parë e kam parë atë aty, vetëm se kam dëgjuar se edhe ai ishte inspektor. Kjo ka ndodhur dikund në muajin qershor 1981, kah mbarimi i hetimeve të mia, në zyrat e SPB-së së Prizrenit. Vetë MEHMETI më ka thënë, ashtu si edhe të tjerët se “DO TË LËSHOJMË PREJ BURGUT E DO T´I BËJMË TË GJITHA KUSHTET E MUNDSHME, DO TË JAPIM ARMË ÇFARË TË DUASH, KEMI ARMË SPECIALE…. SHKO LIKUJDOI VËLLEZËRIT GËRVALLA, OSE IBRAHIM KELMENDIN! Të holla përveç shpenzimeve, njëqindë mijë marka më tepër i ke“. Kjo ishte e tëra. Për këtë i kam bërë me dije edhe shokët pasi më kthyen në burg nga lokalet e SPB-së.
PYETJA: Çfarë ishte përgjigjja jote pas një oferte të tillë?
H. GEGA:
Atyre u thash kështu: “I kam katër fëmijë për të cilët gjithmonë kam qenë i përmalluar sepse tërë jeta më ka shkuar në mërgim. M´i ofroni fëmijët e mi këtu dhe më jepni automatikun. Nëse mund t´i vrasë ata atëherë mund ta bëj edhe veprën që kërkoni ju.“ Pas këtyre fjalëve inspektori serb intervenoi me fjalët se nuk duhet zgjatur më tej sepse ky njeri i ka tejkaluar të tridhjetat dhe pas kësaj moshe, sipas tij, bindjet politike po kalokan edhe në gene dhe s´paska forcë që t´i ndryshojë. (Bisedën e zhvilloi: B.Elshani)
– Kjo intervistë është shkëputur nga libri: “Terror, dhimbje, qëndresë“ i autorit Faridin Tafallari, botuar në faqet: 342 – 344.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura